E diele, 28.04.2024, 09:39 PM (GMT+1)

Mendime

Afrim Morina: Përpjekje për të na mohuar gjithë historinë kombëtare

E merkure, 16.04.2008, 06:24 PM


Përpjekje për të na mohuar gjithë historinë kombëtare

Radio Televizioni i Kosovës me tryezën e organizuar me datën 14 prill 2008, edhe njëherë ngacmoi plagën më të madhe kombëtare, tendencën për të shpërlarë trurin dhe mohuar historinë.
Për bashkëbisedues kishte marr Nexhmedin Spahiun dhe Migjen Kelmendin tashmë të dëshmuar se paguhen jashtë truallit kombëtar për të përçmuar çdo të arritur kombëtare në gjithë këto vite pas luftës së dytë botërore dhe me të drejtë z. Mehmet Kraja tha, se këta paguhen nga dy ose ma shumë burime, që ndoshta edhe ata nuk e dinë vet (parafrazim). Puna e tyre “patriotike” veç se është bërë projekt i intelektualëve kameleon, të cilët veç jemi mësuar t’i shohim në ekrane televizive si “analitik” të thellë të çështjes kombëtare, që kishin dëshirë të mbanin ison e dy palaçove, por nuk kishin guximin e duhur, sepse ende nuk e dinë se kah do të anojë fitorja.
 
Shkruan: Afrim Morina

Afrim Morina
Çështja e flamurit si temë trajtimi jep për të kuptuar se vret ndërgjegjen e të gjithë përkushtuesve për çështje kombëtare, por jo e atyre sahanlëpirësve, të cilët duke e parë se pas dy muajve nuk zuri vend në masat e gjëra, të paktën në mënyrë simbolike, prandaj autori i emisionit që edhe me anketa të nduarnduarta dhe duke shëtitur nga tema në temë, mundohet qytetarëve t’ua mbush mendjen se edhe ky flamur ka vlerën e vet, do të përdoret, së pari në sporte e kështu me radhë, derisa të hyjë në familjet shqiptare dhe të zë vend të merituar.

Më vjen keq kur heshtin shkencëtarët dhe akademia, jo vetëm e Prishtinës, por edhe ajo e Tiranës, për të kthjelluar kokat tashmë të mykura të politikës dhe pseudo shkencëtarëve dhe të tregojnë se kush jemi “ne” dha “ata” (një përkufizim paksa më i gjerë, sepse këtu hynë edhe shqiptarët e viseve tjera, që veç pranuan liderthit tua japin shpërblim Serbisë, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Greqisë, për rahati dhe kolltuqe, por nuk duhet harruar edhe parat e majme nëpër konto numrat në emër të familjarëve.) “Shkencëtarët” tashmë të dëshmuar për punën e tyre “kombëtare kosovare” që një nga objektivat e tyre i plotësuan politikanët “largpamës”- flamuri dhe emblemën, por shihet se nuk janë të kënaqur sepse ky simbol nuk po zë vend në familjet shqiptare. Ata sigurisht e kanë përcjell fatin e tij që në ditën e parë, kur qytetarët nuk e pranuan dhe nuk valoi as në institucione derisa këtë nuk e garantoi pushteti, por parametrat nuk tregojnë se ka jetë të dëshiruar në popull dhe sipas analizave që i kam bërë, ai mund të përdorët sikur dikur flamuri i Vllasit, pra vetëm zyrtarisht dhe aty këtu nëpër familjet vllasjane.

Edhe njëherë “mençurakët” u munduan të na shpjegojnë se çka është kombi dhe cila teori vlen shkencërisht mbi krijimin e kombit. Madje shkuan aq larg sa edhe na krahasuan me Republika Serpska të Bosnjë Hercegovinë (Kelmendi), si nostalgjik për një Shqipëri të “madhe”, të cilën termë e luftuan të gjithë shqiptarët që kishin pak dijeni dhe ndërgjegje gjer te akademikët, ndërsa sot dalin “baballarët e kombit kosovar” dhe pa kurrfarë turpi e thonë me mburrje. Kanë këta ndërgjegje dhe të krahasojnë shqiptarët me serbët e Bosnjës?! E kush e ka humbur ndërgjegjen për ta gjetur këta mjeranë të apokalipsës kombëtare!
Këta kanë edhe guxim të kritikojnë shqiptarët se kanë përqafuar teorinë e Stalinit për kombin (Spahiu) dhe më këtë donë për të na gjykuar neve që kemi luftuar dhe ende luftojmë për çlirim e bashkim kombëtar, kur dihet se teoria e Stalinit për lindjen e kombeve është teori e pranuar nga shkenca sociologjike, se në vete ngërthen të gjitha atributet që e karakterizojnë kombin komb.
Me këto dy teza, e para krahasuese me serbët e Bosnjës dhe Hercegovinës dhe e dyta me kundërshtimin e teorisë së Stalinit për përkufizimin se çka është kombi, mundohen të hedhin baltë mbi të kaluarën tonë të lavdishme, e cila nuk mund të shlyhet me njerëz të paguar, se të tillë historia e jonë, për fat të keq, kishte edhe më herët (Hamza Kastrioti, Esat Pashë Toptani etj.), por nuk kanë mundur të ndalin rrotën e historisë së kombit tonë, në kundërvënie që nga pushtim turk, Traktatit të Shën Stafanit etj. deri më sot, por nuk arritën të ndalin edhe hapjen e shkollave shqipe, hartimin e alfabetit shqip në Kongresin e Manastirit, drejtimin e luftës kundër nazi-fashizmit, standardizimin e gjuhës shqipe, luftën çlirimtare të UÇK dhe vazhdimësinë e saj për të përmbushur amanetin e të rënëve në altarin e lirisë me flamur kombëtar.
Në këtë debat, autori u mundua të jep edhe kahe tjetër për çështjen e flamurit, duke u munduar të merr një kohë bukur të mirë, që edhe në Shqipëri të ndërrohet flamuri, sepse sipas Kelmendit shqiponja në flamur në ditën e pavarësisë qenka trajtuar si sorrë dhe duhet hequr atë nga përdorimi. Kjo logjikë e të trajtuarit të shqiponjës në sfondin e flamurit të bënë të dyshosh edhe më tepër për burimin e inspirimit dhe parave që i merr ky mjeranë dhe që, jo vetëm gazetën e vet e nxjerrë nga ato para, por paguan edhe debate televizive, për të plasuar ide karpatiane. E dimë se ka pasur edhe të tillë që e kanë quajtur shqiponjën sorrë, por atëherë e kemi ditur se kush kishte mendim të tillë dhe nga kush ishin të yshtur, ndërsa sot na u kanë bërë shumë ysht dhe pak më vështirë e kemi të gjejmë fillin veç e veç. Kjo shqiponjë nuk erdhi nga Ismail Qemali me bashkëluftëtarët e tij, por kjo erdhi nga koha e Skënderbeut nëpër shekuj, duke fituar nga njëra betejë në tjetrën dhe për herë të parë valoi nga luftëtarët e lirisë nën udhëheqjen e Ded Gjo Lulit në majën e Deqiqit dhe tek më vonë Plaku i Vlorës e nxori para luftëtarëve dhe qytetarëve në Vlorë.

Edhe pse në dukje fjalori i tyre duket kozmopolist, ata në vete ngërthejnë gjithë propagandën shesheljane dhe para tij, se shqiptarët janë ardhacakë, komb i shpifur, janë turq, e çka jo tjetër. Soji dhe sorollopi i tyre janë trumbetues të mohimit të pavarësisë së shtetit shqiptar derisa kërkojnë që edhe në Shqipëri të ndërrohet flamuri, i cili simbolizon shtetin komb. Çdo popull sado i civilizuar të jetë ka shenjat e tija identifikimi, ky simbol është reprezentativ që nga krijimi i vetëdijes kombëtare e deri te njohja e tij ndërkombtarisht. Këtë simbol mjaft domethënës ne shqiptarët e kemi që nga koha e të Madhit Skenderbe dhe duhet të jemi krenar se jemi i vetmi komb që në asnjë luftë çlirimtare nuk kemi përdor simbol tjetër dhe shumë shtete evropiane e më gjerë, në lufta pushtuese ose çlirimtare kanë shkuar me flamuj fisesh. Kjo edhe i ka penguar popujt tjerë që kanë interesa gjeostrategjike dhe gjeopolitike dhe kanë gjet shërbëtor për të trumbetuar heqjen e tij nga institucionet shtetërore kudo që përfaqësohen shqiptarët.
Filozofia skizofrenike e “mençurakëve” shkon deri aty sa planifikohet që nëpërmjet sportit të zëvendësohet flamuri kombëtar në ndërdijen e shqiptarëve. Sot kemi në Kosovë shumë ekipe futbolli, por edhe jashtë Kosovës që kanë simpatizantë të flakët përbrenda shqiptarëve, por asnjëherë nuk ka ndodhur që simpatizantët sportivë të dominojnë mbi simpatizantët kombëtarë dhe kjo as që do të ndodhë, sado para të majme të derdhen në këtë drejtim, sepse kaçiku mendor i “analistëve” nuk mund të kalojë dhe ndikojë mbi atë kombëtar, e cila është dëshmuar shumë herë në historinë e përgjakur të shqiptarëve. Kjo mund të vonojë procese, por jo edhe ti anashkalojë, se shqiptarët përjetësisht janë të lidhur me këtë simbol, i cili u ka pri në beteja dhe do të jetë përsëri në ballë të tyre deri në Nëntorin e Tretë.
Është për tu befasuar se sa herë që bëhen debate të tilla, gjithnjë merret Gjeneral Rexhep Selimi, këtë më tepër për ta konfrontuar me rrahagjokset, të cilët mëtojnë të tregojnë se çka kanë bërë për çështjen kombëtare, madje edhe përpjekjet e tyre të pareshtura, por që në realitet dërgojnë ujin në mullirin e armiqve të kombit tonë. Z. Selimi me dinjitet po e mbron vijën logjike kombëtare në harmoni me rrethanat e kohës, por po ngelet zë i vetmuar i emisioneve për të mbrojtur diskreditimin e luftës së shenjtë të çlirimit dhe bashkimit kombëtar. Si duket autori i emisionit këtu e bëri llogarinë pa hangjinë dhe nuk i doli si kishte dëshirë me z. Kraja, i cili pa hamendje e tha troç atë që mendonte për bashkëbiseduesit e debatit, duke mos shpifur asgjë.
Në vend të fillimit. Kam menduar se pas gjithë atyre polemikave mediale për “kombin kosovar” do të heshtet kjo temë, mirëpo të interesuarit për ta na shkruar historinë sipas qejfit, e jo ashtu siç ka ndodhur, duke e parë se misioni i tyre po fundoset, kanë marrë nismë përsëri për t’ia filluar një raundi të ri për këtë teme shumë të dyshimtë për nga theksimi për debat dhe në kuadër të saj të trajtohet edhe çështja e flamurit, kur dihet se pushtetarët jo vetëm se nuk e kishin mandatin e popullit për të luajtur me simbole kombëtare, për të cilët edhe u derdh shumë gjak, sepse kanë marrë bekimin e 32% të elektoratit, por ata bënë lojën më perfide, nga frika se do të ketë kundërshtime shumë të mëdha deri në mospranim e konfrontim fizik dhe nuk u nxor në popull që nëpërmjet referendumit ky “simbol” të vendoset për të na përfaqësuar apo jo në instancat ndërkombëtare, përkundrazi u pranua me duartrokitje në Parlament si sheqerkat e mësuesit nga nxënësit. U luajt loja e referendumit me Kushtetutë dhe u pa se nuk e mori vizën për në Parlament, akt, i cili mund të pësojë ndryshime edhe pas katër vjetësh, mu pse nuk ngërthente përbrenda kopertinave ato që i simbolizon flamuri kombëtar. Edhe përkundër këtij fakti parlamentarët e pranuan me duartrokitje, pa vrarë ndërgjegjen për shlyerjen e historisë kombëtare dhe mohuar territorin dhe lënë në mëshirë të pushtuesit sa të dojë të merr, thua se ajo është tokë private e tyre.
Mallkuar u qoftë dheu i trojeve shqiptare: puthadorëve, butakëve, ushejzave dhe esadistëve!



(Vota: 9 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora