E enjte, 01.05.2025, 10:08 AM (GMT+1)

Mendime

Ardian Ndreca: Shënime udhtimi në Nepal me rastin e fitores së komunizmit

E shtune, 19.04.2008, 09:21 AM


Ardian Ndreca
Shënime udhtimi në Nepal me rastin e fitores së komunizmit

Nga Ardian Ndreca
     
Kamal Dahali, kryetari i partisë maoiste, sapo shpalli në Katmandu se don me themelue nji republikë komuniste në Nepal.
Ban njifarë përshtypjet me pa sesi kufomat e së kaluemes herë mbas here çohen prej vorresh dhe vendosen në piedestale të kalbuna që u vjen era mort.
Kujt do t’ia kishte marrë mendja se maoizmi sot do të triumfonte dikund në botë! Vetë kinezët ia kanë vu kazmën politikisht mësimeve të timonierit të madh Mao, e qe, çohen nepalezët, nën hijen prej 8800 e sa metrash të Sagaramatës (kështu i thonë ata Everestit) e rrokin Maon e thonë se pa të nuk kanë ymer.
Tash së fundi po më tregonte nji i njohuni jem, nënshkodrak, për nji udhtim të tijin në Nepal e më tërhoqi shumë tregimi interesant që po e shkruej mbledhtas këtu: «Nji herë të vetme kam qenë në Katmandu e nuk më merr ma malli për të. Vetë aeroplani duket si ma i vogël kur fundoset mes malesh të stërnalta në aeroportin e vogël të kryeqytetit nepalez.
Flamuri i tyne, që s’asht tjetër veçse dy trekandësha të kuq njeni mbi tjetrin me do rrotavila të bardhë mbrendë, asht shenj shpreset.
Në Nepal jetojnë gjysma e atyne që lindin, e gjysma e atyne që jetojnë mbërrijnë me mësue shkrim e këndim.
Me mësue nepalezshen për nji të huej dosido as që bahet fjalë. Kjo gja më ka shty me besue se me mësue shkrim e këndim në Nepal asht po aq e vështirë sa me i shpëtue fruthit, tetanozit, meningjitit e shumë sëmundjeve tjera.
Mandej edhe me mësue shkrim e këndim çka duhet, ma mirë me vdekë! Atje kishin mbi 20 gjuhë kryesore e disa gjuhë dytësore të mnershme. Mendimi i parë që më erdhi, ishte se mjerisht nuk e kemi ma Kostallarin me ua dërgue për ndonji javë... sa me ua standardizue gjuhën.
Pse jo? Se mos e ka trajtue shqipen ma mirë se me pasë qenë nepalezshe!
Megjithatë Nepali ka diçka magjike që të kujton Shqipninë, s’e kam fjalën për dy trekandshat e kuq në flamur, por tek fakti se Nepali si organizim shtetnor asht provizor qysh prej vitit 2006.
Edhe Shqipnia asht në tranzicion qysh në fillim të viteve ’90 e ende nuk po vendos me e kalue periudhën kalimtare.
Në vitin 2006 mbreti Gianendra ka pranue me u kthye në nji figurë gati fokloristike, për me shërbye vetëm për ceremonina dhe lojna popullore. Kurse kryetari i partisë maoiste, Kamal Dahali, e ka pseudonimin Praçanda, që domethanë “Tmerri”.
Pseudonimi nuk ka të bajnë me vetitë e tija me promovue me mënyra të shpejta e radikale kulturën apo ekonominë e vendit... e megjithatë në zgjedhjet e para pak ditëve ai fitoi shumicën e votave.
Në Katmandu njohta nji gazetar pehlivan që quhej Patmhuk Viçpathuk. Si emën ngjante me ndonji kafshë mitologjike, por si fytyrë i ngjiste lamave të Amerikës së Jugut e jo veç si fytyrë por edhe si pështymitej pa pra.
Siç më tregonte gazetari i njohtun nepalez Patmhuk Viçpathuk në at’ vend asht kot me folë kur nuk ke kurrgja se çka me thanë. E këtu Nepali m’u duk krejt ndryshe prej Shqipnisë.
Më tregoi se nji herë e kishin shti në burg pse kishte thanë gjatë festës së përvjetorit të mbretit: un e kam dijtë qysh vjet se mbreti simjet ka përvjetorin!
Në nji vend ku veç i pari i din tana, ky kishte qenë nji gabim fatal. Por kur e njohta ma mirë , besova se kishte qenë gabim ma i madh me e lirue prej burgut at’ farë burrit.
Viçpathuku si nepalez që ishte e njihte mirë Shqipninë. Bile më tha se kur kishte qenë i ri, në vitet ’70, kishte punue shumë për njohjen e Shqipnisë në Nepal. Kjo gja më habiti pamasë dhe u tregova kurioz me dijtë diçka ma shumë. Vijoi tue më tregue se si kishte shti kontrabandë prej Kinet veprat e Enver Hoxhës për pakicat kineze në Nepal. M’u duk nji gja shumë interesante. Mandej më tregoi se prej Tirane e kishin ftue njiherë me marrë pjesë në nji kongres të grues, por ai me krenari himalajane nuk kishte pranue kurrsesi ftesën – edhe pse e kishin sigurue se nënkryetari i grues ishte nji burrë. Në fund krejt kur më tha se çka tjetër kishte shti kontrabandë prej Kinet, përzie me veprat e mendimtarit tonë të shquem, e braktisa opinionin e mirë që pata nisë me krijue për të.
Ndër të tjera më tregoi se në Nepal kur duen me sha kend i thonë: fusharak.
Mandej vërejta edhe disa përqasje (sa fjalë e dijshme!) interesante që ndonji studiues do t’i përdorte pa vonue me provue ndonji teori... Çajit në Nepal i thoshin çaj. Mësova se kishte nji qytet që e quenin Patan. Kishin nji lum që i thonin Kosi (ndoshta prej këndej ajo fjala: u ba deti kos!). Kishte nji fis që e quejshin Ketri e nji tjetër Magar. E në fund mora vesht se nuk kishin aspak ministër shendetsie. Duket se ajo gjysma që shpëtonte pa vdekë në fillim e kishte të sigurueme jetën deri në fund».
Këto ishin kujtimet e shqiptarit në lidhje me Nepalin. Vend i jashtzakonshëm që jeton kryesisht me turizëm, me oriz e me thjerrza. Më lindi pyetja: kushedi a do t’i kenë studjue nepalezët që dijnë me lexue veprat e shokut Enver? Ta kishim dijtë se kanë aq mall për të, do t’u kishim nisë edhe origjinalin!
Ndoshta e kanë kuptue me vonesë, mbasi veç tash mbas sa vitesh janë kujtue me shpallë republikën komuniste! Ndoshta leximi i atyne veprave ka ba që Praçanda i tmerrshmi të jetë reinkarnimi i Enverit tonë!
Ndoshta po të kishte jetue shoku Enver në Nepal, ajo kanga e famshme «Enver Hoxha tungjatjeta, sa kto male sa kto shkrepa», do të kishte zanë vend ma mirë, tue qenë se malet atje janë të nalta mbi 8000 mijë metër... ndoshta mund të ishte ende gjallë!?
Gjithsesi e ardhmja e Nepalit tashma dihet: nalt e ma nalt me çartalloz Praçandën në krye e presin fitore të reja...si ato tonat dikur!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx