E enjte, 01.05.2025, 05:16 PM (GMT+1)

Faleminderit

Tinka Kurti: Nderi i kombit, Mjeshtre e madhe e artit

E diele, 29.07.2012, 08:02 AM


Portreti i artistes së Popullit Tinka Kurti aq sa i thjeshtë dhe i madhërishëm. Ecën me hap të lehtë e brenda vetvetes ndihet e revoltuar, ndoshta përjeton çastet e rolit dhe në jetë. Thonë se ajo i ngjason natës me misterin e brendshëm të saj. Ka diçka që të bën për vete, ndoshta forca e heshtjes. Ajo të vret me heshtje, të dashuron me heshtje, të varros me qetësinë e saj brenda gojës së mbyllur. Dua të flas i thonë sytë që veçse lotët nuk i njohin në jetë por veçse në skenë. Ndoshta skena është aq e madhe sa një timbër i fuqishëm si një dallgë trishtimi i Tinkës apo një pikë loti për të fshirë një vesë shiu që do mbushte skenën. Po ajo nuk di të heshtë. Ajo flet edhe kur goja nuk nxjerr tinguj. Po, po ajo flet me gjuhën e shpirtit. Më duket ende i freskët filmi “ Zemra e nënës” sepse kishte vlera shumë të larta artistike. Një grua që ecën me hapa të shpenguar, të hallakatur në tymin e jetës. Vuajtja dehet prej pamjes së saj. Çorapet e zeza, fundi i zi, duart gjithmonë të lidhura. Po sytë i kishte të kaltër si dashuria e saj për fëmijët e munguar. Një psikologji e brendshme e bën edhe më të fuqishëm rolin. Ajo është si një nënë e munguar. Dashuron siç dashurojnë nënat, nuk di të urrejë por mungesa e fëmijëve të saj e kërrusin çdo ditë. Tinka e madhe, fjalët e mija shndërrohen në gurrëza rëre për një artiste të tillë që majën e suksesit e ka tek artdashësit që e dashurojnë aq shumë.. po shpesh shfaqet plogështia e duket sikur vdekja është drejtuar nga ajo. Jo më kot regjisori çon tek artistja një fëmijë i cili hyn në bashkëbisedim me të. I vetmi që i afrohet plakës së çmendur siç e quajnë nuset. Por kur djali sjell supën plaka ja hidhte qenit. “ Mere ha dhe mos leh!?” duart i dridhen, ato duar që dikur vinin fëmijët në gjumë kukullat prej lecke. Jeta është aq e pabesë saqë të rrëmben edhe gjënë më të shtrenjtë. Duhemi kur s’jemi, tretemi kur s’duhet të tretemi. Ata e varrosën, kujtuan se ajo kishte vdekur. Të gjithë largohen për të ç’varrosur mashtrimin ndërsa djali ecën me hapat e lehtë. Fytyra e nënës nuk shfaqet po zëri i Tinkës tingëllon aq i brishtë në atë ambient varresh sa rrëqethja e trupit përçohet deri në zëmër. “U vrave biro!?”,,, Kush foli!? Përkulet në tokë. Në hapat e tij kishte mbetur zemra e nënës. Një interpretim mahnitës. Ajo nuk di të shtiret, çdo lëvizje çdo hap ishte i Tinkës-Nënë. Ndoshta një jetim nuk do të ndihej vetëm nga një interpretim tepër jetësor dhe njerëzor i Tinkës-Nënë. Nuk habitemi kur në rrugë shohim fëmijët që përqafojnë artisten me dashuri të tejskajshme. Nuk është i vetmi film që bën të ndjesh emocione. Por tek filmi “ Si gjithë të tjerët” dhe tek drama “Çështja e Blertës” ku trajtohet problemi i fëmijëve jetim. Artistja futet në botën e personazhit duke zhveshur jetën e duke krijuar figurën, rolin.

Artistja e Popullit Tinka Kurti u lind në Sarajevë. Arti nuk ka moshë. Sa më shumë artisti rritet bëhet edhe më i madhërishëm. Në interpretimet skenike dhe filmike kam vite të tëra si kritik arti dhe si artdashës që ndjek interpretimet teatrore dhe filmike të saj, por përsëri edhe tani që artistja i ka kaluar të 70 vitet, skena përherë është ushqim i shpirtit të saj. E shoh artisten përherë pranë teatrit Kombëtar. Tek drama “Streha e të harruarve” shpalosi tek artdashësit një figurë mjaft të besueshme.. po kështu edhe para pak kohësh artistja përsëri interpretoi në dramën “ Nënës sime” me nivel të lartë artistik. Diksioni i zërit, lëvizjet skenike,dialogu me partnerin flet për një mjeshtëri interpretative të artistes Kurti.. Para se të fillonte kjo premierë e shoh artisten pas kuintave të skenës duke bërë ushtrime gjimnastikore, ishte ky një ç’kontraktim fizik. Por edhe duke dialoguar me artistin Sela sjellë ç’kontraktimin psikologjik. Artistja me plastiticitetin e lëvizjeve jepte tek artdashësit në sallë ndjesi të një aktori potent.. Thinjat dhe rrudhat kanë thurur gjerdanin e artë të artistes Kurti. Më shumë fisnike akoma më e bukur kjo zonjë e kinematografisë dhe e artit teatro shqiptar. Fjalët e saj zbulojnë timbrin muzikor të zërit që herë herë shpërthen me nota të fuqishme. Artistja Tinka Kurti vjen nga malet e veriut të Shqipërisë atje ku filozofia e mbijetesës bashkëjeton me një bukuri të pashoq të natyrës e të malësorëve. Tek ajo dallon krenarinë e maleve që në shekuj nuk duruan mburrjet, lëvdatat. Kombi fillon nga malet dhe ata janë pjesa më virtuale e historisë së tij. Artistët janë si vazua e qelqtë që thyhet dhe preken shpejt sepse jetojnë përherë me ndjenja.. Tinka flet me gjuhën e artit është ky art i saj i vërtetë, i sinqertë i besueshëm, i papërsëritshëm që u qëndron kohërave shqiptarë. Ajo flet me publikun shqiptar me zërin e vet të veçantë si përplasje e dallgëve në breg. Flet me ne, e sytë e saj depërtojnë në çdo ind të rolit që interpreton.. Mbi 100 role në teatër dhe kinematografi. Nga bisedat me të shkëpusim “Fjala artiste është shumë, është nder i madh që të jesh njeri i artit”. Artistja Kurti është një nga 500 gratë më të shquara të botës po kështu mori dhe titullin “Gruaja e madhe” në vitin 1996 ku emri i saj u vendos në pllakën e mermertë në Uashington. Instituti biografik amerikan i dha titullin “Mike për jetën”, ndërsa në vitin 1977 u emërua anëtare e bordit drejtues e këtij instituti. Emri i artistes së popullit Tinka Kurti është përfshirë në Enciklopedinë botërore të Filmit. Në interpretimet teatrore dhe filmike midis të shumë interpretimeve të saj përmendim disa si: “Toka jonë”, Cuca e maleve”,  Këshilli i ndrikullave,” si dhe në dramat e Shekspirit, Ibsenit, Milerit. Edhe para pak ditësh sapo është kthyer nga shfaqje teatrore ku interpretoi në skenën e qytetit të Fierit. Është vlerësuar me shumë çmime dhe tituj urdhra dhe medalje  ku është nderuar me titullin Mjeshtre e madhe e artit dhe Nderi i kombit Ajo është dhe do të mbetet një aktore e madhe e skenës dhe e ekranit shqiptar.



(Vota: 3 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx