E hene, 05.05.2025, 01:41 PM (GMT+1)

Faleminderit

Muharrem Blakaj: Ramë Ali Bicaj

E marte, 15.01.2013, 08:46 PM


Ramë Ali Bicaj – rrjedh nga një familje mjaft e njohur dhe me tradita. Ishte nip i Sylë Shabanit, që, së bashku me Hazir Vrellën (Blakajn), u kishin prirë vullnetarëve podguras në Luftën e Nokshiqit.

Për këtë figurë kontroverse ka pak të dhëna. Gjatë periudhës së Austro-Hungarisë, 1916 – 1918, Ramë Alia kishte qenë kryeplak i Vrellës[1]. Këtë titull e kishte mbajtur edhe pas formimit të Mbretërisë SKS, deri në vitin 1928[2]. Gjatë kësaj periudhe Ramë Alia kishte gëzuar reputacion të shkëlqyer në qarqet politike të kohës. Ishte njëri ndër themeluesit e parë të Shoqërisë Kulturore, të quajtur; Sokolsko Drushtvo dhe ishte zgjedhur nënkryetar i saj[3]. Disa herë u kishte prirë xhandarëve serbë për zbulimin e strehimoreve kaçake[4]. Pas vitit 1928 caktohet deputet i Zetës[5]. Në periudha të ndryshme kohore Ramë Alia kishte mbajtur pas vetes shoqërues të armatosur, si; Ahmet Delinë nga familja e Habibëve (Blakaj), Rrustem Vuthajn nga familja e Vuthjanëve, Isuf Bajrin nga familja Rugovaj dhe Halil Osmanin nga fisi i tij, Bicaj, të cilët, në periudha të ndryshme kohore, ia kishin vrarë xhandarët serbë[6]. Martesa e tij e dytë, në moshë të shtyrë (mbi pesëdhjetëvjeçare) me një vajzë të re, e cila kishte qenë e fejuar për Vesel Ibishin nga Llukavci i Begut, kishte nxitur reagime të ashpra në masat e gjera të popullit, e veçmas të atyre që ua kishte rrëmbyer nusen. Sipas kanunit, rrëmbimi i vajzës së fejuar cilësohej si cenim nderi. Duket se edhe përpjekjet për pajtim, jo vetëm që nuk kishin qenë të mjaftueshme e pajtuese, siç e kishte kërkuar nderi, por kishin qenë nxitëse dhe fyese njëherësh, sidomos nga plaku i fisit Bicaj, Fazli Syla[7]. Vritet në mesin e viteve tridhjetë të shekullit XX nga Vesel Ibishi.

Për këtë figurë komplekse, që ka lënë gjurmë të pashlyeshme në kujtesën e popullit të kësaj ane, mbetet të pritet fjala e historisë.


[1]    Prof. Dr. Sylë Dreshaj – „Fshati Krye-Vrellë prej themelimit deri në vitin 1977“, faqe 14.

[2]    Ilaz Bicaj – „Selman Kadria dhe e vërteta për vrasjen e tij“, – faqe 53.

[3]    Rrustem Rugova – „Varret e përbashkëta“ – botim i dytë, faqe 41.

[4]    Ilaz Bicaj – „Selman Kadria dhe e vërteta për vrasjen e tij“, – faqe 64, 65.

[5]    Ilaz Bicaj – „Selman Kadria dhe e vërteta për vrasjen e tij“, – faqe 75.

[6]    Prof. Dr. Sylë Dreshaj – „Fshati Krye-Vrellë prej themelimit deri në vitin 1977“, faqe 43.

[7]    Ilaz Bicaj – „Selman Kadria dhe e vërteta për vrasjen e tij“, – faqe 75, 76.



(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx