| E shtune, 03.11.2012, 03:29 PM |
XHA
DERALLA NA
Nga: KALOSH ÇELIKU
Nga
Shkupi pas Takimeve poetike nën Rrap, erdhëm në Kërçovë. Dhe, e pyetëm një plak
para porte në fshatin Cërvicë: O plak, ku është “Çifliku i Xha Derallës”?
Plaku u
ngritë më këmbë me gjithë mjekrën e bardhë dhe shkopin me kërrabë. Mirëse
erdhët, gra e burra! “Çifliku i Xha Derallës” është në Kërçovë, tek ajo Çuka
pas malit, drejtoi plaku në vend të gishtit tregues shkopin. E shihni atë Çukë
në mes të Qytetit? Atje, është “Çifliku i Xha Derallës”.
Rrugës e
takuam drejtorin e Muzeut të qytetit, Ilmi Veliu. I thamë, jemi nisur për te
“Çifliku i Xha Derallës”. Qeshi. “Çifliku i Xha Derallës” është afër Përronit
të Thanës, në fshatin Cërvicë. E, kush ju dërgoi në këtë anë të Kalasë
Kërçovës?!
Një plak
me mjekër e kësulë të bardhë në kokë.
Përsëri
qeshi, drejtori. Ai ka qenë Xha Deralla. Përmëtepër, ju paska mashtruar, ka
bërë pak shaka edhe kësaj radhe me poetët.
Nuk prish
punë, i thamë ne si burrat. I kuptojmë dhe i duam mashtrimet dhe shakatë e Xha
Derallës.
Ilmi
Veliu, drejtori i Muzeut të qytetit aty për aty doli me një propozim: Meqenëse
e keni bërë gjithë këtë rrugë, mos të ju shkojë mundi kot, pasi ta vizitojmë
Muzeun e Luftës, do të ngjitemi edhe deri te Kalaja e Kërçovës.
Moti,
qysh në fëmijëri kisha dëgjuar se është kalaja e dytë më e bukur në Ish
Jugosllavi. Vite me radhë edhe isha ngjitur dhiareve, qoftë pas ndonjë rrunze
azgane, qoftë pas organizimeve të shpeshta muzikore të asaj kohe duke e
përcjellur natën me rokenrol nëpër disko-klube.
Përçudi,
si kishte ndodhur që kaq gjatë kohë të mos e kisha vizituar Kalanë e Kërçovës.
Fajin me siguri e kishte koha e studimeve në Prishtinë. E më vonë, edhe
arratisja ime si mësues në Drenicë e Malësinë e Shkupit.
Krah për
krahu si poetë iu ngjitëm Kalasë Kërçovës. Rrugës herë pas here Ilmi Veliu na
rrëfente gjurmë të gurëve ilir që ende nuk i kishte hëngër dhëmbi i kohës.
Aty-këtu edhe ndonjë birë shuli në mur me të cilin ilirët e kishin mbyllur
derën. Kalanë e Kërçovës e kishte shkelur edhe këmba e serbit, edhe e romakut,
edhe e turkut, edhe ajo e partizanëve. Secili në këtë kala i kishte lënë të
thella gjurmët deri në ditën e sotshme si pushtues. Vetëm, unë e mbaja në mend
fare mirë Kalanë e pas Luftës së Dytë Botërore, kohën e “artë” komuniste, kur
ajo kala - parajsë ishte e rregulluar bukur dhe mbuluar me lloj-lloj lule.
Ecëm edhe
pak në heshtje rrugës. Unë mendova me vete, me siguri do t’i shohim matanë
pishave sheshet me lule. Edhe pak, arritëm te përmendoret e dëshmorëve
partizanë. Habia e radhës: Ndonjëri pa kokë. Tjetri pa këmbë. Ibe Palikuqi
kishte “ikur” me gjithë trup e kokë. Aty për aty mu kujtua edhe përmendorja e
Skënderbeut që pas lufte trimat kërçovar e kishin hipur në kala. E më vonë, pas
prishjes së miqësisë shqiptaro-jugosllave, e kishin tërhequr pushtetarët për
shkaqe politike. E kishin futur në një kasollë të fshehtë brenda kalasë. Që,
unë gjatë shkollës së mesme sa herë që ngjitesha me shokë në kala, e vizitoja
tinës dhe e shihja se si “bënë” gjumë shekullor heroi ynë legjendar Skënderbe i
strukur në Kala.
Vite më
vonë, më kotë shkoja me shokë te kasolla e Kalasë, Skënderbeu nuk ishte më në
atë vend, nuk kishte as nam as nishan siç thotë populli. Natën ia kishin ndërruar
shtëpinë. Edhe, pyeta për fatin e tij, nuk e dimë mu përgjigjën rojet e Kalasë.
Një përgjigje të tillë merrja edhe nga miqtë e penës. Njëri ma bëri me dije se,
pas ndryshimeve demokratike politike e kishin bërë edhe një kërkesë deri te
partitë politike shqiptare që ta kthejnë përsëri përmendoren e Skënderbeut në
kala. Por, ata u ishin përgjigjur: Përmendoren e Skënderbeut do ta lëmë për më
vonë, kur t’i vijë dita.
Tashti,
edhe e shoh realitetin me sy, pse Xha Deralla na paska dërguar në Kala të
Kërçovës. “Çifliku i Xha Derallës”, kur ne e vizitonim si fëmijë me dhenë,
ishte plot ferra. Vështirë nga aty nxirrnim ndonjë shkop thëne. Ose fyell
shtogu. Banorë të atij çifliku me nam ishin: zogjtë, laraskat, sorrat, korbat,
breshkat, zhapinjt, gjarpërinjt dhe boat e rrezikshme. Edhe Kalanë e Kërçovës,
ne poetët për dallim nga dita e djeshme komuniste, sot e gjetëm plot bërllok
dhe ferra. Asnjë lule, asnjë fontanë, asnjë karrike. Llambat elektrike të
rrëzuara në tokë. Terri i kishte rënë mbi kokë. Fatmirësisht, e kishin nxjerrë
një zorrë gome ku rridhte uji i ftohtë për kalimtarët e rastit. E dikur, këtë
kala e vizitonin grupe turistësh nga e gjitha bota. Kokëulur u kthyem të
dëshpruar në hotel. Pas dreke, dhe pushimit të mesditës, e pamë se kush kishte
qenë Xha Deralla. Humoristi dhe satiristi madh, që edhe malin me dardha gorrice
e kishte shartuar me dardha verore.
Pasdarke,
nga malli për humanistin ne e shaluam fantazinë. Për disa çaste e sollëm Xha
Derallën në mesin tonë me humor dhe satirë. Orën simbolike satirike e hapi
Ibrahim Koça me poezinë e Ali Asllanit: Hani, pini dhe rrëmbeni. Vëllezërit
Dervishi i përshëndetën të pranishmit me këngën kërçovare: Në bahçe na ka ra
bryma. Lumturi Axhami i dha zjarr e flakë me një këngë dasme. Poetët, pas saj e
morën Natën e Madhe në dorë me humor dhe poezi satirike. Njëri pas tjetrit
lexuan poezi, rrëfyen barcoleta, edhe anekdota. Dikur, çetës së tyre i erdhi në
ndihmë edhe Xha Deralla me anekdotat e tij të egra: Hoxha i katundit, Pajtimi
me Kolibaret dhe Xhandarët e serbit.
Ditën e
nesërme, u bë edhe përurimi i dy librave të satiristit kërçovar Begzat
Rrahmani: Gjarpërinjtë e fushës sterile dhe Eunukët e Haremit. Rreth
krijimtarisë letrare të autorit dhe librave diskutoi Bekim Adili. Poashtu, u bë
edhe përurimi i numrit më të ri të revistës për humor dhe satirë, që del kur
t’i teket ZEKTHI. Tryeza satirike kërçovare u shtrua në mesin e poetëve: Humori
dhe satira brez pas brezi e mbajtën gjallë popullin heroik shqiptar në mes të
Ballkanit. Atmosferën e ngrohtë satirike e ndezën me diskutimet e tyre rreth
humorit dhe satirës nëpër shekuj. Në fund, Tryezën satirike e përmbylli artisti
i madh strugan Pajazit Murtishi, që kishte ardhë nga Amerika me një fragment të
poemës Naim Frashërit Bagëti e Bujqësi.
Nata e
Madhe kërçovare i hapi dyert krah më krah me humor, satirë dhe këngë deri në
agim. Poezitë e tyre i lexuan poetët: Gani Xhafolli, Pandeli Koçi, Nikolla
Spathari, Begzat Rrahmani, Xhevdet Ukalli, Bujar Plloshtani, Fatmir Musai,
Remzi Salihu, Xhelal Ademi, Ilmi Veliu, Ibrahim Koça dhe Kalosh Çeliku.
Pasmesnate,
juria profesionale e përbërë nga Reshat Sahitaj (kryetar), Remzi Salihu
(anëtar) dhe Kalosh Çeliku (anëtar) i ndau edhe çmimet letrare: për vepër
jetësore satirike Nikolla Spatharit, për vepër satirike Iliaz Bobaj dhe për
poezi të egër satirike gazetarit dhe humoristit Ibrahim Koça (Date Koçi).
Dita
tjetër e nesërme, poetët i përcolli disa në Qafë Thanë, disa në Tetovë e Shkup.
Gani Xhafollin në Prishtinë tek 33 dashnoret, që dikur ia rrëmbeu UÇK –ja e pas
lufte ia ktheu që të gjitha në numër, në Prishtinë. Vetëm satiristët kërçovar
mbetën në Kërçovë me Xha Derallën. Që, vitin e ardhshëm, përsëri të na e
shtrojnë sofrën e miqësisë te “Çifliku i Xha Derallës” pranë Përronit Thanës,
në fshatin Cërvicë…
Vëllezërit
Dervishi zjarr e flakë ndezën Natën e Madhe me këngën kërçovare: Në bahçe na ka
ra bryma…
Poetët
gjatë Orës letrare satirike, percjellin me vëmendje anekdotat e Xha Derallës…
Lumturi
Axhami me një këngë dasme kërçovare në mesin e poetëve.
Këngëtarve
Lumturi Axhami dhe Aziz Dervishi ju bashkangjitet në trio edhe satiristi nga
Shkodra, Nikolla Spatharri.
Këngëtarët: Lumturi Axhami dhe Vëllezërit Dervishi
përcjellin me gaz e lot humorin dhe satirën e poetëve.
Xhelal
Ademi matanë poetëve: Nikolla Spathari. Pandeli Koçi, Safet Hyseni dhe Remzi
Salihu në kulminacion të lumturisë të humorit dhe satirës…