E merkure, 04.12.2024, 05:42 PM (GMT)

Shtesë » Lajme

Dioguardi: Shqipëria nuk mund të ecë përpara pa hapur dosjet

E marte, 21.08.2012, 06:36 PM



Ndryshe nga shumë vende të Evropës Lindore dhe Qendrore, Shqipëria nuk është ballafaquar me të krimet e të kaluarës komuniste. Megjithë thirrjet e Perëndimit, dosjet, emrat e aktet e kryera gjatë 45 vjetëve të komunizmit mbeten ende në hije. Këshilltarja për Çështje Ballkanike pranë Ligës Civile Shqiptaro-Amerikane, Shirley Cloyes Dioguardi thotë se pa një ballafaqim me të kaluarën, Shqipëria nuk mund të ketë një të ardhme të qartë dhe të qëndrueshme.

Zëri i Amerikës: Zonja Dioguardi, ju keni ngritur kohët e fundit idenë e nevojës që Shqipëria të hapë dosjet e regjimit komunist. Përse pikërisht tani është i nevojshëm të zhvillohet ky proces?

Dioguardi: Për fat të keq problemi qëndron në faktin se regjimi i parë i zgjedhur në mënyrë demokratike pas komunizmit, nuk i hapi arkivat në atë kohë. Ai u vlerësua për kryerjen e tranzicionit përgjithësisht pa gjakderdhje, duke ditur që Shqipëria përjetoi një nga format më të tmerrshme të komunizmit që ka parë Evropa. Por procesi u shoqërua me mohimin e memories së të gjitha atyre që ndodhën. Në memorien e 5 mijë e 500 të vrarëve nga Enver Hoxha dhe regjimi i Ramiz Alisë që pasoi, dhe të paktën 100 mijë shqiptarëve që u burgosën, syrgjynosën në kampe internimi e pune të detyruar, dita e ballafaqimit me të vërtetën nuk ka ardhur. Jemi në vitin 2012 dhe asgjë nuk ka ndodhur në Shqipëri. Është një realitet i trishtueshëm, pasi ata që i mbijetuan këtij regjimi nuk kanë parë vënien në vend të drejtësisë.

Zëri i Amerikës: Duke qenë se jemi në 2012 dhe ka kaluar kaq shumë kohë, a ka vend më për këtë proces, apo duhet të trajtohet si një temë që tashmë u takon historianëve?

Dioguardi:  Aspak. Kemi një popullatë shumë të traumatizuar që nuk ka pasur rastin të shohë drejtësinë. Xhelatët ende ecin të lirë rrugëve, shumë prej tyre mbajnë poste të rëndësishme në qeveri. Mungesa e këtij procesi ka ndikuar edhe në mbarëvajtjen e funksionit të qeverisë.

Zëri i Amerikës: Të ndalemi tek argumenti lidhur me funksionimin e qeverisë. Vendi dhe qeveria kanë përpara një listë të gjatë përparësish që duhet të përmbushin për antarësim në Bashkimin Evropian. Nga ana pragmatike, sa me vend është hapja e një procesi të tillë që do të kërkojë kohë, fonde dhe energji të shumta institucionale?

Dioguardi: Unë i përmbahem idesë se një prej arsyeve përse Shqipëria nuk është në BE sot, është sepse nuk është ballafaquar me të kaluarën. Vende si Polonia, Rumania, janë në BE; këto vende kanë vite që përpiqen të ballafaqohen me të kaluarën. Nëse nuk kuptojmë të kaluarën e totalitarizmit, nuk mund të kuptojmë të ardhmen; nuk do të mund të ecim përpara. Për fat të keq, ajo që kemi vërejtur në Shqipëri janë dy parti: demokratët dhe socialistët, të cilët në një farë mase e kanë shfrytëzuar këtë histori në interesin e tyre, në të mirë të një elite të vogël politike, në një kohë kur vendi është mbërthyer nga korrupsioni dhe varfëria. Shqipëria nuk ka parë përparim. Nuk shoh rrugëdalje tjetër nga kjo situatë, për këtë arsye vendosa që të dëgjoj rrëfimet e të mbijetuarve. Jemi në 2012 dhe vendi është në qorrsokak. Nuk shoh rrugë përpara pa hapur arkivat, pa parë kush vdiq, kush u burgos, të shohim kush vazhdon të ecë me mentalitetin e së kaluarës në nivelet e larta të qeverisjes, të ngremë një komision për të vërtetën dhe ripajtimin dhe të nxjerrim vrasësit dhe torturuesit para drejtësisë.

Zëri i Amerikës: Pra ju parashikoni një proces që hedh dritë mbi ato që ndodhën, por gjithashtu vë para drejtësisë përmes proceseve gjyqësore, personat që kanë kryer krime.

Dioguardi: Deri diku po. Por vendimet duhet të merren brenda vendit. Në vitin 2011 unë mora vendimin që të flisja me të mbijetuarit dhe të bëja publike historitë e tyre. Unë besoj se duhet të dëgjojmë zërin e të mbijetuarve dhe të mendojmë se ç’mund të bëhet. Nuk u besoj zërave se ky proces do të sjellë një gjak-derdhje të re në Shqipëri. Duhet të hapim një proces ku ish-të persekutuarit të luajnë një rol dhe të krijojnë një plan, së pari me hapjen e arkivave të regjimit komunist. Është detyra jonë që t’i vendosim të drejtat e njeriut në qendër të çdo veprimi që ndërmarrim. Këtu përfshihet edhe hyrja e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Ky proces duhet të jetë pjesë e planit për antarësim në BE.

Zëri i Amerikës: Ka pikëpyetje të shumta që shoqërojnë këtë proces. Nuk ka një garanci të mirëfilltë se dosjet janë të plota, gjë që hedh hije dyshimi mbi procesin. Shumë nga viktimat e persekutimit kanë vdekur, duke e bërë të pamundur marrjen e dëshmive të drejtpërdrejta. Procesi lë vend për pikëpyetje të shumta. Si i shikoni këto shqetësime?

Dioguardi: I kuptoj shqetësimet, por mendoj se duhet të fillojmë me ato që kemi: e dimë që ka viktima që i mbijetuan persekutimit dhe që janë në gjendje të rrëfejnë historinë e tyre. E dimë që ka arkiva që nuk janë bërë publike. Ajo që duhet të bëjmë është të hapim një proces të gjerë – të nxirren të gjitha dokumentat që ekzistojnë, ka arsye për të sjellë edhe ekspertë të të drejtave të njeriut. Nuk do të doja që procesi të dominohej nga të huaj, por ka përvojë të vlefshme nga njerëz që u përfshinë në këtë proces në Kamboxhia, në Ruandë. Nuk mendoj se shqetësimet që ekzistojnë janë shkak për ta braktisur këtë proces.

Zëri i Amerikës: Si do të arrijë opinioni publik ta nxiste hapjen e këtij procesi?

Dioguardi: Ky proces do të vihej në lëvizje nëse në radhë të parë  të mbijetuarit ndjehen të guximshëm sa duhet për të ngritur zërin.

Zëri i Amerikës: Ka shqetësim në masë në Shqipëri se procesi do të shfrytëzohet për përfitime politike, personale dhe për larje hesapesh. Shqipëria nuk ka qenë në këto vite shembull i mirë i vendosjes së drejtësisë mbi hakmarrjen dhe drejtësia mbetet një nga institucionet më të dobëta në vend.

Dioguardi: Nuk e diskutoj këtë fakt. Por një ndër arsyet përse nuk kemi shtet të fortë ligjor dhe që drejtësia mbetet një institucion i brishtë është se nuk ka pasur ballafaqim me të kaluarën. Procesi nuk duhet të drejtohet nga qeveria apo një parti e vetme politike, ka plot institucione që ofrojnë përvojë. E gjithë kjo varet nga vullneti politik, dhe nga dëshira për të bërë më shumë, duke u larguar nga praktika e margjinalizimit të atyre që vuajtën, ose e ngritjes së duarve duke thënë se s’mund të bëhet asgjë, apo me justifikimin se nuk ka shpresë dhe se procesi do të manipulohet për përfitime personale. Nuk e shoh të mundur që Shqipëria të ecë përpara, pa u përballur me të kaluarën. Pikëpamja ime është se i gjithë ky episod i tmerrshëm i historisë së Shqipërisë nën Enver Hoxhën, është në fakt manipuluar nga dy partitë kryesore, ajo demokratike dhe ajo socialiste që nga fillimi i viteve ’90 dhe do të vazhdojë të manipulohet nëse nuk nxirret në dritë ku të dizinfektohet në arenën ndërkombëtare.



(Vota: 3 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora