Faleminderit
Fritz Radovani: Piktori i madh shkodran, Prof. Simon Rrota
E marte, 07.08.2012, 05:05 PM
125
VJET MA
PARË KA LÉ PIKTORI I
MADH SHKODRAN
PROF. SIMON
RROTA
Prof. Simon
Rrota asht një nder figurat ma të spikatuna të artit në qytetin e Rozafës.
Ka lé në Shkoder
me 23 Tetor 1887 dhe asht shkollue nder Françeskanë, ku edhe asht zbulue
talenti i Tij në artin e piktures, e që ma vonë me veprat e Tij mbeti i
pavdekshem. Njohja me piktorin Kol Idromeno i jep shtysen me vazhdue Akademinë e
Arteve të Bukra në Brera, Itali, deri në vitin 1920. Vizitoi edhe Francën e
Austrinë, pra të tri mbretnitë e artit europjan.
Në vitin 1922
kur hapet Gjimnazi i Shtetit në Shkoder, Prof. Simoni asht nder kuadrot e para
që fillon punen aty dhe e vazhdon profesionin e mësuesit të vizatimit deri në pak
kohë para se të mbyllin edhe jeten e Tij prej edukatori të nderuem dhe të palodhun
me 27 Janar 1961.
Asht kenë
nder piktorët ma prodhues që me një mjeshtri të madhe të fitueme nga shkolla e
njohun italiane ka lanë vepra që me dinjitet perfaqsojnë me saktësi Rilindjen
Shqiptare, tue i perjetsue karakteristikat e saj në veprat e Tija historike,
etnografike me një frymzim origjinal. Ka lanë shumë vepra në vaj, karbon, lapsë,
akuarel dhe kryeveper e Tij mbetët boceti i vepres ma të madhe që ka zbatue në vaj
“Vuemja e Gurit të Parë” në Kishen Katedrale të Shkodres, në vitin 1958, nder të
paktat vepra që ka shpetue pa u zhdukë nga “Revolucioni Kultural 1967”.
Prof. Simoni
ishte një mjeshter i papersëritshem në punimet me lapsë dhe karbon. Kujtoj njëherë
që me mori në shtëpinë e Tij dhe më tregoi një dosje me disa vizatime. Edhe sot
ruej në kujtesën time një punim me karbon “Borë në Rrëmaji”, ndersa nder
punimet me vaj portretet e prindëve të Tij me kostumet e vjetra shkodrane
mbesin një thesar i etnografisë sone, tue mos harrue veshjet malësore dhe ato
zadrimore, që të duket se në gjokset e tyne nuk janë pikturue por janë montue
vargjet e pareve të arit dhe motivet e mbrekullueshme të qindisuna nder ta.
Kur
shkolla pedagogjike e Shkodres ishte ba streha e studentave të “deklasuar”,
asht një mësues që mendon per me shpetue jeten e sa të rijëve nga rrugët e vështira
e plot rreziqe nder skajet ma të largëta dhe të humbuna të Shqipnisë komuniste,
e Ky asht Prof. Simon Rrota. Atje ku rinia shkodrane shkonte me perhapë driten
e “partisë”, nuk ishin vendasit që mendonin me u ba keq, sa ishte “motivacioni
i dosjes së degës së mbrendshme” të Shkodres
që i ndiqte mbrapa.
Në vitin 1953,
kam pasë fatin me kenë nxanës në shkollen pedagogjike dhe me pasë një Mësues
dhe Prind shumë të Nderuem dhe fisnik, që më dha i pari në jeten time, “mjaltin
e ambel” të artit të bukur të pikturës, kryesisht në gjininë e grafikës me bojë
kine “bardh’e zi”, e Ky ishte pikrisht Ai Burrë që kalonte perditë para shtëpisë
sime, e që porsa fillova me marrë mend unë ishe krenar kur më pershëndette me
aq perzemersi Prof. Simon Rrota...që banonte jo ma larg se 100 ml., gati në fund
të rrugës sime Badra, në një shtëpi karakteristike, me një pullaz thik, që të dukej
ma shumë se ishte ndertue me perballue boren e madhe, sesa nga vetë shija e veçantë
artistike e arkitektit që jetonte nen kulmin e saj. Sa fillonte pranvera, Prof.
Simoni ishte gjithnjë në një copë të vogel toke ku me capin e tij ringjallte
gjelbrimin rrethues të shtëpisë.
Një mbasdreke
na thirri në sallen e vizatimit të shkollës mue dhe Dorotea Serreqin, kishim të
dy kaligrafinë e bukur e biografinë... U ulëm në një tavolinë ku ishin disa
copa kallami me pambuk të lidhun ndër maje. Në mungesë të brushave kishte përgatitë
ato copa kallamash për me shkrue me to. Kujtoj si tashti fjalët e tij: “Për
shka po ju tham mos i tregoni asnjë njeriu, ju kam thirrë me ju mësue me shkrue
bukur mbasi të dy keni kaligrafinë e bukur, por due me ju mësue me shkrue “parulla”,
mbasi tue dijtë me shkrue parulla kanë me pasë nevojë për ju, e keni me kenë të
kërkuem, mbasi komunizmi nuk asht gja tjetër veç propagandë!” Profesori, nuk
ishte i pakujdesëshëm në të folun, por njihëj me familjët tona. Kjo ndihmë bujare
e Tij shoqnue me një dashni prindore të pakufi mue më ka shpëtue jetën, prandej
edhe i jam mirënjohës.
Muzeu i
Shtetit në Shkoder asht kenë një shtëpi e dytë e Prof. Simonit, ku jo vetem
punoi dhe studjoi gjithë jeten, por edhe bante kerkime shkencore e mendonte gjithnjë
sesi me mujtë me nxjerrë nga podrumet e errta “materialet” e At Gjeçovit dhe
dijetarëve të tjerë, që mykeshin e po kalbeshin vetem se ishin kenë pronë e
muzeumeve të Françeskanëve apo Jezuitëve në Shkoder.
Një ditë do
të shkonte në Kala Rozafat me drejtorin e muzeut, Vasil Llazarin dhe disa
puntorë, një natë perpara erdhi e më ftoi me shkue me ata. Ishte vizita e parë me
një dijetar të vertetë në Kështjellen Rozafat. Kur arrijtem atje nalt më çoi
tek një beden guri nga Veriu, ku shihej Shkodra, Kiri, Drini e deri larg malet
rrethuese... “A sheh një dishka që nuk e ka rreth vetes asnjë Kështjellë në Botë,
nga Veriu dhe Lindja të dy Xhamijat dikur ishin Kisha, si kjo e selvisë dhe ajo
e plumbit...turqit i shkatrruen... ndersa atje poshtë perballë Urës së Bunës,
pak meter mbas thertores së vjeter, asht një hark që dimnit mbytet n’ujë, asht
dera e një Kishës nga Perëndimi që lidhej me një tunel që vinte nalt deri tek
kjo shpellë, që na e kemi këtu krejt pranë, e kur rojet e Kështjellës
rrethoheshin nga ushtria turke, shqiptarët uleshin neper tunel, hynin në Kishë dhe
prej aty me lundra e barka iknin naten neper liqenin e Shkodres në drejtim të Veriut
nder Male e bashkoheshin me malësorë. Ndersa nga Jugu asht Kisha e Zojës së Këshillit
të Mirë, Kisha shekullore, që kujtohet Mbrekullia e Figures së Zojës në vitin 1467...Edhe
Ajo në vitin 1913 u gjuejt me top nga malazezët dhe ka nalt kompanjelin e këputun...Ndersa
Kisha perballë nesh këtu në Kala asht e pesta në qender të kater të tjerave
poshtë, që ruejnë të paprekuna tash sa Shekuj Kështjellen dhe Qytetin tonë të bukur
e heroik të Shkodres...”
Kurrë mos
harroni se themelet e Atyne Kishave janë edhe themelet e Kështjelles Rozafat,
po janë edhe themelet e Shkodres sonë fort të dashtun e të shtrenjtë!..
Ndoshta, kur
nxanësit e Tij i kanë shkrue këta rreshta kanë dashtë me shprehë një moment
fantazije fëminore, po kanë thanë një të vërtetë të madhe:
Deri sa të
sillet bota,
Edhe hyjt’
rreth rruzullimit,
Do të rrnojë
Simon Rrota,
Profesor’i vizatimit!