Kulturë
Halil Haxhosaj: Poetika e Jeton Kelmendit
E marte, 15.01.2013, 08:56 PM
ASPEKTE MODRENE
E POSTMODERNE NË POETIKËN E JETON KELMENDIT
Vargëzime me dimensione moderne e postmoderne
NGA HALIL HAXHOSAJ
Poezia e Jeton
Kelmendit shfaqet si imazh, i cili gjithnjë funksionon duke e objektivizuar e
zbërthyer në brendësinë e vet. Ajo përmban brenda vetes kuptimin lakonik e
simbolik në një masë të duhur. Dendësia e kësaj poezie lirike zbërthen deri në
thellësi inteligjencën e lexuesit. Strofat dhe vargjet moderne e eliptike të
saj depërtojnë në thelbin e ndjenjave të shpirtit njerëzor. Andaj, poeti Jeton
Kelmendi, është një prej figurave poetike më të veçanta të kohës. Vepra e tij
nderon jo vetëm poezinë bashkëkohore shqiptare, por edhe mbarë letërsinë e
mirëfilltë ku ai jeton dhe vepron. Madje, kjo poezi për vlerën e vet, është
shpërblyer me disa çmime dhe shpërblime të tjera qoftë kombëtare dhe
ndërkombëtare. Në ndërtimet, figurën, vargëzimin dhe elipsën e vet dominon dhe
shprehet një dritësim shkëlqyes dhe tejet perfekt, andaj në të nuk hetohet fare
mungesa e dritës. Mbase, mu për këtë kjo është poezi e përndritur, e pse jo
edhe e ndriçuar, bëhet e ngrohtë dhe tejet e përmallshme për lexim, i cili
mbarësohet me përkujtime, përjetime dhe intimë tjetër. Prandaj, poeti Jeton
Kelmendi, vjen me veprën e vet poetike te lexuesi edhe kombëtar, por edhe te ai
ndërkombëtar, në këtë kohë pa kufij, ndalesa, ndarje e okupime klasike e
koloniste me ushtri, armë, bajoneta, tanke, avionë e raketa. Andaj vargjet e
saj jehojnë ëmbël të përkthyera në më se 22 gjuhë botërore, në këtë moshë të
tij. Në vargjet poetike të Jeton Kelmendit këndohet edhe për robëritë
shekullore, për luftërat e kryengritjet për çlirim kombëtar, por edhe
tjetërfare nga okupatorët shekullorë. Ndër karakteristikat e figuracionit të
kësaj poetike është, përveç të tjerash edhe elipsa. Kjo figurë, thuajse dominon
në vargëzimin e këtij poeti, i cili atë e bën në simbiozë edhe me figurat e
tjera si me metaforën, simbolin, krahasimin, personifikimin e të tjera.
Gërshetimi i këtillë ka rëndësinë e vet sepse e mbarsë tehun poetik me
inovacione të cilat frymojnë dhe inkuadrohen me rrëfimin si formë të skemës
individuale të poetizimit të këtij poeti.
Tërë mbarështimi i kësaj poetike depërton nëpër unazat e ndërtimit të saj, madje edhe të binomizuar, por më dominonte janë dashuria, atdhedashuria, koha, hapësira dhe mërgimi. Nëpër këtë situatë, por edhe në disa të tjera zhvillohet indi poetik i këtij poeti dhe gjithnjë shkon duke u trashur, përsosur dhe skalitur. Kjo nuk bëhet sa për të thënë, por autori i këtyre vargjeve ia ven detyrë krijuese indit poetik që ta përshkallëzojë atë duke e ngritur prore kah maja e piramidës krijuese të poezisë. Mbase kësaj ia ka arritur që nga përmbledhja e parë e deri te e fundit.
Lirika intime me karakteristika bashkëkohësie
Poezia e poetit modern e bashkëkohor, Jeton Kelmendi, në radhë të parë është e frymëzuar nga lirika popullore, por e ngritur mbi një intimë karakteristike, e pse jo edhe lirike me dimensione mbi modernen e postmodernen. Shtrirja e këtij elementi në vargjet e kësaj poezie nuk ka qëllim skalitje tjetër përveç asaj të mbështetur mbi populloren, por që poeti, Jeton Kelmendi, tash këtë e lexon ndryshe për të përjetuar, por edhe pasqyruar, ndryshe, pra në mënyrë më moderne, e pse jo edhe postmoderne. Kjo më se miri shihet në vargjet:
Më shfaqet
fytyra jote
Syartë
Si në kohët e
vjetra
“Prej njaj shpati t’i lshova sytë”
(Poezia “Më shfaqet fytyra e jote syartë”)
Edhe vargjet e poezisë përkushtuese të dashurisë, duke u mbështetur në elegjinë e njohur popullore “Rrushja e Rexhës”, shprehin tragjiken dhe mosrealizimin e ëndrrës së dashurisë edhe nga vajza, por edhe nga djali, sepse koha patjetër pjell diçka për ta penguar atë:
Stinën e plaku
vaji i Rrushes
I Rrushe Regjës
.....
Edhe Rrushja në
fund të livadhit
Ndërsa dashuria
e saj për Zekën, lëngon
Dy shekuj e më
shumë
Lidh mbathcat epshi
thotë poeti në poezinë “Bari u tha pranë
luleve”.
Të gjitha përjetimet për mallin e dashurinë
mëtojnë të duken sa më të përjetuara, por edhe sa më të prekshme për
receptorin, pra lexuesin, i cili qëndron me vargun e poetit në dorë, por edhe
në ndjenjë, në zemër dhe në shpirt. Dhe mu kështu bëhet përjetim e ndjeshmi i
këtyre vargjeve edhe pse subjekti lirik i tyre mund të mos gjendet këtu, por
është diku larg, madje në mërgim, i cili edhe më shumë ia shpalosë sepalet e
bukurisë për të dashurën dhe dashurisë e mallit për të. Atij, mbase nuk i bëjnë
përshtypje aq të mëdha letrat e vetmisë, por më shumë e përmallojnë agimet e
largëta që e dashura s’mund të mbërrijë te ai, ani pse pas shumë ditëve atyre u
nevojitet bile një natë për ta kaluar bashkë. Dashurinë e tyre të përjetuar
tash ua vërejnë edhe sytë e natës, që në errësirë zbardhin duke vetëtuar mbi
qiellin e mendimit.
Tema e dashurisë në poetikën e Jeton Kelmendit vesh petkun, por edhe mishin, ashtin e gjakun modern, sepse mëton, madje edhe qarkullon nëpër poret dhe stadet e këtij fillimshekulli, pra të dekadës së parë të shekullit XXI. Andaj edhe frymëzimi, edhe përjetimi, por edhe shijimi i kësaj dashurie tash ka të tjera ngjyra, të tjera përjetime dhe të tjera domethënie. Dhe këtyre, por edhe shumë të tjerave, ky poet arrin tua gjejë ngjyrën, koloritin, ndjenjën, por edhe butësinë dhe shijen. E dashura, të cilën e quan “Princeshë”, ka hyrë thellë në poezinë e poetit, andaj nga aty nuk mund të del më, sepse në disa vargje të poezisë “Ashti i hijes”, thotë:
Princeshë
Ke hyrë në
poezinë time
Nga nuk dilet më
Duke shkuar më tutje, autori i vargjeve të
dashurisë ato i ngritë edhe në një formë tjetër për t’u mbajtur lehtë në mend,
dhe për t’u bërë kremte bashkë me Festën historike të Ditës së Flamurit, 28
Nëntorit. E dashura në ëndërrimet e subjektit lirik, pra edhe e poetit, është
një zeshkane, me të cilën bëhet simbolikisht udhëtimi i parë. Ky udhëtim
dashurie është gjithçka, madje fjalët përkushtuese janë himn, janë kaltërsi
mendimi, janë e nesërmja. E dashura (zeshkania) ka buzë aq të afshëta sa që
edhe deti mund të thahet prej tyre, por fatmirësisht tash heshtja është lagur
nga epshi hidhërak, sepse ai u ka bërë lutje prej se e ka shijuar ëmbëlsinë e
tyre. Dhe për mëkatet dhe peshën e dashurisë duhet pyetur edhe Romeun e
Zhyljetën. Ata duhet pyetur edhe se çfarë ngjyre ka dashuria për të cilën u
flijuan për ta përjetësuar hapësirën e saj.
Poezia e Jeton Kelmendi nuk tkurret vetëm në
atë të epshit, ndjenjës dhe të përjetimit, por ajo mbështillet edhe nga petku i
përjetësisë së bashku me kohën, motin, e pse jo edhe shekullin, modernen dhe
bashkëkohësinë. Vetëm e gërshetuar kështu ajo ia arrin qëllimit, synimit, ndjenjës,
intimes dhe përjetimit. Andaj duket aq e zjarrtë, aq pushtuese dhe aq e
nevojshme. Duke u gërshetuar me dimensionet e modernes e të postmodernes kjo
poezi frymon ndryshe, pra frymon me kohën, duke u bërë edhe bashkëkohore. E
tillë është poetika e poetit të talentuar, Jeton Kelmendi.
Vargjet me elemente të tjera, madje edhe
biblike, të lashta dhe frymëzuese zënë vend të dukshëm në poetikën e këtij
poeti. Këto elemente janë gërshetim i poetikës së Jeton Kelmendit, i cili
përvojën e vet krijuese, por edhe atë të sublimuar nga leximet, kontaktet dhe
shijimet e të arriturave poetike të vendeve evropiane ku ai jeton, studion dhe
shkruan, i shpreh dhe trason në vargjet e veta që kanë një tingëllimë
tjetërfare, pse jo më të avancuar, më të sublimuar, më intime dhe më mondane.
Këto bëhen me artistiken që ai e quan “Zonja fjalë”, apo “E para ishte fjala” sipas doktrinës biblike. Fjala sipas tij është kala, qëndismë e vargut, palcë e varur në buzë, madje për të duhet edhe të sakrifikohet e të vdes secili poet që e shkruan. Kelmendi e merr moto poezinë e A. Shkrelit “Mos u bëj poet”. Në poezinë me titull “Bukurinë e fjalës ma mësove“ kushtuar Azem Shkrelit, në mes të tjerash thotë:
Shkreljançe më
tregove në vargje
Fatin tonë prej motit
Bukurinë e
fjalës së vargut
Ma mësove
Fjala mbin në tokën e gjuhës dhe të le pa natë, sepse ka brenda një zjarr. E bukur, e ëmbël, e madhe dhe e paharrueshme është fusha me fjalë. Ajo është e pavdekshme, sepse me të thuret përjetësia. Lum ai që merr diçka prej kullës së fjalës, ngase ajo ka besë, ka bukuri, ka liri, por është edhe gërshet guri. Ajo lirikës ia thur vargun,
Zonja fjalë je
e bukur
Kur zotëri
mendimi
Ta jep bukurinë
(Poezia: “Zonja fjalë”)
Poeti mësohet të flasë edhe me heshtjen kur ajo ngujohet në kullën e gurtë sepse:
Gjithçka
perëndoi dje
Dikujt i ra
harrimi
..........
Lirika e këngës
As zëri i
Lahutës
Nuk dëgjohet në kullën e gurit
thotë poeti në poezinë me titull “Në kullën e gurtë të heshtjes” , por subjekti lirik tashmë mësohet të flasë me heshtjen sepse e mësoi “Dita e përshëndetjes me Konicën”. Kur rrugëton heshtja, subjekti lirik provon prore të thotë diçka pa i “rënë hija fjalës”, sepse duhet të rri zgjuar për të thirrur matanë heshtjes, bile edhe përtej dufit të dallgëve të detit:
Jetime mbeti
heshtja e mëngjesit
Nën cep të
motit ngeli ngërthyer
Mrizi im me
zana
Përse nuk
lindëm bashkë me vargje
Fishtiane
Atë kohë e sot
pohojnë lirikët
Ku ndrijnë
flakët
Dashurisë i bie
të fikët
Nga ato vijnë
dashuritë
Për ty dhe atdheun
(Poezia: “Jetime mbeti heshtja e mëngjesit”)
Kurse shpesh heshtja ka qenë edhe jetike ku ka krijuar përjetësinë e saj, e cila i kalon të gjithë kufijtë e barrierat dhe bëhet e njohur deri në të sotmen, por edhe në ardhmërinë e ndritur, sikur piktura e Da Vinçit, “Mona Liza”.
Atdheu, dashuria dhe atdhedashuria
Udhëtimi i kohëve të pakohë, i historisë
sonë, është një frymëzim tjetër i penës së poetit dhe krijuesit tonë tashmë të
spikatur, por edhe të veçantë, Jeton Kelmendi, i cili ndër të tjera shpreh
padrejtësitë e moteve të ndërtimit të historisë sonë. Ai vargëzon edhe për
udhëkryqet, por edhe për stinët me peshë të rënda historike që pushojnë te Guri
i Prevezës e Molla e Kuqe. Aty kryqëzohet udhëtimi historik, i cili në nëntorin
tjetër rrugëton, apo, pse jo, do të rrugëtojë ndryshe. Andaj shpeshherë kohët
ishin shterpë. Ato bëhen ditëve të plakura dhe rrinë të ngurosura. Mirëpo këto
rrugëtime nëpër kohë shpesh ishin të mira sepse mbahen mend gjithmonë ngase
Zoti e bekoi të vërë mbarë dheu ynë i vjetër Arbëror. Kohët shpesh ishin plot
laryshi, andaj askush nuk e dinte se ku duhej vënë presjen atyre kohëve.
Atdheu, për poetin Kelmendi, është një strukturim i vështruar nga këndi i mërgimtarit, nga ana e një dioptrie tjetër, andaj ai ruhet thellë në të shtatën shkallë të zemrës dhe në shtatë palët e dhimbjes:
Atdhe
Sa herë që të
deshëm
Vdiqëm nga pak
Rrënjët i ke në
të shtatën shkallë
Të zemrës
Në të shtatën pale të dhimbjes
(Poezia: “Rrënjë zemre”)
për të vazhduar në të njëjtën poezi me vargje
të cilat përkojnë pak a shumë me gjendjen e të sotmes së poetit, por edhe të
shumë bashkëmërgimtarëve të tij. Edhe pse autori dëshiron ta zbusë ëndrrën me
këngët malësorçe nuk e di sa ia arrin andaj, ai shkruan:
Ma fal pak mot
të mirë
Atdhe
Sa ta mashtroj ëndrrën
sepse
Këngët malësorçe i humbëm rrugës
Atdheun, atëherë, poeti e gjen në pergamenë, ngase mu aty është gjeneza e tij, andaj mbi të kohët patjetër u deshtë të shkruajnë palimpsest për të. Atdheu i poetit është i stolisur me rreze dielli, të cilat kurrë nuk perëndojnë, madje atë gjithmonë e ndriçojnë dhe e përndrisin. Në disa vargje, që mund të quhen gjeografike, përmenden bukuritë e atdheut, lulet, lisat, besa edhe shqiponja, lumenj, Drini, i Bardhë e i Zi, Ibri, etj. Pra kështu poetikish dhe figurativisht poeti, Jeton Kelmendi, ndërton vargun gjeografik të Arbërisë. I vjetër dhe i madh është atdheu, madje ai është edhe ilirishtë, është rreze e hije, por lashtësia e tij është e vjetër njëqind e njëmijë vjet, sepse subjektit lirik ia dha emrin shqiptar që e mban me shumë krenari edhe atje ku jeton e punon, pse jo edhe ku shkruan vargje për të, për jetën, dashurinë, të dashurën, kohën, historinë e të tjera. Poeti mburret edhe me flamurin, andaj ai kërkon që shqiponja të bashkojë krahët sipas vargëzimit dhe gjykimit të tij poetik:
Shqipeve u kanë
marrë krah
Krahët
Se s’ka dy Shqipëri
shkruan ndër të tjera në poezinë “Flamuri”.
Dashurinë për atdheun e fisnikëron në
vargëzim kur shkon në Krujë pas 600 vjetësh. Aty pi ujë te Kroi i Mbretit dhe
hip në kalë e bëhet kalorës i historisë, sepse aty shihet se si burrërohet
fjala dhe se si dashurohet atdheu. Edhe në Ulpianë ka nisë gjithçka nga e para,
aty ka nisë historia e atdheut. Aty është pika e një fillimi të lashtë, por që
dikush e ka nëpërkëmbur qëllimisht duke ia ndërruar petkat, burimet, kullat, mbretëritë,
besa edhe gjuhën, emrin, e flamurin. Tash çdo gjë mbetet e skalitur vetëm në
gërmadhat e përlotura.
Një segment tjetër që ka veçanti dhe shtresime të veta në këtë vepër të poetit, Jeton Kelmendi, është edhe poezia përkushtuese. Këtu e kam fjalën për poezitë të cilat autori ua kushton figurave të njohura tona, qoftë nga historia, qoftë edhe nga e tashmja. Ai i kushton poezi Mona Lizës së Da Vinçit, Nënë Terezës, Azem Shkrelit, Fehmi Lladrovcit, Smajl Haradinajt, Besnik Lajçit, lahutës së Rugovës, atyre që pushojnë bjeshkëve, Mrizit të Dukajve, mikut B. G., Krojeve të Ali Pashës, etj. Kjo formë e poetikës së Kelmendit duket paksa tjetër , por ajo qëndron në një stad më interesant, më të përmbajtur, por edhe më të shtresuar. Kjo vërehet pothuajse edhe në vargje, figuracion, strukturim, por edhe në shtresimet poetike, që në një mënyrë e rrafshojnë ndjenjën që poeti nganjëherë nuk mund të frenojë. Kështu kjo ndjenjë shpesh mbushet me lëngun e përjetimit intim dhe poezia tash merr edhe rolin e receptuesit dhe të mbarështuesit. Ky dyfishim ka ngjyrime interesante dhe rrjedhë ëmbël nëpër gurrën e frymëzimit poetik të poetit të talentuar, Jeton Kelmendi,si p. sh.
Ajo është e gjallë
Në heshtjen e
saj
Ruan një ofshamë jetike
shkruan në poezinë “Në heshtje ruan
ofshamë jetike”, kushtuar Mona Lizës.
Jeton Kelmendi në përmbledhjet e veta poetike ka portretizuar ndjenjën
njerëzore me një vizion ekzistencial të parë në nyjat e poezisë së tij, që
janë: koha, fjala, mendimi, atdheu, dashuria dhe ëndrra. E tëra kjo bëhet
një adresim poetik që përmes vargëzimit ndërlidh tekstin e dashurisë
së atdheut me qenien e tij. Nëpërmjet këtyre vargjeve ai paraqet
qëndrimin e tij me botën absurde, ku njeriu nuk mund të bëj dallimin mes të
bardhës e të zezës, të mirës e të keqes, pikëllimit e gëzimit, si dhe në mes të
errësirës e dritës.
Në kontekstin poetik të Jeton Kelmendit, koha është e
kombinuar me humbjen e shpresës, me humbjen e lirisë, e pastaj edhe me
humbjen e ekzistencës dhe të prezencës së tij në hapësirën kohë dhe hapësirën
komb. Ajo që të bie në sy dhe që konsiderohet interesante në poezitë e
Kelmendit është edhe besimi i tij për lirinë e shtrirë të
shprehjes, lirinë e mendimit dhe mos kushtëzimit të fjalës
Andaj, nga ajo që përmendëm deri më tash, por edhe nga ajo që nuk i përmendëm, shohim se Jeton Kelmendi është poet humanist dhe shpirtmirë, i preokupuar me hallet e njeriut bashkëkohor kudo dhe në çdo vend, e në veçanti i preokupuar për lirinë e tij në kohën e e bashkëkohësisë të konfuzionit dhe të absurditetit.