| E shtune, 23.06.2012, 12:28 PM |
Kumtesë
Nga
Prizreni heroik, mesazh i qartë për Ribashkim Kombëtar
Nga Ibush
Hetemi, FBKSH
Në Prizren,
Fronti Bashkimit Kombëtar Shqiptar si edhe Aleanca Kuq e Zi, organizuan një tribunë
politiko artistike. Nga ky eveniment u përcollën disa mesazhe shumë të qarta. Vullnetin
e popullit shqiptar të të gjitha trojeve shqiptare duhet çmuar, respektuar dhe
miratuar, e ajo është Ribërja e Shqipërisë Etnike.
Sot, këtu në Prizren jemi mbledhur së bashku për të përkujtuar një ndër datat më
të rëndësishme në Historinë e popullit shqiptar. Siç po shihni në këtë eveniment
jemi bashkuar nga të gjitha trojet shqiptare. Kjo datë historike ne shqiptarëve
na ka bashkuar jo vetëm sot, por sot më shlirshëm shqiptarët kudo që janë, janë
bashkuar rreth flamurit kuq e zi,
flamurit tonë kombëtar, shqiptarët sot kudo që janë bashkojnë mendjen, zemrat
dhe idealin e tyre për Ribashkim Kombëtar.
Pikërisht sot mbushen 134 vjet qysh kur u mbajt një takim me karakter politik e
ushtarak në Prizrenin e bukur. Pra, 10
Qershori 1878 ishte momenti më domethënës në Historinë Heroike të popullit shqiptar. Në atë kohë të gjitha energjitë e
popullit tonë, patriotizmi i tij i pashoq, dashuria për atdheun, për tokën, për
gjuhën, përpjekjet e tij politike dhe diplomatike e bashkuan atë si një grusht
të vetëm për t’i bërë ballë popujve me apetite grabitçare për trojet shqiptare,
sepse armiqtë tanë për rreth nesh, ishin organizuar kundër nesh dhe trojeve
tona.
Këtë ngjarje
të madhe historike, siç ishte Lidhja Shqiptare e Prizrenit e përkujtojmë me
admirim dhe nderim të jashtëzakonshëm,
sepse ishte, është dhe do të jetë frymëzim për kryengritjet dhe luftërat e mëvonshme,
ishte Kuvend i pashembullt se si duhet organizuar dhe dalë në mbrojtje të atdheut.
Lidhja
Shqiptare e Prizrenit nuk ishte vetëm një mbledhje udhëheqësish të shquar
politik dhe një mbledhje idealistësh, por ajo përfaqësonte vullnetin e gjithë Kombit
Shqiptar. Ata nuk u kufizuan në ndonjë memorandum shterpë. Ata shumë heret e
kishin kuptuar se pushtuesit dhe tradhtarët, cilët do qofshin ata, me çdo petk
dhe ngjyrë që të vishen dhe me çfarëdo ideologjie që të mbulohen, çështjen e
madhe të popullit shqiptar nuk do të mund ta shuajnë dot kurrë. Ajo çdo ditë që
po kalon po forcohet dhe po rrënjoset në zemrat e shqiptarëve kudo që janë. Kongresi
i Berlinit dhe vendimet e tij ishin ato të cilat i sakatoi dhe i përgjysmoi
tokat Shqiptare. Në këtë Kongres morën pjesë përfaqësuesit e gjashtë fuqive të mëdha,
të cilët përkrahën copëtimin dhe aneksimin e tokave shqiptare, në favor të fqinjve
sllavo-ortodoksë. Ndonëse në Kongresin e
Berlinit do të flitej edhe për
fatin e popullit shqiptar, delegacionin të cilin e dërgoi Lidhja
Shqiptare e Prizrenit, nuk u pranua të fliste
në Kongres. Në ketë mënyrë, Kongresi i Berlinit e trajtoi Shqipërinë si plaçkë
tregu dhe e bëri objekt copëtimi në favor të shteteve fqinje ballkanike.
Këto vendime cenonin rëndë të drejtat
dhe interesat kombëtare të popullit
shqiptar. Prandaj, ato e shtuan edhe më tepër zemërimin e shqiptar. Nga të katër
anët pati protesta masive kundër copëtimit
të trojeve Shqiptare. Njëqindmijë kilometra katrorë, 134 vite robëri, prandaj
ishin bijtë e shqipes që ishin atëherë dhe
do të dalin përsëri edhe sot, t’i shërojnë plagët e robërisë, duke ia
mbledhur tërësinë atdheut të copëtuar e
të nënshtruar. Veprat kundër popullatës
shqiptare, antinjerëzore dhe gjenocidale, nëpërmes luftërave, flakës së zjarrit, dhunës,
vjedhjes dhe terrorit, grabitqarët e tokave shqiptare gjithmonë kanë vepruar pa
e pasur kujdesin dhe mirëkuptimin! Ndërsa, bota e civilizuar, BE-ja, asnjëherë nuk
i gjykoi dhe asnjëherë nuk u dha dënimin
e merituar kësaj barbarie ndaj popullit liridashës shqiptar. Megjithatë,
shqiptarët duke e pasur idenë dhe konsideratën për pavarësi dhe Ribashkim Kombëtar,
i kanë dalë përballë gjithë këtyre
makinerive vrastare dhe e kanë bërë kërkesën legjitime dhe të drejtë për
Ribashkimin e të gjitha trojeve shqiptare në një shtet, që do të ishte e drejtë
juridike, historike dhe natyrore, e pse jo edhe njerëzore që gjithë shqiptarët
të jetojnë në një shtet, një komb, një flamur, një gjuhë..., e kuptojmë se gjërat
nuk do të ishin aq të thjeshta, por një çështje është e sigurt:
1. Paqja
dhe stabiliteti politik e ekonomik në Ballkan dhe më gjerë do të jetësoheshin
dhe stabilizoheshin.
2. Pretendimet
gllabëruese territoriale ndaj trojeve shqiptare do të ndërpriteshin.
3. Populli
Shqiptar do të fitonte respektin dhe krenarinë, të cilën e meriton dhe e ka
merituar që ta kishte shumë vite më parë, si populli me kulturë dhe lashtësi më
të vjetër në Ballkan dhe Evropë.
4. Shqiptarët
do të bëheshin një forcë ushtarake dhe ekonomike në Ballkan dhe Evropë, e cila
do të kishte rol vendimtar për qetësinë, paqen dhe stabilitetin në rajon.
5. Të drejtat
e popujve për vetëvendosje nuk do të mateshin me kutin e forcës, por me forcën
e sundimit të Ligjit të së drejtës, respektimit të pakicave dhe të drejtat
themelore elementare të njeriut.
Prandaj,
me plotë gojën mund të ripërsërisim atë që e ka thënë:
Prof. Dr.
Noel Malkolm: citojmë “ Bashkimi i shqiptarëve
nuk e kërcënon, as nuk e rrezikon
Ballkanin, por përkundrazi e forcon paqen dhe stabilitetin”.
Këtë vlerësim objektiv dhe të qëndrueshëm, duhet ta kenë parasysh dhe ta mbajnë mirë në mend, jo vetëm klasa politike tani në pozitë dhe opozitë, por edhe i gjithë faktori ndërkombëtar, e në veçanti ata që janë anti-bashkim qofshin shqiptarë apo të tjerë. Duke qenë se anti-bashkimi është simetrik me koherencën e robërisë kolonialiste sllave mbi shqiptarët dhe mbi Shqipërinë Etnike, atëherë me të drejtë shtrohet pyetja: Kush janë ata historianë, politikanë, diplomatë, shtetarë, shkencëtarë e publicistë dhe analistë shqiptarë që në forma të ndryshme janë dhe mbështesin anti-bashkimin? Do të citoja Prof. dr. Mehdi Hysenin e nderuar, i cili ka thënë: Ribashkimi kombëtar nuk është aksion gueril, as aksion humanitar fakultativ i vjeljes së “frutave të hershme” të politikës ditore dhe të rishkrimit të historisë me porosi të huazi-historianëve, por është postulat i detyrueshëm dhe i zbatueshëm gjithëkombëtar shqiptar. Pra, kërkesa shqiptare për ribashkimin e tyre nuk nënkupton kurrfarë rreziku, kurrfarë shfaqje të ndonjë konflikti të ri, por do të rindërkombëtarizonte dhe përshpejtonte zgjidhjen e konfliktit kolonial shekullor të tyre dhe gjysmës së Shqipërisë Etnike.
Në fund FBKSH-ja u bënë thirrje parlamenteve dhe qeverive shqiptare,
akademive dhe gjithë subjekteve politike, figurave të ndritura kombëtare, gjithë
popullit shqiptar, pa dallim feje apo ideje, të bashkojnë fuqinë ekonomike dhe
të mendjes, që të punojnë për ribërjen e Shqipërisë Etnike, sepse ua kemi borxh
para Zotit dhe para popullit gjeneratave të ardhshme.
Rroftë e
qoftë për jetë e mot Shqipëria Etnike!