E diele, 28.04.2024, 09:58 AM (GMT+1)

Udhëpërshkrim

Driton Gashi: Emocione për Flamurin në Viersen

E enjte, 29.11.2012, 08:34 PM


Emocione për Flamurin në Viersen

Nga Driton Gashi

“Nuk dëshirojmë turbullira dhe ngatërresa, nuk duam të prishet paqja në mes të kombeve që janë në gadishullin e Ilirisë. Dëshirojmë vetëm dhe kërkojmë me gjithë zemër bashkimin e farës shqiptare, përparimin e saj si në punë të mendjes si në lumturi të jetës dhe në begati.”

Me këto fjalë të Atit të kombit shqiptar, Ismail Qemalit, të thëna prej tij në agun e lindjes së shtetit shqiptar, filloi manifestimi jubilar për nder të 100 vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë në Viersen të Gjermanisë perëndimore. Në këtë qytet të vogël, i cili gjendet afër kufirit me Holandën, jetojnë shumë shqiptarë nga të gjitha trevat etnike. Ata janë shumë të angazhuar rreth shkollës shqipe, për t'a ruajtuar dhe kultivuar gjuhën tonë të bukur. Por edhe në shoqërinë gjermane ata e kanë gjetur vendin e tyre. Me shumë firma private, suksese në shkollim të fëmijëve si dhe me shembull të mirë se si organizohet komuniteti shqiptar në mërgatë, këta mërgimtarë kanë lënë gjithmonë mbresa të mira te vendasit dhe te bashkatdhetarët e vendeve tjera. Vetë prania e më se 50 mysafirëve gjermanë, si përfaqësues nga komuna, shkollat, këshillit për integrim etj, si dhe salla e stërmbushur me mërgimarë nga rrethi dhe më larg e dëshmoi këtë gjë. Programin e zbukuruan gocat dhe çunat e shkollës shqipe me këngët, vallet dhe recitimet e tyre me shumë emocion për Flamurin dhe Shqipërinë. Mësuesi i palodhshëm Adem Shala, i cili tash 12 vite punon në këtë rreth, meriton çdo lëvdatë për bashkimin e mërgimtarëve, për angazhimin e tij shumë të madh, që këta fëmijë tanë t'a ruajnë dhe t'a mësojnë gjuhën shqipe ashtu si duhet. Patjetër se meritë të veçantë kanë vetë prindërit, të cilët kanë përkrahur çdo organizim të mësuesit dhe nuk kanë kursyer as mjetet materiale. Falënderim të veçantë u dedikohet edhe sponzorëve të këtij manifestimi.

Komuniteti shqiptar në Viersen ju uron të gjithë shqiptarëve kudo ku ndodhen 100 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë!



(Vota: 3 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora