E diele, 28.04.2024, 02:59 PM (GMT+1)

Udhëpërshkrim

Kadri Tarelli: Suedezët në bibliotekën e Durrësit

E premte, 23.11.2012, 08:00 PM


Suedezët në bibliotekën e Durrësit

BIBLIOTEKA E DURRËSIT PRET MIQ NGA SUEDIA

Nga Kadri Tarelli - Durrës

Në kuadrin e100-vjetorit të Pavarësisë, të hënën pas dite në një nga sallat e bibliotekës së qytetit të Durrësit u organizua një takim me disa shkrimatrë të ardhur nga veriu i largët, nga Suedia. Ata ishin Sedulla Zendeli-Daja dhe Sokol Demaku, të dy veprimtarë që kanë bër emër e po bëjnë punë të madhe në diasporë, në kushtim të arsimimit në gjuhën shqipe të fëmijëve të bashkatdhetarëve tanë. Janë të dy shqiptarë, i pari nga trevat e Maqedonisë dhe i dyti nga Kosova, por që jetojnë e punojnë prej kohësh në Suedi. Në këtë ditë të shënuar të ngjeshur me veprimtari në Durrës, shoqëroheshin nga publicisti dhe studiuesi Murat Gecaj, shkrimtari Viron Kona dhe nga Petrit Xhaja autor tekstesh shkollor, të gjithë të ardhur nga Tirana.

Takimi në bibliotekë ishte një kërkesë e kaherëshme dhe e shumë pritur. Miqtë zgjodhën pikërisht këto dit fundnëntori, për të marrë pjesë në festimet e 100-vjetorit të Pavarësisë në shkollën 9-vjeçare “Demokracia” të Durrësit, e cila prej pesë vitesh ka lidhje binjakëzimi me shkollën “Fjardingskolan” në qytetin Boras të Suedisë. Si i thonë fjalës, “Një rrugë e shumë punë”. Kështu mbas emocioneve nga veprimtaria në shkollë, edhe një bashkëbisedim me shkrimtarë e krijues durrsak në bibliotekë. Ide dhe qëllim mjaft i dobishëm, njohja dhe afrimi me njëri-tjetrin, njëkohësisht hartimi i projekteve për lidhje dhe bashkëpunim mes bibliotekës së Durrësit me një nga simotrat në Suedi. Në fakt duhet thënë se, të dy shkrimtarët nga Suedia janë të pranishëm për publikun Durrsak nëpërmjet shkrimeve në revistën “Dituria”, që botohet në gjuhën shqipe në Suedi e që vjen rregullisht edhe në bibliotekën e Durrësit.

Drejtuesja e takimit znj. Teuta Dhima me mjaft finesë dhe elegancë, u kërkoi ndjes pjesëmarrësve për mungesën e drejtoreshës së bibliotekës Znj. Flora Dervishi, e cila ishte e ftuar të ishte në qytetin e Manastirit, në festimet në përkujtim të  “Kongresit të Manastirit”. Më tej pas përshëndetjeve të rastit, fjala u mbeti miqëve, të cilët shpalosën përpjekjet plot atdhedashuri që bëjnë në dhe të huaj, për mbajtjen gjallë të gjuhës dhe frymës kombëtare tek të gjithë mërgimtarët, në veçanti të fëmijëve dhe të rinjëve. Ata venë në shërbim të tyre të gjithë fuqitë fizike dhe intelektuale, për orgnizimin e veprimative të shumta, për të bashkuar të gjithë shqiptarët, që të mos këputen rrënjët e vendlindjes e të mos  harrojnë dheun e të parëve.

Profesori i nderuar z. Sadullah Zendelia-Daja, poet, shkrimtar, studiues dhe hartues i fjalorit shqip-suedisht me 27.000 fjalë, sot i moshuar rreth të tetëdhjetave por i mbajtur mirë dhe me kujtesë të fortë, solli të gjalla kujtimet e dyzet vjetëve të shkuar, kur udha e mërgimit e degdisi në Suedi. Vetëm ata që e kanë provuar kurbetin e dinë dhe i kuptojnë dhimbjet e ndarjes nga vendi yt, e më pastaj vështirësitë, përpjekjet për mbijetesë e përplasjet që të ofron emigrimi. Me thjeshtësinë e një itelektuali të vërtetë, bën sikur i harron vuajtjet e asaj kohe, por sjell në kujtesë përpjekjet për të hapur të parën shkollë në gjuhën shqipe për 15 fëmijët e shqiptarëve. Ishte koha kur emigrantët shqiparë mbanin pasaportë jugosllave, e askush në Suedi nuk i njihte për shqiptarë. Sa e vështirë ishte t’u mbushje mendjen autoriteve vendase, pasi ata nuk i njihnin problemet e hallet e shqiptarëve. Krahas shkrimeve dhe botimeve të shumta, “Daja”, emër me të cilin e njohin të gjithë shqipatrët në Suedi, tani po punon për fjalorin 35.000 fjalësh në të dy gjuhët. Është një përpjekje e madhe për t’u ardhur në ndihmë bashkëatdhetarëve që jetojnë e punojnë në Suedi.

Ndërsa Sokoli, energjik e i palodhur, poet, publicist dhe drejtues emisionesh në gjuhën shqipe në radio, hartues e botues i revistës letrare-artistike “Dituria”, anëtar i kryesisë së shoqatës atdhetare “Migjeni”, mësues i pasionuar, në fjalën e tij u përqëndrua në përpjekjet për shkollimin e fëmijëve shqiptar dhe edukimin e tyre me norma të demokracisë dhe qytetarisë, ku Suedia qendron në majat e saj. Fryma e të qenit i barabartë dhe i respektuar, edukohet që në shkollë, që tek moshat e vogla, pavarësisht rracës, ngjyrës, gjuhës dhe kombit. Në shkollën ku ai jep mësim fliten 32 gjuhë të botës, por askush nuk guxon të mendojë e më pak të shprehë dallimet mes tyre.

Më tej shkrimtari i njohur nga Tirana Viron Kona, autori i më shumë se 30 librave, fitues i disa çmimeve, i cili ka vizituar dy herë Suedinë, si i ftuar në promovimin e librit “Eh, more Bubulino”, i përkthyer në suedisht dhe i futur në programin mësimor të shkollave të atij vendi, u ndal tek bukuria e shpirtit suedëz. Shembujt që solli shkaktuan të qeshura te të pranishmit: “Provo të presësh një degë nga pema që ke në oborrin tënd, pa marrë lejë në bashki apo komunë”! Ne çuditemi, pasi nuk e konceptojmë dot forcën dhe zbatimin e ligjit edhe nga njeriu më i thjeshtë i atij vendi. Shembujt na bëjnë të mendojmë brenda vetes, sepse ato shprehin kulturën dhe vendosmërinë e të gjithëve banorëve që e duan vendin e tyre, ndaj përpiqen ta mbrojnë me fanatizëm gjelbërimin, mjedisin dhe ekologjinë.

Të njëjtat përshtypje shprehu edhe Murat Gecaj, i cili para pak muajsh ishte i ftuar në Suedi. Kështu i’u dha mundësia ta prekë vetë atë realitet që na mahnit, sidomos në dashurinë për librin dhe frekuentimin e bibliotekave duke filluar që nga moshat më të vogla.

Në fund të këtij takimi kaq të ngrohtë, të rinjët gjimnazistë të shkollës “Olsi Lasku”, gjallëruan sallën. Nxënësit Aleks Llukovi, Fllanxa Shurbi, Sofika Gega dhe Jesika Osmani, plot art dhe ndjenjë recituan pjesë nga poezitë e Fishtës, Sadulla Zendelit-Daja, dhe poetes nga Durrësi Gentiana Zagoridha. Mesazhi i tyre ishte i qartë. Dobia e takimeve të tillë, ndjehet vetëm kur vlerat njerëzore, humane, letare e artistike përcillen tek të rinjtë. Kështu edukohet te ata dashuria për librin, duke bërë që të frekuentojnë më dendur bibliotekën, tempullin e dijes, kulturës e përvojës së shoqërisë. Duke prekur librin, nxisin deshirën për t’u bërë të dobishëm, pasurojnë shpirtin, fisnikërohen dhe bëhen më të mir e më të zotë, për t’i shërbyer vetes dhe kombit.

I përbashkët ishte falënderimi dhe urimi: Mirëupafshim ! Më shumë takime të tilla !



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora