E diele, 06.10.2024, 08:44 AM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

Murat Gecaj: Bisedë me bizmesmenin Halim Hoti

E enjte, 05.07.2012, 06:28 PM


”VUAJTJET E MIJA MË BËJNË TA KUPTOJ MË MIRË JETËN, SE ÇFARË DO TË THOTË TË KESHË OSE TË MOS KESHË...”

-Bisedë me bizmesmenin e suksesshëm Halim Hoti, veprimtar i dalluar për çështjen shqiptare, Suedi-

Nga: Prof. Murat Gecaj - publicist e studiues-Tiranë

`Është biznesmen i njohur dhe një ndër veprimtarët më të dalluar për çështjen shqiptare, në Suedi. Pata kënaqësinë, që atë ta takoja e ta njihja gjatë veprimtarive kushtuar 5-vjetorit të Qendrës Kulturore Shqiptare “Migjeni” e Revistës “Dituria dhe 4-vjetorit të Radios po me këtë emër, në qytetin Boras, ku isha me një grup kolegësh nga Tirana, në maj 2012.

Me qëllim të informimit më të saktë të lexuesve, rreth jetës e veprimtarisë së tij, i kërkova të bënim një bisedë, gjë që e pranoi menjëherë. Në pyetjet, që i drejtova, ai m’u përgjigj si më poshtë:

Dëshirojmë të dimë diçka më konkretisht për prejardhjen dhe jetën tuaj në Kosovë?

Kam lindur  më 1965, në Fshatin Carrallukë, të komunës së Malishevës. Tani familja ime jeton në Prizeren. Shkollen fillore e kreva në vendlindje dhe të mesmen në Klinë. Ndërsa shkollën e lartë e përfundova në Ferizaj, drejtimi i makinerisë.

Jemi 5 vëllezër e tri motra. Dy vëllezër, me motrat e me prindërit, jetojnë në Prizeren. Ndërsa unë, së bashku me dy vëllezër tjerë, jetojmë në Suedi.

Kam qenë pjesëmarrës i organizimit të demonstratave antiserbe të vitit 1981, në Kosovë, si dhe në organizime të ndryshme, ndaj pushtuesve serbë. Kemi patur vështirësi të mëdha të jetës familjare, me kushte të kufizuara nga pushtuesi serb.

Gjatë tërë jetës, që nga ajo fëminore e deri në vitin 1994, kam pasur probleme të mëdha shëndetësore,. Prandaj kam kërkuar ndihmë mjekësore në Kosovë, Beograd, Ljubljanë  dhe, në fund, në Suedi. Kam kaluar katër operacione të rënda: një në Kosovë, një në Beograd dhe dy operacione në Ljubljanë.

Por edhe pse me probleme aq të rënda shëndetësore, si dhe të detyruar nga pushtuesi me lëvizje të kufizuara, më ka ndihmuar Zoti të mos dorëzohem dhe t’i përballoj të gjitha këto veshtirësi, duke menduar se edhe unë një ditë do të shërohem dhe do të bëhem i aftë si gjithë të tjerët. Dhe ashtu, Zoti ma ka realizuar dëshiren që t’i ndihmoj vetes, si dhe të tjerëve. Për t’i përshkruar të gjitha vuajtjet, gjatë jetës sime, duhet folur natë e ditë ose duhet një libër i tërë. Por, besoj, mjafton me ato që tregova, në pika të shkurtuara.

Kur jeni vendosur në Suedi dhe si u përshtatët me kushtet e këtij vendi demokratik skandinav. Çfarë vështirësishë kaluat dhe si u mbështetët nga vendësit, pra nga miqtë suedezë ?

-Udhëtimin e parë për në Suedi e kam bërë më 13 qershor 1992, pra dhjetë vjet më parë. Ishim  unë e gruaja dhe dy vajza, ku në gjendje të rëndë shëndetësore ishim ne të dy dhe vajza 16 muajshe. Gjate dy viteve të para kam qenë në mjekim të plotë, pra kam gjetur ndihmën dhe kujdesin e miqëve vendës suedezë.

Gjatë shërimit dhe më pas kam kryer kurse të ndryshme të gjuhës suedeze, si dhe një specializim të lartë, në profesionin tim të mëparshëmme, C.N.C. (Operatore Autocad, Cad cam), si dhe kurse të ndërtimtarisë.

Kam qenë arkëtar i mbledhjes së tre përqindëshit për Kosovën, që nga ditët e para në Suedi, si dhe në organizime të ndryshme me bashkëkombasit tanë, që jetojnë në këtë shtet skandinav.

U deshën disa vite  që të punoja natë e ditë, derisa hyra në rrjetin dhe sistemin e shtetit suedez. Sigurisht, kurdoherë i kam patur mbështetje vendeësit dhe kështu arrita të përshtatem , shpejt  e mirë, me kushtet e punës dhe të jetesës këtu. Kështu, kam punuar nëpër shumë ndërmarrje të ndryshme suedeze,vetem sa për t’u aftësuar, pra të bëja përvojë profesionesh. Endrra ime e përhershme  ishte që një herë të përmirësohesha nga shendeti dhe kështu  ”ta theja akullin” e vuajtjeve gjatë tërë jetës,pra  të bëhesha i aftë për punë. Dhe dashti Zoti dhe prej disa vitesh unë jam në këmbë të mia, si gjithë të tjerët.

Nga marrëdhinia bashkëshortore, na kanë lindur  6 vajza radhazi e pas tyre na i  fali Zoti edhe dy djem binjakë, me emrat Andi dhe Endi.

A mund të na thoni, se cilat janë arritjet tuaja kryesore në biznesin, që drejtoni?

-Po. Unë nuk mendoj se jam një biznesmen i madh dhe  nuk do ta dëshiroja kurrë këtë gjë. Por njeriu duhet të punojë derisa të jetojë, se edhe puna është një vepër dhe çdo njeri e lë pas vetes një vepër të tij, se veprën e krijon njeriu.

Në vitin 2006, kam filluar me veprimtari ndërtimtarie, ku e kam  hapur biznesin tim në Suedi. Kam patur të punësuar, nga 20 e deri 45 veta, në këtë lami profesionale. Dhe jam shumë i kënaqur me arritjet e mija të deritashme.

Sot i kam 4 ndërrmarrje të ndryshme (4 lloje të bizneseve): Firmë Ndërtimtarie; Firmë të banesave me qera; Firmë të makinave të vjetra dhe Firmë Import & Export, në Dubai. Kjo e fundit është e posaregjistruar,  për qëllime eksport-importi: Kinë e Dubai, Kosovë, Suedi e Shqipëri dhe  anasjelltash. I kam në disponim: vendin, depot  dhe makineritë, si dhe automjetet e mija. Kështu, do të thotë, janë të gjitha kushtet për të punuar normalisht.

Vëllai im,  i cili është dy vjet pas meje, me ndihmon shumë. Ndërsa vëllai i vogël e ka biznesin e vet, kuptohet me bashkëpunim. Kështu ecin punët mbarë.

Cilat kanë qenë drejtimet e bashkëpunimit dhe ndihmesave, që u keni dhënë, deri tani, bashkatdhetarëve shqiptarë në Suedi e jashtë saj?

Së pari, kam filluar t’i ndihmoj familjes sime të ngushtë, pasi e lashë në kushte tejet të vështira  ekonomike e te shkatërruar nga lufta. Por dhe i mora dy vëllezër këtu, që të më ndihmojnë në biznes.Tani kam filluar ta ndihmoj sadopak farefisit tim në Kosovë.

Në Suedi kam ndihmuar dhe jam duke i ndihmuar disa shoqata shqiptare, ndër të cilat është edhe Qendra Kulturore Shqiptare ”Migjeni”, me qendër në Boras, ku dhe u takuam bashkë, gjatë një manifestimi të bukur e të paharruar. Në Kosovë kam filluar ta jap ndihmesën time, që në vitin 2007. Vendi ishte i shkatërruar nga lufta dhe populli vazhdonte të kishte nevojë për ndihmë, si kurrë njëherë më parë. Jo se unë mund dhe u ndihmoj aq shumë, por bile aq sa kam mundësi, nuk kursehem.

Kështu, i mbaj ekonomikisht  disa familje në Kosovë, si dhe e ndërtoj, së paku, nga një shtëpi e nganjëherë dy shtëpi në vit. Këtë gjë e bëj për skamnorët dhe më tepër u jap përparësi familjeve me pjesëtarë të sëmurë, që së paku t’i bëj me një kulëm mbi krye. Këtë nismë njerëzore jam duke e kryer për çdo vit me radhë   dhe do të vazhdoj të ndihmoj, deri sa të kem mundësi.

Do të pyesni ju: Pse i ndihmoj të tjerët? Sepse vetë kam vuajtur mjaft, në shumë vite. E kisha lutur Zotin që të çohem në këmbët e mija. Populli më ka ndihmuar, me ato mundësitë e veta, që të ma shpetojë jetën. Zoti ma realizoi dëshirën, duke m’i larguar vuajtjet e mija, me vite të tëra. Kështu, tani që jam i aftë për punë, si shpërblim, ua kam borxh të tjerëve në këtë jetë, që t’i ndihmoj sa më shumë. Se  vuajtjet e mija më bëjnë ta kuptoj më mirë jetën, se çfarë do të thotë të keshë ose të mos keshë bukë në sofër, të jesh i barabartë për jetesë, të keshë para për shërim, të kesh kulëm mbi koke dhe të kesh veshembathje si të tjerët. Fatkeqësisht, i pasuri mendon se i ka hypë pasurisë përmbi dhe nuk i sheh as kupton të tjerët, që vuajnë për jetesë!? Por, ai harron se pikërisht atëherë fillojnë problemet e jetes së tij, duke mos menduar as punuar, që edhe të tjerët të gëzohen si ai. Por kënaqësia e tij është aq e shkurtër, sa çel e mshel sytë.

Po lidhjet me Kosovën e Shqipërinë dhe trojet tjera shqiptare, si i realizoni?

U përgjigja pak edhe më lart, për këtë pyetje. Megjithatë, po u tregoj se Kosovën dhe Shqiperinë i vizitoj nga disa herë në vit. Po kështu, gjatë vitit shkoj për arsye pune, pothuajse në të gjitha  shtetet e Evropës dhe në Arabinë Saudite, në Katar, Barhai, Dubai, Liban, Egjipt, Turqi, Qipro, Hongkong, Shangai. Pekin etj.

Një herë përnjëherë, nuk mendoj që të hapi ndonjë biznes në Kosovë ose Shqipëri, se shumë larg janë nga realiteti i demokracisë. Besoj që, ndonjëherë, do të ngopen zyrtarët me pasuri.Tani do të fillojnë të punojnë për ta ndërtuar shtetin e vet dhe do të mendojnë edhe për popullin. Pra, jam shumë i bindur që një gjë të tillë do ta kuptojnë edhe ata.

Çfarë mendoni e parashikoni në projektet tuaja, të afërta e më të largëta, në drejtimet që përmendëm më lart?

Kam plane për  biznese, nëpër disa vende te ndryshme, prandaj jam duke hulumtuar. Jam  duke i hartuar disa projekte për të ardhmen edhe në Suedi. Shumë vështirë e kam, por besoj që do t’ia dal mbanë edhe me këto plane, që jam duke i bërë.

-Faleminderit për bisedën interesante, që zhvilluam bashkë dhe përgjigjet kaq korrekte, në pyetjet e drejtuara! Me jetën tuaj të vështirë, tashmë të tejkaluar dhe që e keni fituar me guxim e vullnet të çeliktë, jam i sigurtë se do të arrini çdo objektiv e do të delni përherë fitimtar në veprimtarinë tuaj, njerëzore e atdhetare.

Mne këtë rast, nga zemra ju uroj:Shëndet të plotë, arritje në punë e begati dhe lumturi familjare!

27 qershor, 2012



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora