E enjte, 01.05.2025, 11:00 AM (GMT+1)

Udhëpërshkrim

Emil Lafe: Një komb, një shkollë, një kulturë

E diele, 11.11.2012, 12:53 PM


Librit “Një komb, një shkollë, një kulturë”, botuar nga Instituti i Integrimit të Kulturës Shqiptare, Tiranë, 2012

Nga Prof. Dr. Akademik Emil Lafe

Veprimtaria jonë sot është si ajo rrezja e dritës që përthyhet në një varg ngjyrash, por që qëndrojnë pranë e pranë njëra-tjetrës. Ngjyra mbizotëruese është mesazhi i madh që përcjell titulli i librit “Një komb, një shkollë, një kulturë”! Ky motiv kryesor i librit dhe i takimit tonë ka pranë edhe ngjyrën e dhembjes nga ndarja e parakohshme dhe ngjyrën e përkujtimit e të nderimit që i bëjmë sot të gjithë ne ideuesit të veprimtarisë së Institutit, burrit të mençur e zemërgjerë, atdhetarit e dijetarit, trimit të mirë me shokë shumë, Dr. Ibrahim Gashit. Kjo veprimtari zhvillohet në muajin e shenjtë të 100-vjetorit të Pavarësisë Kombëtare, çka i jep edhe një ngjyrë tjetër të ndritshme, ngazëlluese e frymëzuese. Kjo veprimtari zhvillohet këtu, në tempullin e shkencës shqiptare, në një ndërtesë plot me histori, dhe u shtohet ngjarjeve të mëdha e të vogla, që kanë parë e kanë dëgjuar këto mure e kjo ngrehinë.

Një vit më parë, në shtator 2011, u zhvillua në Tiranë Konferenca e parë mbarëkombëtare me temën:“Studimi i mundësive të përafrimit deri në njësim të programeve e teksteve mësimore në të gjitha trojet shqiptare dhe në diasporë”. Pjesëmarrësit, të ftuarit dhe referuesit në konferencë ishin nga të gjitha trojet shqiptare, veprimtarë me përvojë të arsimit e të fushave të ndryshme të dijes, me tituj e grada shkencore dhe arsimtarë të thjeshtë të përkushtuar ndaj shkollës, njohës të problemeve me të cilat përballohet sot arsimi. Të gjithë i bashkonte përgjegjësia për ecurinë e shkollës si vatra e formimit dhe e edukimit të gjithanshëm të rinisë shqiptare.

Tematika e konferencës qe e larmishme dhe gjithëpërfshirëse, duke filluar nga cikli i ulët i shkollës 8-vjeçare e deri në klasën e fundit të shkollës së mesme. U trajtuan çështje të plan-programeve, të kurrikulave e të teksteve mësimore, çështje të politikës arsimore, çështje metodologjike, çështje të njësimit të mëtejshëm të terminologjisë shkencore shqipe, aspekte të përmbajtjes së lëndëve të veçanta si letërsia e gjuha shqipe, historia, sociologjia etj.; një vend të veçantë në konferencë zunë referimet lidhur me disa shqetësime serioze për pozitën e shkollës shqipe në Malin e Zi, në Luginën e Preshevës, po edhe në Maqedoni; u theksua kërkesa për një edukim më të drejtuar e më të shëndoshë kombëtar të rinisë nëpërmjet njohjes më të plotë të vlerave historike e kulturore të popullit shqiptar.

Nga pikëpamja e shpërndarjes territoriale të referuesve kemi këtë pasqyrë: 11 referues nga Shqipëria shtetërore (4 prej tyre folën për gjendjen e arsimit shqip në Çamëri dhe 2 për shkollat fetare), 6 nga Lugina e Preshevës, 4 nga Kosova, 4 nga Mali i Zi, 3 nga Maqedonia dhe një nga Diaspora shqiptare (Suedia). Le t’i përmendim emrat e referuesve sipas renditjes në libër për ta bërë më konkrete këtë paraqitje: Ibrahim Gashi (Tiranë), Xheladin Murati (Tetovë), Alixhemal Salihu (Preshevë), Fazli Harizi (Mitrovicë), Nail Draga (Ulqin), Nuri Dragoi (Tiranë), Zeqirja Neziri (Shkup), Emil Lafe (Tiranë), Hulusi Hako (Tiranë), Gani e Sadete Pllana (Prishtinë), Bade Bajrami (Preshevë), Xhemaledin Salihu (Preshevë), Skënder Skënderi (Prishtinë), Namik Selmani (Berat dhe Çamëri), Ramiz Zekaj (Tiranë), Mustafa Ibrahimi (Tetovë), Zyba Hysa (Vlorë), Ali Gjeçbritaj (Ostros - Krajë), Ibrahim D. Hoxha (Tiranë dhe Çamëri), Ibrahim Hajdarmataj (Tropojë), Sokol Demaku (Borås - Suedi), Sali Salihu (Preshevë), Shkodran Ismaili (Preshevë), Abdulla Bilalli (Preshevë), Flamur Anamali (Ulqin), Kujtim Mateli (Tiranë), Fatbardh Danja (Tiranë), Murat Gecaj (Tiranë). Referimet e tyre dhe disa materiale të tjera përbëjnë lëndën e këtij libri prej 450 faqesh, i cili po zë vend sot në bibliotekën e shkollës kombëtare, duke ftuar lexuesit e shumtë të interesuar për çështjet që trajtohen aty. Zoti Rezart Gashi, drejtor i Institutit ka bërë një punë të lavdërueshme për botimin cilësor të këtij libri, të përgatitur me kujdes e dashuri nga dr. I. Gashi.

Dihet se veprimtaria arsimore organizohet dhe drejtohet nga shteti, madje edhe kur është fjala për sektorin privat të arsimit. Instituti ynë i Integrimit të Kulturës Shqiptare, i themeluar nga z. Rezart Gashi dhe i udhëhequr nga dr. Ibrahim Gashi nuk është pjesë e administratës shtetërore. Por ky institut e ka gjetur vendin dhe e ka caktuar më së miri rolin e tij për qëllimin që i ka vënë vetes. Instituti ka marrë përsipër të studiojë mundësitë e përafrimit deri në njësim të programeve e teksteve mësimore në të gjitha trojet shqiptare. Ky studim, ashtu siç e ka konceptuar dr. I. Gashi në marrëveshje të njëzëshme me ne të tjerët, anëtarë të Institutit, bëhet jashtë çdo ndikimi politik, fetar apo dasie nacionale. Ai konsiston në njësimin e plan-programeve dhe teksteve mësimore në të gjitha trojet shqiptare, në saktësimin shkencor të elementeve që përbëjnë thelbin e lëndëve shoqërore, siç janë gjuha e letërsia, historia kombëtare e gjeografia rajonale, si dhe të lëndëve të tjera që i pajisin nxënësit me dijet e nevojshme për të qenë sa qytetarë të denjë të kombit e të shtetit të vet, po aq edhe qytetarë të ardhshëm të Bashkimit Europian.

Kjo është e nevojshme, sepse kanë munguar studimet e nevojshme për të nxjerrë në pah të përbashkëtat dhe ndryshimet ndërmjet plan-programeve dhe teksteve shkollore në hapësirën mbarëshqiptare. Veç kësaj problemet e ngjashme të shkollës shqipe në Maqedoni, në Malin e Zi, në Luginën e Preshevës e në diasporën shqiptare nuk kishin qenë në vëmendjen e autoriteteve të arsimit. Gjendja e shkollës shqipe në këto rajone ndonjëherë është edhe dramatike: u imponohet nxënësve shqiptarë të mësojnë të pavërteta e shtrembërime për historinë e tyre kombëtare. Veprimtaria e Institutit tonë për përafrimin dhe njësimin e plan-programeve e të teksteve mësimore nuk duhet të shqetësojë e të trembë askënd, sepse nuk kultivon as urrejtje e as ksenofobi, nuk cenon kombet e tjera fqinje, por vetëm vë në vend të vërtetat historike të shtrembëruara ose të mohuara. Në këtë mënyrë ajo i shërben integrimit të kësaj pjese të Ballkanit në një Europë të qetë e pa konflikte.

Veprimtaria e IIKSH vuri në lëvizje një masë të gjerë të arsimtarëve shqiptarë, duke i bërë pjesëmarrës aktivë e të ndërgjegjshëm të këtij procesi. Kjo lëvizje nga poshtë ndikon që arritjet e këtij studimi të përçohen në dokumentacionin zyrtar të shkollës. Trysnia nga poshtë është gjithnjë e nevojshme për të vënë në lëvizje administratën në mënyrë ajo që të gjejë mjetet dhe rrugët për sendërtimin e kërkesave urdhëruese që shtron koha. Dhe sot koha, për ne shqiptarët, shtron si kërkesë urdhëruese integrimin në një shkallë sa më të lartë brenda nesh. Po kërkohet krijimi i një ekonomie të përbashkët Shqipëri – Kosovë, i një sistemi energjetik të përbashkët etj. Në rrafshin e arsimit e të kulturës detyra jonë mund të përkufizohet si krijimi dhe konsolidimi i një shteti kulturor shqiptar, pavarësisht nga ato që quhen kontekste shtetërore të ndryshme. Kjo është vetëm në dorën tonë dhe ne duhet të realizojmë çdo bashkim, që është vetëm në vullnetin tonë. 40-vjet më parë, pikërisht në këtë muaj dhe në këto salla u mbajt Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe që sanksionoi një gjuhë standarde shqipe për të gjithë shqiptarët sipas parimit “Një komb - një gjuhë letrare kombëtare”. Ky ishte një hap i madh në rrugën e bashkimit. Gjuha e njësuar letrare kombëtare u bë një faktor përbashkues dhe përforcues i vetëdijes kombëtare dhe në çaste kritike historike ajo parullë për gjuhën u shndërrua në parullën “Një komb – një qëndrim”, ndërsa në librin tonë “Një komb, një shkollë, një kulturë”. Fëmijët shqiptarë po e nisin udhën e shkronjave, udhën e diturisë me një abetare të njësuar. Ky është një fillim shumë i mbarë për ato synime që ka Instituti ynë. Të gjitha rrethanat janë më të mbara se kurrë në këtë drejtim. Institutin tonë e presin detyra reja pas konferencës së parë dhe pas festimeve të këtij viti jubilar. Në këtë frymë e me këtë përkushtim le të vijojmë punën e nisur mbarë. Vërtet na mungon dr. I. Gashi, energjia e tij e pashtershme, takti i tij në punë, autoriteti dhe përvoja, vizioni i tij. Por këtë mungesë të ndjeshme do ta kapërcejmë në njëfarë mënyre me bashkëpunimin më të ngushtë ndërmjet nesh dhe duke afruar në veprimtarinë e Institutit dashamirë e vullnetmirë të motos sonë: “Një komb, një shkollë, një kulturë”!

Tiranë, 10.11.2012



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx