Shtesë » Lajme
Shkëlzen Berisha do 100 mijë € nga “Zëri”
E enjte, 05.07.2012, 06:31 PM
Shkëlzen Berisha, 100 mijë € dëmshpërblim nga “Zëri”
Djali i
kryeministrit Sali Berisha, Shkëlzen Berisha nëpërmjet avokatëve të tij, ka
depozituar në Gjykatën Komunale në Prishtinë një padi kundër gazetës “Zëri”,
ndaj së cilës pretendon 100 mijë euro dëmshpërblim për shpifje dhe shkaktim dëmi
moral.
Në njoftim
për media të avokatëve të Shkëlzen Berishës, siç transmeton Top Channel, thuhet
se padia është ngritur kundër gazetës “Zëri”, kryeredaktorit të saj Astrit
Gashi dhe gazetarit Enis Veliu dhe përveç kompensimit financiar për dëmin
moral, kërkohet edhe heqja e artikullit nga faqja në internet e gazetës “Zëri”.
Më datë 16
prill të këtij viti, gazeta “Zëri” në Kosovë publikoi një artikull me titull “Sali
Berisha me ‘mafinë’ serbe kundër Kosovës” dhe në brendi flitej për një takim të
djalit të kryeministri shqiptar me biznesmenin serb, Vuk Hamoviq, njëri nga
njerëzit më të pasur në Ballkan, i cili operon në këtë biznes, në bashkëpunim
me Damir Fazliq, janë takuar në Vjenë të Austrisë me djalin e kryeministrit,
Shkelzen Berisha.
Gazeta
shkruan se biznesmenët serbë kanë paguar shuma të mëdha parash tek instancat e
larta shtetërore në Shqipëri për të penguar ndërtimin e linjës së intekonjeksionit
mes dy vendeve duke bërë që Serbia të sigurojë monopolin e furnizimit me
energji për Kosovën, pasi kjo e fundit të vetmen rrugë importi, ka aktualisht
vetëm fqinjin verior.
Gjatë muajit
qershor Bordi i Këshillit të Mediave të Shkruara në Kosovë, kishte hedhur poshtë
ankesën e Shkëlzen Berishës, i cili kishte kërkuara të përgënjeshtrohet pjesa e
artikullit ku thuhet se ai është takuar me këta biznesmenë dhe të kërkojë ndjesë
ndaj tij.
Nga ana e saj gazeta “Zëri” thotë se zotëron provat dhe faktet e nevojshme që vërtetojnë të gjitha ato që janë shkruajtur në artikullin e datës 16 prill.