E enjte, 02.05.2024, 06:50 PM (GMT+1)

Faleminderit

Pjeter Logoreci: Engjëlli humanist Federik Shiroka

E shtune, 19.01.2013, 08:55 PM


Me rastin e 100 vjetorit te pavaresisë

Një qiri për shpirt të engjëllit humanist......

Kushtuar  Dr. Federik Shirokës

Nga Pjeter Logoreci

Në vitet e zymta të diktaturës së egër komuniste, në kohën kur personazhe  të ndritur  të kombit,  intelektualë të zotë e  klerikë atdhetarë  egzekutoheshin pa gjyq, ndër shtëpitë  e qytetit të Shkodrës jeta vazhdonte si e strukur në heshtje nga frika e ndonjë raprezalje apo spijunimi të mundeshëm. Festat e gëzimet familjare mbyteshin nën peshën e shtërngesës ekonomike e të frikës  në ambientin e politizuar nga demagogjia e paskrupull e unipartisë në pushtet. Njerzit i druheshin kontakteve e bisedave për problemet e shumta të jetes. Por ndodhte edhe, që në muzgun e mbasditës apo në orët e mbrëmjes të shiheshin tek tuk ecejaket e ndonjë cifti, grupi apo familje, të cilët shkonin për ndonjë urim fejese, ktheheshin nga festimi i ndonjë ditëlindje apo gëzimi tjetër familjarë.

Miqësitë e vjetra sillnin ndër këso netësh  speciale festash tek familja ime, personazhe interesante e shumë të njohtun të qytetit, të cilet me vizitat e tyre mundoheshin të kujtonin e të respektonin  traditat fetare  e zakonet tona familjare. Në familjen time, festa fetare e ditës së emrit,  festohej e “zyrtarizuar” si  “dita e lindjes”, e miq të mirë  e të shumtë si Gjenarini, Xhevati, Gjoni, Ahmeti, Faiku, Marku    ishin të përhershëm. Pervec miqësisë familjare, të medhenjtë  i  lidhte puna në sektorët më të vështirë e po ashtu edhe përsekutimi ishte emruesi  i tyre i përbashkët.

Nga fëmijeria ime ruaj të freskëta në kujtesë si castet magjike të këtyre netëve, tregimet e  Zotni Gjon Kamsit për vrasjen e Luigj Gurakuqit e sjelljen e rrobave të tij të gjakosura në atdhe, e po ashtu edhe vizitën  e një zonje që me sjelljen e saj  të vecantë me terhiqte vmendjen. Edhe pse isha shumë kurioz, nuk guxoja  të pyesja më të medhejtë për te, por nga rastësia e bisedave mësova që ajo ishte Olimpia, e veja e kirurgut të madh Federik Shiroka.

Babai im më tregonte se, Doktori që ishte bashkëmoshatar e njekohësisht edhe kushëri i djemve të  familjes sonë, ishte shpesh i pranishem tek ne në  bisedat e mbrëmjeve të gjata të dimrit. Olimpia ishte një grua austriake nga Tiroli që Federiku gjatë kohës të studimeve në Austri e kishte njohur e dashuruar. Me mbarimin e studimeve, Olimpia u bë bashkëshortja e Federikut dhe e ndoqi atë në Shqiperi.

Për karrieren brilante e personalitetin e Federikut, janë botuar disa herë shkrime nga kolegë e persona që paten kontakte me të, por unë në këtë shkrim do sjell elemente të rinj e të panjohur për  personalitetitn e tij, të parë në nji këndvështrim tjetër, nga ai i bashkëshortes së tij austriake.

Mendoj që për lexuesin është e nevojëshme një paraqitje e shpejtë e fillimeve të Dr. Shirokës, i cili vinte nga familja qytetare me tradita patriotike  SHIROKA. Kjo familje pat në gjiun e sajë figura të njohura  të rilindjes  kombëtare e një ndër to ishte dhe virtuozi i kirugjisë shqipëtare ( mund të them pa frikë) edhe i asaj botërore,  mjeku kirurg Federik Shiroka.

Federiku lindi në Shkodër me 20 shtator 1907. I ati Loro Shiroka vdiq i ri duke lënë gruan Zinen, me  5 fëmijë jetime, Florinden, Regjinen, Zefin, Terezinen e Federikun. Shkollën fillore e bëri në Kolegjën Severiane në Shkodër (1915) ku u shqua për rezultate të mira si dhe për aktivizim në teatrin e shkollës.

Mbasi mbaroj klasët e fillores në vitin 1923, u dergua prej familjes që të vazhdonte shkollimin në Austri. Gjimnazin e kreu  në qytetin e vogël të Kremsit (afër Vjenës) ku maturonin  shumë të rinj nga  familje shkodrane. Përfundoi maturën  në vitin 1928 me rezultate shumë te mira, e kjo i  krijoi mundësinë që të pranohet të vazhdojë degën e mjekësisë në Universitetin e Graz-it. Mbasi mbaroj studimet me rezultate të larta, i specializuar për kirugji dhe gjinekologji edhe pse i ofruan për të punuar në Katedrën e Kirurgjisë në Graz, ai vendosi të kthehej në atdhe në 1935-ën për të punuar në spitalin e Tiranës si mjek kirurg. Për këtë ai i shprehej bashkëatdhetarëve të tij studentë: edhe pse Kirurgjia nuk ka atdhe, kirurgu ka. Më pas ai  transferohet në vendlindjen e tij Shkodër,  ku punoj si kirurg e  drejtues i  spitalit deri në vitin 1946. Më vonë emërohet drejtues i  pavionit të kirurgjisë në Tiranë ku  punon deri në fund të jetës. Edhe pse ishte një kirurg shumë popullor dhe i palodhur, ai pat një jetë të vështirë, mbasi politikisht familja e tij ishte në syrin e rregjimit dhe shikohej me dyshim. Vëllai i tij Zefi ishte i “burgosur politik” me akuzën e rëndë “armik i popullit”, i dënuar me 20 vjet heqje lirie pasi kishte qënë nënpunës i lartë para ardhjes në pushtet të diktaturës famëkeqe.

Edhe fakti që Dr. Shiroka kishte gruan austriake nuk shikohej me sy të mirë nga kolegët e partia në pushtet. Sipas ideologjisë së kohës ai ishte “një mikroborgjez që i kishte kaluar koha dhe njeriu që nuk bënte perpjekje për të studjuar marksizmin”.

Ky është shkaku që më motivoj të rreshtoj këto fjalë, mbasi pata fatin që të marre në dorë korespondencën e bashkëshortes Olimpia Shiroka, me kolegë, miq, shokë, kushrinj apo familjarë të Dr. Shirokës. Si të gjitha gratë e hueja të martuara në Shqipëri, edhe Olimpia vuajti kalvarin e komunizmit. E përndjekur nga rregjimi , nën presionin e sigurimit të shtetit, e detyruar në izolim të plotë, e papunë,  ajo grua e cila mundohej të qetësonte sadopak shpirtin e trazuar të Federikut e të fshinte lodhjen e orëve të gjata të punës së tij, i shkruan këto letra të dhimbëshme miqve të shtëpisë apo shokëve të Federikut te cilët jetonin në mërgim. Aty ajo përshkruan masakrat e komunistëve mbi intelektualet e familjet patriotike shqipëtare që ajo njihte. Ja si e përshkruan ajo jetën e saj e të bashkëshortit,  atij që mbetet nderit i kombit tonë, doktorit me “duar te arta”:

Po përpiqem të shqipëroj pjesë nga letra e shkruar në gjuhën italiane që i është derguar një shokut të rinisë të Federikut (Zef L.) me banim në Amerikë e që mban  datën 21.10.1963:

...........kam mbetë pa femijë, e për këtë mbasi  cdo lindje (5 lindje) kam vuajtur shumë. Me Federikun e shkretë kishim të njëjtin grup gjaku (RH) e nuk ishte e mundur të na jetonin fëmijët. (të paktën me mundësitë e Shqipërisë....) Mandej kur mbeta vetëm, nuk merrja pension, sepse ktu i japin vetëm grave mbi 55 vjec ose me fëmijë. Me dekret special të kuvendit popullorë (parlamentit) më kanë dekretuar 2000 lekë në muaj “ pension për merita, pension për patriotët”. Me kaq pak lekë nuk mundesha të jetoj, prandaj kam shkuar në ministrinë e shëndetësisë për të kërkuar punë. Më kanë dërguar si shërbyese në ambasadën e Gjermanisë komuniste – favor i madh ky, sepse është shumë e veshtirë të punosh me të huaj edhe pse ishin nga kampi socialist. Mandej ndodhi prishja me Bashkimin Sovjetik dhe të gjitha ambasadat u larguan menjëherë. Mbetën vetëm Kina, Korea, Vietnam, Ghana, Turqia, Italia e Franca. Prap mbeta pa punë. Atëherë i kam merzitë duke kërkuar punë dhe më kanë dërguar si pranuese në laboratorin e Oblikës e ma vonë me bënë teknike e mesme e mvaresha nga ministrija e shëndetësisë. Eshtë e vështirë i dashur Zef në këtë moshë të punosh me disa njerëz të paaftë . Mbas tre vjet kërkesash të shumta më kanë lejuar të vij në shtëpi te motra ime. ......................................

Eh Federiku i shkretë, sa ka punuar! Cdo dy netë roje në spital pa i paguar asnjë lekë më shumë. Sot i paguajnë doktorat për orët e natës. ....Një rruge në Tiranë, Fakulteti i  mjekësisë e repartit ku punoj së fundi, mbajnë emrin e tij. Në sallën e leksioneve dhe në repartin e kirurgjisë qëndron busti i tij. Por cka sherben kjo tashti, duhej ti  jepeshin për së gjalli këto merita. Eshtë gjithshka mbrapësht atje.........Për udhëtimin në Itali, banka më ka  dhënë vetëm 10 dollarë, nuk lejohej më tepër.

Këto fjalë të shkruara me kaq dhimbje e keqardhje për një  jetë të kaluar në vuajtje e izolim flasin vetë e nuk kanë nevojë për koment.

Dr. Shiroka në mes të kolegëve të spitalit të Tiranës: Dr. Fejzi Hoxha, Ferdinand Paparisto, Sherif Klosi

Në një letër që mban datën 17.2.1964 e veja e Dr. Shirokës shkruan:

..... pak ditë para se të vdiste Federiku im i shkretë, i thashë që: asnjëri nuk do ta besonte që ishim gjithmonë pa lekë në shtëpi (Federiku ishte shejtori  i të varfërve)  cka do të kisha bërë në rastin e ndonjë fatkeqësie. Atëherë ai më vështroi gjatë e më tha: në një rast të tillë, vendos a do te vazhdosh të rrish ose vendos  të ikësh....

Në një letër tjetër që mban datën 13.9.1963, në ditët kur asaj ju dha mundësia të udhëtonte drejtë Italisë, për të vizituar familjen e saj në Trento, ajo përshkruan gjendjen e familjes së saj atje. Ajo nuk arriti ta shihte nënen e saj e cila kishte pak kohë që kishte vdekur e me të cilën nuk pat as korrespondencë. E vetmi person i mbetur nga familja e saj në 21 vjet distancë nga udhetimi i fundit, ishte një kushërinë e saj me emrin Margherita Toniolli, ku Olimpia gjeti strehë e mikpritje. Dhimbja e humbjes së njeriut ma të shtrejtë të saj Federikut, ishte e pashlyeshme, por respekti e dashuria që tregonin njerzit e thjeshtë për “doktorin”,  qe sherimi i shpirtit te saj.

Ajo shkruan:

......Federiku ka lënë jetën për të varfërit e tij, për popullin e tij, ai me punën e tij ishte  pioneri  i kirurgjisë,  por  qeveria këtë e ka marrë në konsideratë vetëm pas vekjes së tij....kur  kishte  mbetur pak për të bërë.....

........njerzit  kanë qarë me dënesë në funeralin e tij, ishte nji shprehje spontane e popullit (jo një miting i organizuar). E mandej kanë vendosur bustin e monumentin. Fakulteti i mjeksisë mban emnin e tij. Një rrugë ka emrin e tij. Drejtori i spitalit civil të Tiranës me ka thënë: qysh kur ai ka vdekur, nuk jemi  në gjendje të bëjmë diagnoza të sakta, duke i mbajtur të sëmurët deri në 3 muaj në spital. E mendo që ky (drejtori)  është komunist! ......

Prandaj po deshte të mos më bësh dëm, te lutem mos thuaj që ke  korespondence me mua, sepse më duhet të kthehem përsëri atje........

Eshtë i papërshkrueshem  frustrimi  i zonjës Shiroka nga veprimet diskriminuese dhe provokative të sistemit djallezore komunist i cili në mëndyrë të vecantë ushtroj presion ndaj familjeve të intelektualve të përmendun të përmasave të Dr. Shirokës edhe pse ai ishte i respektuar nga mbarë elita ndërkombetare e kirurgeve si  - MJEKU ME DUAR TE ARTA - . Kasta komuniste e shfrytëzoj në extrem punën e mjekut Shiroka edhe për të shëruar anëtarët e lartë të partisë e të komitetit qëndrore të saj, por duke i treguar kurdoherë “grushtin e diktaturës së proletariatit”  që i rrinte mbi kokë cdo intelektualit që kishte studiuar jashtë apo që kishte gruan të huaj nga bota “borgjeze e reaksionare” përendimore. Po sjell këtu një letër të viteve të vështira 1964 ku Olimpia  përshkruan vdekjen e Federikut dhe situatën e saj të dëshpëruar të atyre diteve:

....këtu po sjell në shqip pjesë nga kjo letër: ... Zef Shiroka ishte i denuar me 20 vjet dhe i deportuar në jug të vendit ku vuanin shumë persona  në kampet për bonifikimin e kënetave, të kafshuar nga mijëra shushunja. Kur vdiq Federiku i bëmë një telegram Enverit që e liroj Zefin dhe ushtarët e mbrojtjes e solëen në Shkodër, ku arrita ta dergoj Federikun e vdekur. Kur po shkonim për në Shkodër, rrugës Tiranë – Shkodër na është dashur shumë herë  që të hapnim arkivolin e të vdekurit mbasi njerzit donin të shihnin “Doktorin”.......

....në Tiranë denuan me vdekje shefin e spitalit, doktorin italian Lozzi e kështu sollën Federikun në  vend të tij. Frederiku vdiq këtu prej Infaktit nga lodhja, nga puna e madhe ditë e  natë. Për një farë kohe ai ishte edhe mjek i  burgut. Kur vinte në shtëpi nuk mund të hante e vetëm djersitej e dridhej nga tmerri i torturave që kishte parë atje mbrenda. Pastaj e larguan mbasi ai ishte shumë i ndijshëm nga këto skena.

Për të nderuar Federikun për punën e madhe që bënte (gjithshka për njerzit e varfër), qeveria në majin e vitit 1955 e dërgoj në Moskë për të parë paradën ushtarake në SHESHIN E KUQ e mausoleumin e Stalinit. Në dhetorin e këtij viti ai vdiq nga infarkti në orën tre te natës në shtrat pranë meje...e tmerrshme....

Porositën te behej një bust nga Kristina Hoshi për një ekspozitë. I dhanë emrin e tij bulevardit ku ne banonim. Kanë emeruar edhe repartin e kirugjisë në Tiranë me emër të tij. Por mua nuk më dhanë pension. “jemi një vend i varfër dhe nuk mund të mbajmë parazitë”  ishte pergjigja e parlamentit mbas kërkesës sime. Më dhanë një punë në ambasadën gjermane (lindore). Një nder i madh për te  punuar me të huaj. E kështu prej punës delikate që kisha, nuk mundesha që të frekuentojshe publikisht njërzit tonë. E më në fund më lejuan për një muaj të vij këtu (në Itali), pa valigje e pa para, e unë NUK JAM KTHYER ME  ATJE.

Tashti punoj për të mbajtë frymën mbasi këtu nuk ke ndihmën e askujë. Dhe nuk kam asnjë të drejtë, mbasi italianët në Shqipëri patën një përfundim(qenë keqtrajtuar)të keq. Porse më kanë ridhënë shtetësinë italiane e kështu të paktën mundem të punoj.....

Së fundi, Dr. Shiroka jo vetëm që ishte një  mjek profesionist i klasit ndërkombëtarë, por ishte një njeri me shpirt të madh e  humanist shëmbullor. Edhe pse ai nuk e deshti dhe nuk e pranoj kurrë rregjimin antidemokratik komunist, si mjek dhe humanist mjekoj dhe kuroj edhe pjestarë të makinerisë gjakatare komuniste, atentatore e udhëheqës partiake që ekzekutonin e burgosnin ato që mendonin ndryshe. U shkruajt shumë për Dr. Shiroken, u mbajtën konferenca e simpoziume për veprën e tij, për gjurmët shkencore që la prapa, por një gjë duhet të jetë e qartë: ai nuk e deshti për asnjë cast rregjimin komunist që i shkurtoj jetën. Shumë kolegë të tij ish anëtarët e partisë së dhunës, që ishin pjestarë të makinacioneve e kurtheve kundër tij, në vitet më pas si për të bërë “punën e pendimit”, shkruan fjale të mira e lavde për Federikun. Por  këto ndere e lavdërime ai i krijoj me punën, profesionalizmin  e nderin e tij. Nuk ishte rregjimi që i bëri nder Federikut duke i bërë buste apo emërtime rrugësh e sallash me emrin e tij, por ishte Federiku që i bëri nder atdheut të tij e të gjithe popullit shqiptare, duke i shërbyer ditë e natë me profesionalizëm e humanizëm, duke e bërë të njohur kombin e tij në arenën ndërkombëtare.

Shpresoj që ky shkrim të sjellë në mendjen e presidentit të  Republikës  dekorimin e Dr. Shirokës me titullin e lartë NDERI I KOMBIT për karrierën e tij shëmbullore, e po ashtu edhe bashkinë e qytetit të lindjes SHKODER,  për ta vlerësuar me titujt apo emërtimet që Dr. Shiroka i meriton.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora