E merkure, 08.05.2024, 05:23 PM (GMT+1)

Kulturë

Ryzhdi Baloku: Kurrkujt besë mos i zë

E merkure, 16.01.2013, 08:38 PM


BESNIK BËHU, POR KURRKUJT BESË MOS I ZË PA E SPROVUAR

Nga Ryzhdi Baloku

Derisa jashtë dëgjohej rrebeshi i shiut që binte furishëm, babë e bir zbriten në heshtje shkallëve teposhtë.

Kur arritën në përdhese, xha Sokoli i foli të birit:

- Eja Trim të të tregoj diçka. Pasi i parapriu për dy-tre hapa kah njëri kënd i hajatit, për një çast ndaloi në një vend dhe me lëvizje të lehta majtas-djathtas hoqi një hatull ndërmjet trarëve të tavanit, futi dorën thellë dhe ngadal nxori pushkën që ishte e mbështjellë me një fashë të trashë pëlhure. Pas e shpalosi vërehej se ishte e lyer e ruajtur aq mirë, saqë e tëra vezullonte. Me të shtrirë para duarve kah drita, reflektonte me  shkëlqim si një qelibar. Me një lëvizje u kthye kah i biri e i tha:

- Ja djali im, këtë armë zjarri që ta tregova do ta rrëmbesh vetëm për kauzën e shenjtë, atëherë kur të jepet kushtrimi për çlirimin e trojeve tona.

Me një kujdes të veçantë e mbështolli dhe e futi përsëri aty ku ishte më parë. Pasi e kamufloi si më herët dhe iu duk se e rehatoi si duhet, ia vuri dorën Trimit nën sqetull, e i tha: - Këtë fshehësi që tani e di edhe ti, nuk duhet ta dijë askush tjetër, sepse të moçmit kanë thënë: “Besnik bëhu, por kurrkujt besë mos i zë pa e sprovuar”. Për ta njohur dikë, nevojitet një thes kripë ta ngrënësh me të, sikurse unë me Zekën, në mes veti jemi sprovuar me mija herë. Në kontekst të kësaj rrethane më duhet të ta tregoj një ngjarje për të cilin flitej se ka ndodhur moti.

Me të përfunduar të kësaj këshille të shprehur përmes proverbit, xha Sokoli ra në heshtje dhe pas ca çastesh kujtese nisi rrëfimin:

- Kishin qenë babë e bir duke biseduar mes veti, mu sikurse unë me ty. I biri i lavdërohej babait tërë kohën, se e kishte një shok të mirë dhe besnik. Dikur ky e pyet të birin:

- A e ke sprovuar sa e si duhet atë shok ?

- Po babë e kam sprovuar në të gjitha mënyrat,- i përgjigjet i biri.

Pasi kësaj bisede  i thotë djalit:

- Mirë djali im, shko e there njërin prej deshve më të mirë dhe sa është ende i nxehtë duke i rrjedhë gjaku fute në një thes. Me të rënë të territ shko te shoku i yt e thuaji: “Posa e thera njërin prej tyre, e futa në këtë thes dhe e solla te ti. Meqë të kam shok të mirë e besnik dhe kam konsideratë për ty, ishte dashur që bashkërisht të vendosim se çfarë do të bëjmë me të”. Nëse ai tregon gatishmëri të të ndihmoj, atëherë jepja dashin si dhuratë, në të kundërtën vetëm tregoji se çka ka brenda, e menjëherë kthehu në shtëpi.

Kur ky kishte shkuar te ai shok me thes të përgjakur dhe ia kishte thënë ato fjalë, ai jo vetëm që ishte tmerruar, por edhe e kishte përzënë duke i thënë:

- Largohu menjëherë sa nuk të ka parë dikush, se përndryshe do të lajmëroj aty ku është vendi.

Pas këtij deliriumi sjelljesh të tij, ky ia hap grykën e thesit, e i thotë:

- Këtë dash e thera për ta sjellë si dhuratë në shenjë respekti që deri tani kam pasur për ty, por isha në dilemë se a ta ndanim ndonjë pjesë prej tij edhe për ndonjë shok tjetër, apo të tërin ta lë këtu, por ti këtë nuk e dëshirove duke menduar se ta kam sjellë ndonjë bela.

Kur kthehet në shtëpi, i tregon babait për sjelljet e shokut të vet. Ky, pasi e dëgjon të birin, i thotë:

- Shko e shaloje atin përsëri dhe ngarkoje atë barë dhe menjëherë nisu te shoku im. Kur ta gjesh, tregoji se biri i kujt je dhe drejtoju në të njëjtën mënyrë siç iu drejtove shokut tënd.

Sipas porosisë së babait, i biri menjëherë niset për rrugë. Pas mesnate arrin te shtëpia e tij, i troket në derë. Pas pak çastesh i zoti i shtëpisë duke ecur përgjatë oborrit nga brenda e pyet se kush është. Ky i tregon i biri i kujt është dhe kënd po e kërkon. Kur i zoti i shtëpisë e merr vesh se kush ishte jashtë, e hap derën ngadalë, ia drejton fenerin i afrohet me kujdes dhe e vështron nga afër. Pasi vërtetohet se është i  biri i shokut, e fton të hyjë brenda dhe i dëshiron mirëseardhje.

Me t’u afruar pranë derës, mysafiri i  thotë të zotit të kësaj shtëpie:

- Më fal që po nxitoj të ta them, por kisha dashur ta dijë menjëherë se çfarë të bëj me këtë që e kam therë ?, duke e drejtuar gishtin tregues të dorës kah ngarkesa mbi at.

I zoti i shtëpisë me shpejtësi ia hedh sytë barrës përmbi kalë e i përgjigjet:

- Meqë je djali i shokut tim, atëherë hallet tua janë edhe të miat, por futu brenda o burri i botës, se çdo pune i gjendet çarja.

Kur i zoti i shtëpisë e kap kalin për kapistalli për ta lidhur për një dru peme në oborr, e vëren se thesi ishte i përgjakur dhe  nuk tenton për ta shkarkuar, por kthehet kah djali i shokut, ia vë dorën përmbi supe, e i thotë:

- Mos u mërzit, këtë punë do ta rregullojmë shpejt, por më trego si e kam shokun tim të vjetër.

- Falë Zotit me shëndet është mirë, - i përgjigjet ky zotit të shtëpisë, -por për këtë punë që kam ardhur kisha dashur ta kryejmë menjëherë.

I zoti i shtëpisë kësaj here nuk iu përgjigj, por e drejtoi mysafirin kah shtëpia.

Kur hynë brenda dhe u ulën në odën e burrave, i zoti i shtëpisë ia ofroi mysafirit kutinë me duhan bashkë me një çakmak për ta ndezur cigaren. Ky iu falënderua, duke ia bërë me dije se nuk e ndez. Për ta nderuar mysafirin ai ia ktheu:

- Mirë pra, po e shtrojmë sofrën menjëherë.

- Jo, nuk po më hahet pa e kryer punën, - ia drodhi mysafiri.

I zoti i shtëpisë, që ishte shoku i babait të tij i tha:

- Mbasi ke ardhur tek unë për ta gjetur çaren, për këtë çështje mos mbaj gajle, do t’i rrekemi punës, pasi të hash darkë, sepse gjatë rrugës me siguri je uritur.

Kur mysafiri përfundoi së ngrëni, i zoti i shtëpisë i tha:

- E tash mund ta kryejmë atë punë që po të mundon.

Kur ngriten me dalë jashtë, plaku e merr fenerin me vete dhe i afrohet të riut që të mbahet për krahun e tij.

Pasi ia vë dorën përmbi supe i thotë:

- Së pari po shkojmë ta marrim kazmën dhe lopatën, pastaj do të vendosim se ku ta groposim atë që e ke në thes.

- Nuk na nevojiten ato, përgjigjet i riu. Dashin sot e kam therë, ende është i freskët, e ke dhuratë nga babai im.



(Vota: 16 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora