E enjte, 01.05.2025, 03:33 AM (GMT+1)

Udhëpërshkrim

Kalosh Çeliku: Xha Deralla na e hodhi

E shtune, 03.11.2012, 03:29 PM


XHA DERALLA NA E HODHI EDHE KËSAJ RADHE

Nga: KALOSH ÇELIKU

Nga Shkupi pas Takimeve poetike nën Rrap, erdhëm në Kërçovë. Dhe, e pyetëm një plak para porte në fshatin Cërvicë: O plak, ku është “Çifliku i Xha Derallës”?

Plaku u ngritë më këmbë me gjithë mjekrën e bardhë dhe shkopin me kërrabë. Mirëse erdhët, gra e burra! “Çifliku i Xha Derallës” është në Kërçovë, tek ajo Çuka pas malit, drejtoi plaku në vend të gishtit tregues shkopin. E shihni atë Çukë në mes të Qytetit? Atje, është “Çifliku i Xha Derallës”.

Po, i thamë ne gati njëzëri. Faleminderit, plak. Dhe, morëm rrugën krah për krahu për te “Çifliku i Xha Derallës”.

Rrugës e takuam drejtorin e Muzeut të qytetit, Ilmi Veliu. I thamë, jemi nisur për te “Çifliku i Xha Derallës”. Qeshi. “Çifliku i Xha Derallës” është afër Përronit të Thanës, në fshatin Cërvicë. E, kush ju dërgoi në këtë anë të Kalasë Kërçovës?!

Një plak me mjekër e kësulë të bardhë në kokë.

Përsëri qeshi, drejtori. Ai ka qenë Xha Deralla. Përmëtepër, ju paska mashtruar, ka bërë pak shaka edhe kësaj radhe me poetët.

Nuk prish punë, i thamë ne si burrat. I kuptojmë dhe i duam mashtrimet dhe shakatë e Xha Derallës. Po, vështirë e kemi t’i duam dhe kuptojmë “anekdotat” e politikanve.

Ilmi Veliu, drejtori i Muzeut të qytetit aty për aty doli me një propozim: Meqenëse e keni bërë gjithë këtë rrugë, mos të ju shkojë mundi kot, pasi ta vizitojmë Muzeun e Luftës, do të ngjitemi edhe deri te Kalaja e Kërçovës.

Moti, qysh në fëmijëri kisha dëgjuar se është kalaja e dytë më e bukur në Ish Jugosllavi. Vite me radhë edhe isha ngjitur dhiareve, qoftë pas ndonjë rrunze azgane, qoftë pas organizimeve të shpeshta muzikore të asaj kohe duke e përcjellur natën me rokenrol nëpër disko-klube.

Përçudi, si kishte ndodhur që kaq gjatë kohë të mos e kisha vizituar Kalanë e Kërçovës. Fajin me siguri e kishte koha e studimeve në Prishtinë. E më vonë, edhe arratisja ime si mësues në Drenicë e Malësinë e Shkupit.

Krah për krahu si poetë iu ngjitëm Kalasë Kërçovës. Rrugës herë pas here Ilmi Veliu na rrëfente gjurmë të gurëve ilir që ende nuk i kishte hëngër dhëmbi i kohës. Aty-këtu edhe ndonjë birë shuli në mur me të cilin ilirët e kishin mbyllur derën. Kalanë e Kërçovës e kishte shkelur edhe këmba e serbit, edhe e romakut, edhe e turkut, edhe ajo e partizanëve. Secili në këtë kala i kishte lënë të thella gjurmët deri në ditën e sotshme si pushtues. Vetëm, unë e mbaja në mend fare mirë Kalanë e pas Luftës së Dytë Botërore, kohën e “artë” komuniste, kur ajo kala - parajsë ishte e rregulluar bukur dhe mbuluar me lloj-lloj lule. Fontana e karrike druri në çdo pesëdhjetë metra.

Ecëm edhe pak në heshtje rrugës. Unë mendova me vete, me siguri do t’i shohim matanë pishave sheshet me lule. Edhe pak, arritëm te përmendoret e dëshmorëve partizanë. Habia e radhës: Ndonjëri pa kokë. Tjetri pa këmbë. Ibe Palikuqi kishte “ikur” me gjithë trup e kokë. Aty për aty mu kujtua edhe përmendorja e Skënderbeut që pas lufte trimat kërçovar e kishin hipur në kala. E më vonë, pas prishjes së miqësisë shqiptaro-jugosllave, e kishin tërhequr pushtetarët për shkaqe politike. E kishin futur në një kasollë të fshehtë brenda kalasë. Që, unë gjatë shkollës së mesme sa herë që ngjitesha me shokë në kala, e vizitoja tinës dhe e shihja se si “bënë” gjumë shekullor heroi ynë legjendar Skënderbe i strukur në Kala.

Vite më vonë, më kotë shkoja me shokë te kasolla e Kalasë, Skënderbeu nuk ishte më në atë vend, nuk kishte as nam as nishan siç thotë populli. Natën ia kishin ndërruar shtëpinë. Edhe, pyeta për fatin e tij, nuk e dimë mu përgjigjën rojet e Kalasë. Një përgjigje të tillë merrja edhe nga miqtë e penës. Njëri ma bëri me dije se, pas ndryshimeve demokratike politike e kishin bërë edhe një kërkesë deri te partitë politike shqiptare që ta kthejnë përsëri përmendoren e Skënderbeut në kala. Por, ata u ishin përgjigjur: Përmendoren e Skënderbeut do ta lëmë për më vonë, kur t’i vijë dita.

Tashti, edhe e shoh realitetin me sy, pse Xha Deralla na paska dërguar në Kala të Kërçovës. “Çifliku i Xha Derallës”, kur ne e vizitonim si fëmijë me dhenë, ishte plot ferra. Vështirë nga aty nxirrnim ndonjë shkop thëne. Ose fyell shtogu. Banorë të atij çifliku me nam ishin: zogjtë, laraskat, sorrat, korbat, breshkat, zhapinjt, gjarpërinjt dhe boat e rrezikshme. Edhe Kalanë e Kërçovës, ne poetët për dallim nga dita e djeshme komuniste, sot e gjetëm plot bërllok dhe ferra. Asnjë lule, asnjë fontanë, asnjë karrike. Llambat elektrike të rrëzuara në tokë. Terri i kishte rënë mbi kokë. Fatmirësisht, e kishin nxjerrë një zorrë gome ku rridhte uji i ftohtë për kalimtarët e rastit. E dikur, këtë kala e vizitonin grupe turistësh nga e gjitha bota. Kokëulur u kthyem të dëshpruar në hotel. Pas dreke, dhe pushimit të mesditës, e pamë se kush kishte qenë Xha Deralla. Humoristi dhe satiristi madh, që edhe malin me dardha gorrice e kishte shartuar me dardha verore.

Pasdarke, nga malli për humanistin ne e shaluam fantazinë. Për disa çaste e sollëm Xha Derallën në mesin tonë me humor dhe satirë. Orën simbolike satirike e hapi Ibrahim Koça me poezinë e Ali Asllanit: Hani, pini dhe rrëmbeni. Vëllezërit Dervishi i përshëndetën të pranishmit me këngën kërçovare: Në bahçe na ka ra bryma. Lumturi Axhami i dha zjarr e flakë me një këngë dasme. Poetët, pas saj e morën Natën e Madhe në dorë me humor dhe poezi satirike. Njëri pas tjetrit lexuan poezi, rrëfyen barcoleta, edhe anekdota. Dikur, çetës së tyre i erdhi në ndihmë edhe Xha Deralla me anekdotat e tij të egra: Hoxha i katundit, Pajtimi me Kolibaret dhe Xhandarët e serbit.

Ditën e nesërme, u bë edhe përurimi i dy librave të satiristit kërçovar Begzat Rrahmani: Gjarpërinjtë e fushës sterile dhe Eunukët e Haremit. Rreth krijimtarisë letrare të autorit dhe librave diskutoi Bekim Adili. Poashtu, u bë edhe përurimi i numrit më të ri të revistës për humor dhe satirë, që del kur t’i teket ZEKTHI. Tryeza satirike kërçovare u shtrua në mesin e poetëve: Humori dhe satira brez pas brezi e mbajtën gjallë popullin heroik shqiptar në mes të Ballkanit. Atmosferën e ngrohtë satirike e ndezën me diskutimet e tyre rreth humorit dhe satirës nëpër shekuj. Në fund, Tryezën satirike e përmbylli artisti i madh strugan Pajazit Murtishi, që kishte ardhë nga Amerika me një fragment të poemës Naim Frashërit Bagëti e Bujqësi.

Nata e Madhe kërçovare i hapi dyert krah më krah me humor, satirë dhe këngë deri në agim. Poezitë e tyre i lexuan poetët: Gani Xhafolli, Pandeli Koçi, Nikolla Spathari, Begzat Rrahmani, Xhevdet Ukalli, Bujar Plloshtani, Fatmir Musai, Remzi Salihu, Xhelal Ademi, Ilmi Veliu, Ibrahim Koça dhe Kalosh Çeliku.

Pasmesnate, juria profesionale e përbërë nga Reshat Sahitaj (kryetar), Remzi Salihu (anëtar) dhe Kalosh Çeliku (anëtar) i ndau edhe çmimet letrare: për vepër jetësore satirike Nikolla Spatharit, për vepër satirike Iliaz Bobaj dhe për poezi të egër satirike gazetarit dhe humoristit Ibrahim Koça (Date Koçi).

Dita tjetër e nesërme, poetët i përcolli disa në Qafë Thanë, disa në Tetovë e Shkup. Gani Xhafollin në Prishtinë tek 33 dashnoret, që dikur ia rrëmbeu UÇK –ja e pas lufte ia ktheu që të gjitha në numër, në Prishtinë. Vetëm satiristët kërçovar mbetën në Kërçovë me Xha Derallën. Që, vitin e ardhshëm, përsëri të na e shtrojnë sofrën e miqësisë te “Çifliku i Xha Derallës” pranë Përronit Thanës, në fshatin Cërvicë…

Vëllezërit Dervishi zjarr e flakë ndezën Natën e Madhe me këngën kërçovare: Në bahçe na ka ra bryma…

 

Poetët gjatë Orës letrare satirike, percjellin me vëmendje anekdotat e Xha Derallës…

 

Lumturi Axhami me një këngë dasme kërçovare në mesin e poetëve.

 

Këngëtarve Lumturi Axhami dhe Aziz Dervishi ju bashkangjitet në trio edhe satiristi nga Shkodra, Nikolla Spatharri.

 

Këngëtarët:  Lumturi Axhami dhe Vëllezërit Dervishi përcjellin me gaz e lot humorin dhe satirën e poetëve.

 

Xhelal Ademi matanë poetëve: Nikolla Spathari. Pandeli Koçi, Safet Hyseni dhe Remzi Salihu në kulminacion të lumturisë të humorit dhe satirës…



(Vota: 205 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx