Faleminderit
Ramiz Selimi: Atdhetari Ramiz Prelvukaj
E enjte, 03.01.2013, 12:25 PM
Ing.
Ramiz Prelvukaj, bir i denjë nga Malësia
Atdhetari nga Malësia
Nga Ramiz Selimi
Ing.
Ramiz Prelvukaj lindi me 15. Korrik 1951 në Martinaj të komunës së Plavës në
Mali i zi. Shkollën fillore e kreu në vendlindje në gjuhën serbo-kroate, pasi
atëkohë nuk ekzistonte mundësia e shkollimit në gjuhën shqipe, kurse të mesmen
e kreu në Mitrovicë. Studimet i përfundoi me sukses në universitetin e
Prishtinës drejtimi Elektroteknik. Ka punuar në arsim në shumë shkolla të mesme
të Kosovës, si në Zveçan, në shkollën e mesme teknike në Kastriot, në Prishtinë
dhe në shkollën e mesme “Shaban Spahiu” në Pejë.
Për shkak
mungesës së inxhinierëve në mihjen sipërfaqësore në Bardh të Madh,ai u detyrua
të largohet nga arsimi duke u angazhuar në KEK si kryeinxhinier i
elektroteknikës. Në vitin 1979 emërohet drejtor i përgjithshëm në ndërmarrjen
shoqërore “IMN KOSOVA”, post të cilin e mbajti deri në largimin e dhunshëm nga
policia serbe.
Ramiz
Prelvukaj, në kohët me të rënda të okupimit serb në Kosovë, ishte njëri ndër
veprimtarët më te dalluar të çështjes kombëtare. Në fillim të viteve 90-ta
Ramizi nuk qëndroi duarkryq, nuk hezitoi, ishte njëri ndër të parët që ju
bashkua Lëvizjes Kombëtare, për Liri dhe Demokraci LDK-s, të udhëhequr nga
presidenti historik Dr. Ibrahim Rugova. Qysh në fillim ishte angazhuar në
Këshillin për Financa në grumbullimin e mjeteve financiare për mbarëvajtjen e
arsimit shqip në komunën e Prishtinës në rrethana okupimi. Ishte njëri ndër
kontribuuesit më të mëdhenj për mbarëvajtjen e arsimit paralel në Prishtinë.
Gjatë kohës së luftës me 1999 ishte burgosur nga forcat serbe, në burgun e Prishtinës
dhe Lipjanit, kishte përjetuar si shumë tjerë dhunën e shfrenuar serbe mbi
trupin e tij, mirëpo fati deshi që Ramizi i mbijetoj kësaj barbarie.
Pas një
sëmundje të shkurtër ai u nda nga jeta me 28.06.2012 në Prishtinë.
Përpos
punës së palodhshme si profesor dhe drejtor, ai pas vetës la edhe dy vepra të
shkruara, si librin Monografik me titullin “Atdhetari nga Malësia” dhe librin
shkencor me titullin”Zbrazjet Atmosferike”.
Zbrazjet
atmosferike është një libër që flet për problemet e fenomeneve të elektricitetit
dhe mbrojtjen kundër tij, të ilustruar me foto dhe prova të shumta.
Duke
pasur parasysh problematikën e mosekzistimit të njohurive të mjaftueshme për
fenomenet natyrore e posaçërisht, fenomenin e natyrshëm të zbrazjeve
atmosferike, autori ka shfrytëzuar eksperiencën e tij personale të fituar nga
përvoja shumëvjeçare në sektorët e ndryshëm të prodhimit, mbikëqyrjes dhe
pranimit teknik të objekteve të ndryshme në lëmin e elektrikes.
Ai duke
parë se një numër i qytetareve nuk kishin njohuri të mjaftueshme në drejtim të
elektricitetit, vendosi që përvojat e tij në ketë fushë përmes këtij libri të u ofrojë të
gjithë të interesuarve dhe lexuesve. Nga këndi shkencor ky libër është një
botim shumë me vlerë që ka të bëjë me plotësimin e mangësive për parandalimin e
rreziqeve potenciale nga zbrazjet atmosferike.
Andaj,
autori duke çmuar rëndësinë e fenomeneve natyrore është përpjekur që me
ilustrime dhe sqarime të thjeshtëzuara ti ofroj lexuesve informacione të
nevojshme për të mbrojtur jetën dhe të mirat materiale të shkaktuara nga
elektriciteti.
Neglizhenca dhe pjesërisht mos njohja e mjaftueshme e rëndësisë së instalimit të rrufepritësit ka shkaktuar shpeshherë pasoja të paparashikueshme. Këtu autori i sugjeron dhe këshillon mbrojtjes ti jepet rendësi e veçantë sepse ky fenomen nuk njeh pardon, nuk ka kërkim falje, qarqet elektrike janë të fshehta dhe dinake, ato grumbullohen papritmas, ku fatkeqësisht një pakujdesi e vogël kushton me jetë.