| E merkure, 16.01.2013, 08:38 PM |
BESNIK
BËHU, POR KURRKUJT BESË MOS I ZË PA
Nga Ryzhdi Baloku
Derisa
jashtë dëgjohej rrebeshi i shiut që binte furishëm, babë e bir zbriten në
heshtje shkallëve teposhtë.
Kur
arritën në përdhese, xha Sokoli i foli të birit:
- Eja
Trim të të tregoj diçka. Pasi i parapriu për dy-tre hapa kah njëri kënd i
hajatit, për një çast ndaloi në një vend dhe me lëvizje të lehta
majtas-djathtas hoqi një hatull ndërmjet trarëve të tavanit, futi dorën thellë
dhe ngadal nxori pushkën që ishte e mbështjellë me një fashë të trashë pëlhure.
Pas e shpalosi vërehej se ishte e lyer e ruajtur aq mirë, saqë e tëra
vezullonte. Me të shtrirë para duarve kah drita, reflektonte me shkëlqim si një qelibar. Me një lëvizje u
kthye kah i biri e i tha:
- Ja
djali im, këtë armë zjarri që ta tregova do ta rrëmbesh vetëm për kauzën e
shenjtë, atëherë kur të jepet kushtrimi për çlirimin e trojeve tona.
Me një
kujdes të veçantë e mbështolli dhe e futi përsëri aty ku ishte më parë. Pasi e
kamufloi si më herët dhe iu duk se e rehatoi si duhet, ia vuri dorën Trimit nën
sqetull, e i tha: - Këtë fshehësi që tani e di edhe ti, nuk duhet ta dijë
askush tjetër, sepse të moçmit kanë thënë: “Besnik bëhu, por kurrkujt besë mos
i zë pa e sprovuar”. Për ta njohur dikë, nevojitet një thes kripë ta ngrënësh
me të, sikurse unë me Zekën, në mes veti jemi sprovuar me mija herë. Në
kontekst të kësaj rrethane më duhet të ta tregoj një ngjarje për të cilin
flitej se ka ndodhur moti.
Me të
përfunduar të kësaj këshille të shprehur përmes proverbit, xha Sokoli ra në
heshtje dhe pas ca çastesh kujtese nisi rrëfimin:
- Kishin
qenë babë e bir duke biseduar mes veti, mu sikurse unë me ty. I biri i
lavdërohej babait tërë kohën, se e kishte një shok të mirë dhe besnik. Dikur ky
e pyet të birin:
- A e ke
sprovuar sa e si duhet atë shok ?
- Po babë
e kam sprovuar në të gjitha mënyrat,- i përgjigjet i biri.
Pasi
kësaj bisede i thotë djalit:
- Mirë
djali im, shko e there njërin prej deshve më të mirë dhe sa është ende i nxehtë
duke i rrjedhë gjaku fute në një thes. Me të rënë të territ shko te shoku i yt
e thuaji: “Posa e thera njërin prej tyre, e futa në këtë thes dhe e solla te
ti. Meqë të kam shok të mirë e besnik dhe kam konsideratë për ty, ishte dashur
që bashkërisht të vendosim se çfarë do të bëjmë me të”. Nëse ai tregon
gatishmëri të të ndihmoj, atëherë jepja dashin si dhuratë, në të kundërtën
vetëm tregoji se çka ka brenda, e menjëherë kthehu në shtëpi.
Kur ky
kishte shkuar te ai shok me thes të përgjakur dhe ia kishte thënë ato fjalë, ai
jo vetëm që ishte tmerruar, por edhe e kishte përzënë duke i thënë:
- Largohu
menjëherë sa nuk të ka parë dikush, se përndryshe do të lajmëroj aty ku është
vendi.
Pas këtij
deliriumi sjelljesh të tij, ky ia hap grykën e thesit, e i thotë:
- Këtë
dash e thera për ta sjellë si dhuratë në shenjë respekti që deri tani kam pasur
për ty, por isha në dilemë se a ta ndanim ndonjë pjesë prej tij edhe për ndonjë
shok tjetër, apo të tërin ta lë këtu, por ti këtë nuk e dëshirove duke menduar
se ta kam sjellë ndonjë bela.
Kur
kthehet në shtëpi, i tregon babait për sjelljet e shokut të vet. Ky, pasi e
dëgjon të birin, i thotë:
- Shko e
shaloje atin përsëri dhe ngarkoje atë barë dhe menjëherë nisu te shoku im. Kur
ta gjesh, tregoji se biri i kujt je dhe drejtoju në të njëjtën mënyrë siç iu
drejtove shokut tënd.
Sipas
porosisë së babait, i biri menjëherë niset për rrugë. Pas mesnate arrin te
shtëpia e tij, i troket në derë. Pas pak çastesh i zoti i shtëpisë duke ecur
përgjatë oborrit nga brenda e pyet se kush është. Ky i tregon i biri i kujt
është dhe kënd po e kërkon. Kur i zoti i shtëpisë e merr vesh se kush ishte
jashtë, e hap derën ngadalë, ia drejton fenerin i afrohet me kujdes dhe e
vështron nga afër. Pasi vërtetohet se është i
biri i shokut, e fton të hyjë brenda dhe i dëshiron mirëseardhje.
Me t’u
afruar pranë derës, mysafiri i thotë të
zotit të kësaj shtëpie:
- Më fal
që po nxitoj të ta them, por kisha dashur ta dijë menjëherë se çfarë të bëj me
këtë që e kam therë ?, duke e drejtuar gishtin tregues të dorës kah ngarkesa
mbi at.
I zoti i
shtëpisë me shpejtësi ia hedh sytë barrës përmbi kalë e i përgjigjet:
- Meqë je
djali i shokut tim, atëherë hallet tua janë edhe të miat, por futu brenda o
burri i botës, se çdo pune i gjendet çarja.
Kur i
zoti i shtëpisë e kap kalin për kapistalli për ta lidhur për një dru peme në
oborr, e vëren se thesi ishte i përgjakur dhe
nuk tenton për ta shkarkuar, por kthehet kah djali i shokut, ia vë dorën
përmbi supe, e i thotë:
- Mos u
mërzit, këtë punë do ta rregullojmë shpejt, por më trego si e kam shokun tim të
vjetër.
- Falë
Zotit me shëndet është mirë, - i përgjigjet ky zotit të shtëpisë, -por për këtë
punë që kam ardhur kisha dashur ta kryejmë menjëherë.
I zoti i
shtëpisë kësaj here nuk iu përgjigj, por e drejtoi mysafirin kah shtëpia.
Kur hynë
brenda dhe u ulën në odën e burrave, i zoti i shtëpisë ia ofroi mysafirit
kutinë me duhan bashkë me një çakmak për ta ndezur cigaren. Ky iu falënderua,
duke ia bërë me dije se nuk e ndez. Për ta nderuar mysafirin ai ia ktheu:
- Mirë
pra, po e shtrojmë sofrën menjëherë.
- Jo, nuk
po më hahet pa e kryer punën, - ia drodhi mysafiri.
I zoti i
shtëpisë, që ishte shoku i babait të tij i tha:
- Mbasi
ke ardhur tek unë për ta gjetur çaren, për këtë çështje mos mbaj gajle, do t’i
rrekemi punës, pasi të hash darkë, sepse gjatë rrugës me siguri je uritur.
Kur
mysafiri përfundoi së ngrëni, i zoti i shtëpisë i tha:
- E tash
mund ta kryejmë atë punë që po të mundon.
Kur
ngriten me dalë jashtë, plaku e merr fenerin me vete dhe i afrohet të riut që
të mbahet për krahun e tij.
Pasi ia
vë dorën përmbi supe i thotë:
- Së pari
po shkojmë ta marrim kazmën dhe lopatën, pastaj do të vendosim se ku ta
groposim atë që e ke në thes.
- Nuk na nevojiten ato, përgjigjet i riu. Dashin sot e kam therë, ende është i freskët, e ke dhuratë nga babai im.