Mendime
Elida Buçpapaj: Opinioni publik i pamanipulueshëm
E merkure, 21.11.2012, 07:43 PM
OPINIONI PUBLIK ËSHTË I PAMANIPULUESHËM, MARRË SHKAS NGA INTERVISTA E REXHEP QOSJES TEK TOP CHANNEL
NGA ELIDA BUÇPAPAJ
Dy ditë
më parë, në kuadrin e 100 vjetorit të Pavarësisë, Akademik Rexhep Qosja i dha
një intervistë nga studioja e tij në Prishtinë televizionit kombëtar Top
Channel, i cili është selektiv me të zgjedhurit e tij. Por kjo është modë për
gazetat e televizionet e Tiranës, po ashtu edhe në Prishtinë, ku gazetaria ka
humbur fytyrën dhe është kthyer në një gazetari klienteliste, sipas sloganit
„më jep, të jap“, duke shkaktuar një boshllëk të pazëvendësueshëm për fjalën e
lirë, e cila duhet të jetë në shërbim të së vërtetës, opinionit publik dhe në
mbrojtje të interesave të vendit. Gazetarët profesionistë dhe me integritet
duhet të ndikojnë edhe tek vetë politikanët. Por integriteti është një fjalë e
hequr nga fjalori i gjuhës shqipe, e cila është zëvendësuar e përçudnuar me:
kush është maskara, ish-spiun dhe nëntëdhjetë e nëntësh është me integritet!
Duke iu
kthyer intervistës së Akademik Rexhep Qosjes, ajo kishte dy qasje, e para, e
një Akademiku, kur fliste si historian i letërsisë, pasi Rilindasit ishin edhe
shtetarët e parë të Shqipërisë të 28 Nëntorit; ndërsa qasja e dytë, e një
militanti zemërak dhe emocional që shkonte deri aty sa i gjente të mira me
bollëk diktaturës kriminale të Enver Hoxhës, merrni me mend deri në planin
ekonomik, të zhdukjes të pronës private, kur vuri re se regjimi totalitarist i
shpëtoi shqiptarët nga varfëria (!!!!) dhe nuk gjeti asgjë pozitive tek Sali
Berisha. Deri sa mbante pozicionin e Akademikut të letërsisë, Rexhep Qosja
ishte OK, bile shumë OK, kur kaloi në planin e avokatit të regjimit
totalitarist dhe prokurorit të Berishës, sepse emocionet e bënë që t'iu ikte
analizave shkencore, atëherë e humbi kredibilitetin dhe ra në pozitat e Saimir
Tahirit apo Gramoz Ruçit do të thoshja.
Këto
rradhë i shkruaj me hidhërim, sepse shoh se nuk po gjendet një njeri, një burrë
që të ndikojë në paqtimin e politikës shqiptare, e cila për çdo ditë e më tepër
po bëhet më konfliktuale dhe më e rrezikshme për stabilitetin e vendit.
Zemërata e Rexhep Qosjes merrte nismën edhe për faktin se nuk pati ftesë
zyrtare me rastin e 100 vjetorit, diçka që e shoh të padrejtë, në frymën e
përçarjes, një frymë e kohës së Sigurimit të Shtetit, e cila po ndihet sot deri
në diasporë. Unë mendoj se Sali Berisha do t’i duhej t'i dërgonte ftesë Qosjes,
pavarësisht marrëdhënieve shumë negative mes të dyve, qoftë qëndrimeve të gabuara
të Qosjes, sepse Berisha po ashtu bën gabime sa të duash. Sepse dikush duhet të
shtrijë dorën. Dhe ai njeri që di të shtrijë dorën na duhet ne sot!
Disa ditë
më parë dëgjova një intervistë të këngëtares dhe aktores shkodrane Justina
Aliaj, një talent shqiptar i djegur për së gjalli nga diktatura, e cila vuri në
dukje se talentet nuk mund të jenë të imponuara nga politika apo nga mediumet e
propagandës, siç bëhej dikur, sepse për ta vendos opinioni publik. Ky është
standarti edhe në Perëndim. Profesionalizmi, aftësitë, kompetencat, talenti dhe
integriteti. Edhe për gazetarinë. Gazetar i mirë është ai që lexohet dhe që
vlerësohet nga opinioni publik,dhe kurrsesi jo ashtu si ndodh në Tiranë ku
opinionit publik i imponohen një tufë opinionistësh pa integritet dhe me
skeletë në sirtarë, të cilët veç kësaj janë mediokër dhe mjeranë.
Në
Shqipëri janë krijuar kushte të jashtëzakonshme për t’u mirëinformuar dhe për
të shprehur mendimet, por kjo përparësi e revolucionit të Teknologjisë
Informatike shpërdorohet dhe ka ndikim negativ tek opinioni publik, sa që e ka
kthyer në domosdoshmëri komunikimin me anë të rrjeteve sociale siç janë
Facebook dhe Twitter, ku qytetarët e zakonshëm shprehin mendimet e tyre në
mënyrë të barabartë me politikanët, praktikë kjo që aplikohet shumë në
Perëndim, ndërsa sa i përket komunitetit shqiptar të internetit ky komunitet
është i mirëpopulluar nga shqiptarë të të gjitha trojeve, ku vend kyesor zë
diaspora, ndërsa prania e politikanëve gati është inekzistente.
Pra me
pak fjalë, televizionet e Tiranës dhe Prishtinës nuk mund t’i diktojnë
opinionit publik mendime apo qëndrime të ambalazhuara, që këta t’i gëlltisin si
medikamente, sepse kështu opinioni publik kthehet në kukull. Ne njohim
politikanë kukulla, gazetarë kukulla, ndryshe të njohur si yesmen, por opinion
kukull në demokraci nuk ka.
Me pak
fjalë, opinioni publik kërkon të vërtetën, e cila është në shërbim të të
gjithëve, përfshi edhe militantët dhe profiterët politikë, ndërsa militantëve
dhe profiterëve politikë u interesojnë të vërtetat e shtrëmbëruara që t’i
përdorin për interesat e tyre të çastit.
Në këtë
rrugë u orientua edhe Akademik Rexhep Qosja në intervistën e tij tek Top
Channel. Dhe ka 20 vjet që segmentet okulte të Tiranës orientojnë
konfliktualitet. Dhe nuk del një burrë që t’u thotë mor zotërinj mjaft më, le
të jemi bashkë, mjaft me folklor politik dhe mjaft me konfliktualitet, le të
bëjmë shtetin. Nuk jemi të parët. Pashko Vasa na e ka thënë me kohë, aleatët
tanë sot po ashtu, ndërsa ju e keni kthyer komunikimin në artin e pamundësisë.
Sidomos sot, me këtë zhvillim të mjeteve komunikimit, pseudoelitat shqiptare
vazhdojnë stereotipin e periudhës staliniste, diçka që opinioni publik nuk e
pranon dot kurrë.
Askush
nuk i vë përballë të vërtetave politikanët shqiptarë, të cilët për konsum
propagandistik, paraqiten si njerëz paqësorë dhe shërbëtorë të përvuajtur të
stabilitetit, dialogut dhe bashkëkomunikimit, të gatshëm t’i shtrijnë dorën
çdokujt, dhe bëjnë mirë, ndërsa me njëri-tjetrin janë si kanibalë, armiq të
përbetuar duke mbjellë këtë klimë monstruoze me pasoja për vendin dhe
shqiptarët.
Para disa
ditësh, kryeministri serb tha se "me Thaçin në kohë lufte ne do të
vriteshim", tani dialogojnë, Ok, jemi fqinj dhe në kushte të reja,
integruese, mendojmë për të ardhmen, ndërsa mes shqiptarëve përse vazhdon
lufta? Kur gjendet gjuha e përbashkët me Daçiqin e përse nuk gjendet midis
nesh! Është shumë e mundur!
Edhe
politikat përjashtuese janë staliniste dhe antishqiptare, të cilat i aplikojnë
me aq sadizëm politikanët shqiptarë dhe sejmenët e tyre që janë televizionet
dhe gazetat - deri tek ambasadat shqiptare në Perëndim - rrezikojnë
stabilitetin. Mjaft më. Të lartësohen vlerat, e vërteta historike të jetë mbi
baza shkencore, historiografia komuniste të hidhet në koshin e plehrave dhe
opinionin publik të mos e ushqejnë me kronikën e zezë për ta sëmurur mendërisht
dhe shpirtërisht, por ta orientojnë njerëz me integritet dhe integriteti të
jetë emëruesi i përbashkët për politikën.
Sepse sot
nuk mund të ecësh me spekulime dhe nuk mund të manipulohet opinioni publik,
sepse rrenat nuk mbahen dot në këmbë. Kështu për shembull në intervistën tek
Top Channel, Rexhep Qosja filloi të krijonte paralele midis regjimit
diktatorial të Enver Hoxhës me atë të Titos. Titoja bënte kërdinë, tha ai, masakronte.
Por, kur u hap diskutimi rreth intervistës së tij në Facebook, një koleg
gazetar vendosi në mur, një shkrim vlerësues të Rexhep Qosjes me rastin e
vdekjes të Marshallit Tito, ku Qosja paraqitej si një titist i flaktë. Atëherë
lind pyetja, kë të besojmë ne opinioni publik, Rexhep Qosjen tek Rudina Xhunga
apo atë që shkruante të zezën në të bardhë?! E përse nuk e pyeti Rudina Xhunga
Akademik Qosjen për këtë shkrim panagjirik që ai kishte shkruar për Titon? Ky
është profesionalizmi. Të tjerat janë pallavra, të cilat opinioni publik por
edhe elitat e vërteta nuk do t’i pranojnë më.
Ndërkohë,
unë nuk harroj as vlerat e Rexhep Qosjes si Akademik, nuk harroj as ndërhyrjen
e tij më 25 tetor 1991 me rastin e largimit të Kadaresë, as „Vdekja më vjen
prej syve të tillë“. Pra pika bashkuese ne kemi, na bashkon gjuha, e cila na
fut në ata kufij që janë të përhershëm, siç po e pranojnë sot politikanët
shqiptarë, gjuha na krijon mundësi komunikimi qytetar dhe intelektual, sepse, e
them me bindje, pa dashur të cënoj askënd, por duke i ftuar të gjithë, se ka
ardhur koha t’i jepet fund propagandës partiake militantiste me prejardhje
staliniste që shërben për të sjellë në pushtet përmes manipulimit ata të cilët
duhet të jenë jashtë politikës.