Faleminderit
Xhevahir Cirongu: Artisti dhe sportisti i madh - Ramazan Njala (1922 – 1982)
E merkure, 26.09.2012, 04:41 PM
Homazh
(Me
rastin e përvjetorit të 30 të ndarjes nga jeta)
RAMAZAN NJALA (1922 – 1982)
Nga Xhevahir Cirongu
Viti 2012
është viti i përvjetorëve të Artistit dhe Sportistit RAMAZAN NJALA.
Nga
shkurti i këtij viti, ai do te ishte 90 vjeç, dhe në shtator mbushën 30 vjet që
nuk e kemi më midis nesh.
Eshtë një
mungesë e madhe për sportin, për artin, për qytetin, për bashkëqytetarët, e
sigurisht për familjarët ; pasi R. Njala me punën e kontributin e tij shumë vjeçare
në sport e në art la gjurmë të pashlyera në memorjen e qytetit e më gjerë, la
emër të paharruar dhe famë të palëkundur si rrallë ndodh, në dy fusha të rëndësishme:
në sport e në art.
R. Njala lindi më 20 shkurt 1922 në një familje të
nderuar durrsake. Me gjyshin detar e
babain arsimtar, Ramazani mori që në fëmijëri edukatën dhe traditën qytetare për
t’i shërbyer njerëzve me përkushtim e devoshmëri. Shtëpia në lagjen Kala të Durrësit mbi
amfiteatrin antik të kohëve romake, ishte koinçidenca që analistë të ndryshëm e
justifikojnë talentin e lindur e aftësinë e përsosur të Ramazanit për sportin e
artin.
Në vitet
e fëmijërisë e të rinisë, Ramazani është aktivizuar në shumë sporte. Si: portier në ekipin e futbollit të Gjirokastrës
në vitet 1945-46 kur kryente shërbimin ushtarak, vite kur ky ekip ishte kampion
i vendit; volejbollist me ekipin e Partizanit në vitin ’47, ku merr pjesë dhe në
lojrat e para ballkanike që u zhvilluan
në Tiranë, dhe më pas basketbollist e volejbollist, notar, atlet, hendbollist,
vaterpolist etj. me ekipin e Lokomotivës së Durrësit në vitin 1948-1960, duke
marreë pjesë gjithnjë në pesëshen e parë në ndeshje e kampionate të vendit e të
huaja bashkë me sportistë të tjerë me emër të vendit e të huaj. Gjithashtu, fitues e titullar në sporte
individuale. Qysh në vitin 1956 merr
titullin’’ Mjeshtër Sporti’’, si titulli më i lartë i kohës. Më vonë merr ‘’Medaljen e Punës’’ e Medaljen ‘’Naim
Frasheri’’, për punë të palodhur e kontribut të gjithanëshem në zhvillimin e
sportit e kulturës shqiptare.
Sot
pallati i sportit të lojrave me dorë të qytetit të Durrësit mban emrin’’ Ramazan
Njala’’. Gjithashtu një rrugë e hershme
e qytetit mban emrin e tij.
Pas vitit
1960, për aresye moshe u tërhoq nga sporti aktiv, por u aktivizua si trajner i
ekipeve i të rinjve djem e vajza, dhe si arbitër e gjyqtar deri i kategorisë së
parë.
Shtatlartë,
fizikisht i fortë, me humorin e lindur e natyral që e karakterizonte, Ramazani
ngjiti shumë shpejt shkallët edhe të një fushe tjetër shumë të dashur për njerëzit:
atë të humorit skenik. Qysh në vitet e
rinisë së hershme, R. Njala krahas talentit për sportin, kishte një talent të lindur
edhe për artin, për artin e humorit të satirës.
Vazhdimisht
në lagje e në shkollë, këndonte e bënte
humor duke organizuar me shokët skena e shfaqje që njerëzve u pëlqenin. Në vitin 1945 krijon e këndon parodinë “Gjirokastër
të kam mike, të rëntë bomba atomike. . . . ” ,parodi nga e cila pati jo pak
probleme e telashe. Kjo parodi krahas të
tjerave është quajtur: Parodia e parë shqiptare!
Siç vinte
duke u intensifikuar aktiviteti i tij sportiv,
ashtu vinte duke u intensifikuar dhe aktiviteti artistik në grupet amatore, e sidomos me
grupin e Portit Detar i cili nën drejtimin e tij kishte fituar disa çmime të para.
Që me
krijimin e estradës profesioniste të Durrësit, Ramazani ka merrë pjesë në të gjitha
premierat e saj, në fillim si amator e më pas si profesionist duke luajtur e
interpretuar me mjeshtëri e profesionalizëm rreth 90 role, e duke kënduar rreth
70 parodi e kuplete, shumicën të krijuara nga vetë ai. Ramazani ka deputuar edhe në filma artistike
si dhe në disa emisione radiofonike të Radio- Tiranës. Ai, gjithashtu ka shkruar pjesë me skeçe e
komedi, si dhe artikuj e reportazhe në gazeta lokale e kombëtare sportive dhe
artistiko-shoqerore.
Në vitin 1972,
pranohet antar i Lidhjes së Shkrimtarëve e Artistëve të Shqipërisë.
Ramazani
kishte një popullaritet në rritje në të gjithë Shqipërinë. Ai, jo vetëm interpretonte shumë mirë rolin apo parodinë, por kishte një aftësi
të jashtëzakonshme të afërsonte me njerezit. Me
thjeshtësi, ai futej e qëndronte
midis njerëzve. Ishte i veçante dhe shumë
natyral, saqë dhe njerezit ia kthenin këtë mirësjellje me respekt e dashuri,
por edhe me ovacione e brohëritje në të gjitha
daljet e tija kur dilte në skenë. Në të gjitha
shfaqjet para publikut, Ramazani do t’i
përsëriste 2 deri 3 herë, duke bërë që së bashku me lojen e talentuar e të mrekullueshme
të aktorëve të tjerë të estradës së Durresit, si: Spiro, Aishja, Meropi,
Sandri, Fadili etj, apo këngëtarëve si: Qemali, Naimi, Zijai etj. me drejtuesit e mirënjohur Gjergj Vleshi e Skënder
Myshketa; të ishin trupa humoristike më e mirë në Republikë. Ramazani është quajtur “babai” i kupletit
shqiptar.
Gjithnjë i
duartrokitur në sport e në skenë, R. Njala mbeti etaloni i sportistit të talentuar
e aktorit brilant të humorit shqiptar.
Ai me
talentin, zërin, lojën shumë të veçantë e gazmore, i bënte barazpeshë trishtimit e zymtësisë së të
përditëshmes që përjetonin njerëzit.
“ Ai
ishte një njeri i madh e i papërsëritshëm” shkruan shkrimtari Bashkim Hoxha në një
nga shkrimet e tija për R . Njalën.
Kurse i
mirënjohuri Gjergj Vlashi, regjizor, koleg e shokë me Ramazanin, nuk nguron të thotë se: “R. Njalën
e kam njohur si sportist e artist të shquar, por edhe si prind shëmbullor e
qytetar të nderuar. Zani ishte një figurë
poliedrike, një gur i çmuar shumëkëndesh që do ruhet e jetojë gjatë.
Ai kishte
një popullaritet të jashtëzakonshëm tek njerëzit.
Tek
Ramazani ishin bashkuar talenti, dëshira për punë dhe një dorë shumë e madhe
mirësie, e cila ishte ndër veçoritë e tija më të spikatura. Dhe kur Ai u nda nga jeta, varrimi i tij u
kthye në një manifestim të madh popullor dhe mijëra e mijëra njerëz e shoqëruan
për në banesën e fundit; atë njeri të mirë e aq popullor, atë sportist e
artist, prind e qytetar të rrallë. ”
R. Njala
përveç sportit e artit kishte pasion fotografinë, filatelinë, gazetarinë, gjuhët
e huaja, sekretarinë e llogarinë e punës
, pasione që ai i kryente me shumë pasion e korrektësi.
Ky është talenti
i madh dhe njeriu i mirë R. Njala, për të cilin është i madh dhe i papërshkruar,
malli që ndjejmë në çdo përvjetor të lindjes e vdekjes së tij. Malli për sportistin, artistin e paharruar,
njeriun që dhuronte vetëm mirësi e buzëqeshje, mirënjohje e humanizëm, fisnikëri,
mirëkuptim e tolerancë.
Kudo
Ramazani vazhdon të jetë pranë nesh, në kujtimet e familjes, bashkëkohësve,
kolegëve, miqve e shokëve të tij, në kujtesën e spektatorit të sallave të Republikës.
Koha i
vlerëson,por dhe i rivlerëson njerëzit.
R. Njala është nderuar me disa tituj e medalje, mban’’ Urdherin Naim Frashëri të Klasit të Parë’’, titullin ‘’Mjeshtër Sporti e Artist i Merituar’’, si dhe ‘’Urdhërin e lartë Mjeshtër i Madh në Sport e në Art’’. Por, mbi të gjitha Ai ka marrë vlerësimin e respektin e shokëve e kolegëve të sportit e të artit, duke e kujtuar e rikujtuar Atë me ceremoni e aktivitete të shumta përkujtimore, duke e skalitur emrin RAMAZAN NJALA në panteonin e nderit e lavdisë kombëtare.
![]() |
Një çast stërvitje me shokët e skuadrës në fushën e sportit. |