Faleminderit
Remzi Limani: Sihana, muza e artit muzikor
E shtune, 19.01.2013, 09:24 AM
SIHANA, MUZA E ARTIT MUZIKOR
(Tingujt e violinës së parë)
Nga Remzi Limani
Gjithmonë
e përgatitur dhe e denjë për të krijuar atmosferë festive, muzikalitet dhe
timbër të qartë - ku ëmbëlsia, ngrohtësia dhe ashpërsia - tingëllojnë pastër
e kulluar si uji i nartë, që të bën për
vete e, të shuan etjen që të frymosh lirshëm e të fluturosh i magjepsur në
botën e muzikës profesionale.
Profesoresha,
Sihana Badivuku –Hoxha, me violinë të mbështetur në sup, me veprim të gjallë së
bashku me tingujt e bashkërenditur, vë në lëvizje tërë potencialin krijues e
intelektual, duke na sjell frymë të re në artin muzikor që e pasqyron jetën e
vërtetë kulturo-artistike në skenën e muzikës serioze kosovare.
Gjuha e
saj universale, muzika e luajtur mjeshtërisht dhe puna e saj pedagogjike bëjnë
një kthesë të madhe, duke ecur me hapa të sigurt dhe vizion të qartë për
identitetin kombëtar dhe kulturor në drejtim të skenës muzikore ndërkombëtare.
Ajo, me punën e saj profesionale është duke dhënë një kontribut të veçantë në
organizimin e festivaleve të ndryshme, Garave regjionale dhe ndërkombëtare të
muzikës klasike, duke bërë sensibilizimin e vlerave të artit muzikor shqiptar
dhe zbulimin e talentëve të rinj në skenën e muzikës kosovare. Me angazhimin
profesional dhe pedagogjik, me formimin e shkollës së violinës në Kosovë dhe në
Maqedoni, krijoi kuadro të reja... Nga viti 1993 e deri më tash, nga këto
shkolla kanë dalë shumë violinistë të talentuar, të cilët momentalisht ndjekin
studimet edhe nëpër universitete të ndryshme të Evropës, në SHBA etj., prej të
cilëve kemi edhe shumë laureatë të konkurseve të ndryshme në vend dhe jashtë
vendit.
Sihana
Badivuku – Hoxha (1967) u lind në Prishtinë, u rrit me predispozita
gjenetike-natyrore për muzikën, u edukua dhe u zhvillua në një familje me
kulturë muzikore profesionale, e më pastaj, mori edukimin shkollor për violinë.
Shkollën e ulët dhe atë të mesme të muzikës, i kreu në Prishtinë. Studimet e
larta, për violinë, i filloi në Kiev të Bashkimit Sovjetik dhe, një vit më
vonë, i vazhdoi në Konservatorin P. I. Tchaikovsky në Moskë, ku me sukses të
dalluar, në të njëjtin institucion (në vitin 1989-1991), i mbaroi edhe studimet
pasuniversitare. Pas përfundimit të studimeve, Sihana, vazhdoi udhëtimet studimore
për kualifikime të mëtejme në Gjermani dhe në Itali. Ajo mori pjesë në shumë
konkurse të rëndësishme ndërkombëtare për violinë, si dhe në festivale të
ndryshme muzikore-pothuajse në tërë Evropën dhe shtetet e tjera ballkanike. Po
ashtu, ajo luajti edhe me Orkestren Filarmonike të RTV të Vjenës, Ensemble XXI
të Moskës, me Orkestrën e Operës dhe të Baletit në Tiranë, si dhe me shumë
orkestra të RTV-ve të ish-Jugosllavisë. Duhet cekur edhe prezantimet e saja të
shumta me recitale (violinë e piano): në Finlandë, në Itali, në Tetovë e
Manastir, mandej në Shkup e Slloven-Gradec etj. Këtu duhet përmendur edhe
bashkëpunimin me bashkëpunëtorët e saj me pianistë të shquar nga Kosova e më
gjerë. Po ashtu, prof. Sihana Badivuku, dendur bashkëpunoi edhe me pianistë të
njohur nga Rusia, Finlanda, Italia, Japonia, Franca, SHBA, Filipine, Greqia,
Zvicra, Bullgaria, Polonia, Irlanda, Spanja dhe nga Izraeli. Pra, artistja jonë e shquar
kosovare, bashkëpunoi me artistë më eminentë shqiptarë dhe me ata botërorë.
Gjithashtu, për përsosjen e karrierës pedagogjike dhe metodike, ajo bashkëpunon
edhe tash me profesorët më të njohur nga Evropa dhe me ata botërorë të shkollës për violinë.
Që nga
viti 1993, profesoresha Sihanë, ligjëron lëndën e Violinës dhe Metodikën, në
drejtimin e instrumenteve me harqe, në Fakultetin e Arteve në Prishtinë. Ajo
është violina e parë dhe nderi ynë kombëtar, i familjes Badivuku dhe Hoxha, e
cila me virtyte të larta njerëzore dhe punë profesionale, na bën të krenohemi
me të dhe punën e saj për kontributin e dhënë në fushën e pedagogjisë
artistike. lerat e saja në lëmin e muzikës serioze, burojnë nga shpirti
artistik dhe lëvizja e lehtë e dorës së sigurt dhe mendja e shëndoshë. Këto
vlera janë të pakontestueshme, me qëllime të drejta e të pastra që ajo i
kultivon që nga fëmijëria dhe edukata për çiltërsi shpirtërore e tipare
skofiare. Nuk është aspak e tepërt të themi se znj. Badivuku-Hoxha, tashmë e
arrirë në profesionin e vet, artin e mjeshtërisë së përkryer artistike, e
zotëron dhe e bën të denjë për t`u paraqitur kudo dhe kurdoherë nëpër të gjitha
skenat e orkestrave anembanë botës së qytetëruar. Ajo, në paraqitjet e saja
skenike, nuk i lëviz vetëm gishtat, as vetëm harkun; ajo duke interpretuar
veprat e njohura, emocionalisht lidhet me kohët – flet me lëvizjen e trupit dhe
të kokës, lëviz krahët e fluturës, luan harkun e vetullave, rrahë qerpikët e
kafshon buzët, e tëra futet në botën magjepse të muzikës dhe jepet pas tingujve
që fluturojnë në vazhdimësi duke u shndërruar në kurora lulesh festive.