E marte, 06.05.2025, 06:32 PM (GMT+1)

Kulturë

Muharrem Sfarqa: Bisedë me Pal Sokolin

E hene, 14.01.2013, 08:33 PM


Bisedë me poetin dhe veprimtarin Pal Sokolin

Të arrestuarit e " Grupit të Priftit "  u liruan vetëm pas ndërhyrjes së Papa Gjon Palit të II- të

Pal Sokoli u  lind më qershor të vitit 1959 në Radoniq, KK. Gjakovë . Ka kryer gjimnazin e shkencave natyrore”Hajdar Dushi” në Gjakovë. Fakultetin Filozofik,drejtimin Filozofi-Sociologji në Universtetin e Prishtinës. Ka të botuara katër vepra letrare dhe është i përfshirë në disa Antologji dhe vepra dhe revista  letrare. Poezitë e Pal Sokolit janë të botuara dhe të përkthyera në gjuhën gjermane, italiane, turke dhe rumune.

Familja Sokoli përndryshe i takon familjes së madhe, Paplekaj nga malësia e Gjakovës. Tradicionalisht familja Paplekaj- Sokoli ka ruajtur dashurinë për atdheun edhe kështu shpesh  kanë rënë në konflikt më rendin shoqëror ekzistues. Aktivitetet e kësaj familje u trashëguan më pushkë dhe pendë që nga të parët e tyre, aktiv në Lëvizjen Kaçake(Sadik Gjoni-Paplekaj), pastaj pjesëmarrës në Konferencen e Bujanit(Pashk Sadik-Paplekaj) aktiv për çlirimin e Shqipërisë dhe të Kosovës gjegjësisht të bashkimit kombëtar,(ballisti më i vjetër Zef Sokoli), si edhe pjesëmarrësin e rrugës famëkeqe dhe fatkeqe të Tivarit Brahim Deli Sokoli-(babai)i cili për pak kishte shpëtuar i gjallë. Në luftën e fundit 1999, kishte katër ushtar aktiv në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës(Gjergj Sokoli,  Filip Sokoli-martir, Viktor Sokoli dhe Kujtim Sokoli), njëri ndër të cilët edhe  epror(heroi- Gjergj Sokoli ). Kurse nga kjo luftë mbeten martir gjashtë anëtar të kësaj familje, Filip, Gjergj, Pashke, Siman, Kristë dhe Kastriot Sokoli.

" Bota Sot " :

Në Gjermani jeni nga viti 1994. Na thuani kush ishte Pal Sokoli para se t‘ vinte këtu dhe cilat ishin shkaqet e braktisjes së atdheut ? ju Në vitin 1993 si pjesë e " Grupit të Priftit ", u arrestuat në Gjakovë dhe vetëm ndërhyrja e faktorit ndërkombtarë mundësoi lirimin tuaj. Na elaboroni këtë krajatë për lexuesin tanë!

Pal Sokoli:

Në Gjermani jam që nga viti 1994,përkundër dëshirës sime,pothuaj se isha betuar se nuk do të dal kurrë në mërgim pa e marrë parasysh rrezikun që do më kanosej. Unë në Gjakovë kam udhëhequr një Motel “Drini” që ka qenë në të dalë të Gjakovës, në drejtim të Prizrenit, pra mu të Ura e F`Shenjt. Kishte diku deri në 20-30 punëtor, varësisht nga sezoni vjetor. Aty ishte një rast i mirë i kontakteve por edhe i informimit më rrjedhën e situatës politike,edhe pse ishte edhe rreziku të biesh në sy të armikut serb, dhe aparateve të tij shtetërore. Kam udhëhequr për tri vite një nendegë të LDK-së në Komunën e Gjakovës, nëndegën e Brekocit që përfshinte disa fshatra të kufirit me Shqipërinë. Me aktivitetet e mia dhe të bashkëpunëtorëve të mi u dalluam në atë zonë të ndjeshme dhe të “rrahur” nga pushteti serb si zonë kufitare. Mbledhja e ndihmave, organizimi politik, zgjedhjet, rezistenca paqësore thuhej, por aktive në abstenimin politik dhe shtetëror të Serbisë, e deri edhe të organizimi dhe mobilizimi i popullit për vetëmbrojtje civile e edhe ushtarake nën Mbrojtjen popullore të Kosovës ishin arsye të mjaftueshme që unë të torturohem tri vite me radhë në stacionet policore, qoftë në ato “bisedat informative”, deri të burgosja me grupin prej tetë vetash si grupi i tretë i Gjakovës. Grupi ynë u bë i njohur si “Grupi i Priftit” për shkak së me ne ishte burgosur edhe Frati Françeskan, Patër Ambroz Ukaj. Ndoshta ishte engjëll roje ky qe kishim ne në grup,sepse Papa Gjon Pali i dytë, kishte anuluar një vizitë të ministrit të punëve të jashtme të “Jugosllavisë”-Serbisë S. Jovanoviç në Vatikan me pretekst se kishte burgosur njerëz të pafajshëm dhe prijës fetar  në Kosovë. Kjo bëri jehonë në shumë qarqe diplomatike perëndimore. Serbia me dinakëri për interesa të imazhit ndërkombëtar liroi nga paraburgimi grupin tonë, për të na burgosur më pastaj pasi të jetë jashtë grupit Frati Ambroz Ukaj i cili nuk kishte pranuar të ndahej nga grupi. Kështu që pas dy muajsh na liroi si grup, po në të njëjtën ditë më erdhën patrulla e policisë në shtëpi për të më burgosur përsëri. Unë u këshillova me Prof. Bardhyl Qaushin që ishte kryetar i LDK-së dhe profesor në Fakultetin Juridik si edhe më z. Urim Rexha që të dy martir të Kosovës, të cilët më  sugjeruan të largohem nga Kosova. Për interesa të rrethit shoqëror dhe atij familjar me është dashur të marrë botën në sy, siç po e shihni edhe ju vetë.

„Bota sot“:

Lufta e fundit në Kosovë ju mori pesë vëllezër e një motër. Një humbje dhe një dhimbje e rëndë padyshim. Ndërkaq në vargun tuaj përkushtues për të dashurit, nuk haset urrejtja, ndjenja e hakmarrjes etj. Ku qëndron forca e juaj për përballje stoike me këtë humbje dhe aftësia për artikulimin e këtyre ndjenjave njerëzore në poezi ?

Pal Sokoli:

Largimi i im, nuk më sjelli ndonjë përfitim, sepse unë humba gjashtë anëtar të familjes në Kosovë, edhe pse unë jam i sigurt se ata po të ju jepej mundësia të zgjedhin; vdekjen apo Kosovën e lirë, ata do ta zgjidhnin një mijë herë vdekjen për Kosovën e lirë.

Dhimbja është e shprehur në krijimtarinë time letrare, çka edhe është e natyrshme, por hakmarrja, apo urrejtja bartet të vetëdija shtetërore, kombëtare, bartët të vetëdija kolektive dhe e përbashkët shqiptare, se ne si komb na ka kushtuar shumë inati individual,ose urrejtja individuale gjate historisë. Ose siç thoshte poeti i madh Din Mehmeti,”ne na duhet një besë kolektive”, një besë e gjithë shqiptarëve se gati të gjitha të këqijat na kanë ndodhë në emër të inatit, besës apo edhe hakmarrjes individuale. Hakmarrje më të madhe se pavarësia e Kosovës ku ka për Serbinë dhe serbet qe vranë dhe masakruan në emër të një kolektiviteti, pra të atij nacional serb. Dashuria ime ndaj atdheut tim është hakmarrje më e mirë.  Unë jam kujdesuar ta ruaj edhe anën artistike po edhe atë etike në krijimtarinë time letrare.

PA NDJENJËN E PËRGJEGJËSISË NUK KA SHTET LIGJOR

„Bota sot“:

Lidhur me këtë, ju në një intervistë keni thënë madje se: " unë humba gjashtë anëtarë të familjes, që me ikjen time kisha menduar se i kisha shpëtuar " . A mundë të thuhet se përfaqësues të vetëdijes së lartë të kombit, shpesh marrin në ndërdijen e tyre përgjegjesi dhe faje që nuk u takojnë?

Pal Sokoli:

Po kam thënë, pa këtë ndjenjë një intelektual nuk mund t´i paraprijë jetës politike apo shoqërore qe i besohet nga populli,pa marrë parasysh a je i lirë apo nën okupim. Ashtu do ta ndjeja vetën edhe po të isha atje në Kosovë gjatë asaj kohe. Unë çuditëm shumë sot në disa drejtues  të  institucioneve shtetërore në të gjitha shtetet shqiptare, si në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni dhe kudo ku ka shqiptarë se si nuk marrin një përgjegjësi të tillë në kohë lirie. Pa ndjenjën e përgjegjësisë nuk ka as shtet ligjor ,as demokraci dhe as moral kombëtar, për të cilin e rrahim gjoksin më shumë se të tjerët në Ballkan. Në të kundërtën lulëzojnë korrupsioni, lufta për pushtet, për pasurim në kurriz të tjetrit dhe humbja e imazhit dhe ndjenjës shtetërore. Një diplomat i huaj para pak ditësh tha se si është e mundur se asnjë politikan shqiptarë nuk dha dorëheqje pasi është akuzuar për korrupsion. Nuk mund të rrënohet një Mur për  t’u mbyllet një shteg,mendoj unë.

„Bota sot“:

Çka mund të kujtoni nga vitet e para të vendosjes suaj ne Gjermani ? Cilat ishin përjetimet që ju shoqëronin ?

Pal Sokoli:

Në Gjermani kam ardhur me një ndjenjë të mirë kundrejt popullit gjerman që e kisha që nga fëmijëria. Në përgjithësi, unë mendoj se  shqiptarët kanë respekt për popullin gjerman. Edhe unë kisha një ndjenjë të tillë. Po këtu duhej të nisje nga e para me gjithçka. Pastaj duhet të mendosh në familjen që  duhet ndihmuar në Kosovë. E para që kam menduar ishte të gjeja punë dhe t’i ndihmoj familjes që pothuaj se ishte në prag të  luftës. Unë nuk njoh popull këtu nga  migracioni që ndihmojnë më shumë se shqiptarët e sidomos ata të Kosovës familjet e tyre në atdhe. Ishte e domosdoshme përkrahja që duhet t’i bëja edhe unë familjes,e për këtë më duhej të sakrifikoj përgatitjen time shkollore, se nuk pranohej fakulteti, të mësohet gjuha gjermane dhe lidhja më intelektualët e mirëfilltë këtu në mërgatë. Të gjitha kishim për t’i bërë dhe prapë të dukej se nuk po bën asgjë. Kjo ndjenjë nuk të lë të qetë as sot.

„Bota sot“

Në krijimtarinë tuaj letrare dominojnë motivet e rilindasve shqiptarë. Pse gjithë kjo analogji tek krijuesit jashtë atdheut ?

Pal Sokoli:

Fati i njëjtë i rilindësve, fati i njëjtë i mërgimtarëve të cilët gjakojnë për një të mirë të ligjshme po fatkeqësisht të pa arrirë për ne shqiptarët, për Lirinë Kombëtare. Kjo e drejtë kërkon frymëzim gjithnjë pa e marrë parasysh kohën e as hapësirën e venave shqiptare. Unë besoj se kjo ndjenjë do ti përcjell edhe shkrimtarët edhe patriotët deri të bashkimi kombëtar.

„Bota sot“

Në veprën tuaj të botuar, ju keni pas për redaktorë dhe recenzentë, shkrimtarë dhe poetë që me kompetence kanë vlerësuar mjaft lart vlerat e poezisë suaj. Cka do të thotë kjo për ju ?

Pal Sokoli:

Poezia ime ka identitet të përgjithësuar,secili gjenë diçka të veten aty, apo edhe nëse nuk gjenë, ai sëpaku do të solidarizohet, aty unë e shoh efektin e poezisë, kur lexuesi solidarizohet me të mirën, me ty apo me parimet e përgjithshme morale. I falënderoj nga zemra edhe lexuesit po edhe referuesit qe kanë vlerësuar poezitë e mija.

NJË MONOGRAFI PËR SHOQATËN

„Bota sot“

Jeni njëri nga themeluesit e LSHAKSH në Gjermani dhe veprimtar i pa lodhshëm i saj. Na flisni më konkretisht për aktivitetin e këtij asociacioni ?

Pal Sokoli:

Të ndahesh nga një grup dhe të mbetesh i vetmuar nuk durohet, ajo është e njëjtë me masat ndëshkuese. Prandaj u përpoqa të mos ndihem i vetëm.

Jam i vetëdijshëm se artistët bëjnë veprimtari individuale dhe shumë nga ata bëhen edhe të njohur, po arti, e bukura, apo edhe çdo veprimtari artistike është aç artistike sa më shumë se është konsumuar nga të tjerët. Kisha botuar librin “ Kambanë e Pëlcitur Dhembja” dhe doja ta promovoja në qytetin tim këtu në Wuppertal. Në kërkim të krijuesve të tjerë njoftova disa poetë të tjerë të interesuar për promovime. Kështu qe në Wuppertal bashkova mbi 50-60 krijues nga Gjermania, dhe promovuam katër vepra. Pas promovimit krijuam një grup nismëtar për formimin e një shoqate letrare, në krye të të cilit u zgjodha unë. Unë bëra gjithë çka kam mundur që pas një viti të mbledhim kuvendin e parë, të zgjedhim kryetarin dhe kryesinë dhe emërimin e saj si Lidhja e Shkrimtarëve, Artistëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Gjermani. Unë jam kujdesur për anëtarësimin e shumë krijuesve të tjerë në këtë lidhje me gjithë qenien time që nga krijimi i saj me 06.12.2006, kam përkrahur krijuesit e rinj dhe kjo lidhje  gjashtë vite me radhë me në krye z. Martin Çuni, ka promovuar mbi 100 vepra të reja, ka mbledhur rreth vetit mbi 100 anëtarë po që për fat të keq nuk janë të gjithë aktiv. Kemi bërë shumë për të ju ofruar mërgimtarëve të mirat tona kulturore dhe rrethit ku jetojmë. Kemi bërë disa manifestime tradicionale, pastaj kemi përkujtuar figura të rëndësishme kombëtare,festat e flamurit dhe përvjetorë të ndryshëm. Tani kemi zgjedhur kryesinë e re dhe atë duhet përkrahur, sepse ky ndryshim mund të zgjojë ndonjë ndjenjë të ndasisë në mes nesh, çka nuk do të ishte e mirë. Unë gjashtë vite me radhë jam munduar të jap maksimumin për këtë institucion tanimë,dhe ende bëj në publikimin dhe informimin e aktiviteteve të saj, si LSHAKSH, në Facebook dhe në webfaqën e LSHAKSH-së në Gjermani: www.unus.cabanova.de .

Momentalisht  po punoj në  një Monografi  për veprimtarinë së LSHAKSH-së  dhe së shpejti do të publikojmë në tërësi veprimtarinë tonë të deritanishme.

„Bota sot“

Krijuesit tanë në këtë pjesë të Evropes, sa janë konkurent me krijuesit vendorë dhe të tjerët që krijojnë në Gjermani dhe përgjithësisht në mërgatë ?

Pal Sokoli:

Për të qenë konkurrent me dikë, duhet të jemi në kushte të barabarta, në Gjermani kemi pak krijues shqiptarë që mund t´ju bëjmë konkurrencë krijuesve të tjerë sidomos atyre gjerman. Ndërsa konkurrencë me komunitetet tjera këtu në Gjermani kemi bërë shumë, edhe pse shumë nga këto komunitete  kishin edhe përkrahjen e shteteve të tyre nga vijnë. Ne edhe pse lansuam një program për një Shtëpi të përbashkët kulturore qe do të quhej, Shtëpia Kulturore”Nëna Tereze”, asnjë përkrahje nuk morëm as nga biznismënët shqiptarë e as nga shtetet tona shqiptare. Shumica e komuniteteve të tjera i kanë shtëpitë e veta kulturore këtu në Gjermani. Uroj të mos mbesë vetëm në letër ideja jonë.

„Bota sot“”

Para disa vitesh ju zbuluat dhe njohët edhe xhaxhain tuaj të panjohur në Bella Horizonte të Brazilit i arratisur si anëtar i Ballit Kombëtar. Një ndjesi e rrallë, apo?

Pal Sokoli:

Kjo është ndjesia më e mirë që më ka ndodhur në jetën time. Unë pata fatin që nëpër mes publicistit dhe shkrimtarit Ëngjëll Koliqi i cili promovonte dy vepra të tij të përkthyera në gjuhën portugeze në Brazil, dhe më 15 maj 2008 në komunikim me mua takoi dhe gjeti pas 64 vitesh ballistin Zef Sokoli në Bello Horizonte. Të njohësh një njeri i cili gjithë rininë e tij kishte luftuar për bashkimin kombëtar, e sidomos të bashkimit të Kosovës më Shqipërinë, kishte jetuar dy vite në shtëpinë e Atdhetarit Ahmet Gashi në Shqipëri,dhe kishte bashkëvepruar me të birin e tij Luan Gashi në çdo pëllëmbë të tokave shqiptare. Kishte luftuar dhe vepruar në kuadër të Ballit Kombëtar bashkë me Mithat Frashërin,Vasil Andonin, Abaz Ermenin,Hasan Dostin dhe patriot të tjerë. Në luftën e Drenicës ishte radhitur në krah të Demë Ali Pozharit, të çetave të Shaban Polluzhës në Drenicë, ku si i ri që ishte kishte përjetuar mërdhitje të këmbëve nga të ftohtit e madhe të janarit të 1945, ku si kujtim ende edhe sot ruan gjurmët e bardha. Unë edhe pse nuk e kisha njohur kurrë, atë e kisha si ideal të veprimtarisë  sime,edhe pse nuk guxonim ta përmendnim emrin e tij gjatë sundimit komunist.

„Bota sot“:

A mund të presin lexuesit ndonjë libër të ri, së shpejti prej jush ?

Pal Sokoli:

Po unë kam në duar një Monografi për axhën Zef Sokoli,e që po mundohem ta botoj në kuadër të 100 vjetorit të pavarësisë se Shqipërisë. E për libër tjetër të ardhshëm do ta kam në prozë dhe do të jetë diçka nga jeta ime private dhe familjare. Poezia vije vet,atë nuk e shtrydhi kurrë, ajo më vjen si mesazhet e sotme elektronike.

“Bota sot”

Ju faleminderit !

Pal Sokoli:

Ishte kënaqësia ime !

Për “Bota sot”: Muharrem Sfarqa

Webfaqja personale: www.palsokoli.de.to .



(Vota: 7 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx