E marte, 08.10.2024, 03:14 PM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

Milazim Kadriu: U shënua 100 vjetori i Kuvendit të Kurillovës dhe ngritjes së Flamurit Kombëtar në Vesekofc

E hene, 02.07.2012, 07:57 PM


U shënua 100 vjetori i Kuvendit të Kurillovës dhe ngritjes së Flamurit Kombëtar në Vesekofc

Nga Milazim KADRIU

Veprimtarë të çështjes kombëtare, zyrtarë të institucioneve lokale dhe qendrore të Republikës së Kosovës dhe mysafirë të shumtë nga të gjitha viset shqiptare janë mbledhur në majën e Vesekovcit në Shalën e Bajgorës për të përkujtuar 100-vjetorin e Kuvendit të Kurillovës dhe ngritjes së Flamurit Kombëtar nga Isa Boletini.  Kuvendi i Kurillovës, i njohur si Kuvendi i Besës dhe i ngritjes së Flamurit në Vesekofc. u vlerësua si një moment historik jo vetëm për Kosovën, por për të gjitha trojet shqiptare.

Manifestimi është organizuar nga Komuna e Mitrovicës në bashkëpunim edhe me komunat e Vushtrrisë dhe Besianës.

Fillimisht u ngrit flamuri i Isa Boletinit, e pastaj kryetari i Mitrovicës, Avni Kastrati foli për qëndresën, vizionin dhe përpjekjet e dëshmorëve ndër shekuj në luftën për liri. Ai e veçoi kontributin e kryetrimit Isa Boletini, të Hasan Prishtinës, të Bajram Currit dhe të tjerëve..

Në vazhdim, ai theksoi se ky manifestim përkon edhe me 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë dhe për të qenë edhe më madhështor, ky përvjetor po shënohet në Kosovën e lirë dhe të pavarur, që ishte amanet i Isa Boletinit dhe bashkëluftëtarëve të tij. “Ky amanet u përcoll nëpër breza. Për asnjë vit dhe për asnjë periudhë të vetme nuk pushuan përpjekjet për ta bërë të lirë këtë pjesë të hapësirës shqiptare që kishte mbetur e robëruar. Të rreshtuar pas flamurit kombëtar, djemtë e shqipes e sendërtuan me gjak lirinë dhe pavarësinë e kësaj cope të atdheut”.

Ai potencoi se zjarrit të lirisë i dhanë flakë edhe një herë në fund të shekullit të kaluar djemtë dhe vajzat e rreshtuara në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës duke ndjekur rrugën e  nisur nga  Komandanti Legjendar, Adem Jashari. “Sakrifica e tij bashkoi shqiptarët si asnjëherë më parë drejt plotësimit të amanetit të të parëve”.

Kryetari Kastrati potencoi se përmasat e kësaj ngjarjeje që po shënohet sot dhe atyre që sendërtuan atë, janë të mëdha sa vetë Shqipëria. “Isa Boletini me flamurin e pavarësisë rrugëtoi nga pika më veriore e trojeve shqiptare, deri në Vlorë, në skajin jugor të  këtyre trojeve. Kjo është simbolika e vërtetë e atij momenti historik”.

Në fund ai tha se ky është kuptimi esencial që është bartur nga ninullat e nënave dhe tyta e pushkëve të trimave, që kanë bashkëjetuar me porosinë e Isa Boletinit, i cili ndihej mirë vetëm atëherë kur ishte mirë Shqipëria.

Ndërkaq, veprimtari Adem Demaçi e vlerësoi Isa Boletinin si gjeneralin e gjeneralëve pa diplomë, i cili posa mbajti Kuvendin e Besës, nxitoi për në Vlorë për të marrë pjesë në aktin historik të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.

"Sot kur Shqipëria po rilind, të gjithë atyre që nuk besojnë u them se do të bashkohemi me Shqipërinë", siguroi Demaçi, i cili përkujtoi se historia jonë është shkruar me gjak, por kjo nuk i ndaloi përpjekjet tona për liri e pavarësi.

"Për ata fqinjët që vringëllojnë thikat i porosis që ta kuptojnë realitetin, pasi siç kanë humbur luftën e fundit do t'i humbin të gjithë luftat me ne", ka porositur fqinjët serbë, veprimtari Adem Demaçi, i cili porositi gjithashtu të gjithë shqiptarët që të mos kënaqen me të arriturat, por të vazhdojnë shembullin e këtyre burrave të mëdhenj.

Në emër të familjes Boletini, pjesëmarrësit, posaçërisht mysafirët nga Isniqi, i ka falënderuar, Gazmend Boletini, ndërsa më pas, për Kuvendin e Besës folën historianët Fehmi Pushkolli, Mariglen Vejsi, Fatmire Musa dhe Haki Kosumi. Mariglen Vejsi citoi fjalët e Isa Boletinit, të cilat ua kishte thënë krerëve të Portës së Lartë: Unë kam ngrit kokën për Shqipërinë, jo për veten time dhe unë jam mirë kur është mirë Shqipëria".

Fatmire Musa vlerësoi se pasi që Isa mori besën në Kuvendin e Kurullovës për luftën për çlirimin e trojeve shqiptare, ai nxitoi në Vlorë, për t'iu gjendur afër Ismail Qemailit, e pastaj formoi gardën e parë të shtetit dhe ofroi siguri dhe shtrirje në të katër vilajetet.

Në fund,simboli I rezistencës Adem Demaçi, i shoqëruar nga kryetarët  e komunave, Avni Kastrati (Mitrovicë), Bajram Mulaku (Vushtri) dhe  Agim Veliu (Besianë) zbuluan pllakën përkujtimore. Me këtë rast për të pranishmit u shfaq edhe një program i begatë kulturo-artistik.

Po ashtu në këtë përvjetor, në oborrin e shkollës, në fshatin Bajgorë, u zbulua busti i heroit Mehë Uka   që me krenari kjo shkollë mban emrin e tij.  Me rastin e zbulimit kanë marrë pjesë drejtues të Komunës së Mitrovicës, përfaqësues të shoqatave të luftës së UÇK-së dhe mysafirë të shumtë. Me këtë rast është vlerësuar lartë vepra dhe jeta e Mehë Ukës, i cili para pak ditësh është shpallur hero i Kosovës nga kryetarja,Atifete Jahjaga. Kryetari i komunës, Avni Kastrati, tha me këtë rast se është krenari për të gjithë ata që mund ta nderojnë njërin prej djemve mitrovicas që u bë figurë e shquar e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.



(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora