E merkure, 01.05.2024, 12:02 PM (GMT+1)

Mendime

Albert Zholi: 15 prill Dita Botërore e Punës Sociale

E marte, 15.04.2008, 01:52 PM


15 prill Dita Botërore e Punës Sociale

Nga Albert Zholi

Albert Zholi
Punonjësit Socialë nëpër botë mblidhen sot për të festuar së bashku Ditën Botërore të Punës Sociale, 15 prill 2008. Kjo ngjarje e përvitshme mbahet për të sjellë vëmëndjen tek kontributi i Punës Sociale për shoqërinë dhe qenia e saj pjesë e një dialogu të vazhdueshëm me të gjithë partnerët në lidhje me mënyrën sesi sfidat që lindin nga kushtet shoqërore mund të përballohen nga komunitetet.

Tema e përgjithshme e Ditës Botërore të Punës Sociale është "Puna Sociale – Sjell një Botë me Ndryshime", një nismë kjo e Federatës Ndërkombëtare të Punonjësve Socialë që është një trupë globale e punonjësve socialë në 84 shtete të botës. Tema specifike për festimin e Ditës Botërore të Punës Sociale në Shqipëri është “Puna Sociale – Për Një Shoqëri Ndryshe”; ajo mbështetet nga Shoqata Kombëtare e Punonjësve Socialë – Shqipëri.

Puna Sociale ka sjellë dhe vazhdon të sjellë një kontribut te veçantë në përgjigje të ndryshimeve ekonomike dhe shoqerore e në ndihmë të njerëzve e komuniteteve në vështirësi. Punonjësit Socialë u gjenden këtyre njerezve, duke u përqendruar tek ata në nevojë, në mënyrë që t’u përgjigjen nevojave të tyre e të sjellin ndryshime pozitive në jetët e tyre. Punonjësit Socialë japin një kontribut thelbësor për nxitjen e kohezionit social në kohë ndryshimesh. Ata ndihmojnë e mbrojmë anëtarët në nevojë të komunitetit duke punuar në partneritet me përdoruesit e shërbimeve, komunitetet dhe profesionistë të tjerë, nëpërmjet punës parandaluese por edhe nëpërmjet zgjidhjes së problemeve shoqërore. Rrjedhimisht Puna Sociale përbën një investim jo vetëm në të tashmen, por edhe në mirëqenien e ardhshme të komuniteteve tona.

Pavarësisht vështirësive të fillimit por edhe atyre në vazhdimësi në ndërtimin e themeleve të Punës Sociale në Shqipëri si profesion më vehte, shoqëria dhe komunitetet janë gjithmonë e më shume të ndërgjegjshëm për përfitimet e ndjeshme që vijnë nga ndërhyrja e punonjësve socialë në fusha të ndryshme të jetës ekonomike e shoqërore të vendit. Punonjësit Socialë shqiptarë u përgjigjen në mënyrë të vazhdueshme problemeve më therrëse që shqetësojne shoqërinë tonë sot, duke u përqendruar kryesisht në fushat e kujdesit shëndetësor si ato të shëndetit mendor apo çështje të tjera, mirëqenies sociale si ndihma ekonomike për varfërinë apo aftësinë e kufizuar, sistemet gjyqësore si vendet e ndalimit apo vuajtjes së dënimit, etj., të organizuar si nga strukturat e shtetit shqiptar ashtu edhe nga ato të sektorit jo-qeveritar.

Ndërsa punonjësit socialë janë provuar si të paçmueshëm në kohë emergjencash, si p.sh. gjate krizës së refugjatëve nga Kosova, duke iu përgjigjur nevojave humanitare si shpërndarja e ndihmave, këshillimi dhe rivendosja e lidhjeve të thyera ose të humbaura familjare, arsimimi i fëmijëve në situata emergjence e shumë më tepër se kaq,  egziston ende nevoja për të njohuar e për të përfituar në mënyrë të përhershme nga  shërbimet e tyre në fushat e arsimit apo sektori i biznesit. Një hap i parë mund të jetë institucionalizimi i profesionit të Punës Sociale nga qeveria, në këto sektorë, si dhe bashkërendimi me të gjithë sektorët, duke i dhënë kështu këtij profesioni një status të barabartë me profesionet e tjera.

Shoqata Kombëtare e Punonjësve Socialë – Shqipëri, themeluar në 2003, është një shoqatë profesionale që përfaqëson, mbron dhe nxit zbatimin e të drejtave dhe aspiratat e mbi 1,500 Punonjësve Socialë profesionistë në vend. Ajo synon të nxisë dhe inkurajojë profesionin e Punës Sociale, statusin e tij ligjor, analizën dhe programimin e politikave sociale në Shqipëri, nëpërmjet të mësuarit, zhvillimit, integrimit dhe shpërndarjes së njohurive teorike dhe shkathtësive praktike, si dhe përvojave të specializuara, që shërbejnë për të rritur vlerën dhe efiçiencën e shtetit, institucioneve publike dhe private si dhe marrëdhëniet me institucionet ndërkombëtare. Në mënyrë që të arrijë synimet e veta, ShKPS – Shqipëri bashkëpunon me institucione shtetërore, organizata jofitimprurëse të vendit e të huaja, agjenci të KB dhe agjenci të tjera ndërkombëtare, institucione akademike si dhe organizata biznesi. Ajo është anëtare organizatash ndërkombëtare profesionale të punonjësve socialë si dhe disa rrjetesh profesionalë e tematikë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora