Mendime
Xhoana Perkaj: Shqiptarët në Mal të Zi dhe lufta për liderizëm
E shtune, 19.04.2008, 08:24 AM
Shqiptarët në Mal të Zi dhe lufta për liderizëm
Nga Xhoana M. Perkaj - Koha Javore
Ka qenë një kohë në historinë e shqiptarëve të Malit të Zi kur ne, si etnos, nuk kemi pasur as njerëz të shkolluar e as liderë. Nuk i kemi pasur për shkak se sistemet kanë qenë të tilla, si ai komunist, ashtu edhe ai para tij, i mbretërisë jugosllave, ku shqiptari është konsideruar si qenie më e ulët. Prej këtyre dy sistemeve nuk dihet cili ka qenë më skandaloz dhe më gjakpirës. Sot kur flas për këtë, e përdori termin "skandaloz", dhe kjo është pasojë e një relaksimi psikologjik ndaj një fenomeni qoftë ai edhe kriminel dhe i cili vjen me kalimin e kohës, mirëpo, për etërit tanë, kjo ka qenë çështje e jetës ose e vdekjes. Madje, në Malësi edhe sot ritregohet fjalia e një funksionari të lartë komunist, i cili pat thënë se "shqiptarëve nuk u nevojiten shkollat, sepse ata janë prej natyre të mençur". Një demagogji e tillë na ka përcjellë si etnos gjatë tërë historisë komuniste në këtë trevë. Çfarë kanë bërë etërit tanë për ta përballuar këtë situatë? Ata që arritën që me sakrifica të mëdha të shkollohen jashtë Malit të Zi, me t`u kthyer në vendlindje, u detyruan të shpërngulen në Kosovë, ndërsa, një numër arriti të shkojë në SHBA.
Sot, kemi njerëz të shkolluar, intelektualë të nivelit më të lartë që mund të na reprezentojnë kudo në Europë dhe në botë, si për nga niveli profesional ashtu edhe për nga mënyra e komunikimit dhe maniret personale. Mirëpo, çka po ndodhë? Ballafaqohemi me një problem, ndryshe nga ai i përmendur. Ky është problemi i faktit se qe 17 vjet nga rënia e komunizmit është krijuar një establishment politik i etnosit shqiptar në Mal të Zi, që funksionon si një rreth i mbyllur. Siç janë masonët, p.sh.. Ku është problemi? Problemi është se njerëzit me ide të reja dhe inovative, qoftë në politikë, qoftë në ekonomi ose në kulturë, detyrohen të bëhen peng të një radhitje të tillë të fuqive në skenën politike shqiptare të Malit të Zi. "Aq shumë ditë i çuam kot, të shtrirë, duke ngrënë banana, dhe, ramë në shkallë aq të ulët ..." thuhet në një poezi që i takon rock subkulturës. Po, çka ishte subkultura, e pyet veten një shqiptar mesatar i Malit të Zi. Për një person që ka pasur mundësi të jetojë edhe diku tjetër në truallin shqiptar, është tragjike mbrapambeturia kulturologjike e shoqërisë shqiptare në Mal të Zi. Pra, as që pres që të më kuptojë kush sa i përket terminologjisë së tillë. Pra, ato banana më lart, nuk janë përmendur kot. Me siguri, nuk dëshirojmë që edhe më tutje të na ushqejnë me banana. Sepse, dihet kush ushqehet me banana. "Should I stay or should I go now, if I go it will be trouble "(Të largohem apo të mos largohem, nëse largohem do të ketë problem), është një këngë dashurie që në këtë rast u tregua e përshtatshme për ta cituar.
Kudo në botën demokratike, po flas për demokracinë perëndimore, një mandat politik, në çfarëdo funksioni qoftë, nuk mund të ushtrohet më gjatë se dy mandate. Vetëm te ne, njerëzit thirren në demokracinë perëndimore, ndërsa, mburren me faktin që gati dy decenie e mbulojnë një post qoftë partiak qoftë politik, e në disa raste, ku posaçërisht është për mburrje, i mbulojnë të dy postet. Pyes me ironi, vallë, a ka njerëz të tjerë të aftë në këtë Mal të Zi? Kush është lideri im? Askush! Anglisht lead do të thotë "udhëheqi", pra, kush është ai i cili ka asisoj aftësish për të më udhëhequr mua? Askush! Sepse nuk dua të më udhëheqin njerëzit konservativ, pa vizion, antieuropianë, pa manire personale, pa njohuri të komunikimit interpersonal dhe njerëz autoritarë të cilët nuk dijnë ta respektojnë mendimin e kundërt . Nuk dua të ushqehem me banana, nuk i takoj llojit të shtazëve të tilla dhe nuk dua të më kalojnë ditët kot duke më prirë liderët e amortizuar. Ka kaluar koha madje edhe e një Fidel Castro -s. Këto ditë, trashëgimtari i tij, vëllau Raul Castro, u ka lejuar kubanezve që mund t`i përdorin telefonat mobilë dhe mund të hyjnë në hotele luksoze kubaneze, të cilët deri tani kanë qenë të paraparë për turistët e huaj, pra, populli ka mundur t`i shikojë vetëm prej së largu atë që vetë e ka ndërtuar. Nuk dua ta pres lejen e dikujt që të hyjë në një hotel të tillë. Dua vetë të hyjë kur të më teket. Nuk më nevojitet "lideri" të mendojë për mua dhe të më lejojë të përdori mobitel (ha ha) atherë kur i teket atij?
Në Ballkan është duke ardhur një epokë krejtësisht tjetër. Momenti vendimtar ka qenë shpallja e Shtetit të Kosovës. Kjo tingëllon aq bukur sa që m`u desh ta shkruajë me "Sh" të madhe. Javën që shkoi, Shqipërisë i është drejtuar ftesa për të hyrë në NATO. Pozita gjeostrategjike e shqiptarëve në Gadishull do të jetë pozitë prirëse. Shqiptarët do ta shfrytëzojnë shansin e tyre historik dhe do të jenë partneri kryesor i SHBA-së në Ballkan. Kjo nga shumë shkaqe, e shkaku kryesor është aty se kjo është shansi kryesor, ndoshta i vetmi, që pas shekujve otomane dhe komuniste, t`i bashkohemi mesit tonë të natyrshëm - Perëndimit. Shqipëria dhe NATO do të jenë ajo lokomotivë që do t`i prijë këtij kompozicioni.
Për shqiptarët është duke ardhur një epokë krejtësisht e re civilizuese. Do të kthehemi në Fushat tona të Elizeut për të cilat këndohet në Himnin e Europës. Në Europën e tillë dhe Ballkanin e ri, do të jetë e natyrshme edhe për serbët, edhe pse në këtë moment kjo duket si utopi, fakti se Adem Jashari është heroi më i madh shqiptar që nga koha e Gjergj Kastriotit. Ta rikujtojmë se këtë verë në Novi Sad ka qenë e postuar ekspozita koncepcionale e artistëve nga Kosova, ku si hero i një stripi ka qenë i paraqitur Adem Jashari. Kjo Europë e re, kosmopolite, e bazuar në diversitetin e identitetit sociokulturor, do të vijë shumë shpejt edhe në dyert tona, pra, të shqiptarëve të Malit të Zi. Dhe, unë si individ dëshiroj që mua në atë Europë të më përfaqësojnë njerëzit e kulturës dhe manireve europiane.