E shtune, 27.04.2024, 08:05 PM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

Ibush Hetemi: Nga Prizreni heroik, mesazh i qartë për Ribashkim Kombëtar

E shtune, 23.06.2012, 12:28 PM


Kumtesë

Nga Prizreni heroik, mesazh i qartë për Ribashkim Kombëtar

Nga Ibush Hetemi, FBKSH

Në Prizren, Fronti Bashkimit Kombëtar Shqiptar si edhe Aleanca Kuq e Zi, organizuan një tribunë politiko artistike. Nga ky eveniment u përcollën disa mesazhe shumë të qarta. Vullnetin e popullit shqiptar të të gjitha trojeve shqiptare duhet çmuar, respektuar dhe miratuar, e ajo është Ribërja e Shqipërisë Etnike.

Sot,  këtu në Prizren jemi mbledhur  së bashku për të përkujtuar një ndër datat më të rëndësishme në Historinë e popullit shqiptar. Siç po shihni në këtë eveniment jemi bashkuar nga të gjitha trojet shqiptare. Kjo datë historike ne shqiptarëve na ka bashkuar jo vetëm sot, por sot më shlirshëm shqiptarët kudo që janë, janë bashkuar  rreth flamurit kuq e zi, flamurit tonë kombëtar, shqiptarët sot kudo që janë bashkojnë mendjen, zemrat dhe idealin e tyre për Ribashkim  Kombëtar. Pikërisht sot mbushen 134 vjet qysh kur u mbajt një takim me karakter politik e ushtarak  në Prizrenin e bukur. Pra, 10 Qershori 1878  ishte  momenti më domethënës në Historinë  Heroike të popullit  shqiptar. Në atë kohë të gjitha energjitë e popullit tonë, patriotizmi i tij i pashoq, dashuria për atdheun, për tokën, për gjuhën, përpjekjet e tij politike dhe diplomatike e bashkuan atë si një grusht të vetëm për t’i bërë ballë popujve me apetite grabitçare për trojet shqiptare, sepse armiqtë tanë për rreth nesh, ishin organizuar kundër nesh dhe trojeve tona.

Këtë ngjarje të madhe historike, siç ishte Lidhja Shqiptare e Prizrenit e përkujtojmë me admirim dhe nderim të   jashtëzakonshëm, sepse ishte, është dhe do të jetë frymëzim për kryengritjet dhe luftërat e mëvonshme, ishte Kuvend i pashembullt se si duhet organizuar dhe dalë në mbrojtje të atdheut.

Lidhja Shqiptare e Prizrenit nuk ishte vetëm një mbledhje udhëheqësish të shquar politik dhe një mbledhje idealistësh, por ajo përfaqësonte vullnetin e gjithë Kombit Shqiptar. Ata nuk u kufizuan në ndonjë memorandum shterpë. Ata shumë heret e kishin kuptuar se pushtuesit dhe tradhtarët, cilët do qofshin ata, me çdo petk dhe ngjyrë që të vishen dhe me çfarëdo ideologjie që të mbulohen, çështjen e madhe të popullit shqiptar nuk do të mund ta shuajnë dot kurrë. Ajo çdo ditë që po kalon po forcohet dhe po rrënjoset në zemrat e shqiptarëve kudo që janë. Kongresi i Berlinit dhe vendimet e tij ishin ato të cilat i sakatoi dhe i përgjysmoi tokat Shqiptare. Në këtë Kongres morën pjesë përfaqësuesit e gjashtë fuqive të mëdha, të cilët përkrahën copëtimin dhe aneksimin e tokave shqiptare, në favor të fqinjve sllavo-ortodoksë. Ndonëse në Kongresin e  Berlinit do të flitej edhe për  fatin e popullit shqiptar, delegacionin të cilin e dërgoi Lidhja Shqiptare e Prizrenit, nuk u pranua të  fliste në Kongres. Në ketë mënyrë, Kongresi i Berlinit e trajtoi Shqipërinë  si plaçkë  tregu dhe e bëri objekt copëtimi në favor të shteteve fqinje ballkanike. Këto vendime cenonin rëndë  të drejtat dhe interesat kombëtare  të popullit shqiptar. Prandaj, ato e shtuan edhe më tepër zemërimin e shqiptar. Nga të katër anët pati protesta masive  kundër copëtimit të trojeve Shqiptare. Njëqindmijë kilometra katrorë, 134 vite robëri, prandaj ishin bijtë e shqipes që ishin atëherë dhe  do të dalin përsëri edhe sot, t’i shërojnë plagët e robërisë, duke ia mbledhur tërësinë atdheut  të copëtuar e të nënshtruar. Veprat  kundër popullatës shqiptare, antinjerëzore dhe gjenocidale, nëpërmes  luftërave, flakës së zjarrit, dhunës, vjedhjes dhe terrorit, grabitqarët e tokave shqiptare gjithmonë kanë vepruar pa e pasur kujdesin dhe mirëkuptimin! Ndërsa, bota e civilizuar, BE-ja, asnjëherë nuk i gjykoi dhe  asnjëherë nuk u dha dënimin e merituar kësaj barbarie ndaj popullit liridashës shqiptar. Megjithatë, shqiptarët duke e pasur idenë dhe konsideratën për pavarësi dhe Ribashkim Kombëtar, i kanë dalë  përballë gjithë këtyre makinerive vrastare dhe e kanë bërë kërkesën legjitime dhe të drejtë për Ribashkimin e të gjitha trojeve shqiptare në një shtet, që do të ishte e drejtë juridike, historike dhe natyrore, e pse jo edhe njerëzore që gjithë shqiptarët të jetojnë në një shtet, një komb, një flamur, një gjuhë..., e kuptojmë se gjërat nuk do të ishin aq të thjeshta, por një çështje është e sigurt:

1. Paqja dhe stabiliteti politik e ekonomik në Ballkan dhe më gjerë do të jetësoheshin dhe stabilizoheshin.

2. Pretendimet gllabëruese territoriale ndaj trojeve shqiptare do të ndërpriteshin.

3. Populli Shqiptar do të fitonte respektin dhe krenarinë, të cilën e meriton dhe e ka merituar që ta kishte shumë vite më parë, si populli me kulturë dhe lashtësi më të vjetër në Ballkan dhe Evropë.

4. Shqiptarët do të bëheshin një forcë ushtarake dhe ekonomike në Ballkan dhe Evropë, e cila do të kishte rol vendimtar për qetësinë, paqen dhe stabilitetin në rajon.

5. Të drejtat e popujve për vetëvendosje nuk do të mateshin me kutin e forcës, por me forcën e sundimit të Ligjit të së drejtës, respektimit të pakicave dhe të drejtat themelore elementare të njeriut.

Prandaj, me plotë gojën mund të ripërsërisim atë që e ka thënë:

Prof. Dr. Noel Malkolm:  citojmë “ Bashkimi i shqiptarëve nuk e kërcënon, as nuk e  rrezikon Ballkanin, por përkundrazi e forcon paqen dhe stabilitetin”.

Këtë vlerësim objektiv dhe të qëndrueshëm, duhet ta kenë parasysh dhe ta mbajnë mirë në mend, jo vetëm klasa politike tani në pozitë dhe opozitë, por edhe i gjithë faktori ndërkombëtar, e në veçanti ata që janë anti-bashkim qofshin shqiptarë apo të tjerë. Duke qenë se anti-bashkimi është simetrik me koherencën e robërisë kolonialiste sllave mbi shqiptarët dhe mbi Shqipërinë Etnike, atëherë me të drejtë shtrohet pyetja: Kush janë ata historianë, politikanë, diplomatë, shtetarë, shkencëtarë e publicistë dhe analistë shqiptarë që në forma të ndryshme janë dhe mbështesin anti-bashkimin? Do të citoja Prof. dr. Mehdi  Hysenin  e  nderuar, i cili ka thënë: Ribashkimi kombëtar nuk është aksion gueril, as aksion humanitar fakultativ i vjeljes së  “frutave të hershme” të politikës ditore dhe të rishkrimit të historisë me porosi të huazi-historianëve, por është postulat i detyrueshëm dhe i zbatueshëm gjithëkombëtar shqiptar. Pra, kërkesa  shqiptare për ribashkimin e tyre nuk nënkupton kurrfarë rreziku, kurrfarë shfaqje të ndonjë konflikti të ri, por do të rindërkombëtarizonte dhe përshpejtonte zgjidhjen e konfliktit kolonial shekullor të tyre dhe gjysmës së Shqipërisë Etnike.

Në fund FBKSH-ja u bënë thirrje parlamenteve dhe qeverive shqiptare, akademive dhe gjithë subjekteve politike, figurave të ndritura kombëtare, gjithë popullit shqiptar, pa dallim feje apo ideje, të bashkojnë fuqinë ekonomike dhe të mendjes, që të punojnë për ribërjen e Shqipërisë Etnike, sepse ua kemi borxh para Zotit dhe para popullit gjeneratave të ardhshme.

Rroftë e qoftë për jetë e mot Shqipëria Etnike!



(Vota: 2 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora