Kulturë
Gjergj Fishta: Gjergj Kastrioti
E merkure, 16.01.2013, 10:00 PM
HEROI KOMBTAR
GJERGJ KASTRIOTI
SKëNDERBEU
(1405 – 1468)
545 VJET
SKULPTURë NGA ODISE PASKALI
17 JANAR
1468 – 2013
Melbourne 2013.
AT GJERGJ FISHTA O.F.M.
“IN HOC SIGNO VINCES.”
(“ME KëTé SHENJë Ké ME FITUE”)
Tue zbardhun mosha dhjetepestë e jona
Atje prej shtojesh t’ Anadollit t’ plleshëm
Hanza përgjakshëm, nis mbi Europë t’ kukzohet.
Ishte zotmadhi i turqve, që në krye
5. Të ma s’ rrebtës ushtri të jetës s’ atëhershme
Ujnat e njelmta dilte t’ Helespontit,
Edhe betohej n’ mëni të vet mizore,
Se shpirti trupit s’ do t’i ndahej para
Se hanzën t’ ngrinte mbi Sh’ Sofi t’ Bizantit
10. E n’ Sh’Pjetër t’ Romës tagji t’i vinte kalit.
E pse ai burrë dokrrash e pallavrash s’ ishte,
Përpara tij ranë frone e ranë therore;
U rroposën mbretni e u shkimen fise,
E as bar ma s’ mbiu andej ka’i shkeli kamba.
15. Greku, bullgari humbën, humbi serbi,
- Humbi, po, serbi, madhështia e t’ cilit,
Atje te e vona botën mbarë në zi
Do ta mbështillte. – T’ felgruem droje, shuejtën
Zanin mbretënt e Europës. Zâmaret heshtën,
20. Heshti edhe kanga e një mjerim i shëmtuem,
I ra mbarë dheut.
Kur, qé, mbi kep të Krujës
Titanike po del një hije burri,
Vetullat ngërthye, si dy hulli rrufeje,
Me do sy zjarmi e ‘i mjekërr t’ thinjtë, e cila
25. Shtëllungë gjatë nofullash i derdhej, si ajo mjegulla
Rreth një curri t’ thepisun. N’ krye trishtueshëm
Flakë i shkëlqen tarogza brinatake,
Që, tmerrshëm ka ‘i vezullon nën rreze t’ diellit,
Kometë zharitse dan ndër sy t’ anmikut.
30. Ai asht fatosi i ndiem Gjergj Kastriota,
I Madhi Gjergj Kastriota Skënderbeu,
Që, prej atij kepi, si një shqipe mali
Kundron kah forca e barbarisë lindore
Shkon tue rrëmbye mbretni e fise e popuj,
35. E gjithçka t’ mbarë përftue kisht’ mendja e njerit;
Si rribë veriu, që rêtë i fshin prej qielli
Dhe e lê tokën me u tha. Edhe tue pa
Se anmiku i rrebtë i qytetnisë njerëzore
Po nis për s’ afërmi Shqipnisë t’ kercënohej
40. E se prej njerit s’ kisht’ pse ndihmë me pritë,
Çon sytë kah qielli, e zemra gjak tue i shkue,
“O Zot! – gërthet, - O Zot i Madhi i Ushtrive!
E po a njëmend se ma s’ do t’ ketë Shqipnia
Një vend ku me t’ u lutë?... E se gratë tona
45. Djepat n’ Azi mbas sotit do t’ përkundin?...
E se Shqiptari tokën do t’ punojë
Veç për me kndêllë n’ mish gocat çerkeze,
Që një tirani t’ i shërbejnë ma kandshëm?
Oh! Pse ia mbërrimë kësaj dite e s’ ka shpërthye
50. Toka q’ me kohë, me na përpi për s’ gjalli!
Ti, o Zot i Madh i Ushtrive, Ti prej qielli
Zemër e forcë m’ dërgo, qi këtij tartari
Barbar un t’ ia dëftoj, se Shqiptaria
S’ merret pa gjak e se per Fé e Atdhé
55. Di t’ vdesë Shqiptari”. Përmbi flatra
Të bardha t’ Fésë kjo lutë u çue kah qielli
E i shkoi n’ vesh Perëndisë e e preku n’ zemër.
I Amshuemi, atëherë, prej visarit t’ qiejve
Nxjerr një pelhurë të ngjyeme “kuq e zi”,
60. Që engjëjt vetë n’ Parriz endë e kishin:
E mbasi e puth i Lumi e vë në ballë,
Një Kerubini t’ lehtë i urdhnon tue i thanë:
“Na, e këtë Flamur Skënderbeut çoja
Atje poshtë n’ Krujë, e thuej prej anës sime,
65. Se dersa t’ rrijë tok fisi i Shqiptarit
Nën hije t’ këtij emblemi tim t’ bekuem,
Zot m’ veti e i lirë gjithmonë ai ka me kenë”.
Kështu tha i Amshuemi; e ai Kerubini i qiejve,
Palosun n’ parsmë Flamurin e Shqipnisë,
70. Hapë flatrat e prarueme e poshtë Empirit
Shigjetë n’per një rreze drite dirgjet n’ Krujë.
Ku Skënderbeut n’ dorë dhuntinë e Zotit –
Flamurin e Shqipnisë – ia jep e këshillin
E t’ Lumit ia dëfton: Se si Shqiptari
75. Zot m’ veti e i lirë gjithmonë do t’ mund qëndrojë.
Si ai njeri, që trishtue një andrre s’ keqe,
Kur gjumi i del, me vete zë e gëzohet,
Se n’ hije e jo i njëmendtë iu shfaq rreziku:
Kështu Skënderbeu nis me u gëzue me vete,
80. Si Lajmi i qiejve n’ dorë ia dha Flamurin
E i tha se për nën hije t’ tij Shqipnia
E lirë e zojë m’ vete përherë do t’ mbetej.
Edhe armatoset Burri i dheut krejt m’ hekur,
Ngjeshë pallën n’ ije – pallën t’ rrebtë, mizore,
85. E n’ patershanë, me pafta arenzi t’ mbathun,
Njet Flamurin kuq e zi, që vetë i Amshuemi
E kishte puth edhe mbi shpinë të kalit,
Që, fry turinjtë, nuhatte erë gjaku,
Hidhet porsi duhi e rrebtë. Prej millit
90. E nxjerrë pallën mizore, e drejt kah qielli
Heshtën e ngre. Një fllad i lehtë, i ambël –
Flladi i Dashunisë – po e zhdrivillon Flamurin.
- Flamurin e Atdheut tim – që tue gufue
Mallnueshëm nëpër ajr të lirë t’ Shqipnisë,
95. Nisë me u valëvitë si fleta e Kerubinit,
Si ai skundilli i petkut t’ Perëndisë,
Që, mirë qëndisë me hana, yj e diej,
Prej krahëve t’ amshuem e t’ gjithpushtetshëm
I varet poshtë nëpër hapësi t’ Empirit,
100. Kah, mbështetë n’ stuhi e n’ flatra t’ rribës s’ murranit
Sheston boshtin e moknës s’ rrokullisë.
E ashtu n’ atë dukë të rrebtë e t’ përfrigueshme
Me ‘i za, si tue ulërue, prej kepit t’ Krujës
Po u thërret Shqiptarëve t’ vet e u thotë: “Këtu burra!
105. Këtu ejani, o t’ bijtë e Maleve! Shqipnia
Gjendet n’ rrezik!” N’ atë bulurimë ushtuen
Malet e fushat e Shqipnisë kreshnike,
Edhe një çetë e vogël homeridësh,
- Burrash si motit veç që i bante nana -
110. Përreth tij mblidhen, e nën hije t’ Flamurit
Një bé të madhe bajnë e lidhin besën,
Se i pëllâmbë toke t’ Atdheut s’ ia lëshojnë tartarit,
Po s’ e lánë para me gjak t’ tij t’ përdhosun.
T’ forcuem me atë bé, t’ forcuem me shejtni tagresh
115. E shpresë n’ Zotin tue mbajtë e n’ krah të vetin,
Me Flamur kuq e zi zhdredhun përpara,
Poshtë errmoreve t’ maleve t’ thepisuna
Si rreshme bore prej ndo’i kulmi t’ rryeshëm,
Rrâjnë fulikare përmbi radhe t’ turqve,
120. Të cilët, prej s’ largu tue ua pamë hovin,
Thonë se kulshedra me dragoj po u turret.
Edhe tmerrshëm nis lufta titanike.
Kah t’ idhtat shpata, kah gjakbâset heshta
Çeken ndër shkëndia me vringllimë t’ trishtueshme,
125. E bubullojnë henikë edhe gopedra,
E vërrasin keqas të varruemt përdhé.
Kaq një zhurmë, një rropame e ‘i vigmë e kobshme
Çohet per ajr të terratuem pluhuni,
Që rreth e rrotull t’ tanë dridhet Ballkani.
130. Shkon gjaku rrëkajë. T’ tanë fusha e gjanë e Dibrës
Me kurma t’ zeshkët barbarësh asht mbulue. Hidhet,
Hingëllon, trumhaset kali i Skënderbeut,
Kah thundra e mbathun thellë i humb në dhé
Të rijtun n’ gjak t’ barbarit. N’ dhambë brén buzën,
136. Atëherë zotmadhi i turqve pendohet
Që i ra kurrë n’ mend t’ mësyjë Shqipninë mizore.
E sheh, po, vetë gjakbâsi, se rob s’ bahet
Ai dhé, ku Flamri kuq e zi valvitet.
PËRGATITI Në GJUHëN LETRARE: Prof. Dr. NDUE ZEF TOMA.
MARRË NGA ORIGJINALI “VEPRA LETRARE 1 Lirika, “Mrizi I zanave”, fAqe 52, Botue nË TiranË, viti 2001. ATY ADAptuesi
Ka ba edhe shpjegimin e shumË fjalËve E FRAZAVE.
PARAQITJA GRAFIKE: FRITZ RADOVANI, MELBOURNE 2013.