| E premte, 23.11.2012, 08:00 PM |
Suedezët
në bibliotekën e Durrësit
BIBLIOTEKA E DURRËSIT PRET MIQ NGA SUEDIA
Nga Kadri Tarelli - Durrës
Në
kuadrin e100-vjetorit të Pavarësisë, të hënën pas dite në një nga sallat e
bibliotekës së qytetit të Durrësit u organizua një takim me disa shkrimatrë të
ardhur nga veriu i largët, nga Suedia. Ata ishin Sedulla Zendeli-Daja dhe Sokol
Demaku, të dy veprimtarë që kanë bër emër e po bëjnë punë të madhe në diasporë,
në kushtim të arsimimit në gjuhën shqipe të fëmijëve të bashkatdhetarëve tanë.
Janë të dy shqiptarë, i pari nga trevat e Maqedonisë dhe i dyti nga Kosova, por
që jetojnë e punojnë prej kohësh në Suedi. Në këtë ditë të shënuar të ngjeshur
me veprimtari në Durrës, shoqëroheshin nga publicisti dhe studiuesi Murat
Gecaj, shkrimtari Viron Kona dhe nga Petrit Xhaja autor tekstesh shkollor, të
gjithë të ardhur nga Tirana.
Takimi në
bibliotekë ishte një kërkesë e kaherëshme dhe e shumë pritur. Miqtë zgjodhën
pikërisht këto dit fundnëntori, për të marrë pjesë në festimet e 100-vjetorit
të Pavarësisë në shkollën 9-vjeçare “Demokracia” të Durrësit, e cila prej pesë
vitesh ka lidhje binjakëzimi me shkollën “Fjardingskolan” në qytetin Boras të
Suedisë. Si i thonë fjalës, “Një rrugë e shumë punë”. Kështu mbas emocioneve
nga veprimtaria në shkollë, edhe një bashkëbisedim me shkrimtarë e krijues
durrsak në bibliotekë. Ide dhe qëllim mjaft i dobishëm, njohja dhe afrimi me
njëri-tjetrin, njëkohësisht hartimi i projekteve për lidhje dhe bashkëpunim mes
bibliotekës së Durrësit me një nga simotrat në Suedi. Në fakt duhet thënë se,
të dy shkrimtarët nga Suedia janë të pranishëm për publikun Durrsak nëpërmjet
shkrimeve në revistën “Dituria”, që botohet në gjuhën shqipe në Suedi e që vjen
rregullisht edhe në bibliotekën e Durrësit.
Drejtuesja
e takimit znj. Teuta Dhima me mjaft finesë dhe elegancë, u kërkoi ndjes
pjesëmarrësve për mungesën e drejtoreshës së bibliotekës Znj. Flora Dervishi, e
cila ishte e ftuar të ishte në qytetin e Manastirit, në festimet në përkujtim
të “Kongresit të Manastirit”. Më tej pas
përshëndetjeve të rastit, fjala u mbeti miqëve, të cilët shpalosën përpjekjet plot
atdhedashuri që bëjnë në dhe të huaj, për mbajtjen gjallë të gjuhës dhe frymës
kombëtare tek të gjithë mërgimtarët, në veçanti të fëmijëve dhe të rinjëve. Ata
venë në shërbim të tyre të gjithë fuqitë fizike dhe intelektuale, për
orgnizimin e veprimative të shumta, për të bashkuar të gjithë shqiptarët, që të
mos këputen rrënjët e vendlindjes e të mos
harrojnë dheun e të parëve.
Profesori
i nderuar z. Sadullah Zendelia-Daja, poet, shkrimtar, studiues dhe hartues i
fjalorit shqip-suedisht me 27.000 fjalë, sot i moshuar rreth të tetëdhjetave por
i mbajtur mirë dhe me kujtesë të fortë, solli të gjalla kujtimet e dyzet
vjetëve të shkuar, kur udha e mërgimit e degdisi në Suedi. Vetëm ata që e kanë
provuar kurbetin e dinë dhe i kuptojnë dhimbjet e ndarjes nga vendi yt, e më
pastaj vështirësitë, përpjekjet për mbijetesë e përplasjet që të ofron
emigrimi. Me thjeshtësinë e një itelektuali të vërtetë, bën sikur i harron
vuajtjet e asaj kohe, por sjell në kujtesë përpjekjet për të hapur të parën
shkollë në gjuhën shqipe për 15 fëmijët e shqiptarëve. Ishte koha kur
emigrantët shqiparë mbanin pasaportë jugosllave, e askush në Suedi nuk i njihte
për shqiptarë. Sa e vështirë ishte t’u mbushje mendjen autoriteve vendase, pasi
ata nuk i njihnin problemet e hallet e shqiptarëve. Krahas shkrimeve dhe
botimeve të shumta, “Daja”, emër me të cilin e njohin të gjithë shqipatrët në
Suedi, tani po punon për fjalorin 35.000 fjalësh në të dy gjuhët. Është një
përpjekje e madhe për t’u ardhur në ndihmë bashkëatdhetarëve që jetojnë e
punojnë në Suedi.
Ndërsa
Sokoli, energjik e i palodhur, poet, publicist dhe drejtues emisionesh në
gjuhën shqipe në radio, hartues e botues i revistës letrare-artistike
“Dituria”, anëtar i kryesisë së shoqatës atdhetare “Migjeni”, mësues i
pasionuar, në fjalën e tij u përqëndrua në përpjekjet për shkollimin e fëmijëve
shqiptar dhe edukimin e tyre me norma të demokracisë dhe qytetarisë, ku Suedia
qendron në majat e saj. Fryma e të qenit i barabartë dhe i respektuar, edukohet
që në shkollë, që tek moshat e vogla, pavarësisht rracës, ngjyrës, gjuhës dhe
kombit. Në shkollën ku ai jep mësim fliten 32 gjuhë të botës, por askush nuk
guxon të mendojë e më pak të shprehë dallimet mes tyre.
Më tej
shkrimtari i njohur nga Tirana Viron Kona, autori i më shumë se 30 librave,
fitues i disa çmimeve, i cili ka vizituar dy herë Suedinë, si i ftuar në
promovimin e librit “Eh, more Bubulino”, i përkthyer në suedisht dhe i futur në
programin mësimor të shkollave të atij vendi, u ndal tek bukuria e shpirtit
suedëz. Shembujt që solli shkaktuan të qeshura te të pranishmit: “Provo të
presësh një degë nga pema që ke në oborrin tënd, pa marrë lejë në bashki apo
komunë”! Ne çuditemi, pasi nuk e konceptojmë dot forcën dhe zbatimin e ligjit
edhe nga njeriu më i thjeshtë i atij vendi. Shembujt na bëjnë të mendojmë
brenda vetes, sepse ato shprehin kulturën dhe vendosmërinë e të gjithëve
banorëve që e duan vendin e tyre, ndaj përpiqen ta mbrojnë me fanatizëm
gjelbërimin, mjedisin dhe ekologjinë.
Të
njëjtat përshtypje shprehu edhe Murat Gecaj, i cili para pak muajsh ishte i
ftuar në Suedi. Kështu i’u dha mundësia ta prekë vetë atë realitet që na
mahnit, sidomos në dashurinë për librin dhe frekuentimin e bibliotekave duke
filluar që nga moshat më të vogla.
Në fund
të këtij takimi kaq të ngrohtë, të rinjët gjimnazistë të shkollës “Olsi Lasku”,
gjallëruan sallën. Nxënësit Aleks Llukovi, Fllanxa Shurbi, Sofika Gega dhe
Jesika Osmani, plot art dhe ndjenjë recituan pjesë nga poezitë e Fishtës,
Sadulla Zendelit-Daja, dhe poetes nga Durrësi Gentiana Zagoridha. Mesazhi i
tyre ishte i qartë. Dobia e takimeve të tillë, ndjehet vetëm kur vlerat
njerëzore, humane, letare e artistike përcillen tek të rinjtë. Kështu edukohet
te ata dashuria për librin, duke bërë që të frekuentojnë më dendur bibliotekën,
tempullin e dijes, kulturës e përvojës së shoqërisë. Duke prekur librin, nxisin
deshirën për t’u bërë të dobishëm, pasurojnë shpirtin, fisnikërohen dhe bëhen
më të mir e më të zotë, për t’i shërbyer vetes dhe kombit.
I përbashkët ishte falënderimi dhe urimi: Mirëupafshim ! Më shumë takime të tilla !