E marte, 06.05.2025, 04:59 PM (GMT+1)

Kulturë

Don Lush Gjergji: Pavdekësi për Ali Podrimjen

E marte, 15.01.2013, 09:06 PM


Vdekja – lartësim dhe pavdekësi për Ali PODRIMJA

Nga Don Lush GJERGJI

Disa njerëz jetojnë vetëm në kohë dhe në hapësirë. Dhe kur koha “ndalet”, nëpërmjet vdekjes, dhe hapësira “ngushtohet”, nëpërmjet varrit, ata në një mënyrë zhduket, asgjësohet,  harrohen, sepse ishin të robëruar, të udhëhequr  dhe “viktima” të kohës dhe hapësirave.

Kështu nuk ishte me Ali Podrimjen tonë, sepse ai edhe sa ishte në mesin tonë i gjallë dhe fizikisht i pranishëm,  kishte tejkaluar dukshëm kohën në të cilën jetonte, vepronte dhe krijonte, si dhe hapësirat në të cilat lëvizej.

Krijimtaria e tij poetike, shpirti i tij i madh, krijues dhe frymëzues, mendja e tij e mprehtë, e hollë dhe largpamëse, vizioni i tij kritik dhe artistik, me tipare profetike për liri, vlera e virtyte njerëzore, shqiptare, gjithnjerëzore, atë e bënin Njeri dhe Poet të shquar dhe të dalluar.

Jam i lumtur dhe i falënderueshëm se e kam njohur, jemi shoqëruar dhe kemi bashkëpunuar në shumë raste, e lëmi,  për afro 40 vite, veçmas rreth përpilimit të librit "Lule për Nënën", ku ai, i ndjeri Fahredin Gunga dhe i ndjeri Rifat Kukaj, kanë dhënë "pjesën më të mirë të vetvetes" do të thoshte Nëna Tereze, ishin redaktorët anonim të asaj kohe.

Ishte Gjeniu i poezisë shqipe, Njeriu i cili e personifikoi vuajtjen, dhembjen, pikëllimin e Popullit tonë nëpërmjet Lumit.

Pas vdejes së Lumit, besimi në jetë, në të tashme dhe të ardhme, në Zot dhe në amshim, te Aliu ynë ishte edhe më i madh dhe i pathyeshëm.

Këtu dua t’i përmendi dy ngjarje për mua të paharrueshme me Aliun tonë. Ishte promovimi i Biblës komplete në Prishtinë, në përkthim të Dom Simon Filipaj, botimi i DRITËS, në vitin1994.

Pasi u përshendetem, Ali Podrimja  i tha Dom Simonit dhe mua kështu: “Keni bërë mirë që e keni përkthyer dhe botuar në gjuhën shqipe Biblën, sepse aty shumë krijues gjatë shkeujve kanë gjetur frymëzime për jetë dhe krijimtari... Tash do ta lexoj dhe shijoj edhe unë në gjuhën shqipe...”.

Dhe pas pak pushimi, na zbuloi një “fshehtësi” të jetës dhe krijimtarisë së tij me këto fjalë: “Nëse kam krijuar diçka të pavdekshme dhe të përjetshme, frymëzimin tim shpesh e kam pasur nga Bibla dhe në Popullin Shqiptar. Figurativisht mund të them edhe kështu: “Dorën e majtë e kisha në Bibël, me dorën e djathtë shruaja”.

Më 3 prill 2010 në Istitutin Albanologjik në Prishtinë ishte promovimi i botimit të Smajl SMAKA, Shëtitje me Azemin, Onufri, 2010, me 59 shkrime kushtuar 59 viteve të jetës së tij.

Ideja i kishte pëlqyer shumë të ndjerit Ali PODRIMJA, i cili me këmbëngulje kërkonte prej Smajl SMAKA-s dhe të tjerëve që të bëhej një gjë e ngjashme edhe për të.

Me botimin e librit përkujtimor të Smajl Smaka, Pavdekësia e Poetit,  SMS sh.p.k. 2012, po i plotësohet dëshira dhe kërkesa e Ali Podrimjes, si dhe premtimi që ia kishte dhënë me atë rast dhe në shumë raste tjera autori i këtij libri, Smajl Smaka..

Ali Podrimja tani, i liruar nga koha dhe hapësira, “kronisti” artistik i ngjarjeve tona në 50 vitet e fundit, zëri poetik i Kosovës martire, jeton dhe shijon amshimin, pasi sadopak e përjetoi  Kosovën e lirë dhe të pavarur.

Për gjithë atë që ishe dhe je për mua dhe për ne, për krijimtarinë tënde, e cila gjithnjë na freskon, frymëzon dhe mallëngjen, Zoti të shpërbleftë, e ne, miqtë dhe dashamirët tu, mos të harroshim! Pusho në paqe!



(Vota: 14 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx