| E hene, 14.01.2013, 08:33 PM |
Bisedë
me poetin dhe veprimtarin Pal Sokolin
Të
arrestuarit e " Grupit të Priftit "
u liruan vetëm pas ndërhyrjes së Papa Gjon Palit të II- të
Pal
Sokoli u lind më qershor të vitit 1959
në Radoniq, KK. Gjakovë . Ka kryer gjimnazin e shkencave natyrore”Hajdar Dushi”
në Gjakovë. Fakultetin Filozofik,drejtimin Filozofi-Sociologji në Universtetin
e Prishtinës. Ka të botuara katër vepra letrare dhe është i përfshirë në disa
Antologji dhe vepra dhe revista letrare.
Poezitë e Pal Sokolit janë të botuara dhe të përkthyera në gjuhën gjermane,
italiane, turke dhe rumune.
Familja Sokoli përndryshe i takon familjes së madhe, Paplekaj nga malësia e Gjakovës. Tradicionalisht familja Paplekaj- Sokoli ka ruajtur dashurinë për atdheun edhe kështu shpesh kanë rënë në konflikt më rendin shoqëror ekzistues. Aktivitetet e kësaj familje u trashëguan më pushkë dhe pendë që nga të parët e tyre, aktiv në Lëvizjen Kaçake(Sadik Gjoni-Paplekaj), pastaj pjesëmarrës në Konferencen e Bujanit(Pashk Sadik-Paplekaj) aktiv për çlirimin e Shqipërisë dhe të Kosovës gjegjësisht të bashkimit kombëtar,(ballisti më i vjetër Zef Sokoli), si edhe pjesëmarrësin e rrugës famëkeqe dhe fatkeqe të Tivarit Brahim Deli Sokoli-(babai)i cili për pak kishte shpëtuar i gjallë. Në luftën e fundit 1999, kishte katër ushtar aktiv në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës(Gjergj Sokoli, Filip Sokoli-martir, Viktor Sokoli dhe Kujtim Sokoli), njëri ndër të cilët edhe epror(heroi- Gjergj Sokoli ). Kurse nga kjo luftë mbeten martir gjashtë anëtar të kësaj familje, Filip, Gjergj, Pashke, Siman, Kristë dhe Kastriot Sokoli.
" Bota Sot " :
Në Gjermani jeni nga viti 1994. Na thuani kush ishte Pal Sokoli para se t‘ vinte këtu dhe cilat ishin shkaqet e braktisjes së atdheut ? ju Në vitin 1993 si pjesë e " Grupit të Priftit ", u arrestuat në Gjakovë dhe vetëm ndërhyrja e faktorit ndërkombtarë mundësoi lirimin tuaj. Na elaboroni këtë krajatë për lexuesin tanë!
Pal Sokoli:
Në
Gjermani jam që nga viti 1994,përkundër dëshirës sime,pothuaj se isha betuar se
nuk do të dal kurrë në mërgim pa e marrë parasysh rrezikun që do më kanosej.
Unë në Gjakovë kam udhëhequr një Motel “Drini” që ka qenë në të dalë të
Gjakovës, në drejtim të Prizrenit, pra mu të Ura e F`Shenjt. Kishte diku deri
në 20-30 punëtor, varësisht nga sezoni vjetor. Aty ishte një rast i mirë i
kontakteve por edhe i informimit më rrjedhën e situatës politike,edhe pse ishte
edhe rreziku të biesh në sy të armikut serb, dhe aparateve të tij shtetërore.
Kam udhëhequr për tri vite një nendegë të LDK-së në Komunën e Gjakovës,
nëndegën e Brekocit që përfshinte disa fshatra të kufirit me Shqipërinë. Me
aktivitetet e mia dhe të bashkëpunëtorëve të mi u dalluam në atë zonë të
ndjeshme dhe të “rrahur” nga pushteti serb si zonë kufitare. Mbledhja e
ndihmave, organizimi politik, zgjedhjet, rezistenca paqësore thuhej, por aktive
në abstenimin politik dhe shtetëror të Serbisë, e deri edhe të organizimi dhe
mobilizimi i popullit për vetëmbrojtje civile e edhe ushtarake nën Mbrojtjen
popullore të Kosovës ishin arsye të mjaftueshme që unë të torturohem tri vite
me radhë në stacionet policore, qoftë në ato “bisedat informative”, deri të
burgosja me grupin prej tetë vetash si grupi i tretë i Gjakovës. Grupi ynë u bë
i njohur si “Grupi i Priftit” për shkak së me ne ishte burgosur edhe Frati
Françeskan, Patër Ambroz Ukaj. Ndoshta ishte engjëll roje ky qe kishim ne në
grup,sepse Papa Gjon Pali i dytë, kishte anuluar një vizitë të ministrit të
punëve të jashtme të “Jugosllavisë”-Serbisë S. Jovanoviç në Vatikan me pretekst
se kishte burgosur njerëz të pafajshëm dhe prijës fetar në Kosovë. Kjo
bëri jehonë në shumë qarqe diplomatike perëndimore.
„Bota sot“:
Lufta e fundit në Kosovë ju mori pesë vëllezër e një motër. Një humbje dhe një dhimbje e rëndë padyshim. Ndërkaq në vargun tuaj përkushtues për të dashurit, nuk haset urrejtja, ndjenja e hakmarrjes etj. Ku qëndron forca e juaj për përballje stoike me këtë humbje dhe aftësia për artikulimin e këtyre ndjenjave njerëzore në poezi ?
Pal Sokoli:
Largimi
i im, nuk më sjelli ndonjë përfitim, sepse unë humba gjashtë anëtar të familjes
në Kosovë, edhe pse unë jam i sigurt se ata po të ju jepej mundësia të
zgjedhin; vdekjen apo Kosovën e lirë, ata do ta zgjidhnin një mijë herë vdekjen
për Kosovën e lirë.
Dhimbja
është e shprehur në krijimtarinë time letrare, çka edhe është e natyrshme, por
hakmarrja, apo urrejtja bartet të vetëdija shtetërore, kombëtare, bartët të
vetëdija kolektive dhe e përbashkët shqiptare, se ne si komb na ka kushtuar
shumë inati individual,ose urrejtja individuale gjate historisë. Ose siç
thoshte poeti i madh Din Mehmeti,”ne na duhet një besë kolektive”, një besë e
gjithë shqiptarëve se gati të gjitha të këqijat na kanë ndodhë në emër të
inatit, besës apo edhe hakmarrjes individuale. Hakmarrje më të madhe se
pavarësia e Kosovës ku ka për Serbinë dhe serbet qe vranë dhe masakruan në emër
të një kolektiviteti, pra të atij nacional serb. Dashuria ime ndaj atdheut tim
është hakmarrje më e mirë. Unë jam kujdesuar ta ruaj edhe anën artistike
po edhe atë etike në krijimtarinë time letrare.
PA NDJENJËN E PËRGJEGJËSISË NUK KA SHTET LIGJOR
„Bota sot“:
Lidhur me këtë, ju në një intervistë keni thënë madje se: " unë humba gjashtë anëtarë të familjes, që me ikjen time kisha menduar se i kisha shpëtuar " . A mundë të thuhet se përfaqësues të vetëdijes së lartë të kombit, shpesh marrin në ndërdijen e tyre përgjegjesi dhe faje që nuk u takojnë?
Pal Sokoli:
„Bota sot“:
Çka mund të kujtoni nga vitet e para të vendosjes suaj ne Gjermani ? Cilat ishin përjetimet që ju shoqëronin ?
Pal Sokoli:
Në
Gjermani kam ardhur me një ndjenjë të mirë kundrejt popullit gjerman që e kisha
që nga fëmijëria. Në përgjithësi, unë mendoj se shqiptarët kanë respekt
për popullin gjerman. Edhe unë kisha një ndjenjë të tillë.
„Bota sot“
Në krijimtarinë tuaj letrare dominojnë motivet e rilindasve shqiptarë. Pse gjithë kjo analogji tek krijuesit jashtë atdheut ?
Pal Sokoli:
Fati i njëjtë i rilindësve, fati i njëjtë i mërgimtarëve të cilët gjakojnë për një të mirë të ligjshme po fatkeqësisht të pa arrirë për ne shqiptarët, për Lirinë Kombëtare. Kjo e drejtë kërkon frymëzim gjithnjë pa e marrë parasysh kohën e as hapësirën e venave shqiptare. Unë besoj se kjo ndjenjë do ti përcjell edhe shkrimtarët edhe patriotët deri të bashkimi kombëtar.
„Bota sot“
Në veprën tuaj të botuar, ju keni pas për redaktorë dhe recenzentë, shkrimtarë dhe poetë që me kompetence kanë vlerësuar mjaft lart vlerat e poezisë suaj. Cka do të thotë kjo për ju ?
Pal Sokoli:
Poezia ime ka identitet të përgjithësuar,secili gjenë diçka të veten aty, apo edhe nëse nuk gjenë, ai sëpaku do të solidarizohet, aty unë e shoh efektin e poezisë, kur lexuesi solidarizohet me të mirën, me ty apo me parimet e përgjithshme morale. I falënderoj nga zemra edhe lexuesit po edhe referuesit qe kanë vlerësuar poezitë e mija.
NJË MONOGRAFI PËR SHOQATËN
„Bota sot“
Jeni njëri nga themeluesit e LSHAKSH në Gjermani dhe veprimtar i pa lodhshëm i saj. Na flisni më konkretisht për aktivitetin e këtij asociacioni ?
Pal Sokoli:
Të
ndahesh nga një grup dhe të mbetesh i vetmuar nuk durohet, ajo është e njëjtë
me masat ndëshkuese. Prandaj u përpoqa të mos ndihem i vetëm.
Jam
i vetëdijshëm se artistët bëjnë veprimtari individuale dhe shumë nga ata bëhen
edhe të njohur, po arti, e bukura, apo edhe çdo veprimtari artistike është aç
artistike sa më shumë se është konsumuar nga të tjerët. Kisha botuar librin “
Kambanë e Pëlcitur Dhembja” dhe doja ta promovoja në qytetin tim këtu në
Wuppertal. Në kërkim të krijuesve të tjerë njoftova disa poetë të tjerë të
interesuar për promovime. Kështu qe në Wuppertal bashkova mbi 50-60 krijues nga
Gjermania, dhe promovuam katër vepra. Pas promovimit krijuam një grup nismëtar
për formimin e një shoqate letrare, në krye të të cilit u zgjodha unë. Unë bëra
gjithë çka kam mundur që pas një viti të mbledhim kuvendin e parë, të zgjedhim
kryetarin dhe kryesinë dhe emërimin e saj si Lidhja e Shkrimtarëve, Artistëve
dhe Krijuesve Shqiptarë në Gjermani. Unë jam kujdesur për anëtarësimin e shumë
krijuesve të tjerë në këtë lidhje me gjithë qenien time që nga krijimi i saj me
06.12.2006, kam përkrahur krijuesit e rinj dhe kjo lidhje gjashtë vite me
radhë me në krye z. Martin Çuni, ka promovuar mbi 100 vepra të reja, ka
mbledhur rreth vetit mbi 100 anëtarë po që për fat të keq nuk janë të gjithë
aktiv. Kemi bërë shumë për të ju ofruar mërgimtarëve të mirat tona kulturore
dhe rrethit ku jetojmë. Kemi bërë disa manifestime tradicionale, pastaj kemi
përkujtuar figura të rëndësishme kombëtare,festat e flamurit dhe përvjetorë të
ndryshëm. Tani kemi zgjedhur kryesinë e re dhe atë duhet përkrahur, sepse ky
ndryshim mund të zgjojë ndonjë ndjenjë të ndasisë në mes nesh, çka nuk do të
ishte e mirë. Unë gjashtë vite me radhë jam munduar të jap maksimumin për këtë
institucion tanimë,dhe ende bëj në publikimin dhe informimin e aktiviteteve të
saj, si LSHAKSH, në Facebook dhe në webfaqën e LSHAKSH-së në Gjermani: www.unus.cabanova.de .
Momentalisht po punoj në një Monografi për veprimtarinë së LSHAKSH-së dhe së shpejti do të publikojmë në tërësi veprimtarinë tonë të deritanishme.
„Bota sot“
Krijuesit tanë në këtë pjesë të Evropes, sa janë konkurent me krijuesit vendorë dhe të tjerët që krijojnë në Gjermani dhe përgjithësisht në mërgatë ?
Pal Sokoli:
Për të qenë konkurrent me dikë, duhet të jemi në kushte të barabarta, në Gjermani kemi pak krijues shqiptarë që mund t´ju bëjmë konkurrencë krijuesve të tjerë sidomos atyre gjerman. Ndërsa konkurrencë me komunitetet tjera këtu në Gjermani kemi bërë shumë, edhe pse shumë nga këto komunitete kishin edhe përkrahjen e shteteve të tyre nga vijnë. Ne edhe pse lansuam një program për një Shtëpi të përbashkët kulturore qe do të quhej, Shtëpia Kulturore”Nëna Tereze”, asnjë përkrahje nuk morëm as nga biznismënët shqiptarë e as nga shtetet tona shqiptare. Shumica e komuniteteve të tjera i kanë shtëpitë e veta kulturore këtu në Gjermani. Uroj të mos mbesë vetëm në letër ideja jonë.
„Bota sot“”
Para disa vitesh ju zbuluat dhe njohët edhe xhaxhain tuaj të panjohur në Bella Horizonte të Brazilit i arratisur si anëtar i Ballit Kombëtar. Një ndjesi e rrallë, apo?
Pal Sokoli:
Kjo është ndjesia më e mirë që më ka ndodhur në jetën time. Unë pata fatin që nëpër mes publicistit dhe shkrimtarit Ëngjëll Koliqi i cili promovonte dy vepra të tij të përkthyera në gjuhën portugeze në Brazil, dhe më 15 maj 2008 në komunikim me mua takoi dhe gjeti pas 64 vitesh ballistin Zef Sokoli në Bello Horizonte. Të njohësh një njeri i cili gjithë rininë e tij kishte luftuar për bashkimin kombëtar, e sidomos të bashkimit të Kosovës më Shqipërinë, kishte jetuar dy vite në shtëpinë e Atdhetarit Ahmet Gashi në Shqipëri,dhe kishte bashkëvepruar me të birin e tij Luan Gashi në çdo pëllëmbë të tokave shqiptare. Kishte luftuar dhe vepruar në kuadër të Ballit Kombëtar bashkë me Mithat Frashërin,Vasil Andonin, Abaz Ermenin,Hasan Dostin dhe patriot të tjerë. Në luftën e Drenicës ishte radhitur në krah të Demë Ali Pozharit, të çetave të Shaban Polluzhës në Drenicë, ku si i ri që ishte kishte përjetuar mërdhitje të këmbëve nga të ftohtit e madhe të janarit të 1945, ku si kujtim ende edhe sot ruan gjurmët e bardha. Unë edhe pse nuk e kisha njohur kurrë, atë e kisha si ideal të veprimtarisë sime,edhe pse nuk guxonim ta përmendnim emrin e tij gjatë sundimit komunist.
„Bota sot“:
A mund të presin lexuesit ndonjë libër të ri, së shpejti prej jush ?
Pal Sokoli:
Po unë kam në duar një Monografi për axhën Zef Sokoli,e që po mundohem ta botoj në kuadër të 100 vjetorit të pavarësisë se Shqipërisë. E për libër tjetër të ardhshëm do ta kam në prozë dhe do të jetë diçka nga jeta ime private dhe familjare. Poezia vije vet,atë nuk e shtrydhi kurrë, ajo më vjen si mesazhet e sotme elektronike.
“Bota
sot”
Ju
faleminderit !
Pal
Sokoli:
Ishte
kënaqësia ime !
Për
“Bota sot”: Muharrem Sfarqa
Webfaqja personale: www.palsokoli.de.to .