| E diele, 20.01.2013, 08:55 PM |
Një jetë e tërë kushtuar çlirimit
dhe bashkimit të Kosovës me Shqipërinë
HASAN BEJ PRISHTINA DHE LËVIZJET
NË TREKËNDËSHIN:
VUSHTRRI-SKËNDERAJ-MITROVICË
(Temë e mbajtur në Simpoziumin
kushtuar Hasan Prishtina në Vushtrri me 7,8,9, tetor 2009 në Vushtrri
organizuar nga K. i Kuvendit të R. së Kosovës z. dr. Jakup Krasniqi)
Nga Qerim Pllana
Gjatë
pranverës dhe verës të vitit 1923, Hasan Prishtina vizitoj shumë fshatra të
Vushtrrisë, Mitrovicës dhe Skenderajt. Mbase kjo është vizita e fundit në vargun e kryengritjeve të mëdha të viteve
1908-1912 drejt pavarësisë së Shqipërisë. Qëllimi i vizitave ishte armatimi dhe
përgatitja për mbrojtjen e viseve veriore të Shqipërisë, respektivisht të
Kosovës nga okupimet e shteteve fqinje përreth, sidomos Mali i Zi dhe Serbia.
“Ne luftojmë e ndoshta nuk e gëzojmë (lirinë), por ata që vinë pas nesh kanë me
i gjet shenjet (gjurmët) tona” , thoshte
nëpër çdo fshat Hasan Prishtina ...
Pak fjalë
për biografinë e heroit kombëtar Hasan A. Prishtina
Hasan bej
Prishtina është njeri ndër personalitetet më të shquara të Lëvizjes dhe
Rilindjes Kombëtare të Kohës më të re.
Ka një biografi dhe bagazh bibliografik dhe historik, të rangut të
personaliteteve (figurave) më të shquara të popullit shqiptar që nga ata të
Komitetit të Stambollit, Lidhjes së Prizrenit, Lidhjes së Pejës “Besa-Besë dhe
të gjitha lëvizjeve më të vonshme të
kryengritjeve për pavarësinë e Shqipërisë. Hasan Prishtina lindi në Vushtrri
më 17 shtator 1873. Rrjedhë nga një familje të ardhur nga Polaci i Drenicës,
diku para Tanzimatit, ose rreth viteve 1721, ndonëse akoma nuk është saktësuar
data e rënies në Vushtrri e babait Ahmet Haxhi
Ali Berisha, dhëndër i Ramë-Ramë Pllanës nga Balinci i Vushtrrisë i
fisit Thaç.
Hasan
Prishtina dy-tri herë ndërrojë mbiemrat, nga Berisha në Polaci, dhe pak para se
të hynte deputet në Kuvendin e Turqisë, meqë në Prishtinë pos Vushtrrisë kishte
krijuar ca pasuri u quajt edhe Hasan Vushtrria, pastaj Prishtina. Hasani në
Kuvendin turk u rizgjodh tri herë radhazi. Mbiemrin Prishtina jo rastësisht do
ta mbante deri në vdekje, kur u qëllua tradhtisht nga dora e Çelo Ibrahimit, i paguar nga
mbreti A. Zogu. Hasani në Vushtrri kishte mbaruar mejtepin, pastaj në
Shkup metresën dhe në Stamboll kreu
studimet politike-juridike. Njohu nënë gjuhë të huaja, turke, arabe, greke dy
apo tri gjuhë sllave, frëngjishten, ka komunikuar gjermanisht dhe anglisht.
Hasani
ishte një orator dhe diplomat i rangut të Konicës. Në Parlamentin turk sa qe
deputet Hasani me fjalimit e tij të zjarrta, sidomos për mbrojtjen e
territoreve kombëtare dhe bashkimin e katër vilajeteve më një shtet, zgjoj shqetësime, frikë, madje
dhe panik në qeverinë e atëhershme turke
deri te sulltani. Qeverisë turke në vijimësi ia tërhoqi vërejtjen për rrezikun
që po u kanosej tokave shqiptare në prag të Luftërave Ballkanike nga apetitet e
shfrenuara serbo-bullgare dhe malazeze e greke në jug të vendit. Ai do të
shquhet për politikë, diplomaci dhe për reforma ekonomike, duke përkrahur me tërë
fuqinë Ismail Qemalin dhe deputetet shqiptarë.
Megjithatë
Kuvendi turk e shfrytëzoi për mrekulli
në të mirë edhe të vetë Turqisë.
Formimi i
Komitetit “Mbrojtja Kombëtare” e
Kosovës me 1. maj 1918
Në
Shkodër dhe disa nëndegë tjera si në Pejë, Shkup, Vushtrri etj., Hasani në
bashkëpunim me Pedri Pejanin, Luigj Gurakuqin, Idriz Seferin, Bajram Currin dhe
Isë Bolitinin formuan Komitetin për çlirimin dhe bashkimin e Kosovës me
Shqipërinë. Për Shpalljen e Pavarësisë të Shqipërisë, Hasan Prishtina ka merita
të jashtëzakonshme. Pavarësisht se Kosova reale-etnike mbeti e ndarë, sidomos
me vendimet tejet të padrejta historike dhe të kobshme të Konferencë Londra I.
Me 1913, para plotë 100-vjet.
Të
kobshme sepse, Shqipërisë iu morën gjysma e territoreve dhe po aq e popullsisë.
Patriotët, Hasan Prishtina, Isa Bolitini , Bajram Curri, Idriz Seferi, Bedri
Pejani, Luigj Gurakuqi, më vonë Azem Bejta dhe shumë patriot të tjerë morën për sipër organizimin e kryengritjeve në Kosovë për çlirimin dhe bashkimin e saj me
Shqipërinë, madje dhe pas Pavarësisë të 28 nëntorit 1912, duke u përpjekur për
kthimin e viseve të pushtuara nga shtetet fqinjë me përkrahjen e Fuqive të
kohës. Lufta e grupit të deputetëve revolucionar në krye me Hasan Prishtinën,
Fan S. Nolin, Avni Rrustemin, Luigj Gurakuqin Bajram Currin dhe shumë patriotë
tjerë kundër shumicës në qeverinë e cila gjithnjë e më tepër po binte nën
ndikimin e N. Pashiqit edhe më tepër e kishte keqësuar gjendjen në Kosovën e ri-okupuar. Kryengritja shkurt-mars e vitit 1923 u shua
me viktima dhe pasoja në njerëz, ekonomi
nën ndikimin e Ahmet Zogut.
Më 26
shtator 1924, Hasan Prishtina, Fan S. Noli, Bajram Curri, Luigj Gurakuqi dhe
Bedri Pejani iu drejtuan Lidhjes së Pestë të Kombeve në Gjenevë. Ata ashpër e
sulmuan dhe e kundërshtuan ushtrimin e dhunës dhe të gjenocidit serb mbi
popullsinë e Kosovës të okupuar, sidomos pas vrasjes të Azem Bejtës, kur do të
shuhet për një kohë Lëvizja për çlirim dhe bashkim të Kosovës me Shqipërinë.
Lëvizja e
Hasan Prishtinës në trekëndëshin Vushtrri-Mitrovicë-Skenderaj
Në
vjeshtën e vitit 1921-1922 nën përcjelljen e Zejnullah Begut, suitës dhe
burrave të Artakollit, truprojave Shaban H. Pllana, Musli Dërvinja Jonuz,
Rezheë dhe Imer Pllana, Ramë Ramë Balinci-Pllana Jetullaj Meholli, Hajzer Tafë
Shyti, Shaqir Shaqiri Pantina, Emin Lati dhe nën mbrojtjen e qetave të Azem e
Shotë Galica Radisheva , Hasani nisë lëvizjen
nëpër fshatrat e trekëndëshit Vushtrri, Mitrovicë-Mikushnicë Prekaz
Skenderaj-Polac etj. Qellimi i vizitës disa mujore të Hasan Prishtinës, siç
kanë rrëfyer përcjellësit dhe burrat tek të cilët qëndroj Hasani, ( dajat e
Hasanit, Ramë Ram Pllana i Balincit, Shaban H. Pllana truprojë personal me
Musli Dërvinjen, Rrukë Taraxha, Rexhep Selman Pllana, gjyshi i autorit dhe
shumë të tjerët, ishte organizimi i masës, armatimi dhe shpërndarja, duke u
përgatitur për kryengritje për çlirimin dhe bashkimin e Kosovës me Shqipërinë.
Sipas rrëfimeve gojore të atyre që u takuan me Hasanin, për disa muaj
verë-vjeshtë-dimër, Hasani vizitoj shumë fshatra të këtij
trekëndëshi,Vushtrri-Mitrovicë-Skenderaj, duke filluar Shtitaricë (Shtrojerë), Dolak, Bukosh,
Teraxhë, (Liqej), Akrashticë, Pantinë Ashlan, Balincë në Kullën e dajave. Ai
vizitoj Pjerçin, Braboniqin, Prekazin, Runikun, Galicën disa herë Mikushnicën,
Palacin, Llaushën Qubrelin, fshatrat e Shalë-Bajgorës, Blotinin, Zhazhën etj.
Pritja dhe tubimet gjysmë-ilegale janë mbajtur nëpër oda burrash. Hasani
zakonisht ka udhëtuar me një çeze dhe një apo dy pajtone. Çdo krerë fshati
ishte i njoftuar paraprakisht për lëvizjen e Hasanit me suitën e tij.
Përcjellja bëhej nën një përkujdesi rigoroz, sepse ai burrë ishte në shënjestër të Perandorisë e sidomos
të Serbisë dhe Malit të Zi po aq sa edhe nga elementet reaksionare greke.
Hasani një pjesë të pushimit të tij e kalonte në Kullë në Balincë, pronë e
dajave, rrëfen truproja axha Shaban dhe Rexhep Pllana. Para se të vdiste gjyshi im Rexhep Selman
Pllana, më 22 qershor e shtunë të vitit 1959, ne nipat e tij të cilët ishim tubuar
pranë tij, na u drejtua:
“Mos
harroni, njeriut më të mençur të Kosovës, Hasan Prishtina i kemi shumë borxh
edhe ne, jo sepse ishte nip i yni (Pllanajve), por sepse ai na mundësoj 4
hektar tokë mua dhe vëllamëve të mijë, Salihut dhe Ilazit (hoxhës, përmes
Zejnullah Begut.
Po atë
ditë gjatë ceremonisë së varrimit, axha
Shaban, kur më pa se isha përlotur nga pikëllimi mu drejtua: “Bir mos
qaj, gjyshi yt e ka të fituar xhenetin. A la ndonjë amanet, ishe pranë tij kur
vdiq. Po i thash: “Tha se i kemi shumë borxh, sidomos shtëpia jonë, Hasan Begut
jo pse e kishim nip, po sepse na i mundësoj 4,5 h. tokë lluki afër L. Sitnicë,
përmes Zenullah Begut”. Me intereson axhi Shaban, a ishte Hasan Prishtina nip i
joni apo pse e tha gjyshi ketë amanet pak para se të vdiste. Po biro, Hasanin e
kemi ruajtur sa herë ka dalë në Kullën në Balincë te dajat e tij,unë me Musli
Dërvinjen, bile në çdo katun të rrethit të Vushtrrisë.
Siç
rrëfen im gjysh në shtëpinë tonë, kanë qëndruar dhe kanë bujtur Hasan
Prishtina, Isa Bolitini, edhe pse
Isa mik shtëpie e kishte Jetullah Mehollin, meqë të motrën Isaja e kishte për
Hazir Jetullah Mehollin, e cila nuk lë pasardhës, por jetoj afro 100-vjet.
Hasan Prishtina kishte lidhje të ngushtë edhe me muzakajt (muzaqët) e Liqejve
(Teraxhë), Rrukë Muzaçin, në Shtrojerë (Shtitaricë) me Januz dhe Imer Ali
Pllanën, Rexhep dhe Hasan Pllanën, Jetullah Mehollin, Musli Dërvinjen, Bajram e
Xhemë Gërguri-Krasniqi. Kurse në Vushtrri kishte kontakte të përhershme me
familjen Badivuku, Venhari, Buçinca Xhakalit në Ashlan, Drenicë me Beqë Qubrelin,
Gashtë e Radishevës, Hajzerajt e Uçës, Sheqirovit e Pantinës etj. Pothuajse nuk
kishte fshat i trekëndëshit Vushtrri, Mitrovicë dhe Skenderaj, në të cilat
Hasani nuk kishte një, dy apo më shumë burra me besim të plotë për kontakte,
biseda dhe porosi kombëtare.
Për
lëvizjen e Hasan Prishtinës ka shkruar edhe Joviqeviq Andria në shtypin serb të
kohës gjatë viteve 1921, 1922 dhe 1923. Serbia lëvizjet e tij i kishte përcjell
me interesim të veçantë, madje kishte porosit bashkëpunëtor (spiunë) për t`u përcjellë
çdo lëvizje, bisedë dhe qellim i
vajtje-ardhjeve në këtë hapësirë.
Përkushtimi
besnik dhe ideali ndaj atdheut, lufta e paepur diplomatike dhe konkrete për
çlirimin dhe bashkimin e Kosovës me Shqipërinë amë. Qëndrimi, i guximshëm me dinjitet kuraja qytetare, Hasan Prishtinën
e bëri aq më të dashur për ata që e njohën dhe të tjerët që e kishin dëgjuar
për te. Ishte shpirtërisht me popullin, po aq më shumë me muhaxhirët, jo pse
ishte nip i tyre, por pse i dinte vuajtjet e kësaj pjese të popullit të ndjekur
nga ushtria, policia dhe nga urdhëratë dhe mësimet e Rusisë Cariste nga viti
1844, sidomos gjatë dhjetor-janarit të
vitit 1877-1878, deri më 1999. Ai me një rast në odën e Sheqiroviqe në Pantinë
ishte shprehur: “Burra, pasuria e tepërt është përdellestare, bile e përdalë.
Ajo vjen dhe shkon. Fitohet dhe fare lehtë humbet. Vetëm liria çlirimi dhe
bashkimi (itifaku) i kombit na siguron pasurinë, begatinë, tokën dhe nderin. E
shoh se ju keni sofër të bardhë, kjo është e mirë. Por, më e çmuar dhe më e vlefshme
për ne është çlirimi, liria, bashkimi dhe demokracia. Vetëm këto na mundësojnë
sigurinë, ekzistencën ahiretin-dhe amshimin, atyre që vinë pas nesh begatinë...
Ndërkaq,
ai më një odë në Ashlan të tubuarve u
kishte thënë: “Bukë të bardhë e të
grunjtë ,
mjaltë dhe qumësht do të hamë e do të pimë, vetëm kur të çlirohemi nga zinxhirët që i kemi këmbë e duar lidhur me pranga të Serbisë. Unë po
shoh shumë shtëpi të mbuluara me kashtë e kallam. Ato familje zor që kanë një
lopë, dele a dhi para dere. Atyre i
duhet ndihma e ju tjerëve. Sepse ata ia heqin të zitë e ullirit. Ju që jeni më
“malldar”, tani e tutje të paktën nga një pushkë për mashkull e për shtëpi të
bëni gatime pranverë”! Këtë e kishte shprehur disa herë edhe në odën e gjyshit
të ndjerë dhe në tri-katër odat e
fshatit Shtrojerë. Kjo lidhje aq besnike, e fortë dhe me besim ishte, mu pse
Hasan Prishtina ishte në mesin e dajave, si nipi për dajë etj.
Në disa
fshatra të Drenicës, si bie fjala (rrëfente im gjysh), në Prekaz, Mikushnicë,
Polac, Llaushë, Baks, Qubrel e
Izbicë, Hasan Prishtina posa e përmendte
mbledhjen e armëve dhe caktimin e vendit të tubimit, përnjëherë burra e të rinj ngreheshin në këmbë si fëmijë
mejtepi , kur hoxha u thotë dilni e pushoni pak. Ai në odën tonë e kishte thënë
edhe këtë për Artakollin: “Aty-këtu e shoh se rreth e për çark Artakollit konsumohet edhe alkooli me tepri,
kurse më të dehurit xhandarmëria serbe sillet si më kafshë! Në pikë të ditës i
rrahin dhe nuk përgjigjen para askujt. Sepse këtu për shqiptar dominon anarkia,
nuk ka ligje, drejtësi as moral. Ka vetëm dajak, haraç, plaçkë dhe plumba për
Kosovën e robëruar”!
Hasani
gjatë vizitave përdori disa shprehje, varësisht odave, katundeve dhe llagapeve
ku qëndrojë: “Duhet të mos silleni si “demuza”, “allçakë”, si fëmijë lazdrakë
(lazdrakë)mejtepesh të hoxhallarëve shallvaresh e shallesh, xhepash, lakrash e
kosarësh. Puna e lyp që të jemi të kujdesshëm e të përgatitemi për më të keqën.
Sepse koha dhe nevoja e do të mos presim. Pa zhurmë, besnik e fjalë mbajtës. Mos i bëni hyzmet tradhtisë , por as rakisë.
Ju që i keni punët ekonomike pak më mirë, keni bagëti, bylykë dhënë e dhi, duhet të jepni zeçatin për të varfër
armë, e shkolla, duhet të përgatitemi për luftë..,ndoshta na duhet të shesim
edhe tokë, pyje e bashtinë begatish për të blerë armë për luftë, liri dhe
bashkim me të madhën Shqipëri. Për ndryshe ne jemi veresi”!
Janë
vetëm disa këshilla të arta dhe
patriotike të idealit, moralit dhe dinjitetit të një njeriu për komb dhe për
atdhe siç ishte Hasan Prishtina. Ai shëtiti jo sall Artakollin, trekëndëshin
Vushtrri, Mitrovicë dhe Skenderaj, por kaloj pothuaj çdo pëllëmbë të Kosovës
brenda 4-vjet të Kryengritjeve 1908-1912. Me Programin prej 14 pikësh drejtuar
Portës, Hasan Prishtina krijoj elaboratin për luftë, liri çlirim dhe bashkim të
Kosovës me Shqipëri. Ishte një kërkesë e modifikuar dhe afatizuar për t`u
pranuar nga Porta brenda 24 orësh. Marshimi i forcave kryengritëse do të nisej
nga Ferizaj me mbi 30.000 kryengritës drejt Shkupit, kryeqendër e Vilajetit të
Kosovës, ngjarje për të cilën flasim ndonjë herë tjetër. Do theksuar se
veprimtaria revolucionare dhe evolutive e patriotit Hasan Prishtina mbetet
udhërrëfyese në vijimësi edhe sot edhe gjatë gjithë Luftës Çlirimtare të
Kosovës, nën udhëheqjen e Komandantit
legjendar Adem Sh. Jashari.
Sipas
idealeve të Hasan Prishtinës: Bashkimi është e drejt eksplicite e çdo populli
të ndarë kudo në botë, pse jo edhe për shqiptarët e coptuar në Ballkan, në
tre-katër shtete sllavo-greke në Ballkan, madje në dy shtete të pa konsoliduara
shqiptare, Kosovë-Shqipëri. Prandaj, nuk ishte rastësi që Porta dhe pushtet
shovinist serb Hasan Prishtinën e dënuan me vdekje dy-tri herë. E shpallën disa
herë “tradhtar” vetëm pse kërkonte çlirimin dhe shkëputjen e Kosovës etnike nga
Serbia për t`iu bashkuar Shqipërisë. Me qindra herë në shtypin e kohës Hasani u
quajt irredentist, armik i përbetuar i Portës dhe i Serbisë! Më në fund
patrioti dhe heroi i popullit Hasan Prishtina e pësoj nga një tradhtar dhe
spiun i paguar nga mbreti Zog. Ibrahim Çelo, një shërbëtor i papunë me 13 gusht
1933 në një rrugicë të Selanikut. Hasani u qëllua për vdekje. Kështu përfundon
një jetë e tërë e një njeriu vizionar, patriot dhe kombëtar, i cili tërë
fuqinë, pasurin dhe moralin e tij e shkriu për Kosovën dhe atdheun e
pa-bashkuar Kosovë-Shqipëri, duke mos kursyer vetën, jetën, pasurinë e tij.
Lavdi jetës, veprës dhe idealit të heroit kombëtar në luftë për bashkim,
demokraci dhe liri, Hasan Prishtina, Lavdi!
Burimet
dhe Literatura:
1. Ahmet Haxhiu, Hasan Prishtina, Tiranë 1964
2. Historia e Shqipërisë II. Tiranë 1965,
3. Lufta ÇLIRIMTARE PëR Autonomi (1897-1921),
tetor 1969, Prishtinë,
4. Vilajeti i Kosovës, Sh. Rrahimi, Prishtinë
1970
5. Tahir Abdyli, Hasan Prishtina në Lëvizjen
Kombëtare Demokratike (1908-1933).
6. “Rilindja” dhe shtypi i kohës Prishtinë
1992-2009
7. Jovçqeviq Andria, , Libri i XVII,
Putovanje i pokret Hasan Pristine po bokolini Vucistern, Serbice i Kos.
Mitrovice 1921-1923 god.
8. Kujtime dhe Rrëfime të bashkë-kohanikëv:
Rexhep S. Pllana, Jetullah dhe
Hazir Meholli, Musli Dërvinja, Shaban. H. Pllana,
Januz dhe Imer a. Pllana, Shtrojerë. Liqen, Ramë R. Pllana Balincë, Hajzer T.
Shyti Ashlan, Rrukë dhe
Bajram
Rr. Muzaka (Muzaçi), Zhemë Gërkuri-Krasniqi Fjer, Beq Qubreli, Mehmet dhe
Ahmet Qubrel, Qubrel, Stamboll, Turqi.
9. Mbaj të drejtën e autorsisë nga takimet
dhe shënimet me një pjesë të këtyre burrave, sidomos me tim gjysh, në shtëpinë
e të cilit, Hasan Prishtina, Isa Buletini e patriot të tjerë, si Emin Lati,
Bislim Bajgora e shumë të tjerë kishin qëndruar, Shaban H. Pllana truproje me
Musli Dërvinjën dhe Ramë Pllana, Xhemë Gerguri, Fjerë mars-shkurt 1972 dhe
viteve 1958-1960 dhe 1972 në Fjerë, takimi me Ibrahim dhe Lah Gashi nga Kotori,
Fushë-Krujë gjithashtu 1972, Tiranë, Durrës, Krujë, Laç, Shkodër në shtëpinë e
Jashar J. Meholli etj.
(Autori
Q. Pllana publicist, historian, anëtar i LSHK, Lidhjes së Shkrimtarve të Kosovës, kolumnist i njohur në
masmedian kombëtare, Prishtinë, janar 2013.