Faleminderit
Lulzim Logu: ''Koha të duhemi'', ky mesazh i madh...
E marte, 14.08.2012, 07:20 PM
“KOHA TE
DUHEMI”, KY MESAZH I MADH…
In memoriam për një mik që shkoi siç shkojnë dashuritë…
NGA LULZIM LOGU
Kur shkon
dashuria, rrëfehemi mes dhimbjesh dhe lotësh tek vetvetja dhe miqtë e zemrës,
episodet e ndodhura marrin permasa kozmike, figura e shtrenjtë e tij/saj
strehohet e madhe në zemër dhe trysnon ditët dhe perjetimet tona të mëvonshme,
pendimi dhe malli pikojnë si shi vjeshte në qelqet e syve dhe paretet e zemrës,
vargjet oshëtijnë në akustikën e qënjes dhe detajet afrohen kah penda dhe letra
e bardhë…
Podrimja
shkoi befasisht, pa u ndjerë dhe pastaj trazoi mendjet dhe zemrat e atyre që e
deshën fort, të njerzve me të cilët kurrë s’u pajtua, të atyre që e kuptuan dhe
shumë të tjerëve që se kuptuan atë dhe as vargjet e tij, të njerzve të thjeshtë,
të pushtetarëve dhe qeverive tona dhe të huaja…
Në fund të
fundit ai ishte poet, zotërues i shpirtit të madh artistik dhe i vargut posesiv
i cili binte mbi mendje dhe zemra si mesazh, ky ishte fati i Ali Podrimes si
poet, suporti i madhështisë që prin kah pavdekësia, mundësia e patjetërsueshme
të jetë krah emrave të medhenj të kombit, dashuri përherë e kujtueshme dhe e
pashlyeshme në memorien kombëtare.
E kam
njohur relativisht vonë, diku para 5-6 vitesh, kur ai e vizitoi për here të pare
Tropojën dhe unë me kerkesën e tij e shoqërova ngado në takimet e tij, tek
gjimnazistët, tek monumentet historike dhe natyrore, por edhe në kontaktet me
krijues vendas dhe njerëzit e thjeshtë të qytetit tim, që kur e morën vesh se
kush ishte, ja mësynin me dhe pa rregull ta takonin, të kembenin dy fjalë me të,
të bënin fotografi dh eta pyesnin për Lumin e tij, djalin dhe librin e famshëm…
Aliu qe
mrekulluar dhe habitur njehkohësisht, erdhi dhe tre here më pas në Tropojë me
miqtë e tij Rexhep Ferri, Agim Gjakova, Tahir Bezhani etj, duke lënë pas shumë ftesa
të tjera, shume takime dhe vende për tu vizituar, brenda dhe jashtë Kosovës.
Tropoja
papritur mu shndrrua në dashuri, më tha sivjet kur erdhi perplot dëshirë të marrë
pjesë në Edicionin e Tretë të “ ORA E POEZISE” manifestim tashmë tradicional që
organizohet nga Shoqata “ KLUBI I SHKRIMTAREVE DHE ARTISTEVE” TROPOJE.
Njeri që e
donte protagonizmin, njeri i dashuruar pas çmimeve, i përkëdhelur nga vlerësimet,
patriark i poezisë kombetare, mbushur plot dhimbje dhe dashuri, në fakt ishte i
vështirë në komunikim, në dukje tekanjoz dhe ndonjëherë i pakomentueshëm në perballjet
publike.
Ma
perkujtonte shpesh poetin e njohur shkodran, Reshpjen , të cilin e takoja dikur
në rrugët e Shkodrës, fektonte si hije në shiun e pandalshëm, i pakuptuar dhe i
anashkaluar nga turma, por i adhuruar nga studentët si unë që i afroheshin të degjonin
zërin dhe ndonjë varg dashurie…
I veçantë,
me botën dhe sjelljen e vet, të bindur në drejtësinë e kauzës dhe mendimit
intelektual, të papërshtatshëm ndonjëherë për të zakonshmit…
Me Ali
Podrimen pata fatin të jem në tubime dhe manifestime të ndryshme në Shqipëri,
Kosovë dhe Mal të Zi, të kembej pikepamje dhe libra, të kem pajtime dhe
mospajtime, por gjithnjë respekt dhe komunikim të vazhdueshëm.
Së voni,
miku im Tahir Bezhani më tregoi per semundjen e shfaqur, i kishte treguar vetë poeti
ne telefon, e kisha pikasur ndryshimin e tij, gjatë manifestimit poetik të
Majit 2012 në Tropojë, ngrihej shpesh nga vendi, dilte jashtë, vështronte nga
malet e largëta, nuk e donte shumë bisedën e zhurmshme dhe vendosjen në qendër
të vëmendjes, diçka bluante në vetminë e kerkuar…
Dikush
interpretoi poezinë e tij të famshme “ Koha të duhemi, mike!” ndersa ishte
jashtë, ato vargje mu rikthyen fuqishëm në kujtesë kur mora lajmin e vdekjes, në
një tablo të perzier shqiptare të politikes por edhe sociale, me trandje,
trishtim, akuza per tradhti dhe spiunë, për shitblerje trojesh dhe emrash, për
mareveshje të pista dhe pragfushatash të ndyra, per ndrrime postesh dhe varfëri
të tejskajshme, nderkohë që poeteve ju dhemb vazhdimisht në zemër dhe mendje,
parehatia e atdheut…
Ali
Podrimes i kishte dhembur dhe i dhimbte perjetesisht humbja e të birit, I
dhimbte vonesa dhe humbja në prespektiven evropiane, i dhimbte
anakronizmi dhe provincializmi, i dhimbte falsiteti dhe mediokriteti,
ndaj perpiqej të ngrihej lart dhe të shkonte larg!
Edhe me
vdekjen u takua larg, për të qënë sa më pranë të birit dhe i lodhur nga të pavertetat
dhe pamundësia e kujtimit dhe vuajtja e harresës, që kishte mbrritur papritur
si denim i diteve të tij. E la harresën, duke zgjedhur të jetë i kujtuar nga të
gjithë, të dashur dhe kundershtarë, duke lënë pas hirin e poezisë së mrekullueshme,
nga e cila mund të ndezim papushim zjarre dashurie…
E kujtoj
shpesh, do ta kujtoje gjithmonë Tropoja që e nderoi, vargjet e tij kumbojnë mengjeseve
alpine, ndersa fjala dhe fotot e tij si rekuiem i dashurisë së humbur shpalosen
zemrave tona…