Shtesë » Lajme
Lazim Destani: Na shtangu ikja e Ali Podrimjes
E hene, 23.07.2012, 07:23 PM
Letër ngushëllimi nga biznesmeni i njohur Lazim Destani, drejtuar Familjes së mikut të tij të ndjerë, Ali Podrimja, Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, shkrimtarëve dhe adhuruesve të fjalës së bukur shqipe si dhe gjithë kombit tonë për humbjen e poetit që me aq përkushtim i këndoi qëndresës kosovare dhe atdheut:
Na shtangu ikja e Ali Podrimjes
Lajmi mbi
ikjen e Ali Podrimjes na shtangu e na bëri të ndjejmë dhembje e boshllëk në zemrat
tona. Në këto momente i përcjell ngushëllimet e mia dhe solidarizohem me
familjen e Ali Podrimjes e cila po kalon ditë të vështira. Me këtë rast, ngushëllimet
e mia ia shpreh dhe Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, ku Podrimja
ishte anëtar i rregullt i saj, si dhe botës së letrave shqipe që humbën një pjesë
nga trupi i tyre. Shuarja e Podrimjes është një humbje e madhe jo vetëm për
familjen, miqtë dhe letërsinë por edhe për kulturën tonë kombëtare në përgjithësi,
pra u shua ylli i poezisë, që deri në frymën e tij të fundit, u këndoi
vuajtjeve, qëndresës, heroizmit dhe lirisë së Kosovës.
Për më se
gjysëm shekulli aktivitet krijues Podrimja kaloi nëpër shumë shtigje jete duke
lënë te të afërmit, miqtë, bashkëkombasit e më gjerë, krenarinë dhe kujtimet më të bukura për të. Mbi
të gjitha, krijimtaria e tij do të mbetet një vlerë e lartë artistike, një model
i lartë poetik për poetët dhe kulturën tonë kombëtare, ndërsa virtytet e larta
njerëzore të tij do të mbeten përgjithmonë në kujtesën e të gjithëve që e njohën
atë.
Zoti e mëshiroftë të ndjerin, u prehtë në qetësi shpirti i tij.