Shtesë » Lajme
Përplasja e laikëve dhe e myslimanëve në Kosovë
E hene, 01.10.2012, 06:03 PM
Reagimet për filmin e profetit Muhamed
Ambasadat e huaja në Prishtinë i janë trembur ndonjë incidenti të mundshëm, jo nga një kategori e qytetarëve vendor, por nga interferimet mundshme të disa individëve nga shtetet arabike që frekuentojnë Kosovën.
Pas publikimin të filmit për profetin Muhamed në rrjetet dhe uebsajdet botërore të internetit, ambasadat e shteteve Evropiane dhe SHBA-së në Prishtinë e pritën me shqetësim reagimin e mundshëm të një kategorie të qytetarëve të Kosovës. U parashikuan skenarë të ndryshëm, sikurse protesta, apo incidente, etj. Ditëve të fundit, fuqia ndërkombëtare vëzhguese kishte intensifikuar takimet në terren me njerëz që janë të afërt me disa imamë fetarë, që përshkruhen se kanë ngarkesa fetare më ekstreme, në Prishtinë, Prizren, Pejë, Gjilan, e Mitrovicë. Ambasadat e huaja në Prishtinë i janë trembur ndonjë incidenti të mundshëm, jo nga një kategori e qytetarëve vendor, por nga interferimet mundshme të disa individëve nga shtetet arabike që frekuentojnë Kosovën. Përkundër kësaj, qytetarët e Kosovës nuk dolën në protesta, shprehën ngushëllime për vrasjen e ambasadorit amerikan në Libi, e u solidarizuan me SHBA-të. Në të njëjtën kohë u shprehën kundër filmit për profetin Muhamed, dhe karikaturat e publikuara në Francë e Spanjë, duke i konsideruar këto si një provokim. Në Kosovë nuk u shënua asnjë reagim në rrugë, e në vendet publike. S’pati protesta. Kjo po komentohet si një përplasje e shumicës së qytetarëve që janë laikë dhe e një kategorie të vogël fetare të imamëve myslimanë në Kosovë, që janë pakicë.