Udhëpërshkrim
Blerim Rrecaj: Festa dhe shenjat e 100 vjetorit
E premte, 30.11.2012, 09:35 PM
Festa dhe
shenjat e 100 vjetorit?
Nga Blerim Rrecaj
Hamendem
a të shkruaj edhe diç për 28 Nëntorin edhe pse për të tash veç fillova të shkruaj
për të tretën herë.Për nisjen e
qëndrimin tim me ca të afërm e të njohur në trekëndshin Durrës-Tiranë
–Vlorë…
Dhe
nisemi me veturë siç e thashë edhe më lart. Duke lënë pas edhe gjashtë flamujt
e mëdhenj kombëtar për copëzat e ndara të Shqipërisë te “Rrethi” në Fushë
Kosovë dhe rrugës gjithkund shohim flamuj e shenja feste. Rrugës flasim,
dëgjojmë e këndojmë, vështrojmë…Për tri katër orë jemi në Durrës. Një ecje
plazhit, në këtë ditë me diell dhe shumica e lokaleve skaj plazhit janë të
mbyllura dhe sikur presin sezonin turistik për t’u hapur. Vendosim gjërat në
banesë. Më pas një vizitë në qendrën e qytetit, ecje shëtitores skaj detit
ndalje te shtatorja e Mujo Ulqinakut e dikur në kafe-restorantin “Fly” në katin
e fundmë të kësaj ndërtese diku 17 katëshe shohin detin e kuqëlimin që bije mbi
të…Shohim portin në të cilin ngarkohen e shkarkohen kontenjerë mallrash. Dikur
me ndihmën e liftit zbresim poshtë. E tash ndalemi te ekspozita e hapur me
flamuj kombëtar që prej 1912-ës e deri më sot. Aty ka shumë vizitorë e derisa
shohim flamujt e më pas në një tavolinë gjësende dokumentare na afrohet
organizatori i ekspozitës Artan Lame. Ai na thotë e shoh që shikoni me
interesim kështu që nëse keni ndonjë pyetje ose ju intereson ndonjë gjë mund të
pyesni. Dhe gishtin e vëmë te ajo shqiponjë e zezë metalike me përkrenaren e
Skënderbeut mbi të. Dhe me Artanin afrohemi deri te një foto në mur dhe më pas
ai na shpjegon se këto shqiponja ishin të vendosura në shtizat e këtyre
flamujve gjatë periudhës së mbretit Zog e më pastaj italianët i hoqën ato prej
shtizave. Ai vazhdon shpjegimin paksa i emocionuar ,të emocionuar jemi edhe ne
dhe nëse kemi kuptuar drejt këtë shqiponjë të tillë dekoruese ai e ka gjetur e
blerë diku në Itali. “Ishit edhe në ekspozitë edhe në Prishtinë” na pyet pasi na pyet se nga jemi. Vazhdojmë të
shohim edhe gjëra të tjera dhe dikur dalim edhe nga kjo ekspozitë në të cilën
jemi për të parën herë dhe shohim edhe ato makete anijesh të ushtrive
shqiptare. Prej qendrës së Durrësit me autobus urban kthehemi në banesë duke
folur e planifikur për ta vizituar Tiranën të nesërmen e kryefjalë jona janë
armët origjinale të Skënderbeut.
Zgjohemi
në mëngjes dhe nisemi për në Tiranë. Me një autobus lokal mbërrijmë deri te
“Plepat”. S’po dijmë se ku jemi themi, te plepat në Prishtinë apo në Durrës.
Hipin në një tjetër autobus që na dërgon drej kryeqendrës më të madhe
shqiptare, rrugës përtej xhamave shohim fshatra, serra të ngritura që të bëjnë
me dije për një përpjekje e një rigjallërim pune në sferën bujqësore ,drunj që
mbajnë gjithë ata portokaj a hurma, kodra me ullinj…Dhe mbërrijmë në Tiranë.
Ajo është kuq e zi ashtu siç e patëm parë nëpër internet disa ditë më pare,
para se të niseshim. Dhe te Muzeu ndalemi për të parë armët orgjinale të
Skënderbeut. Presim në radhë e përpara se të hyjmë ngadalë ngadalë një grup
fëmijësh në përcjelljen e edukatoreve këndojnë këngë patriotike si Hymnin e
flamurit të Asdrenit e të Nolit, këngën Eja mblidhuni këtu, këtu, Xhamadani
vija vija…e fëmijët mirëpresin duartrokitjet e neve që presim në radhë.Ai që
mban rendin e na jep vizë për të hyrë na bën me dije se nuk lejohen
fotografitë. Hyjmë. Në katin e parë janë vendosur fotografi të ndryshme të
periudhave e çasteve të ndryshme historike. Ngjitemi dhe në katin e dytë e shohim përkrenaren e Skënderbeut, dy shpatat
e tij luftaraken dhe ceremonialen dhe fare pak fjalë jep ciceroni që ndodhet
pranë tyre e nuk pranon pyetje pasi që numri që presin për t’i vizituar është i
madh, e një gazetar austriak i ORF-së merr intervista nga qytetarët e
interesohet për mbresat e tyre pas pamjes së armëve të heroit kombëtar. Dalim.
Rrugëve shohim diku Hasan Prishtinën , diku Isa Boletinin, diku Ismail Qemali
dhe hyjmë edhe në ekspozitën “40 firmëtarët e Pavarësisë”, dhe shohim portretet
me ca njoftime të shkurtëra për ta. Dikur Për të pushuar pak drekojmë në pjesën
periferike të Tiranës (ku janë të vendosura një mori objektesh e qendrash
tregtare e ekonomike)në City Park. Dhe kthehemi te vendi ku përurohet shtatorja e komandantit
legjendar Adem Jasharit. Aty pos përfaqësuesve të institucioneve shqiptare
andej e këndej ndodhen edhe pjesëtarët e dy ushtrive shqiptare, përfaqësuesit e
Familjes së Komandantit Legjendar. Pos tjerëve kreu i Bashkisë së Tiranës mban
një fjalim emocional duke i dëshiruar bacës e dajës siç thotë ai mirëseardhje.
Përfundon dhe ky manifestim. Endemi kryeqytetit duke pushuar në ndonjëren prej
kafeneve, duke parë edhe sheshin Shqiponja në të cilin është vendosur ajo
Shqiponjë e madhe dy krerëshe. Shohim dhe tjera gjëra, pllaka, njerëz, tregtarë
ambulantë, koncerte fëmijësh me këngë patriotike, e në njërën nga pllakat që
është vendosur në njërën nga ndërtesat shkruan “Në këtë lagje ka jetuar
shkrimtari Nonda Bulka”. Do kthehemi edhe një herë në Durrës, në banesë për të
planifikuar për udhëtimin që do të bëjmë drejt Vlorës e ky udhëtim drejt
qytetit të Pavarësisë do të jetë udhëtimi i parë…
Dhe
nisemi kah ora shtatë. Shqiptarët nga të gjitha anët e atdheut dhe nga të
gjitha anët ku janë të shpërndarë nëpër të gjitha kontinentet ia kanë mësyrë Vlorës.
Rrugës,shohim fusha të gjera të
gjelbëruara për të cilat këndoi Naimi dhe i cili paska pasur të drejtë. Dhe në
hyrje të qytetit parkojmë veturën dhe ecim drejt qendrës. Dikur mbërrijmë kah
ora nëntë e gjysmë. Ka shumë njerëz, i afrohemi sheshit dhe më pas tërhiqemi
pakëz më mbrapa ashtu siç tërhiqen shumë famijlarë me fëmijë. Dikur hipim në
shumëkatëshen e madhe në ndërtim e sipër dhe nga aty shohim rrugët e mbushura
me njerëz, kalorësit me kuaj, politikanët që flasin. Dikur zbresim poshtë. Më
pas fillon koncerti. Ecim për kah Shtëpia e Pavarësisë e rrugës pos shumë e
shumë njerëzve shohim pëlhurat e vëna nëpër rrugë me emrat e trojeve shqptare
për të cilat Ismail Qemali e shpalli pavarësinë. Vende vende hidhen valle,
bijnë tupanat. Mbërrijmë e pasi hyjmë në radhë hyjmë dhe në Shtëpinë e
Pavarësisë. Një shtëpi e ngjashme me atë të Lidhjes së Prizrenit. Aty shohim
ato dhoma e kabinete ministrash dhe kur dalim i themi “sozisë” së Ismail
Qemalit: Gjallë qenka Ismail Qemali, po bashkë me ju na thotë. Dalim shohim dhe
pak përtej atij muri e atyre grilave mbi të,kah deti dhe nisemi për në drejtim
të veturës. Rrugës përshëndetemi me ndonjë të njohur e atmosfera festive
vazhdon. Mbërrijmë deri te vetura. Hipim e ia mësyejmë për në Tiranë. Policët
siç duket veturave të shumta që tashmë largohen nga Vlora i drejtojnë në dy
rrugë që shpiejnë në Tiranë për t’iu shmangur tollovisë. Aty ku jemi ka radhë
të gjatë dhe ndalojmë. Në radio dëgjojmë se po prehet torta e madhe. Në
ndërkohë njerëz dalin nga veturat. Dikush aty pranë këtyre udhëtarëve u dhuron
portokalle nga kopshtet e tyre. Edhe neve na dhurohet katër pesë kokrra. I
qërojmë e i hamë, janë të freskët e të shijshëm. Dhe kjo është njëra nga
dhuratat e bukura të Pavarësisë. Vazhdojmë rrugën ngadalë ngadalë e dikur
mbërrijmë në Tiranë. Në hyrje të kryeqytetit vargje të gjata makinash,
megjithatë dikur hyjmë dhe parkojmë veturën diku. Shiu fillon të rigojë. Ulemi
në “Taiwan”, ka shumë njerëz, kamarierët në aksion sa andej sa këndej mundohen
që të kryejnë porositë e shumta që kanë marrë. Pasi darkojmë ia mësyejmë për në
drejtim të Fakultetit aty pranë tij është vendosur bina për koncertin. Tashmë
bije shi i vrullshëm. Përpiqemi të gjejmë një strehë dhe vendosemi te ata që vënë mbi kokat e tyre atë pëlhurë
të najlontë të njërës prej reklamave të vendosura. Dikur lëmë atë vend dhe
vendosemi në një kafiteri dhe më pas marrim rrugën për në drejtim të veturës
dhe Rita Orën e shohim duke kënduar në televizion në këtë koncert që
transmetohet drejtpërdrejt.
Zgjohemi
të nesërmen. Një ecje plazhit të Durrësit. Fryn një erë me mjaft intensitet.
Valët janë hallakatur. E një lloj turbulime uji shkakton kjo erë mbi det. Dhe
nisemi për në shtëpi të kënaqur nga ajo
që pamë e përjetuam. Drekojmë në Prizren dhe vazhdojmë rrugën… me shenjat: “100
vjet pavarësi” …