Faleminderit
Remzi Limani: Krijuesi ynë në mërgatë
E premte, 03.08.2012, 08:45 PM
Krijuesi
ynë në mërgatë
Nga Remzi Limani
Mbi
njohjet e vlerave krijuese dhe të identitetit tonë kombëtar në mjedise hapësira
të ndryshme, vëmendjen duhet orientuar nga mërgata jonë gjithandej nëpër botë,
ku frymojnë shqip shumë krijues dhe promovues vlerash. Pra, atdhetarët tanë në diasporë
nuk bën të trajtohen ndryshe, pos si pjesë integrale të shoqërisë shqiptare. Prandaj, duhet
kushtuar vëmendje të plotë, në rend të parë,
që me veprat e veta, me dinjitet dhe dashuri të pashuar për atdheun, vazhdojnë krijimtarinë
në shumë fusha të artit dhe të kulturës, duke i bërë të njohura vlerat e veta, në faqet e shumë revistave
dhe të gazetave, botuar dhe financuar nga ata vetë, ose mërgata shqiptare.
Kontributi
i tyre në diasporën shqiptare padyshim se është ndihmesë e madhe në ndritje të imazhit
kombëtar. Andaj, përkrahja institucionale dhe identifikimi i tyre gjithandej në
botë, është investim i duhur dhe pasurim vlerash nga të cilët përfaqësohemi
gjithandej në botën e qytetëruar. Sadulla Zendeli – Daja, në Suedi, është leksikograf
dhe autor i disa fjalorëve me mijëra faqe, suedisht - shqip, shqip - suedisht,
shkrimtar dhe veprimtar i shquar në hapësirën skandinave. Diaspora shqiptare në
Gjermani, ajo në Zvicër, në Belgjikë, në Greqi dhe në Itali, njohin disa emra
shqiptarësh që meritojnë vëmendjen e kompetentëve tanë, për të kaluar pastaj te
Safete dhe Lume Juka, Kozeta Zylo dhe disa shpend të tjerë të shqipes në Amerikë
e gjetiu.
Një atdhetar
i zjarrtë i mërgatës shqiptare në Rumani është edhe Baki Ymeri, poet,
publicist, botues dhe, mbi të gjitha, luftëtar i kauzës shqiptare, afirmues i
mirëfilltë i vlerave kombëtare në diasporë, të cilin njëri nga krijuesit e
njohur të letrave shqipe, Ramiz Kelmendi, e quan “Faik Konica i ditëve tona”. Respekti
dhe mundi janë virtyt i bamirësisë së tij
të palodhshme. Nuk është, as pishtar, as tribun, as bajraktar, veçse një
shembull modestie. Mirënjohje të veçanta
në adresë të tij kanë ardhur edhe nga Ali Podrimja i ndjerë, Agim Shehu, Besnik
Mustafai, Luan Topçiu, Sali Bashota, Isuf
Dedushaj etj. Kryeveprimtar i parë i kësaj mërgate aktive dhe produktive
ishte dikur Nikolla Naço (1843-1913), para dhe pas të cilit shquhet një plejadë
rilindësish si Naum Veqilharxhi, Dora d’Istria, Visar Dodani, Asdreni, Lasgush
Poradeci, Mitrush Kuteli, Aleko Vançi (…). Nga letërkëmbimet tona me zt. Baki,
mësojmë se: kryeveprimtar i dytë në historinë e mërgatës shqiptare të Rumanisë
është Dr. Xhelku Maksuti, njeriu që konsolidoi komunitetin shqiptar të këtij
vendi përmes themelimit të Bashkësisë Kulturore të Shqiptarëve të Rumanisë dhe
botimit të ri të revistës Shqiptari. Atë vepër të shenjtë që e nisi Naum
Veqilharxhi para 160 vitesh, bashkë me një plejadë të ndritur të rilindësve tanë,
sot e ndjek, e realizon dhe e shpie më tej “Shqiponja e Dardanisë në trojet e
Rumanisë”, siç e karakterizojnë shkrimtarët rumunë Baki Ymerin, një tribun i
shqiptarizmës, “ambasador” i parë i Kosovës letrare, historike dhe politike në Rumani,
tani kryeredaktor i revistave “Shqiptari” dhe “Kosova”.
Se kush është
ky zog shqipe që vjen në këtë vend nga zemra e Sharrit, lexuesit, mbase e kanë të
ditur, por ndoshta nuk e dinë se ky krijues me energji të mëdha shpirtërore, që
nga mosha e njomë (1974), ka filluar t’i fisnikërojë revistat rumune me vargjet
e poetëve tanë nga Kosova historike që shtrihet në veri dhe në jug të Sharrit të
moçëm. Kur e kundron në fotografi, ende duket i ri, edhepse më 1 gusht të këtij
viti i mbush 63 pranvera, aq sa jetoi babai i tij, Ajvaz Voka, që militonte për
kauzën shqiptare në Bukuresht (1932-1941). Disa thonë se nuk e ka lënë koha të plaket,
energjia shpirtërore, entuziazmi, vetëdija dhe vullneti për krijimtari gjithmonë
në të mirë të mërgatës shqiptare. Vrulli i tij djaloshar për afirmimin e kulturës
shqiptare në gjuhën rumune dhe ndersjellë, është i pandalshëm. Ai është edhe nikoqir
i vazhdueshëm i Tryezës së Miqësisë rumune me Kosovën, duke e vënë madje edhe
jetën në rrezik, duke e kritikuar haptas klasën politike rumune dhe “avokatët” e
Serbisë në materje të Kosovës, si pasojë e së cilës, (sipas rrëfimit të tij),
ai ishte i shpifur nga filoserbët, Razvan Voncu dhe Florin Silisteanu, duke kërkuar
përmes shtypit që qeveria rumune të marrë masa kundër tij.
Veprimtaria
intensive e B. Ymerit, gëzon admirimin e shqiptarëve gjithandej në botë. Përkthime,
botime, shpërndarje dhe afirmime krijuesish në masmediat rumune dhe ato
shqiptare. Nxitja e dashurisë ndaj kulturës shqiptare te krijuesit rumunë, si
Mihai Antonescu, Monica Mure?an, Marius Chelaru, të cilët, duke u bazuar në veprat
e përkthyera të B.Y., kanë botuar disa vëllime kritike kushtuar kulturës dhe
letërsisë shqipe: Dardania e zemrave tona, Kosova letrare, Me shpirtin në buzë,
Në shuplakë të historisë. Konform vlerësimeve të disa krijuesve tanë, “Baki
Ymeri është oksigjeni i diasporës shqiptare” atje. Veprat e autorëve shqiptarë që
i ka përkthyer me nga një vëllim në gjuhën rumune kalon numrin e mbi 30 autorëve,
duke përfshirë këtu disa emra të njohur si: Sali Bashota, Basri Çapriqi, Sabile
Keçmezi Basha, Nexhat Rexha, Ibrahim Kadriu, Vezir Ukaj, Sabit Rrustemi, Halil
Haxhosaj, Remzi Limani, Adem Zaplluzha, Nuri Plaku, Miradije Ramiqi, Kostaq
Duka, etj.
Në kuadër
të përkthimeve nga mërgata shqiptare e Rumanisë, është edhe shkrimtari,
publicisti dhe gazetari kosovar, Bajram Sefaj me romanin “Parisi kot”, (Parisulin
in zadar), të cilin e ka përkthyer Kopi Kyçyku. Kurse: Albina Idrizin, Sanije
Gashin dhe Besa Salihun i ka përkthyer Adriana Tabaku. Nga bashkatdhetarët tanë
që i ka rikënduar rumanisht i përmendëm vetëm disa, pa i përmendur 2 monografi
mbi shqiptarët e Rumanisë, 7-të vëllime poetike origjinale (Kaltrina, Dardania,
Drita e Dardanisë, Zjarr i Shenjtë etj.), mbi njëmijë artikujt, mbi 30 autorë rumunë
të përkthyer në gjuhën shqipe, 20 antologji poetike me krijues shqiptarë dhe
rumunë, mbi 50 numra të revistës Shqiptari (shumica në kolor), shtatë numra të revistës
Kosova, dhjetra parathënie librash e recensionesh, provimet dhe referatet e
doktoratës me notën brio, lansime autorësh shqiptarë në Muzeun e Letërsisë Rumune
dhe restorantin Boema 33, dhe ajo ç’është më me rëndësi, prezantimi i krijuesve
shqiptarë në revista të panumërta rumune me tirazh të lartë. Disa kushërinj e
dashamirë, si dhe diaspora dhe autorët e përkthyer, e ndihmojnë dhe e kanë ndihmuar.
Simbolikisht
e ka ndihmuar edhe Ministria e Kulturës së Kosovës për botimin e revistës
Kosova, por ç’ka bërë Tirana Zyrtare për këtë njeri, apo për dy emra tjerë të famshëm:
albanologu Grigore Brënkush (akademik), dhe historiani Dr. Xhelku Maksuti? Pas 30
revistave dhe gazetave të kësaj mërgate që dilnin në kohën e Rilindjes kombëtare
deri më 1938, parashtrojmë pyetjen a thua ka dhe revista tjera përveç “Shqiptarit”
të Baki Ymerit në Bukuresht? Po!- përgjigjet, Bubullima e Bukureshtit (B. Y.),
dhe shton se, për momentin janë revistat Haemus e Kopi dhe Ardian Kyçyku (at e
bir) dhe revista nepotiste që promovon kultin e personalitetit, Prietenul
albanezului/ Miku i shqiptarit. E para gjendet në blogun e Kyçykëve, ndërsa të dytën
e boton me mjetet e Qeverisë rumune dedikuar komunitetit shqiptar, deputetja
antikosovare Oana Manolescu, e kritikuar si aktiviste e regjimit diktatorial të
Çausheskut, edhe nga ana e revistës humoristike Catavencu.
Bakiu
vazhdon rrëfimin e tij: se së bashku me Dr. Xhelku Maksutin e ka ngritur zërin
e protestës, jo për herë të parë, dhe kjo ka ndikuar që Tirana dhe Prishtina ta
kuptojnë këtë rast të diskriminimit të komunitetit shqiptar, që së shpejti Qeveria shqiptare të bashkëveprojë me Qeverinë
rumune që deri tani e ka shpërblyer me nga 5 mijë euro në muaj një pseudodeputete
që s’ka kurrfarë lidhjesh gjenetike me shpirtin dhe gjakun shqiptar. Kurse puna
e krijuesve tanë në diasporë, që shkrihen për afirmimin e kauzës shqiptare, siç
është rasti i Mazllum Sanesë, akoma mbetet pa kurrfarë sponsorizimi qeveritar. Duke
shkruar, përkthyer, botuar dhe duke mbajtur kontakt me bijtë dhe bijat e rilindësve
tanë, duke e afirmuar kulturën shqiptare, duke e pajisur Bibliotekën Kombëtare
dhe Universitare të Kosovës me qindra dokumente, dorëshkrime, fotografi e libra
të vjetra, që bëjnë fjalë mbi shqiptarët dhe Shqipërinë, Baki Ymeri e meriton
një përkrahje konkrete, sidomos nga ana e Qeverisë së Kosovës. Bakiu bie vonë dhe
zgjohet vonë, pa krijuar kurrfarë ekzistence personale, por fjalët e tij se “Shqipëria
ka lindur para lindjes së botës”, bëjnë të mendosh se kemi të bëjmë me një dritë
të vërtetë në Hyllinë e rilindësve tanë bukureshtarë.