E diele, 28.04.2024, 11:35 AM (GMT+1)

Mendime

Blerim Ramadani: Të pathënat e Brukselit

E enjte, 25.10.2012, 07:58 PM


Të pathënat e Brukselit

Nga  Blerim RAMADANI

Kanë kaluar plotë nëntë vite që nga takimi i Selanikut (2003), në të cilin, Unioni Europian dërgoi një mesazh të fortë, i cili u dedikohej vendeve të Ballkanit Perëndimor, si një investim afatgjatë në paqen, stabilitetin, demokracinë dhe zhvillimin ekonomik. Në Axhendën e Selanikut UE-ja  nënvizoi "se ritmi i mëtejshëm i afrimit të Ballkanit Perëndimor drejt UE-së varet nga arritjet e secilit vend individualisht në zbatimin e reformave, duke respektuar kriteret e përcaktuara më herët nga UE-ja. Ky do të ishte edhe premtimi më “i drejtpërdrejt“ që kishte bërë Unioni për vendet e Ballkanit Perëndimor. Sot, në përjashtim të Bosnjës, të gjithë vendet mund të krenohen me detyrat e realizuara brenda këtij viti, duke marrë si referencë raportet e Komisionit. Mirëpo, motivi politik edhe këtë herë do të luante rolin kryesor në përpunimin e raporteve vjetore për vendet në fjalë. Interesante mbetet qasja me të cilën Brukseli dëshiron të arrijë ndryshimet institucionale dhe politike në këto shtete. Maqedonia duhet të pajtohet me rekomandimin, i katërti me radhë që i dhuron Komisioni, kthimin e mbiemrit “maqedonas” dhe ndihma që do t’i jap në tejkalimin e dallimeve me Greqinë.

Politika e karrotës në zgjidhjen e problemeve egzistuese

Gjuha me tone inkurajuese, me të cilën flet Komisioni në Raportin e fundit është për t’u admiruar duke na lavdëruar për obligimet e kryera edhe pse ka kohë që ne nuk jemi mësuar më një gjuhë të tillë, që të dëgjojmë lavdërime për arritje, sidomos këtë vit i cili vlerësohet si një vit i mbrapshtë, me shumë probleme në sfera të ndryshme. E vetmja pyetje që sot mund të parashtrohet është se a ka ndonjë plan UE-ja për tejkalimin e dallimeve me Athinën. Greqia, që ditë më parë, nëpërmjet Ministrisë së Jashtme lansoi Propozim Memorandumin e mirëkuptimit, i cili në fakt nuk kishte të bëjë asgjë me “mirëkuptim” por me “kushtëzim”, obligonte palën tjetër, Maqedoninë, që të bëjë lëshimet e kërkuara në rast se dëshiron të rinisin bisedimet me Athinën zyrtare. Ky memorandum nuk ishte i rastit, pasi erdhi pas kontakteve nga Uashingtoni, dhe më pas vizitës zyrtare të eurokomisionerit, Stefan Fyle në Athinë. Pikërisht për këtë edhe më shumë përforcohet teza që pala greke kishte kohë që nuk kishte lëvizur aspak në këtë drejtim. Ajo çfarë habit dhe ngre dilema te shumica e analistëve në përmbajtjen e Raportin Vjetor është fraza …zgjidhja e çështjes „në fazat e hershme të bisedimeve për antarësim“. Komisioni nuk jep afat kohor se edhe sa duhet të presim që të zgjidhet sfida e emrit. Por edhe sikur të jepej data e bisedimeve në dhjetor dhe vendi të fillonte bisedimet me kapitujt e acquis, e drejta e vetos do mbetej përsëri arma më e fortë e Greqisë, e cila do të mund ta shfrytëzonte në çdo kohë, kur ta shihte të nevojshme, duke bllokuar procedurën e antarësimit. Eurodiplomatët bënë thirrje që ky variant, i ofruar si e tillë nga Komisioni Europian në raport duhet të shfrytëzohet në maksimum. I këtij mendimi ishte edhe vetë eurokomisioneri Fyle. Por, në rast se do të duhet të gjindet zgjidhje për problemin në fjalë, ajo çfarë duhet të kuptojnë palët është se njëra anë është e obliguar që të tërhiqet nga vijat e kuqe, tash më të paralajmëruara. Por, cila palë do ta merrte një vendim të tillë dhe guxim që të jepte dritën e gjelbërt!? Të dy anët publikisht kanë kohë që deklarojnë se nuk tërhiqen nga vijat e kuqe dhe këtë e premtuan edhe para zgjedhësve të tyre.

?farë qëndrimi do të mbajë UE-ja për kontestin Shkup-Athinë?!

Ishte pikërisht komisioneri Fyle, i cili në Parlamentin Evropian, por edhe në konferencën për shtyp, e përshëndeti i pari Propozim-Memorandumin e mirëkuptimit që Athina e kishte dërguar në zyrat e Shkupit, duke deklaruar se është një hap para për tejkalimin e problemit. Ai gjithashtu konstatoi se takimi i dhjetorit i Këshillit Evropian është shans i mirë për të tejkaluar dallimet duke aluduar në Maqedoninë. Qëndrimi që do të mbajë Unioni, në këtë rast është se në njërën anë, së pari, ai do mbronte familjen evropiane duke qëndruar përkrah anëtarit të familjes dhe në anën tjetër nuk do t’i shuante shpresat e Maqedonisë për një antarësim të mundshëm në të ardhmen, duke i’u ofruar njëfarë kornizë e cila do të inkurajonte Maqedoninë për të bërë lëshime. Me qëllim që të bindet pala maqedone, nuk është asgjë e rastit që shpesh flitet për tensione ndërmjet Sofjes dhe Shkupit, argument të cilin Unioni do ta përdor si element shtesë për të shantazhuar Maqedoninë duke i’a bërë me dije se zvarritja e procesit mund të inkurajonte fqinjët e tjerë për të bllokuar Maqedoninë, duke aluduar në formulën se çështja e emrit nga kontesti bilateral mund të kalojë në atë rajonal.

Ajo që nuk u tha në Raportin Vjetor u tha nga Fyle

Toni i butë i Komisionit vazhdoi edhe te sfera e mardhënieve ndër-etnike. Komisioni në raportin vjetor për Maqedoninë  konstatoi se “Qeveria me mençuri i’u përgjigj tensioneve ndër-etnike dhe nevojës për t’u përforcuar mardhëniet ndër-etnike, duke përfshirë edhe statusin e të rënve në konflikitin e vitit 2001. Partnerët e koalicionit duhet të vazhdojnë me dialogun që të gjejnë zgjidhje dhe të garantojnë stabilitetin, konstaton raporti. Brukseli konstaton se subjektet politike në pozitë kanë ndikuar pozitivisht në uljen e tensioneve. Konstatime këto që nuk mund të shihen si reale. Pikërisht ishte qeveria e Maqedonisë e cila me veprime të pamatura nxiti tensione ndërmjet grupeve më të mëdha etnike. Është plotësisht e padrejtë të thuhet se subjektet politike ndikuan në uljen e tensioneve. Ishin pikërisht VMRO-DPMNE dhe BDI, gjenerator të krizës ndër-etnike dhe prishjes së dialogut të brendshëm politik. Më i drejtpërdrejtë ishte Shtefan Fyle, i cili në një prononcim të tij theksoi se “është koha që të zgjidhen raportet ndër-etnike, për shkak se 11 vite pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit, përsëri janë shfaqur problemet ndëretnike në vend dhe kjo gjendje seriozisht e frenon integrimin e vendit në strukturat euroatlantike.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora