Kulturë
Kujtim Agalliu: Rezart Palluqi - ''Dallëndyshet pa fole''
E hene, 14.01.2013, 08:22 PM
DY FJALË
Nga Kujtim Agalliu
Pas
romanit të tij autobiografik mjaft të suksesshëm “Deti pa dallgë”, ku trajtohet
tema e emigracionit, e kësaj epidemie të këtij shekulli, që infektoi mbarë
botën dhe në veçanti popullin tonë, problemet, lufta për t’u punësuar dhe
integruar në shtetet fqinjë, ai vjen para lexuesit me librin e tij të dytë, po
kaq realist, “Dallëndyshet pa fole”.
Qysh me
romanin e tij të parë “Deti pa dallgë” shkrimtari Rezart Palluqi shfaqi një
aftësi dhe talent mjaft të qartë prej prozatori me të ardhme premtuese.
Qartësia e mendimit, thjeshtësia e të shprehurit me një gjuhë mjaft popullore
dhe filozofike, kthjelltësia e ideve dhe mesazheve të përcjella në prozën e
tij, janë të kapshme për çdo kategorie lexuesish. Këto cilësi, e bëjnë lexuesin
të përthithë me ëndje faqet e këtij romani dhe përsëri të mbetet pengë për të
mësuar edhe më tepër për fatin e heroit dhe qindra mijëra shqiptarëve që
kacafyten me vështirësitë dhe përbuzjen atavike në vendin fqinjë.
Ndërsa në
këtë roman, që sot kemi në dorë, “Dallëndyshet pa fole”, Rezarti është bërë më
i pjekur, më kërkues ndaj vetes dhe krijimtarisë së tij artistike, por edhe me
kërkesa më të larta për temën që trajton.
Në këtë
roman autori prezantohet përpara lexuesit me një stil herë surrealist, herë
realist, duke ndjekur me kujdes uljet e ngritjet emocionale të personazheve dhe
problemeve që ata bartin. Subjekti i romanit ka një natyrë ekzistenciale,
ndërsa personazhet hallakaten në ëndrrat, dëshirat, ambiciet dhe telashet e
përditshme. Ëndrrat e tyre shpesh herë janë surrealiste, ato përfshijnë
dëshirën për të mbrojtur vlerat më të bukura të jetës, edhe pse vetë ata
rrëshqasin në mënyrë të pavetëdijshme në humnerën e gabimeve dhe vazhdën
trashëgimore të prindërve të tyre.
I gjithë
subjekti i romanit mbështetet mbi dramën e dy personazheve kryesor, Agimit dhe
Florencit, në ëndrrat, dëshirat, vuajtjet shpirtërore e fizike, familjare e
shoqërore, konkurrencës së pandershme të biznesit që kanë marr mbi shpatulla,
dashurive të pafata dhe shpesh brinare të njëri - tjetrit, mos përputhja e
karaktereve të bashkëshortëve etj.
Por
ndërsa Agimi, antiteza e Florencit, njëri punëtor, i urtë dhe naiv, çdo gjë e
ndërton me djersën e ballit dhe ndershmërisht, në të kundërt është Florenci, që
paraqitet me një karakter të veçantë, që çdo gjë e bën tinëz dhe pa shfaqur
pikë dhembshurie për viktimat e tij. Qëllimisht autori ka vendosur përballë
njëri - tjetrit dy çifte, ku në secilën anë të njërit, dy lidhje martesore nuk
ngjajnë dhe bëhen shkak për pabesi dhe tradhti bashkëshortore.
Kemi
përballë dy djem plot ëndrra dhe dëshira për ta ndërtuar jetën e tyre në
atdheun e vetë, njëri në biznesin e luleve dhe tjetri në atë të varrimeve (sa
çudi, në përshtatje me karakterin e secilit!), për t’i dhënë fund njëherë e
përgjithmonë emigrimit, kësaj plage të shoqërisë shqiptare post komuniste, por
dy tipa mjaft të kundërt në karakter edhe pse shokë kurbeti e fëmijërie. Po
kështu edhe shoqet e tyre të jetës (autori sikur do të ekuilibrojë dobësinë e
biznesmenëve të rinj me karakteret e kundërta edhe të grave të tyre), janë po
aq të ndryshme sa edhe burrat e tyre. Agimit, këtij djali punëtor dhe të
padjallëzuar, autori i ka vënë përkrahë një ish prostitutë, që ende ka mbetur
robinjë e zakonit të saj të përbuzur. Ndërsa mashtruesit Florenc, të pabesit,
bukëshkalit, i ka vënë pranë një grua shpirt mirë, poete me të ardhme, me një
botë mjaft të pasur shpirtërore. A nuk duket sikur autori ka dashur t’i
ekuilibrojë këta dy çifte?
Por ujku
qimen ndërron, zakonin jo. Po kështu, deri në fund të romanit, Florenci nuk
evoluon, përkundrazi më tepër shthuret, ndërsa kurorë-shkelësja Emine, gruaja e
Agimit, vazhdon të tradhtojë fare sheshit, duke shkatërruar pas shpine atë që i
shoqi e ka ndërtuar me mish e shpirt.
Por ajo
që të befason në romanin “Dallëndyshet pa fole” të autorit R. Palluqi, është
piktura peizazhiste e imazheve të tij. Atje ky thyet vështrimi i tij, ku syri
përqendrohet dhe fantazia merr krahë, peizazhi duket aq i vërtetë, aq realist
dhe i prekshëm, sa të bëhet se edhe ti je pjesë e këtij vëzhgimi.
Personazhet
janë skalitur me daltën mjeshtërore dhe të ngelen në mendje edhe pasi e ke
mbaruar që lexuari romanin, por më tipik dhe më interesant, për botën e saj të
pasur shpirtërore, për ndjenjat e holla, të brishta dhe të pastra, është poetesha
Mimoza, e shoqja e Florencit, antipodit të saj, të lidhur ngushtë me dashurinë
për lulet dhe veçanërisht dallëndyshet. Ajo nuk kursehet të porositë 100 kuvli
që të jenë të gatshme të presin dallëndyshet në ballkonet e zbrazur të shtëpive
të emigrantëve. Ikja e tyre, familjeve emigrante dhe prishja e foleve të
dallëndysheve nën ballkone, i kthehu ata (ballkonet) në një shkretëtirë të pa
jetë, pa cicërimat gëzim-ndjellëse të këtij shpendi të ngjashëm me vetë
emigrantët.
Kjo është
edhe maja filozofike e romanit: dallëndyshja merr karakter simbolik dhe
presupozon jetën e shumë djemve dhe vajzave që i kanë kthyer kurrizin vendit të
tyre për një jetë më të mirë, kur ata me punë dhe me djersë mund ta gjejnë atë
po aq të begatë në vendin e tyre.
Dallëndyshet po kthehen, ato kanë nevojë për jetën dhe frymën e njerëzve në shtëpitë e zbrazura, kanë nevojë për foletë e tyre, që çuditërisht kanë mbetur të cunguara dhe bosh. Pra, sipas idesë së autorit, duket se nëpërmjet tyre trumbeton një thirrje e fuqishme për të sensibilizuar shqiptarët që t’i kthejnë sytë në vendlindje, aty ku jeta e tyre nisi. Dhe këtë ide ai e ka realizuar në së miri me librin e tij “Dallëndyshet pa fole”, të cilin lexuesi do të ketë vetë fatin ta ketë në duart e tij.
Foto nga promovimi: