| E marte, 15.01.2013, 08:46 PM |
Ramë Ali Bicaj – rrjedh nga një familje mjaft e njohur dhe me
tradita. Ishte nip i Sylë Shabanit, që, së bashku me Hazir Vrellën (Blakajn), u
kishin prirë vullnetarëve podguras në Luftën e Nokshiqit.
Për
këtë figurë kontroverse ka pak të dhëna. Gjatë periudhës së Austro-Hungarisë,
1916 – 1918, Ramë Alia kishte qenë kryeplak i Vrellës[1].
Këtë titull e kishte mbajtur edhe pas formimit të Mbretërisë SKS, deri në vitin
1928[2].
Gjatë kësaj periudhe Ramë Alia kishte gëzuar reputacion të shkëlqyer në qarqet
politike të kohës. Ishte njëri ndër themeluesit e parë të Shoqërisë Kulturore,
të quajtur; „Sokolsko Drushtvo“ dhe ishte
zgjedhur nënkryetar i saj[3].
Disa herë u kishte prirë xhandarëve serbë për zbulimin e strehimoreve kaçake[4].
Pas vitit 1928 caktohet deputet i Zetës[5].
Në periudha të ndryshme kohore Ramë Alia kishte mbajtur pas vetes shoqërues të
armatosur, si; Ahmet Delinë nga familja e Habibëve (Blakaj), Rrustem Vuthajn
nga familja e Vuthjanëve, Isuf Bajrin nga familja Rugovaj dhe Halil Osmanin nga
fisi i tij, Bicaj, të cilët, në periudha të ndryshme kohore, ia kishin vrarë
xhandarët serbë[6].
Martesa e tij e dytë, në moshë të shtyrë (mbi pesëdhjetëvjeçare) me një vajzë
të re, e cila kishte qenë e fejuar për Vesel Ibishin nga Llukavci i Begut,
kishte nxitur reagime të ashpra në masat e gjera të popullit, e veçmas të atyre
që ua kishte rrëmbyer nusen. Sipas kanunit, rrëmbimi i vajzës së fejuar
cilësohej si cenim nderi. Duket se edhe përpjekjet për pajtim, jo vetëm që nuk
kishin qenë të mjaftueshme e pajtuese, siç e kishte kërkuar nderi, por kishin
qenë nxitëse dhe fyese njëherësh, sidomos nga plaku i fisit Bicaj, Fazli Syla[7].
Vritet në mesin e viteve tridhjetë të shekullit XX nga Vesel Ibishi.
Për
këtë figurë komplekse, që ka lënë gjurmë të pashlyeshme në kujtesën e popullit
të kësaj ane, mbetet të pritet fjala e historisë.
[1] Prof. Dr. Sylë Dreshaj – „Fshati Krye-Vrellë prej themelimit deri në vitin 1977“, faqe 14.
[2] Ilaz Bicaj – „Selman Kadria dhe e vërteta për vrasjen e tij“, – faqe 53.
[3] Rrustem Rugova – „Varret e përbashkëta“ – botim i dytë, faqe 41.
[4] Ilaz Bicaj – „Selman Kadria dhe e vërteta për vrasjen e tij“, – faqe 64, 65.
[5] Ilaz Bicaj – „Selman Kadria dhe e vërteta për vrasjen e tij“, – faqe 75.
[6] Prof. Dr. Sylë Dreshaj – „Fshati Krye-Vrellë prej themelimit deri në vitin 1977“, faqe 43.
[7] Ilaz Bicaj – „Selman Kadria dhe e vërteta për vrasjen e tij“, – faqe 75, 76.