Kulturë
Vullnet Mato: Paravota
E marte, 15.01.2013, 07:32 PM
PARAVOTA
Tregim
Nga Vullnet Mato
Paraja
dhe vota, në dukje dy dukuri të kundërta, kanë mes tyre një lidhje të
ndërsjellë tepër të ngushtë. Kanë një dashuri fryme, pa të cilën nuk mund të
ekzistojnë. Besoj nuk e teproj po të them, se paraja dhe vota kanë krijuar një
çiftim të përbashkët si atë të burrit me gruan dhe ekzistojnë në një lidhje
organike si mishi më kockën.
Këtë e
kam vënë re qysh herët, e kam parë te disa të njohur, por dhe e kam dëgjuar me
veshë nga përvoja e të tjerëve. Një rast të tillë, tepër interesant dhe
pothuajse mjaft përgjithësues për këtë fenomen, do ta sjell në këtë tregim me
kumbim të vërtetë.
Atëherë
kisha çelur zyrën e një enti botues, te rruga “Qemal Stafa” në Tiranë, ku
siguroja botime për shtypshkronjën e tim vëllai në Sarandë. Shkurt, në fillim
të punës sigurova disa dorëshkrime librash që nga kryetari i Lidhjes së
Shkrimtarëve të asaj kohe, deri te disa shkrimtarë e krijues me emër. Më pas
çmimet e botimit u rritën, tatimet u rënduan dhe pas tre vjetësh u detyrova ta
mbyll atë zyrë, në kohën kur mezi shkula nga policia tatimore fotokopjen,
kompjuterin dhe printerin e sekuestruar prej tyre.
Gjatë
asaj periudhe më erdhi në zyrë një djalosh simpatik i tërhequr nga tabela e
madhe mbi derë “Enti botues Milosao”. Ai kishte veshur një kostum me vija të
spikatura dhe më kujtohen sidomos flokët e tij tepër të zinj, të ndritshëm e të
dendur, në kontrast me flokët e mi të rralluar e në rënie e sipër. Djaloshi
kishte një pamje fytyre të butë e të qeshur dhe pas paraqitjes së dorëshkrimit
me fabula, më tha se ishte sekretar i komunës P. në periferi të Tiranës. U
njohëm dhe u miqësuam shpejt. Sepse me pëlqyen fabulat e tij origjinale dhe kur
më ftoi për kafe, i fola me superlativa për shpërndarjen e këtij libri, sidomos
te mësuesit dhe nxënësit e shkollave të të gjitha kategorive.
-Kam qenë
mësues, - tha ai, pasi kuptoi kureshtjen time sesi një sekretar komunie
shkruante fabula. - Kam dy vjet, pas zgjedhjeve të fundit që kalova në komunë.
-
Ai qeshi
dhe më kundroi drejt në sy me atë syndritjen e tij të mprehtë.
-Përkundrazi,
- ma ktheu në çast, - kam qenë një dembel stambolli, por e pashë se nuk çahej
me nxënësit e tetëvjeçares dhe çava ndryshe, duke u afruar me një parti
politike. Ajo më vuri në komisionin e votimeve dhe ashtu u bëra sekretar...
-
A qeshi
ëmbël sërish dhe më pyeti;
-Ju bëni
pjesë në ndonjë parti?
-Mos e
dhëntë zoti, kam alergji nga pjesëmarrja nëpër parti.
-Edhe
unë, - tha menjëherë, - por ja, që pa atë kërcim së larti, nuk mund bija dot në
kolltukun butë të sekretarit që kam sot.
-Sidoqoftë,
ke pasur ndonjë mik, se nuk bëhet aq lehtë dembeli, siç e the ti, një nëpunës i
devotshëm...
-Dembel,
pehlivan, - qeshi ai. - E shoh se u bëre kurioz, po ty që rri larg partive, do
të ta tregoj... Kërkova të më vinin në komisionin e votimeve për partinë S. ku
beja pjesë. Dhe që të mos e zgjat muhabetin, aty e luajta mirë pehlivanllëkun
tim. Kur shkoi mesnatë dhe përcollëm vëzhguesit, ne të komisionit u mblodhëm
veçmas. Hapëm kutitë dhe numëruam votat. Partia ime S. kishte fituar fare pak
vota.
- Pse,
leku ynë shenjtërohet në votime?!- bëra sikur u habita unë.
-
- Me një
fjalë, kryetari u korruptoi me salçiçe e kaçkavall? - bëra shaka unë.
-Jo, ore,
ai e kishte muhabetin më të dhjamosur. Se sapo pimë nga dy gota raki, iu
drejtua komisionerit të partisë kryesore
A. duke e pyetur: Sa hedh ti, or mik, për të gjithë ne të komisionit?...
Njëzetekatër milionë!- hodhi ai... Na bien nga pak, tha kryetari me pakënaqësi
të dukshme në fytyrë. Shto dhe ca, se jemi lodhur e do rraskapitemi akoma me
shumë, derisa t’i mbyllim këto gjethet e thata të dushkut që kemi përpara!...
Nuk më dhanë më shumë, kaq më dhanë, tha komisioneri A... Atëherë hidhu ti, i
tha atij të partisë B... Dyzetetetë milionë! - tha ai me krenari... Fjala e
fundit?- e pyeti kryetari me gëzim tashmë... E fundit fare, për kokën e
kalamajve!... Epo, kështu po, tha kryetari, ka lezet të shpiem të paktën nga
tetë milionë në shtëpi. Hajt, gëzuar dhe o burra, të mbyllim procesverbalet për
firmë se shkoi vonë e po gdhihet!
-Unë nuk
firmos!- kërceva unë me vendosmëri, sikur hodha një shashkë që krisi me gjëmim
mbi kokat e tyre.
Të gjithë
komisionerët shqyen sytë nga habitja se si po hidhja poshtë tetë milionëshin
tim dhe atë çast, ata mu dukën sikur do kërcenin të gjithë bashkë të ma
nxirrnin nga fyti salçiçen qe sapo kisha kapërcyer.
- Je
militant qukapik, që troket sqepin nëpër mitingje?- më pyeti kryetari me
sarkazmë në zërin e çjerrë tashmë dhe i bëri sytë sa dy vezë laraske.
- Jo, jam
mësues harabel, që cicëroj gjithë ditën për të mbledhur thërrimet e qindarkave
të mia dhe pas votimeve do shkoj prapë të çuçurit klasë më klasë me tridhjetë e
ca orë mësimi në javë...
-Pse,
ç’farë do ti më shumë, po tu shtosh qindarkave të tua dhe tetë milionë?!... -
më tha i habitur komisioeri i partisë B, i cili do të merrte kryesimin e
komunës për kandidatin e tij.
-Dua që
ai kryetari yt të më marrë sekretar të komunës... Se unë veç hallit që u
thashë, ia kam dhënë votat që fituam
partisë sime me celular dhe...
- Ajo e
celularit, korrigjohet prapë, - ma preu ai, - me demek, u thua na u prish
rezultati, se erdhën me vonesë votat nga zonat e fundit. Ndërsa punën e
sekretarit ta siguroj unë! - më premtoi me seriozitet komisioneri B.
-Si ta
besoj?- kërceva prapë duke qëndruar mbi telin tim të pehlivanit.
-Na! -
tha ai dhe mori një copë letër e ma shkroi premtimin të firmosur.
E lexova
me kujdes dhe me ndritën sytë me tepër se drita e dobët e dy llambave elektrike
që kishim përsipër.
-Atëherë
hajt, gëzuar e u mbledhshim prapë pas katër vjetësh kështu si sot, kur drapri
ynë
Filluam
të firmosim procesverbalet dhe afër mëngjesit, futëm në xhep secili nga një
shuk me para të mbështjella në zarf të veçantë.
Por dhe
puna ime, u tha, u bë. Pas një jave unë ia lashë sqepin e harabelit një mësuesi
të ri në shkollë dhe u ula në kolltukun e butë të zyrës së komunës, duke u
kthyer nga harabel thërrimesh, në skifter zyre. Ja, kështu!- tha krejt
gazmor...
- Por pas
dy vjetësh, do bëhesh prapë harabel! - ia ktheva unë duke e kundruar me
simpati.
-Kismet,
ku i dihet, mbase shtegtimi i ri, na krijon prapë mundësinë të bëjmë ndonjë fole të re, më të rehatshme...
Libri i këtij fabulisti të shkathët doli i plotë dhe i ilustruar nga një grafist i talentuar, me figurat përkatëse për çdo fabul. Në kopertinën e parë, unë sajova një harabel që cicëronte mbi tel dhe ai e pëlqeu pa masë.