Faleminderit
Gjon Neçaj: Mark Krasniqi - rilindasi i kohëve të sotme
E merkure, 22.08.2012, 05:02 PM
MARK
KRASNIQI- RILINDASI I KOHËVE TË SOTME
NGA GJON NEÇAJ
Një ndër
emblemat e shqiptarizmës, që padyshim në 100 vjetorin e pavarësisë mendojmë se
duhen shkruar dy radhë, si një ndër rilindasit e sotëm, është shqiptari i madh
Mark Krasniqi, rrënjët e të cilit sic është shprehur disa herë ai vetë para viteve nëntëdhjetë gjatë vizitave në Tropojë,
janë bash në fshatin Gjonpepaj të krahinës
së Nikaj Merturit, paraardhësit e të cilit u shpërngulën në rrethinat e Pejës këtu
e para një shekulli.
Ata që kanë
patur fatin e madh ta njohin nga afër, u mbetet gjatë Në kujtesë prezenca e tij elegante, e folura
e rrjedhshme, veshja tërheqëse dhe paraqitja e një babaxhani, ndonëse tashmë i
ka kaluar të nëntëdhjetat. Almona Bajrami, ish punonjëse e ministrisë së Punëve
të Jashtme në Prishtinë, kujton takimin
me Mark Krasniqin para disa kohësh, e cila kishte mbetur e habitur, por njëherazi
e befasuar nga prezenca e tij në atë moshë…
Profesori
, akademiku, shkrimtari, studiues dhe poeti Mark Krasniqi u lind më 19
tetor 1920 në fshatin Gllaviçicë (Shëngjon) afër Pejës. Shkollën fillore
e kreu në fshatin e lindjes, kurse më 1941
gjimnazin në Prizren. Prej vitit 1941-1943
ka studiuar letërsinë në Universitetin e Padovës në Itali, e prej 1946- l950 ka studiuar gjeografinë e
etnografinë në Universitetin e Beogradit. Më 1945-1946 ka qenë gazetar-redaktor i gazetës
“Rilindja” në Prizren, bashkë me Esad
Mekulin e Omer Çerkezin, kurse prej
vitit 1947-l949 ka punuar në Radio-Beogradi (Redaksia e emisioneve në gjuhën
shqipe) gazetar-redaktor. Prej 1950-1961
ka punuar në Akademinë Serbe të Shkencave në Universitetin e
Lubjanës. Prej 1961-1981 ka qenë profesor
në Universitetin e Prishtinës, kur
pushteti antishqiptar serbo-komunist e përjashtoi nga procesi mësimor. Ka qenë disa herë prodekan e dekan i
Fakultetit Juridik-Ekonomik. Ka qenë nënkryetar
e kryetar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, kryetar i parë i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës
(1970) dhe kryetar i Partisë Shqiptare Demokristiane të Kosovës (1993). Është anëtar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve
të Kosovës dhe i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Ka botuar më se 20 libra shkencorë, letrarë, publicistikë e tekste shkollore dhe ka përkthyer
disa romane e përmbledhje poezish nga serbishtja e sllovenishtja në gjuhën
shqipe.
Mark
Krasniqi shkruan poezi për fëmijë dhe të
rritur, po ashtu merret me studime
shkencore në lëmitë e gjeografisë dhe etnografisë.
Akademik
Mark Krasniqi është vlerësuar dhe nderuar nga personalitete boterore dhe
shqiptare, nga asosacione akademike e kulturore dhe mban disa tituj nderi nga
akademi shkencore europiane.
Ai edhe në
këtë moshë të pleqërisë së thellë është tepër aktiv, shkruan çdo ditë , përdorë
kompjuterin, e para disa muajsh botoi
edhe veprën e fundit me titull “Besa në traditën shqiptare”. Ky libër i veçantë
në llojin e vet , është vlerësuar nga
personalitete të shumta shqiptare e jo
vetëm, si një ndër studimet më të plota që i është bërë institucionit të besës.
Besim
Bokshi, kryetar i Akademisë së Shkencave
dhe Arteve të Kosovës , shpreson se
edhe pse Mark Krasniqi është në moshë të
shtyrë, “Besa në traditën shqiptare”, të mos jetë vepra e tij e fundit.
Pajazit
Nushi thekson se ne kemi në duar një vepër madhore që i bën nder traditës dhe
historisë sonë kombëtare.
Ndërsa
Esat Stavaleci shkruan se tematika që trajton libri i Mark Krasniqit , ”Besa
në traditën shqiptare”, i siguron atij një prani të përhershme në histori dhe
pritet që ky libër të jetë si nxitje për të rinjtë që të bëjnë hulumtime të vazhdueshme
në këtë aspekt.
Ndërsa
akademiku 92 vjeçar Mark Krasniqi , duke i bërë një përshkrim të shkurtër punës së tij shumëvjeçare. , në përurimin e
librit, theksoi se besa si institution, sublimon të gjitha vetitë pozitive të moralit
shqiptar. Ai citoi një shkrimtar francez
i cili në shkrimet e tij cek se “feja e shqiptarëve është besa“. Besa dhe kanuni i Lekë Dukagjinit, shprehet
akademik Krasniqi, kanë qënë së bashku
ligje të përmbledhura për nevoat e atëhershme që kanë patur rolin e rregullimit te jetës fisnore, zakonore dhe tradicionale në trojet shqiptare.
Mark Krasniqi
ishte nxitësi dhe organizatori kryesor i ngritjes së monumentit të Skendërbeut
në Prishtinë më 28 nëntor 2001. Në fjalën e mbajtur me këtë rast, presidneti
Rugova ka thënë :“ I nderuari profesor Krasniqi, ju falemnenderit për angazhimin tuj, që në Prishtinë e ngritet këtë monument, e kryet edhe një punë që i ka hije profesorit.
Falenderoj edhe udhëheqjen komunale të kryeqytetit,
që përkrahu angazhimin e profesor
Krasniqit dhe të gjithë ata që kontribuan, pra TMK-ja, pastaj të tjerët që i përshendeti profesor
Krasniqi që e sollën monumentin, apo
shtatoren e Skënderbeut në Prishinë, që e
kemi këtu para nesh. ”
Akademik
Mark Krasniqi, si një bashkëpunëtor
besnik dhe krah i djathtë i Presidentit Rugova, jo vetëm i qëndroi pranë por edhe e mbështeti
prijësin historik të shqiptarëve të Kosovës, në momenetet më delikate të historisë dhe lëvisjes
për liri, pavarësi e demokraci, nën emeblemën e LDK-së
Mark
Krasniqi jeton dhe vepron në Prishtinë.