E merkure, 30.04.2025, 05:36 PM (GMT+1)

Udhëpërshkrim

Tefik Selimi: Kur femra e hijeshon “kuvendin” e artit letrar...

E hene, 05.11.2012, 07:22 PM


Moment nga Manifestimi Vjeshta letrare... në temën “Portreti i Sabile K. Bashës dhe vepra e saj”

Kur femra e hijeshon “kuvendin” e artit letrar...

Nga Tefik Selimi

S’ka më bukur se arti. Me artin e bukur, krijuesit bëjnë vepra të mëdha. Secili vend e popull i ka krijuesit e mëdhenj. Pse jo? Edhe letërsia shqipe i ka krijuesit e saj të mëdhenj dhe të njohur në vend e në botë. Po këtë art të bukur e kultivojnë jo vetëm meshkujt, por edhe femrat tona të zonja. Andaj, njëra nga femrat tona, që sot ka bërë emër në letërsinë tonë, është padyshim poetja nga Dardana, Sabile Keçmezi – Basha. Ajo është e tëra poete, e tëra krijuese, por edhe e tëra shkencëtare e shumë fushave të dijes. Është e lindur nga natyra krijuese e artit. Bota e saj krijuese është e gjithanshme, por edhe shumë dimensionale. Një botë poetike e thellë dhe e këndshme. Ajo, me veprat e saj po tregon rrugën e dijes se ka hyrë thellë në “Hadin” e artit, nga i cili “vend” vështirë se mund të dalë. I themi troç: aferim! Dhe, kënaqësi është ta dëgjosh secilin njeri që flet fjalë miradije për botën e kësaj krijuese. Portreti i saj, si njeri e si krijuese, është “monument” dhe personalitet i rrallë tek ne. Shih për këtë “dhunti” krijuese, është “debatuar” të shtunën në mënyrë profesionale në Manifestimin Kulturor “Vjeshta letrare...” në Gjilan”, e cila “ngjarje” i është kushtuar dr. Sabile Keçmezi – Basha, poete, shkrimtare, publiciste e shkencëtare. Andaj, ky eveniment kulturor u mbajt në sallën e Kuvendit Komunal të këtij qyteti (Gjilanit), i cili i ka befasuar të gjithë krijuesit e dashamirët e artit letrar. Ishte kjo “ngjarje” e rrallë dhe e vërtetë. Ngjarje, e cila u përcoll me interesim të madh dhe të lë përshtypjen e një krijuese që vërtet ka bërë emër në shumë fusha të dijes. E quajtën figurë e madhe, zonjë e madhe, emër i veçantë i letrave tona etj. E quajtën edhe  Yll i rrallë i poezisë. Siç dihet, Sabile K. Basha është autore e mëse 20 veprave të zhanreve të ndryshme, si janë: “Lëvizja ilegale patriotike shqiptare në Kosovë”, më (1945-1947), Prishtinë, 1993, “Lëvizja ilegale patriotike shqiptare në Kosovë, më  (1945-1947), Shkodër, 2000, “Organizatat dhe grupet ilegale në Kosovë” (1981-1989), Prishtinë, 2003, “Shtypi ilegal në  Kosovë” (1945-1999), Prishtinë, 2009,  “Të burgosur politikë shqiptarë në Kosovë” (1945-1990), Shkup, Prishtinë, Tiranë - 2010, “Kosova në shtypin e mërgatës shqiptare (1945- 1999),  Libri shkollor, 2011, “Kontributi atdhetar i Hyrije Hanës”, 2011 etj., (botime shkencore), ndërsa vepra poetike të saj janë: “Nusja e gurtë”, Rilindja, (1989), “Kohë epileptike”, Jeta e re, (1996), “Dy lule ka mami”, Pionieri, 1993,  “Ëndrrat e trishta”, Rilindja, 2000, “Malli për Itakën”, 2008, “Anatomia e librit”, Bukuresht, 2009, “Kodi i pritjes”, 2010, “Metaforë iberike”, 2011, “Kujtesën e kam hapur skleroza” 2011, romani: “Nata pa kornizë” 2008, drama “Hadi” 2005 etj. Në ditën e shtunë, që u mbajt Manifestimi “Vjeshta letrare ...” në Gjilan, erdhën, si një, shumë adhurues të fjalës së bukur për të  parë e dëgjuar nga afër portretin kulmor të veprimtarisë krijueses të dr. Sabile K. Basha. Dhe, jo vetëm kaq. Ata që erdhën në këtë Manifestim kulturor, të edicionit të tretë  të “Vjeshtës letrare...”, dolën jo vetëm të kënaqur, por edhe të mahnitur. Të gjithë afroheshin te poetja dardanase, Sabile K. Basha dhe i uronin suksese në jetën e saj letrare e shkencore. Pse jo? Fillimisht, Nexhat Rexha, krijues nga Dardana, e pati fjalën e parë, i cili tha se, sot, në këtë Manifstim kulturor do të kemi rastin të  njihemi me portretin e Sabile K. Bashës, e cila krijuese ka kontribuar mjaft shumë në jetën letrare e shkencore në Kosovë. “Kohës së fundit, në Gjilan, Ars Clubi “Beqir Musliu” ka shtuar aktivitetin e tij në shenjë të 100-vjetorit të shtetit Shqiptar, (Shqipërisë), të cilin  Klub e ka mbështetur i pari i komunës, z. Qemajl Mustafa. E, Sabit Rrustemi, kryetar i Ars Clubit “B. Musliu”, tha se, sivjet, më shumë se herave të tjera, ky Klub ka bërë një kthesë të madhe në prezantimin e krijuesve tanë. “Nuk do mend se, këto aktivitete kulturore janë të mirëpritura nga të gjithë krijuesit tanë, të cilët, në këtë “odë” debati po “zgjohen” ndjenja e krijuesve ndaj artit. Por, thënë troç, krijuesit po afrohen dhe po njihen ndërmjet vete me anë të veprave e gjuhës poetike. Prandaj, kësaj here, në Manfestimin “Vjeshta letrare...” ia kemi kushtuar poetes, shkrimtares, shkencëtares e publicistes së shquar, dr. Sabile Keçmezi – Basha, e cila, na vjen  si zonjë e madhe që e nderon artin në përgjithësi. Siç dihet, Sabile K. Basha është krijuese e hershme. Ajo ka filluar të merret me shkrime qysh në moshën e re. Unë e kam njohur Sabilen në vitet 1970 apo në fillimet e viteve 1980-ta. Ajo është njëra nga krijueset e para femër me gjeneratën e krijueseve, si: Sadete Presheva, Adelina Mamaqi, Natasha Lako e  të tjera. Shihni, shtoi ai, -sa vepra të saja janë afër meje. Afro 11 vepra letrare, historike, monografi e drama. Të gjitha këto vepra janë të shkruara në 40 vitet e fundi të jetës së saj”. Aty u gjend edhe i pari i komunës, z. Qemajl Mustafa. Pa hezitim, ai doli para krijuesve të artit, e tha: “Është kënaqësi dhe moment i rrallë i mendësisë që çdo gjë këtu sot po reflekton për portretin dhe krijimtarinë e zonjës Sabile K Basha. Shihni, madhështinë e këtij manifestimi po ia jep edhe krijuesi ynë, z. Sabit Rrustemi. E, Sabiti, në këto tri vitet e fundit është kah bën “mrekulli” të rralla në “jetën” e artit letrar në Gjilan. Urime dhe suksese autores, Sabile!” Dr. Mehmet Halimi tha se, ky përurim, që po mbahet sot në Gjilan, ka dallim nga organizimet tjera kulturore. Po e filloj kësaj here me veprën e Teuta Shalës, e cila është një monografi kushtuar zonj. Sabile K. Basha. “E vërejta se ia vlen ta përmendi, se aty gjeta fjalën më të bukur për Sabilen. Kjo vepër më nxiti të flas e të jem aty ku duhet të dali. Nuk është vështirë të shkruash për një femër që ka bërë emër. Lumë kush e ka zonjë shtëpie! Lumë kush e ka vajzë! Portreti i saj (Sabile K. Basha) na përkujton filozofinë e popullit: “Burri e jeshon odën, ndërsa gruaja e jeshon oborrin”! Kjo po e jeshon këtë vend  e “kuvend” letrar ku jemi, e cila po na bën nder neve, por po e nderon edhe vetën. Sot femra shqiptare ka ndryshuar jetën e saj si: dijetare, poete, shkencëtare, mësuese, deputete, profesoreshë etj. Sot, asnjë femër tjetër s’ka bërë më shumë se kjo krijuese jona. Ajo gjer më tani ka shkruar afro 20 vepra të zhanreve të ndryshme. Është një personazh që po shkëlqen me poezi e me vepra tjera arti. Lapsi i saj s’ka teprime e as ngjyra të “zeza” jete. Ajo po frymon lehtë si me artin e bukur, po ashtu edhe me shkencën e dijes. Dr. Sabile Basha simbolizon pemën me shumë frute. Punon e s’ndalet. Autorja, Teuta Shala, e ka përjetësuar në vepër këtë krijuese prodhimtare. E ka ngritur në piedestalin e lartësive krijuese. E ka bër Yll që po rrezaton në letrat tona”. Dr. Faik Shkodra tha se, lehtë e kam të flas për Sabile K. Bashën Ate e pata shkollare. E njoh mirë, bile, fort mirë... Vepra e  saj lexohet e prezantohet nga të gjithë. Ajo ka shkëlqyer dje, por po shkëlqen edhe sot. Po rrezaton me atë bukuri shkrimore! “Po e përmendi jubileun e 35-të të veprimtarisë së Sabile K. Bashës. Lirisht mund të thuhet se është një margaritar i rrallë i letrave tona”. Siç dihet, prof. dr. Sabile Keçmezi-Basha, për opinionin kosovar dhe atij mbarë kombëtar i është e njohur për kontributin e saj si në fushën e shkencës, po ashtu edhe të krijimtarisë letrare. Ajo, gjerë më tani ka botuar mbi 20 vepra letrare e shkencore. Jo vetëm kaq. Ajo është e përfshirë në shumë fjalorë enciklopedikë e leksikone më të ndryshme të “jetës” kulturore e shkencore. Mandej, dr. Sabile K. Basha është e përkthyer në shumë gjuhë botërore. Si e tillë, ajo në vitin 2011, është zgjedhur Anëtare e Rregullt e Akademisë Evropiane të Arteve. Ajo ka në vete një botë këmbëngulëse të paraqitjes së “problemeve” për një mal padrejtësishë. Poezia e saj është botë metaforash dhe e lidhur me ide të shumta. Këto janë vlerat e saja që rrëfejnë për të vërtetën e jetës. Pren Buzhala, krijues dhe vlerësues, tha se kjo ditë e sotit, që bëhet fjalë për këtë autore, po rrezaton për një artiste të artit. “E përgëzoj Gjilanin, për faktin se, në këtë sallë po shoh njerëz intelektualë, krijues, poetë e adhurues të librit. Gati të gjitha veprat e Sabile K. Bashës janë një shembull i mirë se si do të duhej të shkruhet arti. Ajo (Sabilja) e ka një botë magjike, një botë të thellë frymëzimesh poetike. Poezia e saj është një “rrëfim” që temat i merr nga mitet. Janë situata të trishta, të cilat, si tha, - e kushtëzojnë dhe ëndrrën e  trishtë. Poezia e Sabile K. Bashës nga pak është e një “jete” fataliste, e cila shënon historinë dhe botën tragjike. Pra, tek kjo poete shohim kthimin e së kaluarës në të ardhmen dhe anasjelltas. Këto vlera letrare arti korrespondojnë në mes vete, e që janë personazhe hermetike që flet për gruan e zgjuar të Hadit mitik. (Recitoi Erëza Matoshi): “Itakë, mbrëmë të pashë ëndërr/ unë nuse u bëra dhe u gëzova!”. Aty u gjend Dr. Begzat Baliu, i cili tha, se portreti i zonjës dr. Sabile K. Bashës është një kaptinë në vete. Ajo të përkujton krijuesen me intuitë magjike, ku te shumë vepra të saja vërehet intenca e kërkimit për arritje të reja në art. E shënova titullin “Një titull simbolik”, vështim imi, i cili ngjërthen në vete botën e larmishme të  kësaj poete, e cila po shënon rritje të sigurtë në fryrmëzimet e saja poetike. E krejt në fund, dr. Sabile  K. Basha, tha se e kam pak vështirë të shtoj, për faktin se jam shpërblyer disa herë për krijimtari letrare. Por, kjo “ngjarje” e sotit, në Gjilan, më ka nderuar më së shumti në jetën time. Kjo është dhurata më e çmuar për mua. Ju falemnderit të gjithëve!



(Vota: 12 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx