Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Kujtim Agalliu: Rezart Palluqi - ''Dallëndyshet pa fole''

| E hene, 14.01.2013, 08:22 PM |


DY FJALË

Nga Kujtim Agalliu

Pas romanit të tij autobiografik mjaft të suksesshëm “Deti pa dallgë”, ku trajtohet tema e emigracionit, e kësaj epidemie të këtij shekulli, që infektoi mbarë botën dhe në veçanti popullin tonë, problemet, lufta për t’u punësuar dhe integruar në shtetet fqinjë, ai vjen para lexuesit me librin e tij të dytë, po kaq realist, “Dallëndyshet pa fole”.

Qysh me romanin e tij të parë “Deti pa dallgë” shkrimtari Rezart Palluqi shfaqi një aftësi dhe talent mjaft të qartë prej prozatori me të ardhme premtuese. Qartësia e mendimit, thjeshtësia e të shprehurit me një gjuhë mjaft popullore dhe filozofike, kthjelltësia e ideve dhe mesazheve të përcjella në prozën e tij, janë të kapshme për çdo kategorie lexuesish. Këto cilësi, e bëjnë lexuesin të përthithë me ëndje faqet e këtij romani dhe përsëri të mbetet pengë për të mësuar edhe më tepër për fatin e heroit dhe qindra mijëra shqiptarëve që kacafyten me vështirësitë dhe përbuzjen atavike në vendin fqinjë.

Ndërsa në këtë roman, që sot kemi në dorë, “Dallëndyshet pa fole”, Rezarti është bërë më i pjekur, më kërkues ndaj vetes dhe krijimtarisë së tij artistike, por edhe me kërkesa më të larta për temën që trajton.

Në këtë roman autori prezantohet përpara lexuesit me një stil herë surrealist, herë realist, duke ndjekur me kujdes uljet e ngritjet emocionale të personazheve dhe problemeve që ata bartin. Subjekti i romanit ka një natyrë ekzistenciale, ndërsa personazhet hallakaten në ëndrrat, dëshirat, ambiciet dhe telashet e përditshme. Ëndrrat e tyre shpesh herë janë surrealiste, ato përfshijnë dëshirën për të mbrojtur vlerat më të bukura të jetës, edhe pse vetë ata rrëshqasin në mënyrë të pavetëdijshme në humnerën e gabimeve dhe vazhdën trashëgimore të prindërve të tyre.

I gjithë subjekti i romanit mbështetet mbi dramën e dy personazheve kryesor, Agimit dhe Florencit, në ëndrrat, dëshirat, vuajtjet shpirtërore e fizike, familjare e shoqërore, konkurrencës së pandershme të biznesit që kanë marr mbi shpatulla, dashurive të pafata dhe shpesh brinare të njëri - tjetrit, mos përputhja e karaktereve të bashkëshortëve etj.

Por ndërsa Agimi, antiteza e Florencit, njëri punëtor, i urtë dhe naiv, çdo gjë e ndërton me djersën e ballit dhe ndershmërisht, në të kundërt është Florenci, që paraqitet me një karakter të veçantë, që çdo gjë e bën tinëz dhe pa shfaqur pikë dhembshurie për viktimat e tij. Qëllimisht autori ka vendosur përballë njëri - tjetrit dy çifte, ku në secilën anë të njërit, dy lidhje martesore nuk ngjajnë dhe bëhen shkak për pabesi dhe tradhti bashkëshortore.

Kemi përballë dy djem plot ëndrra dhe dëshira për ta ndërtuar jetën e tyre në atdheun e vetë, njëri në biznesin e luleve dhe tjetri në atë të varrimeve (sa çudi, në përshtatje me karakterin e secilit!), për t’i dhënë fund njëherë e përgjithmonë emigrimit, kësaj plage të shoqërisë shqiptare post komuniste, por dy tipa mjaft të kundërt në karakter edhe pse shokë kurbeti e fëmijërie. Po kështu edhe shoqet e tyre të jetës (autori sikur do të ekuilibrojë dobësinë e biznesmenëve të rinj me karakteret e kundërta edhe të grave të tyre), janë po aq të ndryshme sa edhe burrat e tyre. Agimit, këtij djali punëtor dhe të padjallëzuar, autori i ka vënë përkrahë një ish prostitutë, që ende ka mbetur robinjë e zakonit të saj të përbuzur. Ndërsa mashtruesit Florenc, të pabesit, bukëshkalit, i ka vënë pranë një grua shpirt mirë, poete me të ardhme, me një botë mjaft të pasur shpirtërore. A nuk duket sikur autori ka dashur t’i ekuilibrojë këta dy çifte?

Por ujku qimen ndërron, zakonin jo. Po kështu, deri në fund të romanit, Florenci nuk evoluon, përkundrazi më tepër shthuret, ndërsa kurorë-shkelësja Emine, gruaja e Agimit, vazhdon të tradhtojë fare sheshit, duke shkatërruar pas shpine atë që i shoqi e ka ndërtuar me mish e shpirt.

Por ajo që të befason në romanin “Dallëndyshet pa fole” të autorit R. Palluqi, është piktura peizazhiste e imazheve të tij. Atje ky thyet vështrimi i tij, ku syri përqendrohet dhe fantazia merr krahë, peizazhi duket aq i vërtetë, aq realist dhe i prekshëm, sa të bëhet se edhe ti je pjesë e këtij vëzhgimi.

Personazhet janë skalitur me daltën mjeshtërore dhe të ngelen në mendje edhe pasi e ke mbaruar që lexuari romanin, por më tipik dhe më interesant, për botën e saj të pasur shpirtërore, për ndjenjat e holla, të brishta dhe të pastra, është poetesha Mimoza, e shoqja e Florencit, antipodit të saj, të lidhur ngushtë me dashurinë për lulet dhe veçanërisht dallëndyshet. Ajo nuk kursehet të porositë 100 kuvli që të jenë të gatshme të presin dallëndyshet në ballkonet e zbrazur të shtëpive të emigrantëve. Ikja e tyre, familjeve emigrante dhe prishja e foleve të dallëndysheve nën ballkone, i kthehu ata (ballkonet) në një shkretëtirë të pa jetë, pa cicërimat gëzim-ndjellëse të këtij shpendi të ngjashëm me vetë emigrantët.

Kjo është edhe maja filozofike e romanit: dallëndyshja merr karakter simbolik dhe presupozon jetën e shumë djemve dhe vajzave që i kanë kthyer kurrizin vendit të tyre për një jetë më të mirë, kur ata me punë dhe me djersë mund ta gjejnë atë po aq të begatë në vendin e tyre.

Dallëndyshet po kthehen, ato kanë nevojë për jetën dhe frymën e njerëzve në shtëpitë e zbrazura, kanë nevojë për foletë e tyre, që çuditërisht kanë mbetur të cunguara dhe bosh. Pra, sipas idesë së autorit, duket se nëpërmjet tyre trumbeton një thirrje e fuqishme për të sensibilizuar shqiptarët që t’i kthejnë sytë në vendlindje, aty ku jeta e tyre nisi. Dhe këtë ide ai e ka realizuar në së miri me librin e tij “Dallëndyshet pa fole”, të cilin lexuesi do të ketë vetë fatin ta ketë në duart e tij.

Foto nga promovimi: