Faleminderit
Artur Zheji: Pa simbolin e Terezës
E shtune, 08.09.2012, 11:58 AM
Pa
simbolin e Terezës
Nga Artur Zheji
Në 5
shtator të vitit 1997, u nda nga jeta Nënë Tereza. 15 vite më parë planeti u
vesh në zi, sepse vdekja mori një nga armiket më të mëdha të saj. Pa dashur të biem
në romanticizmin naiv, që një Nënë e shumëkujt dhe një Nënë e gjithkujt si ajo,
nxit dhe trondit, nuk mund të mos themi që kjo vogëlushe shqiptare trupvogël, është
katarsisi moral, publik dhe ndërkombëtar i imazhit të ne shqiptarëve.
Nënë Tereza
është, e thënë në mënyrë pothuajse të pahijshme, një brand, një markë dhe një simbol
që fisnikëron. Ne shqiptarët ndoshta jemi në dilemën paradoksale nëse e
meritojmë ose jo, nëse duhet të identifikohemi ose jo, idealisht me më të mirën
pjesë të geneve tona, që janë koncentruar në ADN e Terezës së Kalkutës. Genet
tona kanë pjellë falë kombinimeve të tyre shumë vrasës, mashtrues dhe
tempujshkatërrues. Në vitet ’90, kam ndeshur shumë shqiptarë, që gjëja e parë që
këshillonin ishte t’u rrinim sa më larg shqiptarëve. Në po ato vite kam ndeshur
shumë të tjerë që në mënyrë shtiranake dhe vetëmbrojtëse, vetëdeklaroheshin jo
shqiptarë, nga sikleti, turpi apo kamaleonizmi i luftës banale për ekzistencë.
Në po ato
vite, Tereza shqiptare e Kalkutës, ishte një Vend pelegrinazhi. Turmat e
preknin, e nduknin, e ledhatonin dhe e adhuronin me vështrime. Ajo shpërndante
ca medaljone të thjeshta nikeli me imazhin e Shën Mërisë dhe i puthte, në mënyrë
simbolike duke transportuar frymën e saj dhe qenien e saj. Dhe njerëzit e
merrnin sumbullën e nikelit, të puthur nga ajo, të transformuar mistikisht nga
ajo në diçka tjetër. Në diçka tjetër realisht të transformuar apo mistikisht të
perceptuar, pak rëndësi ka.
Në 15-vjetorin
e largimit të saj nga kjo botë, në të njëjtin vit me largimin e gjyshes sime
nga nëna, ajo mbetet sërish një ikonë. Ndërkohë që atdheu i saj faktik dhe
genetik, Shqipëria, ishte i sapodalë nga një pothuajse luftë civile.
Është shkruar
dhe do të shkruhet edhe shumë e shumë kohë më vonë për Terezën e Kalkutës, do të
shkruhet me frymëzim dhe shumëkush do të zgjojë te vetja më të mirën pjesë, që të
hyjë në rezonancë me më të Mirën Nënë të Njerëzimit sëpaku të Mijëvjeçarit të fundit.
E prandaj është sa e thjeshtë po aq e vështirë, të shkruash për Të. E thjeshtë,
sepse ajo është e famshme dhe frymëzuese, e vështirë, sepse është shumë e madhe
dhe shumë e largët nga e zakonshmja njerëzore.
Në shumë debate,
përgjithësisht mediokre që janë bërë e bëhen në Shqipëri për Nënë Terezën, është
vënë në dyshim nëse ne, duhet ose jo, të investojmë më shumë ose më pak, për t’u
identifikuar me imazhin planetar të kësaj femre të jashtëzakonshme.
Kam qenë dhe
mbetem pa dilema, se po, Nënë Tereza, duhet të shndërrohet në një identitet të dyfishtë
të shqiptarëve modernë për disa cilësi laike dhe jo mistike që përfaqësojnë vullneti
dhe shpirti i saj, për disa cilësi të përbotshme dhe jo vetëm kristiane të saj.
Ajo
kishte një vullnet të hekurt për të cilën ne shqiptarët nuk mund të krenohemi. Ajo
ishte besnike e një besimi, me moral të fortë dhe të paepur, cilësi të cilën ne
shqiptarët nuk po e kultivojmë dot në kulturën tonë kombëtare, shpesh pa bosht
dhe po shpesh me një pragmatizëm të pështirë.
Nënë Tereza
kishte një modesti të thellë, burimore dhe filozofike, një modesti që buron nga
esencializmi, nga përkushtimi i gjërave thelbësore, që nuk lë kohë dhe hapësirë
formës, vanitetit dhe lëvozhgës. Ndërkohë që kultura e lëvozhgës dhe rendja
mbas lëvozhgës, është një trend pothuajse kombëtar që duhet korrigjuar
kulturalisht. Sepse ne ka kohë që nuk rendim mbas diçkaje me të vërtetë shpirtërore
dhe me të vërtetë ideale. Ne këtë e dimë, sepse nëse na teket, rrallë e tej një
ditë, e të kërkojmë një institucion apo një person tek i cili të besojmë, të besojmë
në ndershmërinë e thellë apo në të vërtetën e një përgjigjeje, do të ngeleshim
padyshim të vetmuar. Pa atë të vërtetë, pa atë akt të ndershëm, pa koordinata.
Nënë Tereza
është një institucion i tillë. Dhe vepra e saj do të jetë.
Pavarësisht
se është vetëm e krishterë, ajo është e të gjithëve, është një ndërmjetëse e përkryer
ndërmjet Zotit dhe Njeriut dhe do të mbetet shenjtërisht e tillë.
Në këtë kontekst,
nëse për 15-vjetorin e largimit të saj nuk u kujtua askush, përjashto disa fjalë
të Kryeministrit, do të thotë se sëpaku kemi ndershmërinë të turpërohemi që ta
risjellim midis nesh. Rrëfen kjo harresë, një bashkëjetesë të zjarrtë me demonët
e panumërt që parapëlqehen më shumë se një shenjtore, qoftë edhe një herë në 15
vjet.
Një vend i pashpresë. Pa Nënë Terezën.