E marte, 25.06.2024, 06:48 PM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

Vrasja e komisarit, zbulohet konflikti

E diele, 16.09.2012, 06:12 PM


Vrasja e komisarit, zbulohet konflikti i Ilir Xhakjes me shoferin e policisë

Nga Dashamir Biçaku

Tiranë  Shefi i policisë së Shijakut, Adem Tahiraj dhe i forti i zonës, Ilir Xhakja kryqëzuan armët përpara se konflikti për bllokimin e makinës të merrte rrjedhën e pakthyeshme. Skena “Western” në fshatin Katund-Sukth, e cila mblodhi mjaft kureshtarë, shënoi kulmin e debatit që do të përfundonte me 5 plumba në trupin e kryekomisarit. Burime të policisë së Durrësit bëjnë me dije se kontrolli rutinë në këtë zonë është nxehur menjëherë pas mbërritjes së Ilir Xhakjes në vendin e ngjarjes edhe për një arsye shtesë: shoferi i shefit të komisariatit. Ilir Xhakja njihej personalisht me shoferin Fatmir Hoxha, pasi ky ishte i afërm i rivalit të tij në zonën e Katundit të Ri. “Kryqëzimi i armëve ndodhi në një moment kur debati mes palëve ishte ndezur dhe më pas acaruar. Shkak ishte bërë ndalimi i automjetit të markës ‘Mercedez Benz’ seria S, në pronësi të nipit të Xhakjes, Ledian Krasnaj”, – ka shtuar një burim nga grupi hetimor për “MAPO”-n. Me të mbërritur aty, Ilir Xhakja ka filluar të debatojë me fjalë me shoferin Fatmir Hoxha, duke e cilësuar të qëllimtë ndalimin e makinës së nipit të tij. Kryekomisari Adem Tahiraj i është afruar dhe për të shuar sherrin, është prezantuar. Por Xhakja nuk ka ulur tonet e forta. Në një moment, personi me precedentë penalë ka nxjerrë një pistoletë “Glock” dhe të njëjtën gjë ka bërë edhe shefi i komisariatit. “Për disa minuta kanë qëndruar përballë njëri-tjetrit me pistoletat në dorë, derisa Tahiraj ka ulur pistoletën”, – thonë burimet e MAPO-s. “Hajt se po merremi vesh dhe shihemi”,- mësohet t’i ketë komunikuar Tahiraj Xhakjes dhe ka futur pistoletën në brez, duke tentuar të ulë gjakrat mes efektivëve të policisë, atij vetë dhe të fortit të zonës. Ka qenë ky momenti që ka shfrytëzuar Ilir Xhakja, i cili ka shkrehur pesë plumba në trupin e shefit të komisariatit. Plumbat e kanë goditur njëri pas tjetrit në ije Adem Tahirajn, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Një fakt i tillë është konfirmuar gjatë këqyrjes së trupit të kryekomisarit të vrarë, si dhe gjatë kryerjes së autopsisë së trupit të të ndjerit në morgun e spitalit të Durrësit. Sipas akti të ekspertimit mjeko-ligjor, tre plumba Tahiraj i ka marrë në brinjën e majtë, një pranë shpatullës dhe të fundit në fytyrë. Kjo situatë ka qenë e papritur edhe për punonjësit e tjerë të policisë, si dhe për njerëzit që ndodheshin aty. Hetimi për këtë ngjarje është fokusuar edhe tek njohja e shoferit të shefit të komisariatit me Ilir Xhakjen, prania e të cilit në operacion duket se e ka bërë atë të dyshojë. Burime të policisë bëjnë me dije se Tahiraj njihet dhe është kushëri i afërt me një familje rivale të Ilir Xhakjes, autorit të dyshuar të krimit. Debati për bllokimin e automjetit mes shefit të komisariatit dhe nipit të Ilir Xhakjes, Ledian Krasnaj, ka nisur kur ky i fundit ka vënë re se në postbllok ishte edhe Fatmir Hoxha. Hetuesit besojnë se ka qenë ky shkaku që i riu është trembur dhe ka thirrur për ndihmë dajën e tij. Mësohet se Fatmir Hoxha mbante detyrën e agjentit të policisë kriminale, por më së shumti kryente detyrën e shoferit të shefit të Komisariatit të Policisë së Shijakut, Adem Tahiraj. Pikërisht prania tij në këtë pikë kontrolli dyshohet se shkaktoi edhe reagimin e Krasnajt duke i telefonuar dajës së tij, Xhakjes, me të cilin sipas burimeve të policisë, ai kishte një lidhje të fortë.

Del ekspertiza e pistoletës “Glock”: Vrau Tahirajn

Në Drejtorinë e Policisë së Durrësit ka mbërritur dje në mesditë akti i ekspertimit për armën e zjarrit, pistoletë e markës “Glock” 9 mm. Ekspertimi balistik i kryer nga specialistët kriminalistë të Institutit të Policisë Shkencore, ka zbuluar se arma është pikërisht ajo nga e cila është qëlluar kryekomisari Adem Tahiraj. Një fakt i tillë u pohua për “Mapon” nga burime të policisë, që thanë se arma është e njëjtë me atë që ka qëlluar pasditen e së enjtes mbi Tahirajn. Sipas tyre në armë është gjetur dhe administruar edhe krehri me 8 fishekë, pikërisht aq sa edhe kishin mbetur në kohën kur Xhakja bashkë me një oficer të policisë së Durrësit dhe dy të afërm të tij u vetëdorëzuan në Drejtorinë e Policisë së Durrësit. Gjatë dorëzimit, Xhakja ka pasur me vete edhe armën e tij “Glock”, prodhim i një marke austriake. Raporti i ekspertimit sqaron qartë të dhënat teknike mbi armën si dhe të dhëna të tjera mbi predhat dhe gëzhojat e bllokuara.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora