Mendime
Xhevat Bislimi: Zgjedhjet në PDK paralajmërojnë fundin
E merkure, 31.10.2012, 08:09 PM
Zgjedhjet
në PDK paralajmërojnë fundin e një vazhdimësie
Nga Xhevat BISLIMI*
”Në jetën
e vërtetë, reale, në fushën e veprimit të forcave politike rëndësi vendimtare
nuk kanë, – edhe kjo duhet theksuar patjetër për t’u ruajtur nga të gjitha
llojet e naivitetit politik, - mendjet e ndritura e as bartësit e ideve të
kulluara, por një racë shumë më e ulët e shumë më e shkathët – që janë njerëzit
e prapaskenave”.
(Zhozef Fushe)
Të rregullta apo të jashtëzakonshme
Para
Kryesisë së PDK-së propozimi për zgjedhje është paraqitur si kërkesë e statutit
të Partisë!? E vërteta është se zgjedhjet në PDK prej vitit 2005 mbahen çdo
katër vite. Zgjedhjet e fundit nuk u patën mbajtur pas katër vitesh, por pas
pesë vitesh. Ato u mbajtën në vitin 2010. Shtyrja për një vit ishte krejt e
paarsyeshme. Kuvendi
(Kongresi)
i vitit 2010 u mbajt me një nxitim dhe parregullësi të paparë, me duartrokitje
të zjarrta (ishte dëshirë e “shefit”)! Organet e zgjedhura nga ky Kuvend kanë
mandat katërvjeçar. Dikush thoshte se ky Kuvend (i fundit) është mbajtur sa për
të kënaqur ligjin! Po të gjitha kuvendet dhe veprimet tjera partiake,
institucionale, shtetërore... bëhen për ta kënaqur-respektuar ligjin. Mirëpo,
në PDK statuti dhe rregullat zbatohen si ligji në dorën e Maliqit: zgjedhjet
mund të bëhen edhe pas dy vitesh, edhe pas katër vitesh edhe pas pesë vitesh!
Se si bëhen, pse bëhen, kur bëhen, nga kush bëhen... e di “shefi”! Aspekti
statutar është njëra anë pse këto zgjedhje në PDK do të duhej të ishin të
jashtëzakonshme. Një arsye edhe më e madhe pse këto zgjedhje duhet të ishin të
jashtëzakonshme (nëse do të duhej të mbaheshin në këtë kohë) është
mosfunksionimi i organeve të Partisë.
Kryesia e
PDK-së nuk ka funksionuar dhe nuk ka përmbushur detyrimet statutare –
programore dhe premtimet zgjedhore ndaj degëve të PDK-së, anëtarsisë dhe
zgjedhsëve të saj. Kjo Kryesi kaherë e ka humbur të drejtën e organizimit të
zgjedhjeve “normale” në PDK, sepse kjo Kryesi dhe “shefi” i kësaj Partie e kanë
futur këtë Parti në një jonormalitet gati të pakthyeshëm. Prandaj, këto
zgjedhje do të duhej të ishin (edhe
janë) të
jashtëzakonshme. Një arsye tjetër, po kaq e madhe, për zgjedhje të
jashtëzakonshme është edhe dalja e kësaj Partie dhe e qeverisjes së saj
komunale dhe qendërore nga shtrati, ikja e PDK-së nga vetvetja dhe nevoja
urgjente e (mos)miratimit të këtij shpërfytyrimi të PDK-së me votën e anëtarëve
të saj. Por, kjo do të kërkonte një debat paraprak të gjerë dhe të thellë,
pastaj një identifikim dhe regjistrim të plotë të anëtarësisë (gjë që nuk e
kemi) dhe pastaj zgjedhjen e të gjitha strukturave dhe organeve (nga seksioni e
lartë) sipas sistemit një anëtar, një votë.
Vetëm
kështu do të “kënaqej” dhe respektohej demokracia, si dhe do të verifikohej dhe
respektohej vullneti i anëtarëve të kësaj Partie (pronë e të cilëve është
PDK-ja) për këtë shpërfytyrim dhe për këtë dalje nga shtrati të PDK-së. Vetëm
me këtë proces dhe sistem zgjedhor mund të përmbusheshin këto dy kritere
themelore të një shoqërie
demokratike:
vullneti i anëtarëve dhe demokracia. Kurse zgjedhjet që do të bëheshin do të
vërtetonin dhe përmbushnin vetëm dy kritere themelore të shoqërive të njohura
si jodemokratike: diktatin dhe vullnetin e “shefit”!! Arsyeja e fundit madhore
për Kuvend të jashtëzakonshëm është (mos)llogaridhënia dhe mospërfillja e
organeve të zgjedhura, filozofisë politike, parimeve dhe vlerave themelore mbi
të cilat është ngritur dhe ka funksionuar deri vonë PDK-ja. “Dhunimi”
i hapur i këtyre vlerave dhe i PDK-së ka nisur që nga koha e listave të fundit për deputet, kur në këto lista gjetën vend dhe u bënë deputetë (tashmë dihet edhe nga gurët e sokakut se si u bënë) ata që nuk ishin as anëtarë të PDK-së dhe ata që mund të ishin në shumë vende dhe pozita të rëndësishme të shtetit dhe shoqërisë, por jo në Kuvendin e Kosovës dhe jo në PDK. Ky “dhunim” vazhdoi me formimin e koalicionit, me të cilin edhe Behgjet Pacolli u bë “kryetar” i Kosovës e më vonë zëvendëskryeministër i parë!! Deri këtu nuk kishte fyerje dhe poshtërim më të madh për antarin e PDK-së dhe për Kosovën. Kjo Parti u “dhunua” edhe me “përzgjedhjen” e ministrave. “Dhunimi” i fundit dhe si duket përfundimtar nisi me kërkesën dhe këmbënguljen që PDK t’i mbaj zgjedhjet një vit e gjysmë pas Kuvendit (në kundërshtim me statutin dhe vendimet e Kuvendit të vitit 2005 për kohëzgjatjen e mandatit të organeve të Partisë). Kjo kërkesë nuk ishte e PDK-së. Ajo vinte nga jashtë. Edhe data për fillimin e zgjedhjeve ishte vendosur nga jashtë. Në Kryesi u bë amini, si zakonisht!! Dikush, që de fakto mbante frenat e PDK-së gjatë gjithë kohës po kërkonte të hynte në këtë Parti edhe de jure! Por, nuk mund të vinte si prurjet e deritashme! Ai këmbëngul t’i nënshtrohet një procesi të “rregulltë” zgjedhor, duke u anëtarsuar në një seksion. Ky dhe “zëdhënsi” i tij kanë harruar se ai që anëtarësohet në prag të Kuvendit zgjedhor në Parti mbetet vetëm një anëtar i zakonshëm (në partitë normale dhe demokratike). Por, si duket këta kanë parasysh praktikat e deritashme të PDK-së: edhe pa qenë në Parti shumë u bënë ministra, deputetë…
Pse po bëhen zgjedhjet në muajin festiv të NËNTORIT?
Muaji
NËNTOR, sidomos ky i sivjetmi, është muaj festiv për shqiptarët kudo që janë në
botë. Ky muaj shënon majat e ngjarjeve, datave, figurave dhe fitoreve të kombit
tonë. Më 28 Nëntor Heroi ynë Kombëtar, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, kthehet
dhe ngritë FLAMURIN e qëndresës, luftës për liri dhe Flamurin e Ringjalljes dhe
mbijetesës shqiptare në Krujë. Po më 28 Nëntor, Plaku i Urtë, Ismail Qemali, me
bashkëmendimtarët, bashkëveprimtarët dhe bashkëluftëtarët e Tij ngriti Flamurin
kuq e zi dhe SHPALLI Pavarësinë e Shqipërisë. Ngjarje kulmore, madhore dhe
shpëtimtare për ruajtjen dhe fuqizimin e qenies dhe FARËS shqiptare. Shteti
shqiptar, me kryeqytet Tiranën, përbën vetëm një të tretën apo të katërtën e
Shqipërisë. Por, falë këtij shteti, kësaj SHPRESE, shqiptarët në pjesën më të
madhe të Shqipërisë së pushtuar qëndruan, luftuan, mbijetuan dhe aty-këtu fituan
një pjesë të të drejtave të tyre kombëtare, politike, kulturore e demokratike.
Falë,
kryesisht (pse jo edhe kryekëput), këtij shteti-kësaj SHPRESE në fund të shek
XX u çlirua gati gjysma e Shqipërisë Verilindore, krahina shqiptare e Kosovës e
pushtuar nga Serbia. Në këtë DATË madhore dhe të lavdishme të kombit tonë, më
28 Nëntor, lindi Ai që do të bëhej shpresa, themeli dhe çatia e Luftës
Antipushtuese Çlirimtare në mbarë Shqipërinë Verilindore e më gjerë, deri në
Çamëri, lindi Komandanti Legjendar, ADEM JASHARI. Prandaj, secili shqiptar me
dy bërthama në kokë mund ta kuptoj që edhe SHPALLJA e Ushtrisë Çlirimtare të
Kosovës u bë pikërisht më 28 Nëntor, datë e menduar dhe e zgjedhur nga
drejtuesit e UÇK-së për të dëshmuar vazhdimsinë dhe tërësinë e një kombi, të
një toke (gjeografie), të një gjuhe, të një kulture dhe të një historie, të një
SHQIPËRIE (nuk ndodhi kështu edhe me shpalljen e pavarësisë së Kosovës!!).
Atëherë, si shpjegohet kjo përzgjedhje e datës fillestare (një nëntor) dhe e
muajit për t’i mbajtur zgjedhjet PDK-ja?! Secila parti në Kosovë është
shqiptare dhe e mbushur me shqiptarë. Por, Partia Demokratike është vazhdimësi
kryekëput e Ushtrisë Çlirimtare (pjesa politike). Themelimi i saj është bërë
nga drejtuesit e UÇK-së. Anëtarët dhe dashamirët e saj më të devotshëm, ata që
i dhanë shpirt, gjak dhe jetë, ata që e mbajtën në shpatullat e tyre dhe ata që
i dhanë fitoren këtij vendi dhe pastaj kësaj Partie janë në këtë Parti (ka
ndonjë edhe në parti tjera). Populli shqiptar pa përjashtim, edhe në kushte të
terrorit dhe gjenocidit sllavo-grek, ka jetuar dhe ka shpresuar te ky muaj, te
kjo DATË - 28 NËNTORI, të cilin e festonte edhe në kohën e errësirës dhe
tmerrit që kishte vendosur dhe mbjellur kudo në tokat e pushtuara të Shqipërisë
pushtuesi. Këtë vit po bëhet një shekull-njëqindë vjet liri e pavarësi për një
të tretën e Shqipërisë, njëqindë vjet përpjekje, qëndresë, luftë dhe flijime të
pashembullta për çlirimin e dy të tretave të Shqipërisë nga zgjedha barbare
sllavo-greke. Rezultat i këtyre përpjekjeve është çlirimi i një pjese të madhe
të Shqipërisë Verilindore, Kosovës. Kush do të duhej më shumë se PDK-ja të
festonte me anëtarët dhe strukturat e saj këtë njëqindëvjetor?! Kjo çështje u
bisedua edhe në mbledhjen e Kryesisë, por “fituan” ata që kishin vendosur
jashtë organeve të Partisë që këtë MUAJ të shenjtë, këtë muaj festiv, këtë
KRYEDATË të kombit shqiptar ta “shndërrojnë” në një muaj gare, në një muaj
shtyrjesh me brryla, pështyrjesh, shpifjesh, ndërskamcash... midis atyre që do
të duhej të mendonin dhe organizoheshin për të kujtuar, shënuar dhe festuar
KRYEDATËN dhe KRYFESTËN shqiptare. Kjo udhëheqje dhe kjo Kryesi, po të ishin
ata që ishin, do të duhej të bënin vizita, takime, tubime festive në të gjitha
degët dhe nëndegët e kësaj Partie.
Të bënin një lloj bilanci të punës dhe sukseseve-dështimeve tona, realizimit të programit tonë, nga njëra anë, dhe të ndërtonin projektin-vizionin (pamjen) e të ardmes së kësaj partie dhe të këtij vendi, si pjesë e pandarë e kombit shqiptar dhe e Shqipërisë. Edhe në caktimin e datës së zgjedhjeve “fituan” ata që vazhdojnë ta konsiderojnë “2 korrikun” si datën e lindjes së Republikës së Kosovës, ata që në fytyrën e PDK-së shohin Ibrahim e Ukë Rugovën, Pacollin, Bukoshin dhe pjellën e të majtës dhe të patriotizmit jugosllav, ata që në PDK shohin vetëm “grazhdin” e tyre: pozitat, privilegjet, përfitimet (kryesisht të paligjshme)… Vetëm fytyrën e ADEM JASHARIT dhe emblemën e UÇK-së (shqiptarinë) nuk e shohin dhe nuk do të donin ta shihnin kurrë në fytyrën e PDK-së. Për këtë kategori krejt normale, edhe unë i kuptoj dhe “respektoj” pikëpamjet e tyre. Por, nuk është normale dhe nuk e respektoj kurrë ardhjen dhe angazhimin e tyre në PDK. Nuk është normale dhe është për keqardhje që ambiciet e tyre për rrënimin e vlerave liridashëse, demokratike, kombëtare dhe morale të PDK-së po i realizojnë përmes disa njerëzve “tanë”!! Kjo farë duan që zgjedhjet, pasi ta ladrojnë mirë NËNTORIN e Madh të kombit shqiptar, t’i kurorëzojnë dhe festojnë në prag të 17 Shkurtit, datë shumë e rëndësishme e kalendarit tonë kombëtar, por që rrënjët i ka në muajin NËNTOR dhe pa të do të zhbëhej si bryma para diellit. Më saktë s’do të ishte fare...
Zgjedhjet në PDK për të larguar vëmendjen nga bisedimet me Serbinë
Kosova ka
hyrë në një fazë mjaft “kritike” për “normalizimin” e marrëdhënieve me Serbinë.
Kjo është aq e vërtetë sa nuk besoj se del kush dhe e kundërshton. Por, ky
“normalizimi” i marrëdhënieve mund t’i kërkoj Kosovës dhe popullit shqiptar të
paguaj përsëri një çmim të “vogël” (haraç). Për këtë situatë dhe pozitë të
vështirë të Kosovës, përveç NATO-s (Fuqive të Mëdha, edhe sipas Gjeneralit
Klark), është përgjegjëse Qeveria dhe institucionet që Shpallën Pavarësinë dhe
që po qeverisin edhe sot. Janë këto institucione që nisën mbrapshtë zbatimin e
planit të Atisarit (mjaft i dëmshëm për Kosovën). Në vend se të këmbëngulnin që
zbatimi i planit të Atisarit të niste në Veri kjo Qeveri (e sotmja dhe e
djeshmja) nisën zbatimin e tij në Viti!!
Prandaj,
po them që këtij “ngërçi” i ka ndihmuar mjaft edhe “paria” e Kosovës me
politikat e saj naïve. Por, shqiptarët e PDK-së nuk besoj që do të bien
“viktimë” e këtyre zgjedhjeve. Bisedimet (negociatat, dialogu…) me Serbinë po
më rezulton se janë edhe një arsye tjetër e rëndësishme për mbajtjen e zgjedhjeve
në PDK dhe për “spastrimin” e saj nga ata që, sipas “shefit” nuk po i do
Evropa!! Kjo Evropa që po i “do” dhe respekton Daçiçët e Milosheviçit dhe
Nikoliçët – çetnikët e Sheshelit, kjo Evropë që toleroi dhe po toleron
shovinizmin dhe fashizmin serb në Iliri-Ballkan!! Apo, pse Serbia e ka “majka”
Rusinë, gjë që në marrëdhëniet ndërkombëtare është e “pranueshme” dhe e
“respektueshme”. Vetëm klasa politike e Kosovës vazhdon të besoj se petullat
mund të bëhen edhe me ujë, duke qëndruar duarkryq, ose më saktë, duke u
angazhuar dhe vrapuar natë e ditë vetëm për “vjeljen” e të mirave dhe pasurive
të këtij vendi, por pak e hiç për zhvillimin ekonomik, dhe sidomos mbrojtjen
dhe sigurinë e këtij vendi. Mbrojtja dhe siguria e Kosovës dhe popullit të saj
nuk mund të shihet, siç po shihet, e shkëputur nga Tirana… Por, po të kihet
parasysh përpjekja, angazhimi dhe këmbëngulja e një “grupimi” të fuqishëm
(pushtetshëm) në PDK për ikjen, shkëputjen dhe ndarjen e PDK-së nga e kaluara e
saj, nga vlerat që ishin përmbledhur dhe bashkuar në UÇK, e që ishin vlera të
idealeve të popullit shqiptar, është e “kuptueshme” edhe përpjekja për të ikur,
për t’u shkëputur dhe për t’u ndarë nga Tirana dhe nga identiteti shqiptar i
PDK-së dhe për të përqafuar identitetin imagjinar “kosovar”!!
Si
përfundim do të thoja se zgjedhjet në PDK dhe Kuvendi i saj zgjedhor do të
shënojnë përmbylljen-fundin e një vazhdimësie, kurse një nëntori fillimin e
këtij fundi. Këtë “profeci” e kisha për PDK-në, kurse për Kosovën vazhdoj të
besoj dhe do të besoj gjithmonë se Ajo është e “dënuar” të ecën pandalshëm dhe
pakthyeshëm në rrugën e saj shqiptare. Këto janë procese, që të paktën deri sot
nuk ka mundur t’i ndalë asnjë “grupim”, shtet apo perandori.
Në krye
të këtij shkrimi vendosa një citat të Zh. Fushes, ndërsa në fund të tij po
vendos mendimin e artë të mikut tim, H. S: “Aty ku të gjithë mendojnë si shefi
unë as shef nuk jam, as mendim nuk kam”.
* Anëtar
i Kryesisë së PDK-së, ish-deputet në Kuvendin e Kosovës duke dhënë dorëheqje
kundrejt planit të Ahtisarit, ish-Nënkryetar i Komunës të Vitisë duke dhënë
dorëheqje pas nënshkrimit të Komunës të Kllokotit nga N. Arifi (e bërë në
pabesië të PDK-së).