Kulturë » Mërkuri
4 Poezi nga Timo Mërkuri
E hene, 14.01.2013, 08:23 PM
Timo Mërkuri
Nga cikli “Pranverë e hidhur ‘97”
Emri i njeriut
A.Qurkut
Është një emër në varrezat e qytetit tim
ku kalojmë kokëulur.Jo vetëm nga dhimbja.
Këtu heshtin burrat.Hesht era. Veç deti përbri
lëkundet si një vajtore në vajin e mortit
e me zhaurrimën e dallgëve
si një rënkim që del nga shpirti
përmënd emrin e njeriut,
që haroi vetveten për të mbrojtur jetimët
atë vit, që njerëzit haruan të jenë njerëz.
Në atë trup të vogël, Aristidh
ku e kishe gjithë atë zemër?!
…ke dalur i qeshur në fotografi
Sh.Mërtirit
…dhe hëna,
përkëdhel fytyrën tënde brenda porcelanit
gjer pas mesnate. Dhe s’do që të shkojë.
Thua se praën teje do ta bëjë shtëpinë
a, ndoshta, do të marë diçka nga buzëqeshja jote
e t’ia shtojë dritës së saj. Ta bëjë më të ngrohtë.
Më njerëzore ta bëjë ,
e ta shpërndajë përmbi botë botë
sepse ne kemi vërtet nevojë për buzëqeshje.Po ti,
pse ke dalur kaqë i qeshur në fotografi,
në këtë fotografinë tënde të fundit
që na le si kujtim?
Eh, ç’djem të bukur si yje
janë vrarë në qytetin tim.
Ylli që ra
Y.Qurkut
Ky yll i bukur
që ndrinte mbi ëndrat e sa vajzave
Ky yll i vogël që ra
e dogji zemrat e motrave
O, po ky yll i vogël, ky yll i bukur
ç’po ndrin mes lotëve.
Pragmbrëmje në varrezat e qytetit tim
Shkoi dhe kjo ditë me lot’ e ligjërime
e me rënkime deti
-Pse ndodhi kështu?
Tani erdhi mbrëmja.Flini more djem
se rinë zgjuar e treten
nënat për ju.