| E enjte, 29.11.2012, 08:34 PM |
Emocione
për Flamurin në
Nga Driton Gashi
“Nuk dëshirojmë turbullira dhe ngatërresa, nuk duam të prishet paqja në mes të kombeve që janë në gadishullin e Ilirisë. Dëshirojmë vetëm dhe kërkojmë me gjithë zemër bashkimin e farës shqiptare, përparimin e saj si në punë të mendjes si në lumturi të jetës dhe në begati.”
Me këto
fjalë të Atit të kombit shqiptar, Ismail Qemalit, të thëna prej tij në agun e
lindjes së shtetit shqiptar, filloi manifestimi jubilar për nder të 100
vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë në Viersen të Gjermanisë
perëndimore. Në këtë qytet të vogël, i cili gjendet afër kufirit me Holandën,
jetojnë shumë shqiptarë nga të gjitha trevat etnike. Ata janë shumë të
angazhuar rreth shkollës shqipe, për t'a ruajtuar dhe kultivuar gjuhën tonë të
bukur. Por edhe në shoqërinë gjermane ata e kanë gjetur vendin e tyre. Me shumë
firma private, suksese në shkollim të fëmijëve si dhe me shembull të mirë se si
organizohet komuniteti shqiptar në mërgatë, këta mërgimtarë kanë lënë gjithmonë
mbresa të mira te vendasit dhe te bashkatdhetarët e vendeve tjera. Vetë prania
e më se 50 mysafirëve gjermanë, si përfaqësues nga komuna, shkollat, këshillit
për integrim etj, si dhe salla e stërmbushur me mërgimarë nga rrethi dhe më
larg e dëshmoi këtë gjë. Programin e zbukuruan gocat dhe çunat e shkollës
shqipe me këngët, vallet dhe recitimet e tyre me shumë emocion për Flamurin dhe
Shqipërinë. Mësuesi i palodhshëm Adem Shala, i cili tash 12 vite punon në këtë
rreth, meriton çdo lëvdatë për bashkimin e mërgimtarëve, për angazhimin e tij
shumë të madh, që këta fëmijë tanë t'a ruajnë dhe t'a mësojnë gjuhën shqipe
ashtu si duhet. Patjetër se meritë të veçantë kanë vetë prindërit, të cilët
kanë përkrahur çdo organizim të mësuesit dhe nuk kanë kursyer as mjetet
materiale. Falënderim të veçantë u dedikohet edhe sponzorëve të këtij
manifestimi.
Komuniteti shqiptar në Viersen ju uron të gjithë shqiptarëve kudo ku ndodhen 100 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë!