E shtune, 27.04.2024, 11:36 PM (GMT+1)

Udhëpërshkrim

Murat Gecaj: Gëzuar 100 vjet pavarësi

E marte, 20.11.2012, 07:22 PM


“NËNË SHQIPËRI, GËZUAR 100 VJET PAVARËSI!”

(Festime masive, në diasporën  shqiptare)

Nga: MURAT  GECAJ

1.

Nuk është aspak e vështirë që, përmes faqeve të ndryshme të internetit, nga media e shkruar dhe ajo elektronike, të informohesh për gjallërimin e jetës kulturore e artistike, për festimet masive të bashkatdhetarëve tanë, në mbarë diasporën shqiptare. Me mallin e pashuar të emigrantëve, që janë me banim të përkohshëm në shtete të ndryshme të botës, ata i kanë zemrën, mendjen dhe sytë e përlotur drejt trojeve amtare. Jam njëri nga ata, që e pejetoj çdo ditë këtë dinamikë e, thënë sinqerisht, ndiej përmallim, kur lexoj për ato, që thashë më sipër. Megjithatë, nuk ka se si të mos ndjehem edhe krenar për bashkëkombësit tanë, të cilët jetojnë e punojnë kudo me dinjitet dhe dallohen ndër të tjerët, për atdhedashuri, zgjuarësi, sinqeritet, besnikëri, urtësi, dashamirësi e tjerë.

Kam mbledhur kaq shumë fakte e lajme, nga fesimet e këture ditëve në diasporën shqiptare, sa nuk di se cilët të përmend më parë. Megjithatë, duke kërkuar mirëkuptimin e bashkatdhetarëve tanë, po shënoj ndonjë prej tyre.

2.

Ja, një lajm i rrallë, tejet i veçantë dhe i gëzuar vjen nga Nju Jorku. Emigranti shqiptar Mark Gjonaj është shqiptari i parë, i cili u votua masivisht dhe fitoi gërën në zgjedhjet lokale aty, duke u bërë kështu anëtar i Asamblesë së kryeqytetit të Amerikës. Ndërsa në një lajm tjetër, po nga ai qytet i stërmadh, lexojmë këto radhë: “Edhe këtu në Nju Jork ndihet atmosfera e festes se 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.  Në Bronks, në bllokun e banimit  “Dardania”, është vendosur një parullë shumë e madhe, e cila lexohet që nga larg dhe ku shkruhen këto vargje:

“Ma kanë mbjellur shekujt, tremijë vjet   Lirinë,/    që të luftoja për Shqipërinë./ Pritëm, tokë e Arberit, pritëm se po vij,/ pa Kosovë, jo, nuk ka Shqipëri!/ Tungjatjeta, vëllezër, djemtë e Dardanisë,/ jam ushtar Kavaje, balli i  trimërisë,/ vëlla’ i  Adem Jasharit, nip’ i Skënderbeut,/ neve do ta “qepim” vetë, hartën e Atdheut!”.

Ndërsa një koleg e mik i mirë, pjesëtar i Shoqatës atdhetare-kulturore “Bijtë e Shqipes”, në Filadelfia të Amerikës, pasi ka informuar për një veprimtari të bukur  festive dhe i jam përgjigjur me një mesazh, njofton plot  me emocione, për një fakt të rrallë: “I dashur Murat! Te falënderoj për fjalët e mira, që na adresoni! 100-vjetori i Pavarësisë do të na bashkojë të gjithëve. Të njoftoj me kënaqësi se, më 28 Nëntor 2012, do ta ngremë Flamurin tonë kuqezi, në qendër të Filadelfias, gjë që ndodhë për herë të parë në emigracionin shqiptar të këtij qyteti. Gjithçka  është miratuar dhe tani presim datën e shenjtë. Me respekt: Vlashi Fili”.

Ndërsa unë e ndieva detyrim ndaj bashkatdhetarëve tanë në Filadelfia, ku janë dhe miqtë e mi Sadik Elshani, Llazar Vero, Hysë Hasa, Ivzi Çipuri etj., që t’i përgjigjesha atij: “O, sa lajm i bukur dhe emocionues, i dashur Vlashi, si për ju dhe gjithë shqiptarët! Sigurisht, këtë gjë ju e meritoni dhe e keni arritur me përkushtim të vazhdueshëm atdhetar. Ju uroj nga zemra e ju përqafoj ngrohtësisht e miqësisht, nga Tirana! Me shume respekt dhe vlerësim të larte për të gjithë ju: Murat Gecaj”.

Po bashkatdhetarët tanë të Shoqatës “Iliria”, me kryetare Ermira Zhurin, në Treviso të Italisë, çfarë kanë parashikuar për këtë festë madhështore?  Ka informime të shpeshta për këtë gjë. Por mendoj se është shumë domethënës  njoftimi-fotomontazh, që ata kanë përgatitur dhe po e bashkëngjes me këtë shkrim. Lexuesi e sheh qartë, se sa bukur e kanë menduar mbrëmjen  e tyre, me shprehjen e zemrave të bashkuara: “Nënë Shqipëri, gëzuar 100 vjet Pavarësi!”

Në një njoftim tjetër lexojmë edhe këto fjalë kuptimplote, për anëtarët e Shoqatës kulturore shqiptare “Mërgimtari”, në Gjermani:

“Ne, si komunitet, ju përshëndesim dhe ju ftojmë që, në qytetin  Kiel, në sallën e madhe të dhuruar nga Ministria e Arsimit Gjerman, duke filluar nga ora 17.00 deri ne 23.00, të jeni edhe ju pjesë e një shfaqjeje, që nuk besojmë se keni parë ndonjëherë te bashkëatdhetarët tanë. Është një shfaqje me të vërtetë shqiptare,  me rastin e Ditës së Flamurit, Ditëlindjes së Adem Jasharit, Ditës kur doli në skenë UÇK-ja, 100-vjetorit të Shtetit Shqiptar edhe pse ende të ndarë, e tëra e organizuar nga Shoqata Shqiptare “Mërgimtari”, e regjistruar në organet shtetërore gjermane”.

Më poshtë thuhet se do të krijohet një mjedis i mrekullueshëm, me kujdesin e Fatmir Krasniqit e Muharrem Durakut, me ketë këngë e valle dhe duke qenë të pranishëm artistë nga Elbasani, si dhe të ftuar nga Ambasadat e Shqipërisë e Kosovës, në Berlin.

Nuk mbeten prapa, në këto veprimtari të bukura dhe masive festive, as emigrantët shqiptarë në vende të tjerë, ndër ta, në Angli dhe në shtetet e Skandinavisë, si në Danimarkë, Norvegji e Hollandë. Ndërsa në Suedi, dallohet Qendra Atdhetare e Kulturore Shqiptare “Migjeni” e Borasit, me veprimtarin e njohur Sokol Demaku; po ashtu Lidhja e Shkrimtarëve, Artistëve e Krjuesve, me kryetar Hysen Ibrahimin. Aty bëjnë pjesë autorë të njohur e prodhimtarë, si Sadulla Zendeli-Daja, Zyrafete Kryeziu-Manaj, Bahtir Latifi,  Remzi Basha, Rizah Sheqiri, Fetah Bahtri, Hamit Gurguri, Murat Koci etj. Janë botuar ose janë gati të dalin nga shtypi disa libra të tyre, me temë atdhetare, kulturore e shoqërore.

Kuvendi i Shqiptarëve të Zvicrës dhe Universiteti Popullor Shqiptar i Gjenevës, në bashkëpunim me shoqatën e Autorëve Shqiptarë “Pranvera-81” dhe shoqatat tjera shqiptare në Nenshatel, i çelën festimet e 100-vjetorit të Pavarësisë, me orët letrare nga autorët e Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, të kryesuar nga Adem Demaçi.

E  lashë për në fund këtë fakt të bukur: Dje, pra  më 19 nëntor 2012, një grup kolegësh nga Tirana ishim të ftuar në mjediset e shkollës 9-vjeçare “Demokracia” të Durrësit, me drejtor Abdyl Buçpapajn. Atje morëm pjesë në festimin e organizuar, nga mësues e nxënës, të 100-vjetorit të Pavarësisë. Të pranishëm ishin disa veta nga qyteti Boras  i Suedisë. Ndër ta, ishin emigrantët shqiptarë, mësuesit e shkrimtarët Sadulla Zendeli (Daja) e Sokol Demaku, si dhe drejtori i shkollës suedeze të qytetit të Borasit, “Fjërdingskolan”, Per Ketisen e mësuesja Sonja Persson, me të cilët kanë lidhje të ndërsjellta binjakëzimi. Gjithashtu, kishin ardhur disa të ftuar nga Kosova, shkrimtarë e mësues, si Adem Zaplluzha e  Kadrije Mëniqi.

Por, ajo që na tërhoqi vëmendjen të gjithëve, ishte se, bashkë me ne, aty ishte edhe mësuesi e shkrimtari Hamit Gurguri, emigrant në Suedi. Me një qeleshe me simbolin e flamurit në kokë dhe me flamurin kuqezi në dorë, ai po e vazhdonte udhëtimin e tij,  më këmbë, nga Drenica e Skënderajt të Kosovës, për në Vlorë, atje ku më 28 Nënntor 1912 u ngrita Flamuri ynë Kombëtar.  Të gjithë ne e përshëndetëm nga zemra  Hamitin dhe i uruam udhëtim të mbarë, bashkë me nismatarë të tjerë nga Kosova.

…Pra, përmbledhurazi, po nënvizoj këtu se shembujt janë të shumtë, entusiazmi është i papërshkruar edhe ndërmjet emigrantëve shqiptarë, në shtete të ndryshme të botës. Gëzimin e festës së 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, natyrshëm, ata e gërshetojnë me veprimtari masive, të zgjedhura e të bukura. Kështu, ata po e dëshmojnë veten, para komuniteteve të vendeve tjera, se shqiptarët janë njerëz të zhvillimeve të raja demokratike në botë, të lirisë dhe pavarësisë së popujve.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora